Transmetimet e Trajnimeve
Ne Nuk Arritëm deri Këtu Vetëm për të Ardhur deri Këtu


Ne Nuk Arritëm deri Këtu Vetëm për të Ardhur deri Këtu

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së 2020

E martë, 9 qershor 2020

Është e mrekullueshme të jemi së bashku. Shpresojmë që familjet tuaja janë të sigurta dhe mirë. Gjatë gjithë këtij viti, ne kemi përkujtuar 200-vjetorin e Vegimit të Parë. Jam mirënjohës për Jozef Smithin dhe për shembullin e tij të besimit dhe të dëshirës për ta njohur të vërtetën dhe jam mirënjohës që Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, na duan aq sa t’i përgjigjeshin lutjes së përulur të Jozefit. E kemi ndier fuqinë e fjalëve kur kemi dëgjuar: “Lavdi burrit që me Jehovën foli!”1 Thjesht do të shtoja, lavdi Jehovës që komunikoi përsëri me njerëzimin. Jam shumë mirënjohës për realitetin e asaj që Jozefi e përjetoi në Korijen e Shenjtë.

Pas vegimit të tij, Jozefi u kthye në shtëpi ku takoi nënën e vet dhe i tha asaj: “Gjithçka është në rregull. … Kam mësuar vetë.”2 Modeli që ndoqi Jozefi në kërkimin e tij për të vërtetën, është i njëjti model që studentët tanë duhet të ndjekin. Dhe ashtu si përvoja e ndihmoi Jozefin të mësonte vetë, shpresa jonë është që të gjithë studentët tanë do ta mësojnë vetë se Ati Qiellor i njeh dhe i do, se Jezusi është Krishti dhe se Ai qëndron në krye të Kishës së Tij në këto ditë të fundit.

Që nga fillimet e Seminareve dhe Instituteve, shumë është thënë rreth mësimdhënies dhe të mësuarit. Që nga materiali Charted Course [Kursi i Hartuar] deri te materiali i tanishëm Bazat e Mësimdhënies dhe të të Nxënit, udhërrëfimi i frymëzuar që e kemi marrë, na ka ndihmuar për ta dhënë mësim në mënyrë të efektshme ungjillin e rivendosur siç gjendet në shkrimet e shenjta dhe në mësimet e profetëve, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Kurrë nuk duhet të largohemi nga këto parime bazë. Por gjithashtu nuk duhet të kemi frikë që të mësojmë gjëra të reja ose ta rritim kuptimin tonë mbi mënyrën se si t’i ndihmojmë më së miri studentët tanë që të mësojnë vetë.

Jam mirënjohës për përparimin që po bëjmë. Në njëfarë mënyre ndiej sikur kemi qenë duke iu ngjitur një mali së bashku. Nuk mund të kishim arritur deri këtu pa përvojën dhe zbulesën e së kaluarës, por kurrë nuk duhet të bëhemi të vetëkënaqur dhe ta ndalim ecjen tonë përpara. Fraza që më vjen në mendje është ajo që tha Plaku Xhefri R. Holland në konferencën e përgjithshme më të fundit: “[Ne] nuk erdh[ëm] kaq larg vetëm që të vi[nim] kaq larg” [Xhudit Mahlangu (konferencë shumëkunjëshe pranë Johanesburgut, Afrikë e Jugut, 10 nëntor 2019), në Sydney Walker, “Elder Holland Visits Southeast Africa during ‘Remarkable Time of Growth’”, Church News, 27 nëntor 2019, thechurchnews.com].3 Ne jemi në gjysmë të rrugës duke iu ngjitur malit dhe Zoti është gati të na japë edhe më shumë.

Për këtë qëllim, Plaku Kim B. Klark na ftoi të marrim parasysh jo thjesht çfarë dhe si japim mësim, por edhe mënyrën se si mund të përqendrohemi më shumë te nxënësi si dhe te procesi dhe rezultatet e të mësuarit. Ai na ftoi ta pyesim veten: “Çfarë përvojash ju nevojiten studentëve të mi, me qëllim që ta rritin fuqinë dhe aftësinë e tyre për të mësuar thellësisht?” Duke e ndërthurur historinë tonë mbresëlënëse me drejtimin e kohëve të fundit, ne mund të pyesim: “Çfarë mund të bëjmë që të jemi edhe më të qendërzuar te Krishti dhe të përqendruar te nxënësi?”

Plaku Dejvid A. Bednar na dha një shembull mbresëlënës lidhur me mënyrën se si është kur përqendrohemi te nxënësi në Mbrëmjen me një Autoritet të Përgjithshëm më të fundit. Qe e qartë se synimi i tij ishte jo që të na tregonte diçka, por që ne të mësonim diçka. Ai bëri pyetje, vëzhgoi dhe dëgjoi që të sigurohej se e kuptuam. Gjithashtu na mësoi çfarë metode përdor ai për mësimdhënien kur tha: “Në vend që të mendoni se ‘Çfarë do t’u them’, përqendrimi duhet të jetë te ‘Çfarë pyetje do t’u bëj?’ Dhe jo vetëm, ‘Çfarë pyetje do t’u bëj?’, por edhe “Çfarë do t’i ftoj të bëjnë?’”4

Profesori dhe rabini i mirënjohur, Jakob Nojseneri, dikur tha: “Mësuesit e shkëlqyer nuk japin mësim. Ata i ndihmojnë studentët të mësojnë.” Sigurisht, ka një marrëdhënie të përfitimit reciprok midis mësimdhënies së efektshme dhe të mësuarit. Por mendoj se thënia e Dr. Nojsener sugjeron që ne duhet ta zgjerojmë atë që e mendojmë si mësimdhënie të efektshme dhe të përqendrohemi më shumë, jo duke iu thënë, por duke i ndihmuar studentët tanë që të kenë përvoja që i ftojnë të mësojnë. Për ne, kjo do të thotë t’i ndihmojmë studentët tanë që të përjetojnë Frymën e Shenjtë që u dëshmon për të vërtetën dhe për dashurinë e Perëndisë për ne. Do të thotë që ne të krijojmë një mjedis ku ata ndihen të sigurt për të bërë pyetje, për të zbuluar të vërtetën, për të bërë lidhje doktrinore, për të dëgjuar dëshmi nga bashkëmoshatarët e tyre, për të vlerësuar dhe shprehur vetë mendimet, ndjenjat dhe mbresat e tyre për të vërtetat që po mësojnë. Do të thotë që ne të krijojmë përvoja të cilat i frymëzojnë ta jetojnë ungjillin dhe të dinë se si të veprojnë me besim, të mësojnë nga gabimet e tyre dhe të përpiqen sërish me shpresë te Krishti. Kjo është mënyra se si ata do të mësojnë vetë.

Për t’i kuptuar më tërësisht përvojat që u nevojiten studentëve tanë ndërkohë që janë me ne, ne vendosëm se gjëja më e mirë që mund të bënim, ishte t’i pyesnim. Një ekip studiuesish foli me mijëra të rinj e të reja nga të katër kontinentet. Ata u takuan me ata që frekuentojnë orët mësimore, si edhe me shumë që nuk janë aktualisht të regjistruar. Teksa kemi punuar për të përmbledhur një sasi të jashtëzakonshme të dhënash, ne i kemi grupuar përgjigjet në tri kategori.

Kategorinë e parë e kemi emërtuar “Kthimi në Besim”. Rinia dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore na thanë se dëshirojnë dhe u nevojiten përvoja që i ndihmojnë për ta ndier dashurinë e Perëndisë dhe për ta forcuar marrëdhënien e tyre me Të. Ata dëshirojnë t’i thellojnë besimin dhe dëshminë e tyre te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur. Sigurisht, kjo është pikërisht ajo që dëshirojmë për ta.

Lajmi i mirë është që studimi tregon se orët tona mësimore po ndihmojnë që kjo të ndodhë. Ata që frekuentojnë dhe që përfshihen vazhdimisht në mundësitë e të mësuarit, i forcojnë dukshëm dëshmitë e tyre dhe e rritin besimin e tyre te Jezu Krishti. Kjo është një nga arsyet e shumta përse dëshirojmë të ftojmë më shumë të rinj e të reja për të marrë pjesë. Kur mësojnë me ju, rriten besimi dhe dëshmia e tyre.

Faleminderit për gjithçka që po bëni për t’i ndihmuar që ta thellojnë kthimin e tyre në besim. Kemi bërë shumë përparim kur jemi zhytur vetë në parimet e mësimdhënies që i ndihmojnë studentët tanë të mësojnë thellësisht. Dhe besoj se ka shumë më tepër që Zoti është i gatshëm të na mësojë kur e kërkojmë udhërrëfimin e Tij. Teksa i përsiatni mundësitë, a do të merrni parasysh me lutje përvojat që u nevojiten studentëve për ta rritur fuqinë dhe aftësinë e tyre për ta kuptuar planin e Atit Qiellor, si dhe mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit? Merreni në shqyrtim se si mund t’i ndihmoni që të kërkojnë, dallojnë dhe veprojnë sipas ndikimit të Frymës së Shenjtë dhe më pas të veprojnë me besim, të pendohen dhe të bëjnë e të mbajnë besëlidhje të shenjta. Më së fundmi, shpresa jonë është që përvojat që kanë, do t’i ndihmojnë ta njohin e ta duan Jezu Krishtin dhe të përpiqen fort që të bëhen si Ai.

Kategorinë e dytë që rrjedh nga dëgjimi i atyre që morën pjesë në këtë studim, e kemi emërtuar “Rëndësia për Rritjen Shpirtërore Vetjake”. Ata që u anketuan, thanë se orët mësimore ndihen me rëndësi kur mësuesit e dallojnë dhe vlerësojnë një larmi rrethanash dhe gjendjesh të studentëve dhe e përshtatin përvojën e të mësuarit për të plotësuar nevojat individuale. Ata shprehën një nevojë për një vend ku mund të bëjnë pyetje të sinqerta rreth doktrinës, historisë së Kishës dhe çështjeve shoqërore që janë të rëndësishme për ta. Nuk po përpiqen të debatojnë mbi këto gjëra. Ata kanë pyetje të ndershme dhe kanë nevojë për një mjedis të sigurt, plot besim e të çiltër për t’i shqyrtuar. Kanë nevojë për mësues që t’u përgjigjen pyetjeve të tyre jo vetëm me besim, por edhe me zemërdëlirësi e dhembshuri. Ata gjithashtu dëshirojnë të mësojnë se si të mësojnë dhe të bëhen shpirtërisht më të vetëmbështetur. Dëshirojnë të zhvillojnë aftësi që i ndihmojnë të analizojnë koncepte dhe t’i vendosin në kontekst të përjetshëm. Dëshirojnë ndihmë që të ndihen më vetëbesues në aftësinë e tyre për t’ua shpjeguar të tjerëve parimet e ungjillit dhe rregulloret e Kishës. Dhe dëshirojnë të zhvillojnë aftësi për t’i përdorur parimet e ungjillit që t’i ndihmojnë me sfidat e përditshme.

Ajo që na thanë studentët se dëshirojnë dhe kanë nevojë, përputhet me udhëzimin që morëm vitin e kaluar nga Plaku Xhefri R. Holland. Ai na kujtoi se “një student nuk është enë që duhet mbushur; një student është zjarr që duhet ndezur”5.

Roli ynë si mësues është që t’i ndihmojmë studentët të kultivojnë një dëshirë për të mësuar, për të marrë zbulesë vetjake, si dhe për ta zbuluar, kuptuar e jetuar të vërtetën që e kanë fituar vetë. Nuk është thjesht të shpërndajmë njohurinë që kemi fituar nga vetë studimi ose përvoja jonë. Duhet të kujtojmë se ajo që duket me vlerë për ne, mund të mos jetë aq domethënëse për studentët tanë të cilët janë në një fazë të ndryshme të jetës. Prandaj vërtet na nevojitet t’i dëgjojmë ata, të jemi vëzhgues dhe të lutemi për të dalluar.

Për fat të keq, shumë nga rinia dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore, veçanërisht ata që nuk po frekuentojnë, ndiejnë se orët tona mësimore nuk janë sa duhet të vlefshme. Ata besojnë se shqetësohemi më shumë që të shpjegojmë materialin tonë të përgatitur sesa të plotësojmë nevojat e tyre të tanishme. Ata thanë se mësimet tona shumë shpesh përqendrohen tek idealja dhe nuk i vënë në dukje mjaftueshëm realitetet e jetës së tyre ose nuk i trajtojnë pyetjet e tyre.

Për shembull, përfytyroni një mësuese instituti që diskuton doktrinën e martesës çelestiale, duke e ndier që tema është shumë me vlerë për të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë. Studentët në klasë tashmë besojnë në rëndësinë e martesës në tempull, por disa nuk janë të sigurt se si ta zbatojnë këtë doktrinë në jetën e tyre. Disa kanë frikë ngaqë kanë ardhur nga familje të ndara dhe nuk janë të sigurt se mund ta bëjnë të funksionojë martesën. Të tjerë në klasë mund të pyesin veten nëse mund ta përballojnë financiarisht të martohen dhe të ngrenë familje. Të tjerë mund ta vënë në dyshim nëse do ta kenë ndonjëherë atë mundësi. Të tjerë ndeshen me tërheqjen ndaj së njëjtës gjini dhe vrasin mendjen rreth vendit të tyre në Kishë. Mësimi vazhdon siç u planifikua, por nuk lejon për pjesëmarrje domethënëse nga studentët. Mësuesja mendon se për shkak të temës, ajo është lidhur me studentët në mënyra të vlefshme. Por e vërteta është, se edhe pse doktrina u dha mësim, nuk u bë në një mënyrë që mbante parasysh pasiguritë e studentëve, trajtonte nevojat e tyre ose të lidhej me realitetet e jetës së tyre. U humb një mundësi për t’i ndihmuar të kuptonin rëndësinë e doktrinës në rrethanat e tyre të veçanta.

Një mësuese që është e kujdesshme rreth përparimit shpirtëror të studentëve, është e gatshme ta zhvillojë mësimin në përputhje me gjendjen e tyre. Ajo u jep shpresë dhe i ndihmon të kuptojnë se si të jetuarit e ungjillit mund t’i bekojë dhe t’i ndihmojë të përparojnë drejt synimeve të tyre përfundimtare. Ajo i ndihmon të zhvillojnë vetëbesimin se shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme vërtet u japin përgjigje pyetjeve të shpirtrave të tyre.

Për t’i ndihmuar studentët tanë që të dallojnë rëndësinë dhe vlerën e ungjillit për jetën e tyre, a do të merrni parasysh me lutje mënyrën se si t’i nxitni studentët tuaj që të bëjnë pyetje të sinqerta dhe të shprehin idetë dhe këndvështrimet e tyre? Ata kanë nevojë të mirëbesojnë se i njihni e i kuptoni dhe se jeni të gatshëm të përshtateni për të plotësuar nevojat e tyre. Sigurojuni përvoja për t’i frymëzuar që të studiojnë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe t’u drejtohen për udhërrëfim shkrimeve të shenjta dhe mësimeve të profetëve modernë. Ndihmojini të mësojnë aftësi dhe modele për të fituar njohuri shpirtërore, që të mund të mësojnë vetë.

Kategoria e tretë që arritëm të kuptojmë nga dëgjimi i studentëve tanë dhe veçanërisht i atyre që nuk po e frekuentojnë seminarin dhe institutin, sugjeron se ata dëshirojnë dhe kanë nevojë që ne të krijojmë një ndjesi përkatësie. Përkatësia krijohet nëpërmjet marrëdhënieve dhe lidhjeve me Atin tonë Qiellor, me mësuesin/en dhe me studentë të tjerë në klasë. Një ndjesi përkatësie vjen kur ka një mjedis ku gjithkush ndihet i mirëpritur, i përkrahur, i nevojshëm dhe i vlerësuar. Një ndjesi përkatësie gjithashtu rritet kur studentët ndiejnë se janë pjesë e një kauze domethënëse.

Përsëri dua t’ju falënderoj. E vlerësoj shumë përgjigjen tuaj ndaj trajnimit “See the One” [“Shihni Individin”] dhe përpjekjet tuaja individuale për ta ndihmuar çdo student që të ndiejë se e duan dhe e respektojnë. Na nevojitet t’i vazhdojmë këto përpjekje ngaqë një pjesë e madhe e atyre që nuk janë regjistruar tashmë, ende ndiejnë se nuk kanë përkatësi. Shumë prej tyre raportuan se klasat e seminarit dhe të institutit janë vetëm për ata që i konsiderojnë si shenjtorë të përsosur të ditëve të mëvonshme, të cilët nuk kanë pasur kurrë probleme ose pyetje. Ky perceptim i gabuar i bën ata të besojnë se nuk janë të përshtatshëm për klasat. Disa ndiejnë që, nëse bëjnë një pyetje të sinqertë ose tregojnë një këndvështrim të përzemërt, ata do të gjykohen ose do të mendohen si më pak besnikë. Ata gjithashtu thanë se do të ishte më e mundur që të frekuentonin, në qoftë se do të ishte një vend ku çdokush ishte i mirëpritur pavarësisht nga besimi i brendshëm apo pamja e jashtme.

Kohët e fundit, Vëllai Lindford pa një të re duke qëndruar përpara njërës prej godinave tona. U prezantua dhe e pyeti nëse ishte regjistruar në një klasë. Përgjigjja e saj ishte se ajo ishte anëtare e Kishës dhe dinte rreth institutit, por nuk shkonte. Ajo tha: “Po të më njihnit dhe ta dinit të kaluarën time, ju do ta dinit se nuk më përket të jem atje. Nuk jam e përshtatshme për to.” Për fat të mirë, kjo e re e pranoi ftesën e Vëllait Linford që të hynte brenda, ku ajo u mirëprit ngrohtësisht. Ajo u regjistrua në një klasë dhe menjëherë filloi frekuentimin. Por e kam pyetur veten se sa qindra, madje mijëra, prej të rinjve e të rejave kanë qëndruar jashtë godinave tona, duke pasur nevojë pikërisht për atë që ofrojnë orët tona mësimore, por duke ndier frikë se nuk do të përkasin atje.

Jo vetëm që ata kanë nevojë për çka kemi për ta ofruar, por edhe ne kemi nevojë për ta. Mësuesit që krijojnë një ndjesi përkatësie, e dallojnë me çiltërsi se çdo student/e ka një ndihmesë për ta dhënë, e cila do ta bënte orën mësimore një përvojë më të mirë.

Pashë një shembull të mrekullueshëm të kësaj kur u takova me një të ri në klasën e Vëllait Andre. Majkëlli ishte kthyer në shtëpi herët nga misioni për arsye shëndetësore. Teksa përgatitej për t’u kthyer, ai u godit nga një makinë, pati shumë kocka të thyera dhe ishte në spital për një kohë të gjatë. Në kohën kur doli nga spitali, ai e kishte braktisur ëndrrën e tij për ta përfunduar misionin. U zhyt në sporte ekstreme dhe u largua nga Kisha. Një ditë, ai ishte i vetëm dhe vendosi të ecte mbi një kabllo të lidhur përmes një kanioni pa asnjë rrjetë sigurie. Pasi kaloi në anën tjetër, pati ndjenjën që të bërtiste dhe të festonte, por pastaj hodhi vështrimin poshtë dhe e kuptoi se, në qoftë se do të kishte rënë, do të kishte marrë fund jeta e vet.

Në atë kohë, ai filloi të mendonte për nënën dhe motrën e tij më të vogël dhe sesa zemërthyera do të ishin ato nëse do të kishte vdekur. Mendimi i tij pasues ishte për Shpëtimtarin dhe gjithçka që Ai kishte bërë për të, dhe Shpirti ia mbushi zemrën. Zbriti nga shkëmbi dhe filloi udhëtimin e kthimit për në Kishë. Arriti të kuptonte, në mënyra të mrekullueshme, mëshirën, dashurinë dhe fuqinë e Shpëtimtarit për të na shëlbuar.

Ca kohë më vonë, Majkëlli ishte në plazh dhe iu kujtua që e kishte frekuentuar institutin përpara misionit të tij. Ai shkoi direkt nga plazhi dhe u fut në ndërtesën e institutit pak minuta përpara se të fillonte ora mësimore. Në atë çast, Vëllai Andre nuk e dinte shumicën e asaj që sapo ju kam treguar. Por gjëja që ai e dinte, ishte se Majkëlli kishte nevojë të ishte atje dhe se ai kishte shumë për të ofruar. Vëllai Andre e ftoi Majkëllin të qëndronte, por Majkëlli e ndjeu se njerëzit ndoshta nuk do ta mirëpritnin. Ishte me rroba banjoje dhe një kanotiere, me krahët të zhveshur që tregonin se ishin të mbuluara me tatuazhe që nga kyçet deri te shpatullat. Ai tha se do të parapëlqente të vishej dhe të kishte një këmishë me mëngë të gjata përpara se të vinte në klasë. Përgjigjja e Vëllait Andre ishte: “Askush nuk do të vërë re gjë”. Majkëlli qëndroi. Por teksa studentët e tjerë po hynin, asnjë nuk u ul pranë tij. Pas mendimit shpirtëror, Vëllai Andre i kërkoi Majkëllit që të dilte përpara klasës dhe ai e prezantoi. U tha studentëve të tjerë se e donte Majkëllin, se Majkëlli kishte shumë për të ofruar, se ai kishte një zemër të madhe. Më pas e pyeti Majkëllin nëse do të jepte dëshminë e tij. Me lot në sy, Majkëlli foli për dashurinë e Perëndisë, për mirësinë, dhembshurinë dhe gatishmërinë e Tij për të falur. Secili prej nesh që ishte atje atë ditë, u bekua nga dëshmia e Majkëllit.

Vëllai Andre pa diçka te Majkëlli që të tjerët mund të mos e kishin parë. Si mësues, ai vlerëson një larmi gjendjesh e rrethanash dhe e kupton se çdo njeri ka diçka për të ofruar. Prandaj ai krijon përvoja që i lejojnë studentët e tij të marrin forcë nga njëri‑tjetri dhe nga dëshira e tyre e përbashkët për të përdorur paqen, shërimin dhe hirin e Shpëtimtarit. Diçka tjetër e rëndësishme ndodhi pas orës mësimore, ndërkohë që vështroja disa studentë ta rrethonin Majkëllin për ta mirëpritur atë dhe për t’u siguruar që ai ta dinte se ishte i nevojshëm.

Siç e përmenda më parë, një pjesë tjetër e krijimit të një ndjesie të përkatësisë është të përfshihesh në një kauzë domethënëse. Studentët tanë kanë dëshirë të marrin pjesë në kauza humanitare dhe t’i lartësojnë të tjerët drejt jetës me dinjitet, barazi dhe mundësi. Në përgjithësi, ata nuk i lidhin atë që po mësojnë ose mundësitë që u jepen me një kauzë të tillë. Dhe ndërkohë që kauza më e madhe në tokë është kauza e Krishtit dhe mbledhjes së Izraelit në të dyja anët e velit, shumica nuk i lidhin me atë kauzë përvojat e tyre në seminar dhe institut.

A do t’i merrni parasysh ndryshimet që mund t’i bëni në mësimdhënien tuaj, në ndërveprimet tuaja dhe madje në mjediset e klasave tuaja që të jenë më shumë ftuese për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor? Me raste, ju mund të doni edhe të vishni një bluzë blu. Por më e rëndësishmja, a do të përpiqeni plot lutje që të siguroni përvoja që i ndihmojnë studentët ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe ta dallojnë identitetin dhe potencialin e tyre hyjnor? Ndihmojini të dinë se kujdeseni për ta dhe e dalloni vlerën e tyre individuale. Ndihmojini të bëjnë lidhje me anëtarët e klasës dhe të ndihen të sigurt e të nevojshëm. Nxitini të përfshihen në kauzën e Krishtit duke i ndihmuar të tjerët të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Teksa i ushqeni këto lloje përvojash, ata do ta dinë se kanë përkatësi.

E kuptoj se ne nuk mund t’i bëjmë të gjitha këto gjëra çdo ditë. Por mund t’i kemi parasysh ato gjatë përgatitjes sonë, në mësimdhënien tonë dhe në ndërveprimet tona me studentët tanë. Nuk ka rëndësi nëse po jepni mësim në seminar ose institut, ballë për ballë apo në internet, herët në mëngjes apo në mbrëmje vonë, përfshirja e këtyre parimeve do t’i bekojë studentët tuaj dhe do të ndihmojë për të siguruar përvojat që u nevojiten.

Kaq shumë gjëra të mira po ndodhin tashmë dhe më e mira ende do të vijë. Mbani mend, ne nuk arritëm deri këtu vetëm për të ardhur deri këtu. E di se kur kërkojmë sinqerisht për zbulesë, Zoti do të na ndihmojë të dimë se si t’i bekojmë fëmijët e Tij. Individualisht dhe kolektivisht, Ai është gati të na ndihmojë për të siguruar përvoja që e thellojnë kthimin në besim, që janë me vlerë për rritjen tonë shpirtërore dhe që krijojnë një ndjesi përkatësie. Ai është gati për të na dhënë më shumë. Vazhdofshim të drejtohemi tek Ai me besim për të ditur se si t’i ndihmojmë studentët tanë që vërtet të mësojnë vetë është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër