2020
Si po Përgatitem për një Tempull në Indi
Korrik 2020


Vetëm në Format Elektronik

Si po Përgatitem për një Tempull në Indi

Kam dashur përherë të shkoj në tempull. Tani që profeti ka njoftuar një tempull në Indi, e pres me padurim kohën kur do të mundem t’i marr ato ordinanca aty.

Ngaqë u rrita në Indi, familja ime dhe unë ishim të besimit Hindu. Isha gjithnjë i rrethuar nga bindja se kishte shumë perëndi të cilët duheshin adhuruar. Kur isha i ri, kisha edhe miq që ishin të krishterë. Ata më tregonin rreth një Perëndie të vetëm që krijoi botën dhe të gjithë njerëzit. Fillova të pyesja veten pse po adhuroja kaq shumë perëndi, kur të tjerët besonin vetëm te një.

Kur isha në shkollë të mesme, nisa disa zakone të këqija. Po pija shumë, isha i pasjellshëm dhe familja ime ishte e mërzitur nga sjellja ime. Kështu që u shpërngula dhe nisa një jetë të re në Hajderabad, një qytet me mundësi të shumta për punë.

Fillova të bija në depresion e të ndihesha i vetmuar për shkak të stilit tim të jetesës. Por një ditë u ndesha me dy burra. Ata më shpjeguan se ishin misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe më treguan rreth ungjillit të Jezu Krishtit. Dhe sërish mësova rreth një Perëndie të vetëm, që kishte krijuar një plan lumturie për të gjithë fëmijët e Tij. Mesazhi i tyre më mbushi menjëherë me lumturi e shpresë. Doja të mësoja më shumë.

Tani jam anëtar i Kishës prej shtatë vjetësh. Kam ndryshuar, kam dëshmuar mrekulli në jetën time dhe kam mësuar shumë rreth ungjillit. Më pëlqen shumë gëzimi që ai më sjell. Por ka një pjesë të rëndësishme të ungjillit që nuk e kam përjetuar ende – tempullin.

Nga çasti i parë që mësova për tempullin, doja të shkoja atje për të mësuar e për të ndier Shpirtin, për t’u vulosur për përjetësinë me familjen time e për të bërë besëlidhje me Zotin. Por nuk ka tempuj në Indi dhe nuk e kam pasur ende mundësinë që të udhëtoj drejt një tempulli. Në Indi, unë dhe shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, kemi bërë lutje të panumërta, kemi agjëruar e jemi kapur pas durimit dhe besimit se një ditë do të ndërtohet një tempull në Indi.

Gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 2018, Perëndia iu përgjigj lutjeve tona kur Presidenti Rasëll M. Nelson njoftoi se do të ndërtohej një tempull në Bengaluru të Indisë. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Shpirti ma mbushi zemrën me gëzim dhe sytë me lot kur po fliste profeti. E falënderova menjëherë Atin Qiellor që iu përgjigj lutjeve tona. Dhe jam shumë i emocionuar që më në fund do ta shoh e do të hyj në tempull për pak vjet.

Sa i lumtur dhe krenar ndihem që jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit! E di se Zoti e rivendosi ungjillin e vërtetë në këtë tokë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. E di se tempulli është vendi ku mund t’i afrohemi më tepër Perëndisë, të vulosemi me familjet tona dhe të mësojmë më shumë rreth qëllimit tonë. Dhe ndërkohë që pres që të ndërtohet tempulli këtu në Indi, po punoj fort që të përgatitem për të hyrë në të.

  • Po lutem dhe po mësoj sa më shumë që mundem për tempullin, besëlidhjet që do të bëj dhe ordinancat që do të marr atje.

  • Po u kërkoj këshilla se si të përgatitem shpirtërisht anëtarëve të tjerë që kanë qenë në tempull.

  • Po mësoj si të bëj punën për historinë familjare që të mund t’i çoj emrat e paraardhësve të mi në tempull.

  • Po ndjek një orë mësimore mbi përgatitjen për në tempull.

Dua të jem gati për ditën kur më në fund do të hyj në tempull dhe ta bëj atë një përparësi në jetën time. Do të përpiqem fort që të jem gjithnjë i denjë për të hyrë atje që të mund të marr bekimet e premtuara, drejtim dhe përgjigje të lutjeve për të cilat kam pritur shumë. Mezi po e pres atë ditë.