Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
Si, Pse, Kur dhe Ku t’i Kursejmë Paratë
Artikull i përgatitur në këshillim me doktor E. Xhefri Hillin, studiues i financave të familjes
Qoftë nëse i shihni paratë si diçka të dërguar nga qielli ose thjesht si një të keqe të domosdoshme, ato përfundimisht janë të domosdoshme. Por si të rinj në moshë madhore, ne shpesh ndihemi sikur nuk kemi aq para sa duhet as për nevojat tona ditore, e jo më për urgjenca të paparashikuara! Ja pse është shumë e rëndësishme që të kemi kursime.
Për t’ju ndihmuar, ja tek janë pesë këshilla që të filloni t’i mblidhni kursimet tuaja herët në mënyrë që të gëzoni bekimet e qëndrueshmërisë financiare më vonë.
-
Si? Fillojeni duke krijuar një buxhet. Planifikoni me kujdes se sa nga të ardhurat tuaj do të shkojnë për të paguar të dhjetën dhe për nevojat tuaja (faturat, ushqimin, borxhet, etj.). Çfarëdo që të mbetet do t’ju japë një ide rreth shumës që mund të kurseni çdo muaj dhe shumës që mbetet për të shpenzuar për dëshirat tuaja.
Konsultohuni me institucionin tuaj financiar rreth mundësive për ta bërë më të lehtë kursimin, si për shembull kalimin automatik të një përqindjeje të caktuar të të ardhurave tuaja në llogarinë tuaj të kursimeve çdo muaj. Në këtë mënyrë, nuk do t’ju duhet të mendoni fare për këtë! Dhe sigurohuni që të përfitoni nga çfarëdo plani kursimi për daljen në pension që mund të ofrojë punëdhënësi juaj.
-
Kur? Tani! … Ose së paku duke filluar me rrogën tuaj të radhës. Mund t’ju duket sikur nuk keni aq para në buxhetin tuaj sa të kurseni tani, por duke filluar të kurseni qoftë edhe pakëz çdo muaj, do të jeni duke krijuar një zakon që do t’ju bekojë në të ardhmen!
-
Sa? Kurseni sa më shumë të mundeni brenda buxhetit tuaj. Nëse jeni ngushtë me paratë ose jeni në borxh, mund të kurseni vetëm 5 përqind çdo muaj, nëse dëshironi. Por teksa të ardhurat tuaja rriten, mund ta rritni atë shifër në 10 ose 15 përqind apo më shumë me kalimin e kohës. Një synim i mirë mund të jetë që të keni së paku paratë për shpenzimet e një muaji në rast urgjence. Më pas filloni të kurseni aq sa për të mbuluar shpenzimet për 3 deri 6 muaj e vazhdoni ta shtoni.
-
Ku? Është një ide e mirë që t’i hidhni kursimet tuaja në një llogari më vete – kjo do t’ju ndalojë të tundoheni për t’i shpenzuar ato për gjërat të përditshmërisë. Nëse po kurseni për diçka specifike, provoni të krijoni një llogari specifike që mund ta emërtoni (të tillë si “divani” ose “kompjuteri i lëvizshëm”) që t’ia kujtoni vetes synimin tuaj.
Nëse keni ende pyetje, takohuni me një këshillues financiar. Ai mund t’ju ndihmojë të vini synime për kursim në bazë të situatës suaj financiare.
Mbi të gjitha, mbani mend se hapi i parë drejt sigurisë financiare është që të paguani të dhjetën tuaj në fillim! Mirëbesojini premtimit të Zotit se Ai do t’i “hap[ë] pragjet e qiellit dhe … do të derdh[ë] mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini” (Malakia 3:10; 3 Nefi 24:10). Nganjëherë ne presim që ato bekime të vijnë në formë parash që bien si shi mbi ne, por mbajeni në mendje se këto bekime mund të përfshijnë bekime shpirtërore (shih Dejvid A. Bednar, “Pragjet e Qiellit”, Liahona, nëntor 2013, f. 17–20).
Zoti ka thënë se “është qëllimi [i Tij] për të siguruar për shenjtorët e [Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 104:15). Kursimi i parave mund të duket i vështirë – veçanërisht kur jeni të rinj e të reja në moshë madhore, kur shumë aspekte të jetës suaj mund të mos jenë të qëndrueshme – por pak e nga pak, mund t’ia dilni. Ati Qiellor do t’ju ndihmojë t’i ndryshoni zakonet dhe përparësitë tuaja që të bëheni të mbështetur te vetja dhe të jeni të sigurt nga ana financiare.