Transmetimet e Trajnimeve
Material Filmik i Seminarit në Matnog


Material Filmik i Seminarit në Matnog

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së 2020

Riçard Manahan: Matnogu është një nga bashkitë në provincën e Sorsogonit. Është pikënisja nga Luzoni drejt krahinës së Visajës. Nëse Matnogu është porta për miliona udhëtarë që shkojnë nga Luzoni në Visajë dhe anasjelltas, edhe seminari është si një portë për studentët e seminarit drejt një mundësie më të mirë në jetë.

Aleks Kastidades: Unë jam Aleks Kastidades, mësues seminari dhe presidenti i ri i degës së Matnogut. Dëshiroj t’ju them të gjithëve se në vitin 2012 programi i seminarit filloi me regjistrimin e 22 vetave dhe vazhdoi të rritet deri në këtë vit. Regjistrimi i studentëve vazhdoi të rritej çdo vit, përfshirë edhe diplomimin tonë.

Riçard Manahan: Dhe kështu vazhdoi; nga 55 dhe në rritje deri më sot, tani ka 110 studentë. Shkurt, regjistrimi i tyre është 100%. Ata ishin në gjendje të regjistronin të gjithë studentët e mundshëm të seminarit. E bënë këtë që nga viti 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, që të gjithë ishin gati 100%, sepse besojnë që seminari me të vërtetë mund ta ndryshojë jetën.

Edilberto Gabelo: Jam Edilberto Gabelo nga Dega Matnog. U thirra si president dege gjashtë vjet më parë. Shqyrtova CMIS‑në, dokumentet tona të anëtarësisë. Gjeta listën e të rinjve dhe të rejave që janë studentë të mundshëm të seminarit. Pati shumë probleme, sepse askush nuk i kushtonte vëmendje seminarit. Intervistova misionarët e kthyer nga misioni. I pari ishte Vëllai Aleks. Ai u zotua.

Riçard Manahan: Ata ishin vëllai e motra që u rekomanduan të jepnim mësim në seminar. Ata ishin Vëllai Aleks Kastidades dhe Motra Marxhi. Atje filloi vërtet, sepse e pashë që e kanë programin për zemër.

Aleks Castidades: Rinia nuk mund ta frekuentonte seminarin më parë, as institutin. Ishte kryesisht ngaqë familjet e tyre nuk janë anëtarë të Kishës. Së dyti, ishte ngaqë jetojnë larg nga kisha.

Marxhi Adiong: Si mësuese e re nuk e njihja natyrën e thirrjes sime si mësuese seminari. Ishte shumë e vështirë ta fillonim programin, veçanërisht kur duhej nxitur rinia. Ishin shumë indiferentë në atë kohë.

Edilberto Gabelo: Më nevojitej të kisha ndikimin e Frymës së Shenjtë. Kjo përfshnte që të kërkoja udhërrëfim nga Perëndia që të isha në gjendje t’i hapja zemrat e të rinjve dhe të rejave, si edhe të prindërve, që të më jepnin zotimin e tyre, gatishmërinë e tyre dhe përkrahjen e tyre për rininë.

Aleks Kastidades: Si mësues seminari në atë kohë, unë merrja pjesë në mbledhjen e këshillit me presidencën e degës dhe të gjithë udhëheqësit e Kishës, dhe tamam atje flisnim për atë që duhej ta bënim fillimisht. Një misionar sugjeroi që e tërë dega të agjëronte, për t’i ndihmuar ata që ishin humbur.

Riçard Manahan: Ramë dakord menjëherë me njëri‑tjetrin. Kishim të njëjtin qëllim, që ishte t’i ndihmonim, sepse është përparësia e Kishës që sa më shumë që të jetë e mundur, ne duhet t’i ftojmë sinqerisht të gjithë studentët e mundshëm të seminarit. Dhe bëmë pikërisht atë. Vërtet shkuam dhe i vizituam të gjithë. Rekruto, rekruto, rekruto dhe më pas përdorëm edhe studentët aktivë të seminarit që të na ndihmonin për rekrutimin.

Stefani Pantone: Pas mësimit, ne presim njëri‑tjetrin te dera e shkollës sonë dhe atje takohemi që të shkojmë së bashku në klasën e seminarit.

Aleks Kastidades: Unë jap mësim në klasën herët në mëngjes të kësaj dege. Zgjohem në orën 3:00 të mëngjesit që të përgatitem për të shkuar në godinën kishtare për klasën e seminarit në orën 5:00. Duhet të jem në kishë përpara studentëve që të mund të përgatis materialet që do t’i përdorim në seminar. Pas seminarit, shkoj drejt e në punë. Udhëtoj për dy orë nga kisha për në vendin tim të punës. Në fillim e kisha vërtet të vështirë. Dhe pastaj pasdite, më duhet të kthehem në kishë në Matnog brenda orës 17:00 që të jap mësim seminari përsëri. Kur mbërrij në Matnog në orën 15:00 dhe nëse kam ende kohë, më nevojitet të vizitoj studentët e mi të seminarit dhe prindërit e tyre. Pra, me fjalë të tjera, pothuajse çdo ditë shkoj lart e poshtë dhe i vizitoj studentët e mi të seminarit në shtëpi.

Marxhi Adiong: Pra, ai u thirr të ishte mësuesi i seminarit të përditshëm dhe më pas unë u bëra mësuesja e seminarit me studim në shtëpi. Ishte e vështirë të përqendrohesha te rinia, veçanërisht tek ata që jetojnë shumë larg – jo vetëm metra larg, por disa kilometra larg godinës kishtare. Nevojitet t’i vizitojmë në shtëpitë e tyre që ata të mund të marrin pjesë në programin e seminarit. Tani kam 23 studentë të studimit në shtëpi dhe i vizitoj një nga një çdo javë.

Riçard Manahan: Nuk mund ta nënvlerësojmë potencialin e individit. I shoh ata vërtet si bij dhe bija shumë të çmuara të Perëndisë. Jam vërtet i bindur se programi mund ta ndryshojë vërtet jetën e tyre. Kjo është arsyeja përse jemi plot pasion rreth programit. Deri më tani, ata kanë 12 misionarë që shkuan në mision këtë vit dhe do të kenë më shumë.

Marxhi Adiong: Udhëheqësit po bëjnë shumë gjëra si krijimi i aktiviteteve për rininë që të mund të lidhen me njëri‑tjetrin dhe në të njëjtën kohë të mund ta nxitin programin e seminarit tek ata.

Erika Vijareal: Jam bekuar shumë nga seminari, sepse e forcoi besimin tim dhe më ndihmoi të jem e fortë dhe të mbështetem te forca e Zotit.

Arnold Kariso: Po përgatitem që të shkoj në mision nëpërmjet ndjekjes së seminarit.

Marxhi Adiong: Jam vërtet e lumtur! Shoh se disa nga të rinjtë e të rejat kanë nevojë për kujdes – unë jam vetë nënë dhe dua që ata ta ndiejnë se i duan. Kurdoherë që një student ose studente nuk është në gjendje të vijë në orën mësimore, ndihem jo e lumtur ngaqë e di se ka një problem dhe dëshiroj t’i ndihmoj dhe të zbuloj arsyen. Prandaj, edhe në qoftë se jetojnë larg, bëj gjithçka mundem që t’i vizitoj për t’u treguar se janë të rëndësishëm dhe se janë të veçantë.

Riçard Manahan: Siç e thashë, nuk do të habitem nëse një ditë shumë prej këtyre të rinjve e të rejave do të bëhen udhëheqës të Kishës në këtë zonë dhe ndoshta në distrikt.

Pjesëmarrësit:

Riçard ManahanBashkërenduesi i Seminarit dhe Institutit

Aleks KastidadesMësues Seminari

Edilberto GabeloIsh‑Presidenti i Degës

Marxhi AdiongMësuese Seminari me Studim në Shtëpi

Stefani PantoneStudente Seminari

Erika VijarealStudente Seminari

Arnold KarisoStudent Seminari

Shtyp në Letër