PJS, Zanafilla 9:10–15 (krahaso Zanafilla 9:3–9)
(Njeriut do t’i kërkohet llogari për vrasjen dhe gjithashtu për shpërdorimin e jetës së kafshëve.)
10 Por, gjaku i të gjithë mishit, të cilin jua kam dhënë për ushqim, do të derdhet mbi tokën, që merr jetën e tij, dhe gjakun ju nuk do ta hani.
11 Dhe sigurisht, gjaku nuk do të derdhet, veçse për ushqim, për të shpëtuar jetët tuaja; dhe gjakun e çdo kafshe do ta kërkoj nga duart tuaja.
12 Dhe cilido që derdh gjakun e njeriut, nga njeriu do të derdhet gjaku i tij; sepse njeriu nuk duhet të derdhë gjakun e njeriut.
13 Sepse një urdhërim jap, që vëllai i çdo njeriu duhet ta ruajë jetën e njeriut, sepse sipas shëmbëlltyrës sime e kam bërë njeriun.
14 Dhe një urdhërim ju jap: Jini frytdhënës dhe shumëzohuni; rrituni me shumicë në tokë dhe shumohuni në të.
15 Dhe Perëndia i foli Noeut dhe bijve të tij me të, duke thënë: Dhe unë, vini re, unë do të vendos besëlidhjen time me ju, të cilën e bëra me atin tuaj, Enokun, lidhur me farën tuaj pas jush.
PJS, Zanafilla 9:21–25 (krahaso Zanafilla 9:16–17)
(Ylberi u vendos në qiell si një kujtues i besëlidhjes së Perëndisë me Enokun dhe Noeun. Në ditët e fundit kuvendi i përgjithshëm i Kishës së të Parëlindurit [Sioni i Zotit në kohën e Enokut; shih Moisiu 7] do të bashkojë të drejtët mbi tokë.)
21 Dhe harku do të jetë në re; dhe unë do të vështroj mbi të, që të mund të kujtoj besëlidhjen e përjetshme që e bëra me atin tuaj, Enokun; që, kur njerëzit do t’i zbatonin të gjitha urdhërimet e mia, Sioni do të vinte përsëri në tokë, qyteti i Enokut të cilin unë e kam marrë pranë vetes.
22 Dhe kjo është besëlidhja ime e përjetshme, që kur pasardhësit e tu të përqafojnë të vërtetën dhe të shikojnë lart, atëherë Sioni do të shikojë poshtë dhe të gjithë qiejt do të tunden nga kënaqësia dhe toka do të dridhet nga gëzimi;
23 Dhe kuvendi i përgjithshëm i Kishës së të Parëlindurit do të zbresë nga qielli e do të zotërojë tokën dhe do të ketë vend derisa të vijë fundi. Dhe kjo është besëlidhja ime e përjetshme, të cilën e bëra me atin tënd, Enokun.
24 Dhe harku do të jetë në re dhe unë do të caktoj besëlidhjen time me ty, të cilën e kam bërë midis meje dhe teje, për çdo krijesë të gjallë të të gjithë mishit që do të jetë mbi tokë.
25 Dhe Perëndia i tha Noeut: Kjo është shenja e besëlidhjes që kam caktuar midis meje dhe teje; për të gjithë mishin që do të jetë mbi tokë.