PJS, Zanafilla 50:24–38 (krahaso Zanafilla 50:24–26; shih gjithashtu 2 Nefi 3)
(Moisiu, Aaroni dhe Joseph Smith-i u përmendën të gjithë në këtë profeci të Jozefit në Egjipt. Gjithashtu Jozefi profetizoi se Libri i Mormonit do të bëhej bashkëshoqërues i analit të Judës.)
24 Dhe Jozefi u tha vëllezërve të tij: Unë po vdes dhe po shkoj tek etërit e mi; dhe unë po zbres në varrin tim me gëzim. Perëndia i atit tim, Jakobit, qoftë me ju, për t’ju çliruar nga mjerimi në ditët e robërisë tuaj; sepse Zoti më ka vizituar dhe unë kam marrë një premtim nga Zoti se nga fryti i ijëve të mia, Zoti Perëndi do të rrisë një degë të drejtë nga ijët e mija; dhe nga ty, që ati im Jakobi të ka quajtur Izrael, një profet; (jo Mesian që quhet Shilo;) dhe ky profet do ta çlirojë popullin tim nga Egjipti në ditët e robërisë sate.
25 Dhe do të ndodhë që ata do të shpërndahen përsëri; dhe një degë do të thyhet dhe do të çohet në një vend të largët; megjithatë ata do të kujtohen në besëlidhjet e Zotit, kur Mesia të vijë; pasi ai do t’u shfaqet ditët e fundit, në Shpirtin e fuqisë; dhe do t’i nxjerrë ata nga errësira në dritë, nga errësira e fshehur dhe nga skllavëria në liri.
26 Një shikues do të ngrejë Zoti, Perëndia im, i cili do të jetë një shikues i zgjedhur për frytin e ijëve të mia.
27 Kështu më tha Zoti, Perëndia i etërve të mi: Një shikues të zgjedhur do të rris nga fryti i ijëve të tua dhe ai do të vlerësohet shumë mes frytit të ijëve të tua; dhe atij unë do t’i jap një urdhërim, që ai duhet të bëjë një punë për frytin e ijëve të tua, vëllezërit e tij.
28 Dhe ai do t’i sjellë ata në njohurinë e besëlidhjeve që unë kam bërë me etërit e tu; dhe ai do të bëjë çfarëdo pune që unë do ta urdhëroj.
29 Dhe unë do ta bëj atë të madh në sytë e mi, sepse ai do të bëjë punën time; dhe ai do të jetë i madh si ai të cilin kam thënë se do ta rrisja për ju, për të çliruar popullin tim, O shtëpi e Izraelit, nga vendi i Egjiptit; sepse një shikues do të rris për ta çliruar popullin tim nga vendi i Egjiptit; dhe ai do të quhet Moisi. Dhe nga ky emër ai do ta dijë se është nga shtëpia jote; sepse ai do të rritet nga bija e mbretit dhe do të quhet biri i saj.
30 Dhe përsëri, një shikues do të rris nga fryti i ijëve të tua dhe atij do t’i jap fuqi ta nxjerrë fjalën time për farën e ijëve të tua; dhe jo vetëm për nxjerrjen e fjalës sime, thotë Zoti, por për t’i bindur ata për fjalën time, e cila do të ketë shkuar tashmë mes tyre në ditët e fundit;
31 Si rrjedhim, fryti i ijëve të tua do të shkruajë dhe fryti i ijëve të Judës do të shkruajë; dhe ajo që do të shkruhet nga fryti i ijëve të tua dhe gjithashtu ajo që do të shkruhet nga fryti i ijëve të Judës, do të rriten së bashku në ngatërrimin e doktrinave të rreme dhe në heqjen dorë nga grindjet, dhe në vendosjen e paqes mes frytit të ijëve të tua, dhe në sjelljen e tyre në njohurinë e etërve të tyre në ditët e mëvonshme; dhe gjithashtu në njohurinë e besëlidhjeve të mia, thotë Zoti.
32 Dhe nga dobësia ai do të bëhet i fortë, në atë ditë kur vepra ime do të përhapet mes gjithë popullit tim, që do t’i rivendosë ata që janë të shtëpisë së Izraelit, në ditët e fundit.
33 Dhe atë shikues unë do ta bekoj dhe ata që përpiqen ta shkatërrojnë atë do të ngatërrohen; sepse këtë premtim ta jap; pasi unë do të të kujtoj nga brezi në brez; dhe emri i tij do të quhet Jozef dhe do të jetë sipas emrit të atit të tij; dhe ai do të jetë si ti; sepse gjëja që Zoti do të nxjerrë nga dora e tij do ta sjellë popullin tim në shpëtim.
34 Dhe Zoti iu betua Jozefit se ai do ta ruante farën e tij përgjithmonë, duke thënë: Unë do të ngre Moisiun dhe një shkop do të jetë në dorën e tij, dhe ai do ta mbledhë popullin së bashku, dhe ai do t’i udhëheqë ata si një tufë, dhe ai do t’i godasë ujërat e Detit të Kuq me shkopin e tij.
35 Dhe ai do të ketë gjykim e do të shkruajë fjalën e Zotit. Dhe ai nuk do të flasë shumë fjalë, sepse unë do t’ia shkruaj ligjin tim me anë të gishtit të dorës sime. Dhe unë do të bëj një zëdhënës për të dhe emri i tij do të quhet Aaron.
36 Dhe do të bëhet për ty në ditët e fundit gjithashtu, madje siç jam betuar. Si rrjedhim, Jozefi u tha vëllezërve të tij: Perëndia me siguri do t’ju vizitojë dhe do t’ju nxjerrë nga kjo tokë për në tokën që ai iu betua Abrahamit dhe Isakut, dhe Jakobit.
37 Dhe Jozefi u pohoi shumë gjëra të tjera vëllezërve të tij dhe u mori një betim fëmijëve të Izraelit, duke u thënë: Perëndia me siguri do t’ju vizitojë dhe ju do t’i hiqni kockat e mia që këtej.
38 Kështu Jozefi vdiq kur ishte njëqind e dhjetë vjeç; dhe ata e balsamosën dhe e futën në një arkivol në Egjipt; dhe ai nuk u varros prej fëmijëve të Izraelit që të mund të çohej dhe të vendosej në varr me atin e tij. Dhe kështu ata e kujtuan betimin me të cilin iu betuan atij.