Vetëm në Format Elektronik
A Keni Pyetje rreth Ungjillit? Ja tek Janë Pesë Mënyra për të Gjetur Përgjigje
Edhe unë kam pyetje. Dhe nuk keni përse të trembeni nga kjo.
“A ka pyetje ndonjëri?”
A e keni dëgjuar ndonjëherë këtë në mbarim të një mësimi dhe keni menduar: “Po, kam një milion pyetje” ose “Po, nuk ia kam fare idenë”, por rrini në heshtje?
Unë po. Dhe ndonjëherë jam ende i frikësuar nga pasja e pyetjeve.
Kam frikë se mos nuk di mjaftueshëm, nga ajo që mund të mendojnë të tjerët dhe se mos has informacione që mund të më lënë me akoma më shumë pyetje.
Pavarësisht nga këto, nuk duhet të kemi as frikë, as turp nga pasja e një pyetjeje dhe nga dëshira për të kuptuar më tepër, veçanërisht kur është fjala për ungjillin. Ati Qiellor dëshiron që ne të kërkojmë më tepër njohuri! Madje edhe Plaku Diter F. Uhtdorf tha: “Bërja e pyetjeve nuk është një shenjë dobësie; është një pararendëse e rritjes”1.
Çdokush ka diçka më tepër për të mësuar. Dhe pyetjet ia hapin derën njohurisë dhe besimit më të madh – për aq kohë sa po i kërkoni përgjigjet në mënyrat e duhura! Ja tek janë pesë mënyra se si të hidhni pak dritë mbi pyetjet tuaja.
1. Kontrollojini Burimet Tuaja
Ka plot burime të mira tek të cilat të mirëbesoni që mund t’ju japin më shumë ide, të tilla si shkrimet e shenjta dhe materialet e Kishës. Por në botë ka edhe shumë informacione të rreme dhe burime të pasakta që na zënë pritë gjithashtu. Fatmirësisht ju mund ta dalloni të vërtetën nga mashtrimi!
Entoni Sueti, një ndihmësprofesor për historinë dhe doktrinën e Kishës në Universitetin “Brigam Jang”, jep pesë pyetje që duhen bërë për të vendosur a mund të mirëbesoni te një burim:
-
A është një burim parësor? (U shkrua ose u prodhua nga dikush që mori pjesë në ngjarje ose e vëzhgoi atë.)
-
A është një rrëfim i kohës? (U mbajt shënim në kohën e ngjarjes ose afër saj.)
-
A ka një këndvështrim objektiv? (Sa të jetë e mundur, autori kërkon të jetë i drejtë, me drejtpeshim, i paanshëm dhe asnjanës.)
-
Cila është marrëdhënia e tij me burimet e tjera? (Datat, faktet, deklarimet e kështu me radhë përputhen me burime të tjera që trajtojnë të njëjtat ngjarje.)
-
A mbështeten nga prova deklarimet e tij? (Pohimet bazohen në prova të forta dhe të dhëna që i mbështetin ato.)2
Plaku Xhefri R. Holland i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim: “Në çështjet e besimit dhe bindjes, të vjen në ndihmë t’ua drejtosh pyetjet atyre që në fakt kanë besim dhe bindje!”3 Fjalët e tij dhe pyetjet e mësipërme mund t’ju japin siguri për gjetjen e informacioneve të cilave mund t’u mirëbesoni.
2. Mbështetuni te Fjalët e Profetëve
Profetët dhe apostujt përçojnë doktrinë dhe të vërtetë (dhe rrjedhimisht përgjigje për ju!) nëpërmjet zbulesës. Kam marrë ngushëllim shumë e shumë herë nga leximi ose dëgjimi i një bisede nga konferenca e përgjithshme kur jam i pështjelluar ose në ankth.
Edhe nëse nuk kuptoni gjithçka nga mesazhet e disa prej udhëheqësve të Kishës, mbajeni mend se fjalët e tyre vijnë nga Ati Qiellor – ato vijnë nga një burim dashurie dhe të vërtete. Nëse i mbani mend dhe u mirëbesoni fjalëve të Plakut Ulises Soares: “Profetët që ne i kemi, janë shenjë e dashurisë së Perëndisë për fëmijë te Tij”4, do t’i sillni shpresë jetës suaj, pavarësisht nga njohuria që po kërkoni.
3. Studiojini Shkrimet e Shenjta … Studiojini Vërtet
Si është studimi juaj i shkrimeve të shenjta? I imi mund të jetë më mirë! Por kur e përsiat me të vërtetë atë që po lexoj, vë re një ndryshim te vetja. Ndiej më tepër paqe dhe shpresë. Për ta hapur mendjen tuaj ndaj frymëzimit në shkrimet e shenjta, provojini këto këshilla:
-
Fillojeni dhe përfundojeni studimin tuaj me një lutje. Teksa e ftoni Shpirtin që t’ju ndihmojë të kuptoni, do të dalloni ide e nxitje më të mëdha.
-
Hidhini në letër përshtypjet që merrni. Leximi i këtyre përshtypjeve më vonë, mund t’ju ndihmojë të bëni lidhje në jetën tuaj dhe t’i dalloni përgjigjet me kalimin e kohës.
-
Ndaloni një çast e rrini pa lëvizur. Uluni në heshtje dhe kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave që ju përsëriten pasi lexoni e studioni. Mbajeni mend, Shpirti flet me një zë të qetë e të ulët.
4. Mësoni Si të Merrni Zbulesë
Në këtë periudhë të jetës, kam pasur nevojë për Atin Qiellor më shumë se kurrë për të më udhërrëfyer e për të më ndihmuar ta forcoj besimin tim. Dhe jam acaruar nganjëherë kur kam bërë gjithçka për ta ftuar Shpirtin dhe prapëseprapë nuk marr asnjë përgjigje nga qielli. Fatmirësisht, mësova nga Motra Sheri Dju, ish-Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, që për t’i hapur linjat e komunikimit me Atin Qiellor, bëjini vetes këto pyetje:
-
A i shtroni pyetjet tuaja me mendimin se ka përgjigje për to?
-
A jeni të gatshëm t’i mirëbesoni Zotit dhe të mbështeteni tek Ai dhe t’i pranoni përgjigjet e Tij?
Dhe më pas kërkojini Atit Qiellor:
-
T’ju mësojë mënyrën se si ju flet Ai juve individualisht.
-
Pyeteni se çfarë ndien Ai për ju.
“Më pas vëzhgoni se si do t’ju këshillojë Ai”, thotë ajo, “përfshirë shkrimet e shenjta që ju tërheqin, pikat për t’u theksuar në mesazhet e konferencave të përgjithshme që mund t’ju kenë shpëtuar herën e parë e kështu me radhë. … Me kalimin e kohës, Ai do t’jua tregojë dhe teksa e bën këtë, do të mësoni më shumë rreth dallimit të zbulesës me anë të Shpirtit.”5
Këto dy pyetje jetike kanë sjellë një ndryshim të madh tek aftësia ime për ta dalluar dhe për ta marrë zbulesën.
5. Mbahuni Fort tek Ato që Njëmend i Dini
Nganjëherë përgjigjet nuk vijnë menjëherë. Përgjigjja juaj tani mund të jetë thjesht që t’i mirëbesoni Atit Qiellor dhe të keni durim. Mbajeni mend këshillën e Plakut Uhtdorf që të “k[e]ni dyshim te dyshimet tuaja përpara se të keni dyshim te besimi juaj”.6
Nëse ndiheni të shkurajuar, mendoni për të vërtetat që i mbani në zemër. Kur jam e munduar, kujtoj ato çaste kur e dija me siguri se jam një bijë e dashur e Prindërve Qiellorë, se Perëndia ka një plan për mua dhe se Jezu Krishti është Shpëtimtari im.
Kur keni pyetje, mund të jetë e lehtë të përqendroheni tek ajo që nuk kuptoni në vend të atyre që i kuptoni. Por nëse jeni të gatshëm ta zbutni zemrën, të mbani një këndvështrim të përjetshëm dhe ta përputhni përulësisht vullnetin tuaj me të Atit Qiellor, Ai do t’ju udhëheqë gjithnjë drejt së vërtetës dhe do t’ju japë shpresë derisa të vijë njohuri shtesë. Dhe një ditë, do të keni përgjigje për të gjitha pyetjet tuaja (shih Doktrina e Besëlidhje 101:32–36).