Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
Një Gjë rreth së Ardhmes që Unë Mund ta Kontrolloj
Ai zë i vogël në mendjen time sa vinte e bëhej më i vështirë për t’u shpërfillur! Ja tek isha, në moshën 28-vjeçare, ende beqare dhe jo shumë e sigurt për atë që doja të bëja nga ana profesionale, ndonëse kisha një karrierë të mirë si infermiere për lindjet dhe si mami. Ndihesha sikur çdo aspekt i jetës sime nuk po shkonte mirë. Kisha vënë në pikëpyetje disa zgjedhje të jetës dhe nuk e dija se cilin shteg të merrja. Thjesht ndihesha e përhumbur.
Një ditë kur isha veçanërisht e rënë moralisht, më mori në telefon një mik, me të cilin kisha kohë pa komunikuar. Kur më pyeti se si po ia kaloja, ia shpjegova të gjitha ato ndjenja me të cilat po luftoja. Ai më dëgjoi dhe më pas tha:“Mirë, por si je nga ana shpirtërore?”
“Ou, shkëlqyeshëm”, iu përgjigja mekanikisht. “Nuk jam ndier kurrë më pranë Perëndisë në jetën time.”
Ai u përgjigj: “Atëherë nuk ke përse të shqetësohesh për asgjë tjetër”.
Besim në Planin e Përkryer të Perëndisë
Që nga ajo bisedë, unë kuptova dy gjëra. Së pari, kuptova se jam shumë mirënjohëse që kam një dëshmi të fortë për ungjillin e rivendosur dhe që kam mundësinë të jetoj urdhërimet dhe të ndihem e lidhur me qiellin.
Të qenit e mbështetur te vetja shpirtërisht është shumë e rëndësishme për mua dhe ende po mësoj se si t’i hap qiejt në jetën time. Lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta çdo mëngjes janë dy gjëra të thjeshta, që mendoj se sjellin ndryshimin më të madh në aftësinë time për të marrë zbulesë vetjake. Unë ndihem gjithashtu më e lidhur me qiellin kur bëj përpjekje për të qenë dashamirëse, për të jetuar një jetë të shëndetshme që Shpirti të mund të jetë gjithnjë shoqëruesi im, për t’iu bindur urdhërimeve dhe për t’u penduar sinqerisht.
Së dyti, kuptova se përgjigjja ndaj pyetjes së mikut tim nuk ishte plotësisht e saktë – unë mendova se ndihesha “shkëlqyeshëm” nga ana shpirtërore, por kisha nevojë të kisha më shumë besim, të mos shqetësohesha më aq shumë dhe t’i mirëbesoja Perëndisë që të kujdesej për gjërat që nuk mund t’i kontrolloja.
Edhe kur disa aspekte të jetës sime nuk po shkojnë aq mirë sa do të doja, e di se gjëja e rëndësishme është që të veproj me besim dhe t’i tregoj Perëndisë se e përdor zgjedhjen time të lirë për të bërë zgjedhje të mira. Kam mësuar se kur jeta nuk shkon ashtu siç e kam pritur, ndodh që mund të mësoj e të rritem në mënyra që nuk do t’i kisha të mundura ndryshe.
Nuk e kisha imagjinuar kurrë se në moshën 29–vjeçare do ta gjeja veten duke pasur shumë dyshime rreth karrierës dhe fazës tjetër të jetës sime. Prapëseprapë, edhe me të gjitha këto të papritura, kam besim të plotë se Perëndia ka një plan të përsosur për mua. Ai e di me saktësi se çfarë po ndodh dhe për çfarë kam nevojë dhe Ai do të kujdeset gjithmonë për mua (shih Mateu 6:28–34). Ashtu siç dha mësim Plaku L. Tod Baxh: “Sado e vështirë të jetë për t’u kuptuar, veçanërisht në kohën kur erërat që fryjnë në drejtim të kundërt janë të fuqishme dhe detet janë të trazuara, ne mund të marrim ngushëllim nga dijenia se Perëndia me mirësinë e Tij të pafundme është gjithnjë duke na shtyrë në drejtim të shtëpisë” (“Mirëbesimi i Qëndrueshëm dhe i Paepur”, Liahona, nëntor 2019, f. 48).
Mirëbeso më Shumë; Shqetësohu më Pak
Disa ditë jeta duket kaq e vështirë, por kur mendoj vërtet rreth saj, e di se nuk kam përse të shqetësohem. Pak e nga pak, kam arritur të kuptoj se kam nevojë t’i mirëbesoj Perëndisë pak më shumë dhe të shqetësohem disi më pak për gjërat që nuk mund t’i kontrolloj. E vetmja gjë që mund të kontrolloj rreth së ardhmes është mirëbesimi te Perëndia dhe përpjekja për t’iu afruar çdo ditë e më shumë Atij.
Kur ndihem e përhumbur, ka gjithmonë mjaft dritë për mua që të hedh një hap drejt së panjohurës dhe të vazhdoj përpara. Dhe për aq kohë sa e ushtroj besimin tim dhe i mbaj besëlidhjet e mia, për aq kohë sa e kujtoj identitetin tim hyjnor si bijë e Prindërve Qiellor dhe përpiqem gjithnjë e më tepër, gjërat do të ndodhin në kohën dhe mënyrën e duhur dhe vetëm kjo ka rëndësi.