Shkrimet e Shenjta
Moisiu 8


Kapitulli 8

(Shkurt 1831)

Methuselahu profetizon—Noeu dhe bijtë e tij predikojnë ungjillin—Ligësi e madhe përhapet—Thirrja për pendim nuk dëgjohet—Perëndia shpall shkatërrimin e të gjithë mishit me anë të përmbytjes.

1 Dhe të gjitha ditët e Enokut ishin katërqind e tridhjetë vjet.

2 Dhe ndodhi që Methuselahu, biri i Enokut, nuk u mor, që të mund të përmbusheshin besëlidhjet e Zotit, që ai ia bëri Enokut; sepse ai me të vërtetë lidhi besë me Enokun që Noeu do të ishte një fryt i ijeve të tij.

3 Dhe ndodhi që Methuselahu profetizoi që nga ijet e tij do të lindnin të gjitha mbretëritë e tokës (nëpërmjet Noeut) dhe ai mori lavdi për vete.

4 Dhe erdhi një zi e madhe buke në tokë dhe Zoti e mallkoi tokën me një mallkim të ashpër e shumë banorë të saj vdiqën.

5 Dhe ndodhi që Methuselahu jetoi njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjet dhe pati Lamekun;

6 Dhe Methuselahu jetoi, pasi pati Lamekun, shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet e pati bij e bija;

7 Dhe të gjitha ditët e Methuselahut ishin nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë dhe ai vdiq.

8 Dhe Lameku jetoi njëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe pati një bir,

9 Dhe ai e quajti Noe, duke thënë: Ky bir do të na ngushëllojë lidhur me punën tonë dhe mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti e mallkoi.

10 Dhe Lameku jetoi, pasi pati Noeun, pesëqind e nëntëdhjetë vjet e pati bij e bija;

11 Dhe të gjitha ditët e Lamekut ishin shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet dhe ai vdiq.

12 Dhe Noeu ishte katërqind e pesëdhjetë vjeç dhe pati Jafetin; dhe dyzet e dy vjet më pas pati Shemin, prej asaj që ishte nëna e Jafetit, dhe kur ai ishte pesëqind vjet, pati Hamin.

13 Dhe Noeu dhe bijtë e tij iu bindën Zotit e ia vunë veshin atij dhe u quajtën bijtë e Perëndisë.

14 Dhe kur këta burra filluan të shumohen mbi faqen e tokës dhe bija iu lindën atyre, bijtë e njerëzve panë se ato bija ishin të bukura dhe ata i morën për gra, madje ashtu siç zgjodhën.

15 Dhe Zoti i tha Noeut: Bijat e bijve të tu e kanë shitur veten e tyre; pasi vër re, zemërimi im ndizet kundër bijve të njerëzve, sepse ata nuk i binden zërit tim.

16 Dhe ndodhi që Noeu profetizoi dhe u mësoi gjërat e Perëndisë, madje siç ishte në fillim.

17 Dhe Zoti i tha Noeut: Shpirti im nuk do të ndeshet gjithmonë me njeriun, sepse ai do ta dijë se i tërë mishi do të vdesë; përsëri ditët e tij do të jenë njëqind e njëzet vjet; dhe nëse njerëzit nuk pendohen, unë do të dërgoj përmbytje mbi ta.

18 Dhe në ato ditë pati gjigandë në tokë dhe ata kërkuan t’ia merrnin jetën Noeut; por Zoti ishte me Noeun dhe fuqia e Zotit ishte mbi të.

19 Dhe Zoti e shuguroi Noeun sipas urdhërit të tij dhe e urdhëroi atë të shkonte e t’ua shpallte Ungjillin fëmijëve të njerëzve, madje siç iu dha Enokut.

20 Dhe ndodhi që Noeu u thirri fëmijëve të njerëzve se duhej të pendoheshin; por ata nuk ia vunë veshin fjalëve të tij;

21 Dhe gjithashtu, pasi e kishin dëgjuar, ata erdhën përpara tij, duke thënë: Vër re, ne jemi bijtë e Perëndisë; a nuk kemi marrë për vete bijat e njerëzve? Dhe a nuk jemi duke ngrënë e duke pirë dhe duke u martuar e duke u dhënë në martesë? Dhe gratë tona na lindin fëmijë dhe ata janë gjithashtu burra të fuqishëm, të cilët ngjajnë me burrat e lashtë, burra me famë të madhe. Dhe ata nuk iu bindën fjalëve të Noeut.

22 Dhe Perëndia pa se ligësia e njerëzve ishte bërë shumë e madhe në tokë; dhe çdo njeri ishte i mbushur me imagjinatën e mendimeve të zemrës së tij, duke bërë vazhdimisht vetëm keq.

23 Dhe ndodhi që Noeu ua vazhdoi predikimin e tij njerëzve, duke thënë: Dëgjoni dhe u vini vesh fjalëve të mia;

24 Dhe besoni e pendohuni për mëkatet tuaja dhe pagëzohuni në emër të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë, madje sikurse etërit tanë, dhe ju do të merrni Frymën e Shenjtë, që të mund t’ju manifestohen të gjitha gjërat; dhe në qoftë se nuk e bëni këtë, përmbytje do të vijnë mbi ju; megjithatë ata nuk e dëgjuan.

25 Dhe Noeut i erdhi keq dhe zemra e tij u mbush me dhembje, që Zoti e kishte bërë njeriun në tokë, dhe kjo e pikëlloi atë në shpirt.

26 Dhe Zoti tha: Do ta shkatërroj njeriun, që vetë e kam krijuar, nga faqja e dheut, si njeriun, ashtu edhe bishën, dhe rrëshqanorët, dhe shpendët e ajrit; sepse Noeut i vjen keq që unë i kam krijuar ata dhe që unë i kam bërë ata; dhe ai më thërret, sepse ata kanë kërkuar jetën e tij.

27 Dhe kështu Noeu gjeti hir në sytë e Zotit; sepse Noeu ishte njeri i drejtë dhe i përsosur në brezin e tij; dhe ai eci me Perëndinë, ashtu sikurse bënë tre bijtë e tij, Shemi, Hami dhe Jafeti.

28 Toka ishte e korruptuar përpara Perëndisë dhe u mbush me dhunë.

29 Dhe Perëndia hodhi vështrimin mbi tokën dhe, vini re, ajo ishte e korruptuar, sepse tërë mishi e kishte korruptuar udhën e tij mbi tokë.

30 Dhe Perëndia i tha Noeut: Mbarimi i të gjithë mishit ka ardhur përpara meje, sepse toka është mbushur me dhunë dhe, vër re, unë do ta shkatërroj gjithë mishin nga toka.