Transmetimet e Trajnimeve
Dëgjimi i Zërit të Tij në Kohë të Trazuara


Dëgjimi i Zërit të Tij në Kohë të Trazuara

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së për 2020-ën

E martë, 9 qershor 2020

Çfarë privilegji të jem me ju sot. Kam një dashuri të madhe për të gjithë ju që punoni me kaq zell në Seminaret e Institutet e Fesë (SeI). Fillimisht nisa të jepja mësim në seminar me kohë të plotë 42 vjet më parë dhe vras mendjen se ku shkoi gjithë ajo kohë. I ruaj si thesar kujtimet që kam nga studentët, bashkëmësuesit dhe kolegët e tjerë me të cilët kam shërbyer përgjatë viteve në detyra të ndryshme. U shpreh nderime dhjetëra mijërave mësuesve të thirrur që japin kaq shumë nga koha dhe zemra e tyre, për të bekuar jetën e të rinjve e të rejave. Kam qenë në disa nga klasat e tyre në shtete në mbarë globin dhe jam mallëngjyer nga ajo që ndodh në ato klasa. Xhilli dhe unë jemi në një fazë të jetës ku disa nga nipërit e mbesat tona janë në një moshë aq sa për të frekuentuar seminarin dhe institutin, dhe jemi mirënjohës ndaj atyre prej jush që kanë ndikim tek ata. Faleminderit të gjithëve ju që jeni përfshirë në këtë vepër të madhe.

Pak kohë më parë gjatë këtij viti, Presidenti Rasëll M. Nelson nxori një material filmik që titullohet “Si e Dëgjoni Atë?”1. Në atë material filmik ai tha: “Në këtë vit të veçantë, teksa përkujtojmë përvjetorin e 200‑të të Vegimit të Parë, unë ju ftoj të mendoni thellë dhe shpesh për këtë pyetje kyç: Si e dëgjoni Atë? Ju ftoj gjithashtu të ndërmerrni hapa që ta dëgjoni Atë më mirë dhe më shpesh.” E kam përsiatur këtë ftesë, veçanërisht për shkak të pandemisë së COVID-19 që filloi të përhapej në mbarë botën, afër kohës kur u nxor materiali filmik dhe pasojat e saj të papritura.

Madje kam menduar se disa nga muajt e kaluar kanë qenë një mundësi e veçantë për ta përpunuar mënyrën se si e dëgjoj unë Atë. Shumë njerëz kanë humbur njerëz të dashur nga kjo sëmundje e tmerrshme. Pandemia na i ka ndryshuar jetën dhe programet tona dhe na ka hequr shumë nga rutina e përditshme normale me të cilën jemi mësuar kaq shumë. I ka ndryshuar vendtakimet tona për mësimdhënien, adhurimin dhe kohën e lirë. Kemi qenë të detyruar që t’i bëjmë ndryshe gjërat. Ajo na jep neve, në SeI, një dritare për të rishqyrtuar atë që bëjmë, mënyrën se si e bëjmë dhe për të parë nëse Zoti do të donte nga ne që të bënim disa ndryshime. Ai do të na udhërrëfejë, në qoftë se e dëgjojmë Atë.

Duket sikur kohët sfiduese dhe kohët me stres shpesh janë periudha të veçanta për udhërrëfim qiellor, për ata që janë të hapur ndaj tij. Mendoni se çfarë u bë shkak që çoi në Vegimin e Parë. Ishte një kohë me “jo pak ngatërresë dhe ndarje midis njerëzve”2 dhe një kohë me “ngatërres[ë] të madhe dhe ndjenjash të këqija”3. Profeti Jozef Smith tha se “mendja [e tij] u nxit të mendonte seriozisht dhe nuk gjente rehati”4. Ai “ndjeu se duhej të vajtonte për mëkatet e veta dhe për mëkatet e botës”5. Pikërisht në këtë kohë sfide, ai shkoi në korije dhe qiejt u hapën.

Po për sa i përket kohës që kaloi në burgun e Libertisë? Kushtet për atë vetë ishin të tmerrshme dhe barra që ndjeu kur shenjtorët po dëboheshin nga shteti i Misurit ndërkohë që ai ishte në burg, duhet të ketë qenë shumë e rëndë. E sidoqoftë, në atë rrethanë të vështirë, Zoti ia rriti kuptueshmërinë Jozefit.

Kur Alma Plaku hasi sfidën e përballjes me probleme në Kishë ngaqë shumë anëtarë po kryenin mëkat, ai “u shqetësua në shpirtin e tij”6 dhe vriste mendjen se si t’i trajtonte ata anëtarë që kishin shkelur ligjet e Perëndisë. Ai “kishte frikë se mund të bënte gabim në sytë e Perëndisë”7, kështu që “ia derdhi tërë shpirtin e tij Perëndisë”8 dhe Zoti ia tregoi se si t’i trajtonte shkelësit.

Merrini parasysh rrethanat tej mase të rënda me vdekjen dhe shkatërrimin e përhapur gjerësisht në Hemisferën Veriore që e shoqëruan Kryqëzimin e Shpëtimtarit. Në mes të errësirës së padepërtueshme, të gjithë ata e dëgjuan dhe e kuptuan zërin e Shpëtimtarit.9 Më vonë, kur njerëzit u mblodhën rrotull tempullit, ata dëgjuan zërin e Atit, por nuk e kuptuan atë deri në herën e tretë kur ata i “hapën veshët që ta dëgjonin; dhe sytë e tyre u drejtuan prej nga vinte zëri”10. Pikërisht në atë çast e dëgjuan Atin të paraqesë Birin dhe dëgjuan fjalët: “Dëgjojeni atë”11. Kjo çeli ngjarjet mbresëlënëse të shërbesës së Shpëtimtarit ndaj njerëzve që ishin të privilegjuar ta dëgjonin Atë.

Në secilin nga këta shembuj pati një vërshim zbulese që ishte një bekim për Kishën dhe për botën – si për njerëzit në atë kohë ashtu edhe për vitet që do të vinin. Individët e përfshirë gjithashtu morën disa zbulesa dhe bekime tepër vetjake.

Gjatë përvojës së Jozefit në Korijen e Shenjtë – përveç që zbuloi se ai nuk duhej të bashkohej me asnjërën nga kishat – atij iu mësuan “shumë gjëra të tjera”12. Zoti i tha atij gjithashtu se mëkatet e tij u falën.13

Në burgun e Libertisë Jozefit iu premtua se, “të pastrit në zemër dhe të urtët, dhe fisnikët, dhe të virtytshmit do të kërkojnë këshillë dhe autoritet dhe bekime vazhdimisht prej dorës [së Tij]”14.

Alma Plaku nuk u udhëzua vetëm mbi mënyrën se si t’i trajtonte shkelësit, por mori edhe një mesazh tejet vetjak. Atij iu tha se ai do të kishte jetë të përjetshme.15

Njerëzit që e dëgjuan Shpëtimtarin kur Ai vizitoi vendin Begati, nuk morën mësim vetëm për doktrinën e Krishtit dhe mësime të tjera vendimtare, por secili prej tyre individualisht u lejua gjithashtu që t’i prekte plagët në trupin e Tij dhe të bëhej vetë dëshmitar për realitetin e Shpëtimtarit Jezu Krisht.16

Ne nuk mund të presim vetëm që të marrim udhërrëfim dhe frymëzim për vendimet në detyrat dhe thirrjet tona, por Zoti na do aq sa të shtojë bekime dhe frymëzim për individin në kohë sfidash.

Nga fundi i librit të Almës ne lexojmë se “për shkak të luftës jashtëzakonisht të gjatë mes Nefitëve dhe Lamanitëve, shumë u ashpërsuan … dhe shumë të tjerë u zbutën për shkak të vuajtjeve të tyre, aq sa u përulën para Perëndisë, madje në thellësinë e përulësisë”17. Teksa përballemi me këto kohë sfiduese ne mund të bëhemi njerëz të butë dhe ta përulim veten. Kjo e bën këtë një kohë të përshtatshme – një kohë mbresëlënëse – për ta dëgjuar Atë.

Kemi pasur shumë ndryshime këto dy muajt e fundit, për të na ndihmuar të mësojmë se çfarë gjërash mund të heqim – gjëra që mund të na kenë shërbyer mirë, por që nuk janë thelbësore për çuarjen përpara dhe madje mund të na e ngadalësojnë përparimin tonë nëse kapemi pas tyre. Mund të jemi në një kohë kur ne mund të përshtatemi dhe të përgatitemi për të ardhmen me më pak shtrëngesa nga sa mund të kemi parë në të kaluarën.

Me raste kam pyetur veten a jam thirrur shumë herë vallë, por “nuk doja të dëgjoja”18. Situata e tanishme mund të na ndihmojë që ta mposhtim atë gjë. Ndiej se kemi një mundësi për ndryshim dhe përgatitje “në një mënyrë që nuk ishte parë ndonjëherë”19.

I mbështet përpjekjet që janë bërë për ta arritur synimin tonë, duke u përqendruar te mënyra se si mund ta bekojmë më së miri jetën e këtij brezi të ri, në kohët tona sfiduese. Më ka ngjallur kureshtje se kur Zoti e mëson Kishën për dhuratat shpirtërore, Ai shpjegon se “disave u jepet me anë të Frymës së Shenjtë të dinë mënyrat e ndryshme të administrimit … duke iu përshtatur mëshirave të tij, sipas kushteve të fëmijëve të njerëzve”20. Kushtet e fëmijëve të njerëzve ndryshojnë dhe Ai i përshtat mëshirat e Tij sipas atyre kushteve. Ne kemi nevojë për këtë dhuratë që t’i dimë mënyrat e ndryshme të administrimit, që ne mund të ndihmojmë sipas kushteve të fëmijëve të njerëzve. Këto kushte kanë ndryshuar dhe do të ndryshojnë në të ardhmen.

Teksa mësojmë që ta dëgjojmë më mirë Atë dhe të marrim ndihmën që na nevojitet për t’u dhënë mësim studentëve tanë të çmuar, unë ndiej se ne do të kemi gjithashtu thesare dhe njohuri vetjake që janë vënë në dispozicion për ne – ashtu siç bënë Jozef Smithi, Alma dhe njerëzit në vendin Begati. Këto mesazhe vetjake do të na vijnë teksa jemi të përulur dhe të hapur për udhërrëfimin e Zotit. Ato mund të vijnë papritur, siç vijnë shpesh tek ata njerëz që janë të përqendruar tek të tjerët, por ato janë bekime të fuqishme.

Verën e kaluar këngëtarja norvegjeze Siseli interpretoi me The Tabernacle Choir and Orchestra at Temple Square [Korin e Tabernakullit dhe me Orkestrën e Sheshit të Tempullit]. Ajo këndoi një këngë të bukur që titullohet “Slow Down” [“Ngadalëso”]21. Ishte emocionuese dhe e fuqishme. Ju ftoj që ta gjeni dhe ta shihni atë në kanalin YouTube.com. Mesazhi duket veçanërisht i zbatueshëm në këtë kohë të veçantë. Këtu është një pjesë nga teksti i këngës:

Në mes të pështjellimit tim,

Në kohë dëshpërimi pa kufi,

Kur nuk mendoj me shumë qartësi,

Një zë i butë bën ndërmjetësim:

Ngadalëso, ngadalëso, rri i qetë.

Prit Shpirtin e Zotit e i qetë rri,

Ngadalëso dhe zërin dëgjoja,

Dhe dije se Ai është Perëndi.

Në kohë trazire,

Kur ndihem i pasigurt,

Kur gjërat më vënë përfund,

Vjen një zë i qetë, i pastër:

Ngadalëso, ngadalëso, rri i qetë fëmija im,

Prit Shpirtin e Zotit e i qetë rri,

Ngadalëso dhe zërin dëgjoja,

Dhe dije se Ai është Perëndi.

Le të nxjerrim përfitim nga ky çast historik. Ngadalësoni. Dëgjojeni Atë. Pastaj shkoni përpara. Kjo do të sjellë ndryshim për të rinjtë e të rejat, jetën e të cilëve po përpiqemi fort të bekojmë, dhe do të sjellë një ndryshim për ne individualisht.

Lutem që Zoti ta bekojë secilin prej jush, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër