PJS, Zanafilla 14:25–40 (krahaso Zanafilla 14)
(Shërbesa e madhe e Melkizedekut përmendet; fuqitë dhe bekimet e Priftërisë Melkizedeke përshkruhen.)
25 Dhe Melkizedeku foli me zë të lartë dhe bekoi Abramin.
26 Tani Melkizedeku ishte një njeri i besimit, që solli drejtësi; dhe kur ishte fëmijë, ai e kishte frikë Perëndinë dhe u zuri gojët e luanëve dhe e fiku fuqinë e zjarrit.
27 Dhe kështu, duke qenë i miratuar nga Perëndia, ai u shugurua prift i lartë sipas urdhërit të besëlidhjes që Perëndia bëri me Enokun,
28 Duke qenë sipas urdhërit të Birit të Perëndisë; urdhër i cili nuk erdhi nga njeriu, as nga vullneti i njeriut, as nga ati apo nëna, as nga fillimi i ditëve, as nga mbarimi i viteve, por nga Perëndia;
29 Dhe iu dorëzua njerëzve me anë të thirrjes së zërit të tij, sipas vetë vullnetit të tij, për të gjithë ata që besuan në emrin e tij.
30 Sepse Perëndia i ishte betuar Enokut dhe farës së tij me një betim për veten e tij, që secili që shugurohet sipas këtij urdhëri dhe thirrjeje do të ketë pushtet, me anë të besimit, të çajë male, të ndajë dete, të thajë ujëra, t’u ndryshojë atyre rrjedhën;
31 Të sfidojë ushtritë e kombeve, të ndajë tokën, të prishë çdo lidhje, të qëndrojë në praninë e Perëndisë; t’i bëjë të gjitha gjërat sipas vullnetit të tij, sipas urdhërit të tij, të nënshtrojë principata dhe pushtete; dhe këtë me anë të vullnetit të Birit të Perëndisë, i cili ishte që përpara themelimit të botës.
32 Dhe njerëzit që e kishin këtë besim, që e kishin marrë këtë urdhër të Perëndisë, u ngritën dhe u morën në qiell pa provuar vdekje.
33 Dhe tani, Melkizedeku ishte një prift i këtij urdhëri; prandaj ai siguroi paqe në Salem dhe u quajt Princi i Paqes.
34 Dhe populli i tij solli drejtësi dhe fitoi qiellin, dhe kërkoi qytetin e Enokut që Perëndia e kishte marrë më parë, duke e ndarë atë nga toka, duke e ruajtur atë për ditët e mëvonshme ose për mbarimin e botës;
35 Dhe ka thënë dhe është betuar me një betim, se qiejt dhe toka do të vijnë së bashku dhe bijtë e Perëndisë do të provohen si me anë të zjarrit.
36 Dhe ky Melkizedek, pasi kishte vendosur kështu drejtësi, u quajt nga populli i tij mbreti i qiellit ose, me fjalë të tjera, Mbreti i Paqes.
37 Dhe ai ngriti lart zërin dhe e bekoi Abramin, duke qenë prifti i lartë dhe mbajtësi i shtëpisë së ruajtjes së Perëndisë;
38 Ai që Perëndia e kishte caktuar të merrte të dhjetat për të varfrit.
39 Si rrjedhim, Abrami i pagoi atij të dhjetat e gjithçka kishte, të të gjitha pasurive që zotëronte, të cilat Perëndia ia kishte dhënë, më shumë sesa i nevojiteshin.
40 Dhe ndodhi që Perëndia e bekoi Abramin dhe i dha atij pasuri, dhe nder, dhe toka për një zotërim të përjetshëm, sipas besëlidhjes që ai kishte bërë dhe sipas bekimit me të cilin Melkizedeku e kishte bekuar atë.