2020
Arsyeja Përse Ati Qiellor Donte që Unë të Arsimohesha
Korrik 2020


Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Arsyeja Përse Ati Qiellor Donte që Unë të Arsimohesha

Pavarësisht se cilat janë dëshirat tuaja të drejta, Ati Qiellor do të sigurojë një mënyrë që ju t’i arrini ato.

Gloria Cornelio

Që kur isha e vogël, dëshiroja gjithmonë që ta bëja Atin tim Qiellor dhe familjen time të tanishme dhe të ardhme krenare. Dëshiroja të merrja gjithë arsimimin që mundesha për ta përmirësuar veten dhe jetën time.

Në vendin tim në Peru, arsimimi cilësor është shumë i kushtueshëm dhe në disa degë, tërësisht i pamundur. Familja ime, gjithashtu, nuk i kishte të gjitha burimet për të më mbështetur për arsimimin tim. Por prindërit e mi më mësuan se të punuarit fort, të qenit i zellshëm dhe kërkesa për ndihmë ndaj Atit Qiellor, mund të ndihmojë për realizimin e ëndrrave tona. Dhe planifikova të punoja fort.

Në shkollë fillore dhe të mesme, isha e zellshme në studimet e mia që të mund të përmirësohesha çdo vit. Pas shkollës së mesme, u pranova në universitetin më të mirë në renditje të Perusë dhe mora një bursë të konsiderueshme. Ndërkohë që isha atje, punova me disa organizata, përfshirë një stazh me një organizatë botërore dhe kisha mundësi që të drejtoja shumë lloje të ndryshme projektesh.

Gjatë atij stazhi, ndjeva se do të ishte një mundësi e mrekullueshme për mua që të arsimohesha për gjuhën angleze. Kështu që vendosa të shpërngulesha në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho. Kjo më trembte, por e dija se Ati Qiellor do të më ndihmonte ta arrija këtë qëllim – unë thjesht kisha nevojë që t’i mirëbesoja Atij dhe të bëja pjesën time.

Një Ndryshim Planesh

Isha e vendosur të shkoja në UBJ-Ajdaho, por gjatë procesit të bërjes së kërkesës, ndjeva një shtytje të fortë se duhej të shërbeja në një mision përpara se të shpërngulesha atje. Kështu që e ndoqa vullnetin e Atit Qiellor dhe u thirra të shërbeja në Truhijo, Peru. Kur u ktheva në shtëpi, planifikova që të kthehesha në universitet në Peru për shkak se ndjeva se mund të merrja përnjëherë diplomën atje. Gjithsesi, zbulova se bursat e mia atje më ishin hequr për shkak se i kisha ndërprerë studimet për më shumë se një vit për të shërbyer në mision.

U ndjeva e shkatërruar dhe e përhumbur. Nuk dija se çfarë të bëja. Nuk e dija se përse ndjeva nxitjen që të shërbeja në një mision po të ishte se do ta humbja mundësinë për të marrë një diplomë universitare.

Por një ditë, m’u kujtua se presidenti im i misionit na tregoi për programin Pathway Worldwide të UBJ-së. Ai na kishte ftuar që ta përmirësonim gjuhën angleze dhe ta kërkonim këtë mundësi kur të ktheheshim në shtëpi dhe kështu bëra.

graduates

Rrugëtimi Im me Programin Pathway Worldwide të UBJ-së

E dija që nuk ishte një rastësi ajo që presidenti im i misionit më tha për programin Pathway të UBJ-së. Kur e fillova programin Pathway, m’u desh të udhëtoja pothuajse tre orë çdo javë për t’u takuar me grupin tim. Sakrifikova shumë, por e dija se të arsimohesha ishte e rëndësishme si për mua edhe për Zotin. Dhe ato sakrifica çuan drejt shumë bekimeve.

Programi Pathway Worldwide i UBJ-së ishte dritarja e mundësisë që po kërkoja. Më dha mundësinë e një arsimimi me një çmim të përballueshëm, më lejoi kohë që të mbaja një punë dhe më ndihmoi që të bëja një arsimim në gjuhën angleze. Dhe mbi të gjitha, njoha miq të shkëlqyer që më inkurajuan të isha e guximshme dhe të vazhdoja të punoja drejt synimeve të mia. Shpirtërisht ndihem më e fortë dhe jam bërë një dishepulle më e mirë e Jezu Krishtit.

Si përfundim, isha studentja e parë ndërkombëtare që mora një diplomë universitare nëpërmjet programit Pathway Worldwide të UBJ-së. Arsimimi më ka hapur mundësi të mrekullueshme. Tani jam një specialiste e programit të mirëqenies dhe mbështetjes te vetja për Zonën Veriperëndimore të Amerikës së Jugut të Kishës dhe jam gjithashtu një misionare vullnetare për programin Pathway Worldwide të UBJ-së në Peru. Shoh kaq shumë dritë në çdo student dhe i inkurajoj ata të shkojnë përpara ashtu siç u inkurajova unë nga miqtë e mi gjatë shkollimit. Nëpërmjet këtij rrugëtimi, unë kuptova se Ati Qiellor ka qenë me mua në çdo hap të udhës sime.

Ati Qiellor Dëshiron që Ne t’ia Dalim Mbanë

Rrugëtimi im e ka forcuar dëshminë time për arsimimin. Dhe ende planifikoj të vazhdoj të rritem dhe të mësoj sa më shumë që mundem çdo ditë. Ne jemi në tokë për të përparuar, për t’u vënë në provë, për t’u rritur, për ta vërtetuar bindjen tonë dhe për t’u mbështetur te Shpëtimtari, që të bëhemi të denjë për t’u kthyer te Ati ynë Qiellor. Për Perëndinë, “gjithë gjërat … janë shpirtërore” – përfshirë arsimimin (shih Doktrina e Besëlidhje 29:34). Të gjitha përvojat që kemi dhe njohuria që marrim në tokë, do të na ndihmojnë që të jemi më shumë si Shpëtimtari dhe do të na përgatitin të marrim vendime më të mira, për të shërbyer më mirë në botë dhe për të qenë instrumente më të mira në duart e Tij.

Arsimimi na siguron një udhë për të marrë njohuri dhe më pas për të vepruar, për të qëndruar për të vërtetën dhe drejtësinë dhe për të jetuar një jetë që Ati ynë Qiellor dëshiron për ne – një jetë plot gëzim.

E di se Ati Qiellor i bekon përpjekjet tona, veçanërisht kur dëshira e zemrave tona është të përparojmë dhe t’i shërbejmë Atij dhe fëmijëve të Tij. E di se kur Ai u jep fëmijëve të Tij udhëzim, “[Ai do të] përgatit[ë] një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron” (1 Nefi 3:7). Ai dëshiron që ne t’ia dalim mbanë!

Secili nga ne duhet të përfitojë nga çdo mundësi për arsimim dhe rritje që Zoti na sjell në shteg, qoftë nëpërmjet programit Pathway Worldwide të UBJ-së apo ndonjë mundësie tjetër arsimore. Ai na do dhe do të na udhëheqë gjithmonë. Ai dëshiron që ne të mësojmë gjithçka që mundemi këtu në tokë. Dhe e di se mund të përjetojmë mrekulli të mëdha ndërsa punojmë me gëzim e zell dhe mirëbesojmë në udhërrëfimin e Tij. Unë e di që e kam bërë.