Transmetimet e Trajnimeve
Mësuesit e Sjellin Gjithë Ndryshimin


Mësuesit e Sjellin Gjithë Ndryshimin

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së

E martë, 9 qershor 2020

Faleminderit, i dashur, që më ftove të jap dëshminë time.

Herën e parë kur dëgjova për Kishën, isha rreth nëntë vjeçe. Dhe për tetë vjet i kërkova leje babait që të pagëzohesha dhe ai gjithmonë tha jo. Ai tha se isha tepër e re për të marrë një vendim kaq të rëndësishëm dhe se më nevojitej t’ia provoja atij që kjo ishte ajo çfarë unë vërtet e dëshiroja.

Edhe pse nuk isha anëtare e Kishës, përfundova katër vjet seminari të përditshëm. Orët mësimore të seminarit zhvilloheshin te godina kishtare në orën 6:00 të mëngjesit, çdo ditë. Babai më lejoi të shkoja vetëm me kusht që mësuesi të më merrte me vete. Për fat të mirë, kisha një mësues të mrekullueshëm që vinte çdo ditë në orën 5:30 të mëngjesit që të më merrte me makinë. Babai më zgjonte çdo ditë në orën 5:00 të mëngjesit dhe unë vishesha e prisja mësuesin. Gjithmonë isha shumë e përgjumur dhe thosha me vete: “Të lutem, mos eja. Të lutem mos eja”, por ai gjithmonë erdhi. Për fat të mirë, ai gjithmonë erdhi.

Ndihem kaq shumë e bekuar dhe mirënjohëse për mësuesin tim të zellshëm të seminarit që lehtësisht mund të kishte hequr dorë prej meje. Por nuk e bëri.

Tridhjetë vjet më vonë, pata mundësinë t’ia jepja mësimet e seminarit bijës sime në shtëpi për një periudhë kohe. Ajo nuk mund të merrte pjesë në seminar te godina kishtare atë vit për shkak të orarit të saj të shkollës. Ajo ishte një vajzë plot energji dhe nuk gëzohej që do të qëndronte ulur për 45 minuta, veçanërisht me mua si mësuesen e saj. Kështu që vendosa të përgatitja orë mësimore të pashoqe dhe ta trajtoja bijën time sikur ajo të ishte studentja më e mirë e seminarit edhe pse ajo ishte e vetmja studente. Në fund të atij viti, ajo ishte e lumtur dhe e ndjeu dashurinë e Atit tonë Qiellor për të, dhe unë e ndjeva po ashtu.

Vëllezër dhe motra, ashtu si bija ime, unë e di se fjala e Perëndisë mund ta sjellë të gjithë ndryshimin në mendjen tonë, në qëndrimin tonë dhe në mënyrën se si ne e shohim veten dhe të tjerët.

Dëshiroj ta mbyll me një citim të bukur nga Presidenti Henri B. Ajring:

“Ju mësues të mrekullueshëm tashmë bëni përpjekje dhe sakrificë të madhe në përgatitjen tuaj për ta dhënë mësim fjalën, në mësimdhënien tuaj dhe në përkujdesjen ndaj studentëve. … Ju tani mund ta shtoni besimin tuaj te fakti që më shumë nga studentët tanë do të bëjnë zgjedhje që çojnë drejt kthimit të vërtetë në besim.”1

Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. Henry B. Eyring, “We Must Raise Our Sights”, në Scott C. Esplin dhe Richard Neitzel Holzapfel, red., The Voice of My Servants: Apostolic Messages on Teaching, Learning, and Scripture, (2010), f. 17.

Shtyp në Letër