Transmetimet e Trajnimeve
Përpjekja për t’u Bërë


Përpjekja për t’u Bërë

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së 2020

E martë, 9 qershor 2020

Plaku Ulises Soares: Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kudo ku mund të jeni, është një nder i vërtetë për mua dhe bashkëshorten time që të jemi sot me ju. Unë sjell përshëndetjet dhe dashurinë e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për të gjithë ju. Presidenti Nelson, personalisht, ju dërgon urimet e tij më të mira. Ai gjithmonë na kërkon që t’u shprehim ndjenjat dhe dashurinë e tij të madhe njerëzve që takojmë. Ai me të vërtetë e vlerëson shërbimin tuaj në emër të fëmijëve të Perëndisë.

Bashkëpunëtorët e mi të dashur, përpara se të vazhdojmë, do të dëshiroja të shprehja mirënjohjen time vetjake dhe të thellë për shërbimin tuaj të shquar në seminare dhe institute. Ju jeni të privilegjuar t’i jepni mësim dhe ta ndihmoni brezin e ri që të ecë në gjurmët e Shpëtimtarit drejt përjetësisë. Ju u jepni mësim disa prej shpirtrave më fisnikë të Perëndisë, të cilët janë ruajtur të vijnë në tokë në këtë fazë të historisë. Profeti ynë i dashur, Presidenti Nelson, u referohet këtyre shpirtrave fisnikë si skuadra më e mirë e Perëndisë, lojtarët e Tij më të mirë, heronjtë, ata që do të marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe përfundimtare të mbledhjes – mbledhjen e Izraelit.1 Kjo skuadër e madhe mund të realizojë të pamundurën dhe të ndihmojë për t’i dhënë formë fatit të gjithë familjes njerëzore.2

Bashkëshortja ime e dashur, Rosana, është bashkë me mua në këtë mbledhje të veçantë sot. Ajo ka qenë drita e jetës sime për 39 vjetët e fundit. Për shkak të mirësisë dhe shembullit të saj të mrekullueshëm, ajo është katalizatorja në familjen tonë, për ta ndihmuar secilin prej nesh që të bëhet më shumë si Krishti. Rosana dhe unë jemi marrësit e bekimeve që erdhën në jetën tonë nga zbatimi i mësimeve të marra gjatë rinisë sonë nga mësues/e shumë të përkushtuar/a të seminarit dhe institutit. Shërbimi i tyre besnik pati ndikim të jashtëzakonshëm në jetën tonë, ndërsa ne po hidhnim hapat tanë të parë në ungjillin e Jezu Krishtit. Këta mësues të përkushtuar na ndihmuan t’i jepnim formë jetës sonë sipas të vërtetave të ungjillit të Jezu Krishtit dhe na udhërrëfyen ndërsa u përpoqëm të ecnim në shtegun për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor. Do të doja ta ftoja të shtrenjtën time që të shprehte ndjenjat e saj se si seminari dhe instituti e bekuan atë si një e kthyer e re në besim në Kishë dhe në përpjekjet e saj për të zhvilluar cilësi të ngjashme me Krishtin. A do t’i thuash komentet e tua tani, e dashur?

Motra Rosana Soares: Faleminderit, i dashur, që më ftove të jap dëshminë time.

Herën e parë kur dëgjova për Kishën, isha rreth nëntë vjeçe. Dhe për tetë vjet i kërkova leje babait që të pagëzohesha dhe ai gjithmonë tha jo. Ai tha se isha tepër e re për të marrë një vendim kaq të rëndësishëm dhe se më nevojitej t’ia provoja atij që kjo ishte ajo çfarë unë vërtet e dëshiroja.

Edhe pse nuk isha anëtare e Kishës, përfundova katër vjet seminari të përditshëm. Orët mësimore të seminarit zhvilloheshin te godina kishtare në orën 6:00 të mëngjesit, çdo ditë. Babai më lejoi të shkoja vetëm me kusht që mësuesi të më merrte me vete. Për fat të mirë, kisha një mësues të mrekullueshëm që vinte çdo ditë në orën 5:30 të mëngjesit që të më merrte me makinë. Babai më zgjonte çdo ditë në orën 5:00 të mëngjesit dhe unë vishesha e prisja mësuesin. Gjithmonë isha shumë e përgjumur dhe thosha me vete: “Të lutem, mos eja. Të lutem mos eja”, por ai gjithmonë vinte. Për fat të mirë, ai gjithmonë vinte.

Ndihem kaq shumë e bekuar dhe mirënjohëse për mësuesin tim të zellshëm të seminarit që lehtësisht mund të kishte hequr dorë prej meje. Por nuk e bëri.

Tridhjetë vjet më vonë, pata mundësinë t’ia jepja mësimet e seminarit bijës sime në shtëpi për një periudhë kohe. Ajo nuk mund të merrte pjesë në seminar te godina kishtare atë vit për shkak të orarit të saj të shkollës. Ajo ishte një vajzë plot energji dhe nuk gëzohej që do të qëndronte ulur për 45 minuta, veçanërisht me mua si mësuesen e saj. Kështu që vendosa të përgatitja orë mësimore të pashoqe dhe ta trajtoja bijën time sikur ajo të ishte studentja më e mirë e seminarit edhe pse ajo ishte e vetmja studente. Në fund të atij viti, ajo ishte e lumtur dhe e ndjeu dashurinë e Atit tonë Qiellor për të, dhe unë e ndjeva po ashtu.

Vëllezër dhe motra, ashtu si bija ime, unë e di se fjala e Perëndisë mund ta sjellë të gjithë ndryshimin në mendjen tonë, në qëndrimin tonë dhe në mënyrën se si ne e shohim veten dhe të tjerët.

Dëshiroj ta mbyll me një citim të bukur nga Presidenti Henri B. Ajring:

“Ju mësues të mrekullueshëm tashmë bëni përpjekje dhe sakrificë të madhe në përgatitjen tuaj për ta dhënë mësim fjalën, në mësimdhënien tuaj dhe në përkujdesjen ndaj studentëve. … Ju tani mund ta shtoni besimin tuaj te fakti që më shumë nga studentët tanë do të bëjnë zgjedhje që çojnë drejt kthimit të vërtetë në besim.”3

Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Plaku Soares: Faleminderit, e dashur, për fjalët e tua të ëmbla. Ajo është e mrekullueshme, apo jo?

Shpresoj të mos e nënvlerësoni zotësinë tuaj për të ndikuar dhe për ta bindur rininë tonë që të ndjekë drejtësinë në jetën e vet. Siç e kishte zakon të thoshte Presidenti ynë i dashur Paker, ata po rriten në territorin e armikut. Nëpërmjet shërbimit tuaj të përkushtuar për t’u dhënë mësim atyre, ata mund të rriten në besim e bindje dhe të bëhen të patundur shpirtërisht. Ata do të mësojnë se si të përballen dhe ta mposhtin tundimin.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, programet e seminarit dhe institutit janë dy nga kontribuesit më të rëndësishëm për qëndrueshmërinë dhe forcën e Kishës. Unë mund t’ju siguroj se Zoti po e përmbush “veprën [e Tij] dhe lavdinë [e Tij] – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”3 – nëpërmjet shërbimit tuaj të çmuar ndaj Tij dhe fëmijëve të Tij. Prandaj, synimi kryesor për mua dhe ju duhet të jetë gjithmonë shpëtimi dhe ekzaltimi i fëmijëve të Atit tonë Qiellor.

Në këtë manual të mrekullueshëm për mësuesit dhe udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë, Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, ne gjejmë këtë thënie mbresëlënëse: “Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatitin veten, të përgatitin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell”5.

Kjo porosi është në përputhje me atë që thuhet te General Handbook: Serving in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints [Manual i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme]: “Seminaret dhe Institutet e Fesë (SeI) u japin ndihmesë prindërve dhe udhëheqësve të Kishës që t’i ndihmojnë rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore që ta rritin besimin e tyre te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur”6.

Njëra nga sfidat më të mëdha për ata prej nesh që janë angazhuar në këtë punë të mrekullueshme të shpëtimit të shpirtrave, është kërkimi për t’u bërë, që do të thotë të rritemi ose të shndërrohemi në llojin e dishepullit/es që Zoti pret nga ne të jemi. Atëherë, Zoti do të na mundësojë të ndikojmë në jetën e atyre të cilëve u japim mësim ndërsa ecin në shtegun drejt jetës së përjetshme. Ky koncept i bërjes është plotësisht i lidhur me një nga tri elementet se si të arrihet qëllimi i Tij, siç përshkruhet në manualin Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: “Ne jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit dhe kërkojmë fuqimisht shoqërimin e Shpirtit. Sjellja dhe marrëdhëniet tona janë shembullore në shtëpi, në klasë dhe në komunitet. Ne vazhdimisht kërkojmë t’i përmirësojmë paraqitjen, dijet, qëndrimin dhe karakterin tonë.”7

Apostulli Pal na këshilloi për rëndësinë e arritjes së të njëjtit shtat si të Krishtit. Në letrën e tij drejtuar efesianëve, ai tha:

“Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues,

për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,

derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit.”8

Pyetja jonë kritike mund të jetë se si mund ta arrijmë masën e shtatit të plotësisë së Krishtit, nëpërmjet shërbimit tonë, ndërsa përpiqemi fort që t’i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Ungjilli i Jezu Krishtit na jep ndihmesë në këtë drejtim. Le të shqyrtojmë së bashku disa parime në përpjekje për ta trajtuar këtë pyetje.

Parimi i parë dhe themelor është që gjithmonë të ndjekim Mjeshtrin, Jezu Krishtin. Pasqyrimi plot zell i Jezu Krishtit në qëndrimet, fjalët dhe veprimet tona e rrit zotësinë tonë për të ndikuar dhe për t’i bindur të tjerët që të përgatiten e të kualifikohen për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell. Duke vepruar kështu, ne mund ta ndihmojmë rininë tonë të mësojë ta dojë Zotin, sepse çfarë ata duan do të përcaktojë se çfarë do të kërkojnë. Çfarë do të kërkojnë, do të përcaktojë se çfarë do të mendojnë e bëjnë. Çfarë do të mendojnë e bëjnë, do të përcaktojë se kush do të bëhen.

Ju dhe unë përfaqësojmë Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në botë. Çdo gjë që bëjmë dhe themi, pasqyron imazhin e Kishës, të vërtetat e saj dhe, përfundimisht, Shpëtimtarin. Ndërsa përpiqemi ta kuptojmë dhe harmonizojmë më mirë jetën tonë me ungjillin, aq më shumë përpjekje duhet të jemi të prirur të ndërmarrim për t’u bërë si Jezu Krishti. Presidenti Dallin H. Ouks një herë tha:

“Ungjilli i Jezu Krishtit është plani nëpërmjet të cilit ne mund të bëhemi ata fëmijë të Perëndisë që pritet që ne të bëhemi. Kjo gjendje e panjollë dhe e përkryer do të rrjedhë nga një seri e qëndrueshme besëlidhjesh, ordinancash dhe veprimesh, një mbledhje e zgjedhjeve të drejta, si dhe nga pendimi i vazhdueshëm.”9

Kohët e fundit po flisja me disa nga shokët/shoqet e mia të klasës së seminarit dhe institutit nga Brazili, vendi ku u rrita. Më bëri përshtypje ajo çka thanë ata për ndikimin si të Krishtit që mësuesit e tyre patën tek ta në një kohë vendimesh kritike në jetën e tyre. Le të dëgjojmë atë çka thanë disa prej tyre.

Motra Barreto: Mirë, po kthehem në rininë time. Mendoj – epo, nuk mendoj; jam e sigurt – të gjitha vendimet dhe gjithçka që shpresoja, ëndërroja, kishin një themel të fortë kur studiova ungjillin. Dhe veçanërisht, mbaj mend shumë, shumë qartë seminarin. Isha shumë e re – seminari po fillonte këtu në Brazil – dhe ende më kujtohen mësuesit e mi të mirë, shumë të mirë, mësues të përkushtuar, dhe unë fillova ta dua Shpëtimtarin. Dhe mendoj se dëshmia që fitova kur isha studente seminari, është zhvilluar dhe rritur, është rritur shumë, dhe unë jam ajo që jam tani për shkak të atyre kohëve, për shkak të atyre mësimeve, për shkak të atyre mësuesve dhe vendimeve që mora.

Motra Silva: Për mua, unë mendoj se ishte mësuesja ime, e cila ishte shumë e rëndësishme në atë kohë, sepse sapo isha kthyer në besim në atë kohë dhe ajo më ndihmoi shumë që t’i kuptoja ato parime dhe si t’i zbatoja në jetën time, dhe të kërkoja cilësitë që ka Jezu Krishti – të tillë si durimi, rritja në njohuri, bindja ndaj profetëve të gjallë. Të gjitha këto më ndihmuan në atë kohë që të zhvilloja aftësinë për të dëgjuar Frymën e Shenjtë, pëshpëritjet e Shpirtit. Kjo ishte e rëndësishme për mua ngaqë isha një e sapokthyer në besim. Ishte mësuesja. Ajo kishte njohuri të madhe dhe ndihmoi gjithashtu shumë studentë për ta zhvilluar atë njohuri. Ajo u përgjigjej pyetjeve tona e kështu me radhë. Kjo më ndihmoi të fitoj një dëshmi dhe të qëndroj e fortë në ungjill.

Plaku Gonçalves: Epo, sapo u pagëzova, kur hyra në godinën kishtare për herë të parë, u përfshiva menjëherë nga të rinjtë e të rejat dhe nga mësuesja e seminarit. Ajo më ftoi të merrja pjesë në klasa. Kursi kishte filluar tashmë, kështu që më duhej të nxitoja dhe të plotësoja disa detyra që të mund të merrja certifikatën për atë vit. Nuk mësova asgjë duke i plotësuar ato detyra, por mësova të përfshihesha vetë dhe ajo përfshirje ishte thelbësore. Ajo përfshirje ishte e rëndësishme, kështu që mund të ndieja një dëshirë për të mësuar më shumë rreth shkrimeve të shenjta, për të cilat nuk kisha menduar kurrë më parë dhe të cilat ende nuk i kuptoja. Pas atij emocioni fillestar, gëzimi për të marrë pjesë filloi të ishte pjesë e jetës sime. Ajo u bë normale, dhe ndjeva dëshirën për të ditur më shumë rreth shkrimeve të shenjta dhe për të vënë në praktikë ato gjëra që dukeshin aq të vërteta dhe e kishin bekuar kaq shumë jetën e atyre të rinjve e të rejave, sa mund ta shihje këtë në veprimet e tyre. Duke hedhur vështrimin prapa, më kujtohet kjo gjë: veprimet e atyre të rinjve e të rejave më bënë të shoh diçka që ishte e vërtetë.

Plaku Soares: Letra e Apostullit Pal drejtuar Timoteut na kujton këshillën e rëndësishme së cilës mund t’ia vëmë veshin, në mënyrë që të ndikojmë me të vërtetë tek të tjerët për mirë: “Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi”10.

Parimi i dytë që do të doja të përmendja është dhënia mësim e së vërtetës me guxim e qartësi. Ju dhe unë jemi thirrur të japim mësim ungjillin e Jezu Krishtit. Ne nuk duhet të japim mësim idetë ose filozofitë tona vetjake, madje as të përziera me shkrimet e shenjta. Ungjilli është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin”11, dhe është vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij që ne shpëtohemi. Me udhërrëfimin dhe ndihmën e Frymës së Shenjtë, ne duhet të japim mësim parimet e ungjillit siç gjenden në veprat standarde të Kishës, fjalët e apostujve dhe profetëve të kohëve moderne ashtu siç jepen mësim sot. Ne duhet të jemi mjete të së vërtetës dhe ta japim mësim atë me një qartësi të tillë, sa ata nuk do të pështjellohen me filozofitë e botës. Është e bukur të lexosh mënyrën se si Alma e përshkruan fuqinë e fjalës së Perëndisë në zemrat e njerëzve dhe se si ajo e forcon natyrshëm besimin. Le të lexojmë së bashku tek Alma 32:42:

“Dhe për shkak të zellit tuaj dhe të besimit tuaj dhe të durimit tuaj me fjalën, duke e ushqyer atë, që ajo të mund të lëshojë rrënjë në ju, vini re, ca nga ca, ju do të vilni frutin e saj që është shumë i çmueshëm, që është më i ëmbël mbi çdo gjë që është e ëmbël dhe që është më i bardhë nga çdo gjë që është e bardhë, po, dhe i kulluar mbi çdo gjë që është e kulluar; dhe ju do të ushqeheni me bollëk me këtë frut, madje derisa të ngopeni, që të mos keni uri, as të mos keni etje.”

Vëllezër e motra, ky shkrim i shenjtë i mrekullueshëm ilustron fuqinë e së vërtetës që mund të pranohet nga zemra e të rinjve dhe të rejave tona, dhe t’i bindë ata të bëjnë mirë në jetën e tyre. Ju lutem, mbani mend se mësimdhënia e efektshme është pikërisht thelbi i udhëheqjes në Kishë. Jeta e përjetshme do të vijë vetëm kur burrave dhe grave t’u jepet mësim me efektshmëri të tillë, sa ata ta ndryshojnë dhe ta disiplinojnë jetën e tyre. Ata nuk mund të detyrohen me forcë drejt drejtësisë apo drejt qiellit. Ata duhet të udhëhiqen dhe kjo nënkupton mësimdhënien e efektshme.12

Gjatë konferencës së fundit të përgjithshme të prillit, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim rreth dokumentit “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”. Në fund të mesazhit të tij, ai i dha një detyrë gjithë Kishës që ta studiojë atë dhe t’i përsiatë të vërtetat e të mendojë për ndikimin që kanë ato të vërteta në jetën tonë. Besoj se përgjegjësia jonë e tejkalon atë detyrë. Ju dhe unë jemi pjesë e grupit të njerëzve të caktuar për t’i rrënjosur të vërtetat e frymëzuara të kësaj proklamate në zemrat e rinisë dhe të të rinjve e të rejave tona në moshë madhore. Në një kuptim, mësuesit/et e seminarit dhe të institutit janë një zgjatim i 15 profetëve, shikuesve dhe zbuluesve në rolin e tyre për t’ia shpallur këto të vërteta të rinjve e të rejave, në përgatitje për udhëtimin e tyre në një botë shumë të pështjelluar. Ju dhe unë kemi përgjegjësinë vendimtare që t’i bëjmë bekimet e kësaj proklamate një realitet në jetën e tyre. Ne të gjithë e dimë se po jetojmë në kohë sfiduese. Bota po e harron rëndësinë dhe rolin e Atit Qiellor e të Jezu Krishtit në jetën e saj dhe po humbet largpamësinë e natyrës së saj hyjnore. Gjithnjë e më shumë filozofi të botës po zënë vendin e të vërtetave të shenjta absolute të ungjillit të Jezu Krishtit në zemrat e njerëzve. Ju dhe unë kemi mundësinë e madhe të jemi mjete në duart e Zotit për tʼi bekuar të rinjtë e të rejat tona dhe për tʼi futur në zemrat e tyre të vërtetat që u shpallën qartë dhe fuqishëm në këtë proklamatë.

Më lejoni t’ju tregoj disa nga komentet e tjera që bënë miqtë e mi të mirë rreth mënyrës se si e vërteta, e dhënë mësim me qartësi e kurajë, i rrënjosi vërtet ata në ungjillin e Jezu Krishtit.

Plaku Silva: Për mua, gjëja e parë që më vjen në mendje është shembulli i mësuesve, sepse ky është burimi drejt të cilit shohim, dhe ne duam të jemi si ata. Kisha menduar gjithmonë: “A do të jetë e mundur që një ditë të kem një familje si kjo? A do të jetë e mundur që një ditë unë vërtet t’i bëj ato gjëra?” Njëfarë ndikimi i doktrinës, kryesisht i asaj që jepet mësim me anë të shembullit, siç thonë ata – ne kemi nevojë ta përvetësojmë doktrinën dhe ta përshtatim sipas situatave dhe rrethanave tona. Unë u përpoqa ta bëja këtë në mënyrën më të mirë të mundshme, sipas zotësisë dhe aftësisë sime, që të mund të isha me të vërtetë më i mirë çdo ditë dhe të isha në gjendje të bëja zgjedhjet më të mira – siç veprova me zgjedhjen time më të mirë, duke zgjedhur bashkëshorten time, e cila ishte një nga gjërat që më ndihmoi gjithashtu.

Motra Barreto: Unë gjithmonë i shikoja mësuesit/et e mi/a si shembuj. Ende mund ta mbaj mend sidomos njërën prej tyre. Ajo ishte shumë e re, ende e pamartuar. Ajo ishte një motër misionare e kthyer dhe kur e shihja teksa na jepte mësim, mendoja: “Dua të jem si ajo. Dua të jem më shumë si ajo”, sepse ajo ishte si Shpëtimtari. Ajo na donte kaq shumë dhe sa herë që na jepte mësim, unë e ndieja dashurinë e saj dhe përkushtimin e saj për atë që bënte. Një gjë për të cilën mendoj se ishte e rëndësishme në jetën time – nuk isha një e kthyer në besim, por pata kohën time të kthimit në besim. Unë u linda në Kishë, kështu që kur flitnim për historitë tona, historia ime është pak më ndryshe sepse nuk mbaj mend kurrë të kem pasur dyshime apo të mos e besoja Kishën dhe ungjillin. Gjithçka ishte shumë e natyrshme për mua. Por mendoj – jam e sigurt se vjen një kohë kur ju duhet ta dini për veten tuaj dhe kjo është pikërisht ajo kohë – ky ishte seminari dhe instituti im, veçanërisht koha e seminarit. Kur kthehem dhe mendoj për të, kjo ishte një kohë kritike kur unë duhej të vendosja pse isha në Kishë – nëse Kisha ishte vërtet e vërtetë për mua, nëse kisha një dëshmi për ungjillin dhe një dëshmi për Jezu Krishtin. Pra, unë mund të jem ajo që jam tani thjesht për shkak të atyre ditëve.

Motra Gonçalves: Së pari, kur kemi mësuesit dhe udhëheqësit tanë, nuk është se ata janë të përsosur, por ne e përfytyrojmë veten të jemi si ata, të kemi një familje si të tyren dhe të ndjekim shembullin e tyre, të kemi të njëjtin kuptim, të marrim atë njohuri. Kishte disa udhëheqës që patën ndikim tek unë dhe ishin shembull, kështu që thashë: “Dua të jem si ata kur të rritem”. Kjo më bëri që të përpiqem gjithmonë të bëj zgjedhje të mençura në jetën time. Dhe vazhdova përpara, hap pas hapi. Ashtu si Plaku Bednar tha për kthimin në besim, ai nuk ndodh menjëherë; ndodh hap pas hapi, një ndryshim zemre, një ndryshim mendimi, një ndryshim sjelljeje dhe gjithnjë i përqendruar te vullneti i Perëndisë. Pra, fillimisht vullneti i Perëndisë dhe më pas këta mësues më ndihmuan t’i kuptoja shkrimet e shenjta, më mësuan që t’i dua shkrimet e shenjta. Pra, kjo u bë një pjesë e jetës sime. Kërkova të bëj zgjedhje të mençura sipas vullnetit të Perëndisë.

Plaku Soares: Një tjetër parim që dëshiroj të përmend sot, është mandati ynë për t’u dhënë mësim studentëve tanë me anë të Shpirtit. Ju dhe unë, ne jemi në punën e Zotit. Ne jemi vepruesit e Tij dhe jemi autorizuar e porositur që ta përfaqësojmë Atë dhe të veprojmë në emër të Tij. Si veprues të Tij, ne kemi të drejtë për ndihmën e Tij. Sigurisht, nga ne pritet që të përgatitemi me zell për çdo mësim, duke zotëruar teknika të ndryshme mësimdhënieje dhe duke mësuar se si t’i ndihmojmë studentët tanë që ta ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes me drejtësi. Sidoqoftë, është e qartë se që ta kemi ndihmën e Zotit nëpërmjet Frymës së Shenjtë në mësimet që shpjegojmë, është e nevojshme që të jetojmë një jetë që kualifikohet për atë ndihmë.

Duke u folur mësuesve të Kishës, Presidenca e Parë tha: “Pjesa më e rëndësishme e shërbimit tuaj do të jetë vetë përgatitja juaj e përditshme shpirtërore, duke përfshirë lutjen, studimin e shkrimeve të shenjta dhe bindjen ndaj urdhërimeve. Ne ju nxitim t’ia përkushtoni veten të jetuarit të ungjillit me qëllim më të madh se kurrë më parë.”13 Më pas ne kërkojmë ndihmën e Zotit dhe Ai do të na bekojë me Shpirtin e Tij për të ditur se çfarë të bëjmë. Ju lutemi, mbani mend gjithmonë se mësimdhënia me anë të Shpirtit na ndihmon t’u japim mësim anëtarëve të klasës në një mënyrë që ata të mund t’i kuptojnë më mirë parimet e ungjillit dhe më pas të nxiten për t’i zbatuar ato në jetën e tyre: “Si rrjedhim, ai që predikon dhe ai që pranon, e kuptojnë njëri‑tjetrin dhe që të dy lartësohen e gëzohen së bashku”14. Kjo mund të jetë tashmë e qartë, por mund t’ju siguroj se studentët tanë mund ta marrin të vërtetën e përjetshme nëpërmjet Shpirtit vetëm kur u mësohet nga ai Shpirt.

Më pëlqen mënyra se si e shpjegoi Nefi këtë koncept të bukur: “Dhe tani unë, Nefi, nuk mund t’i shkruaj të gjitha gjërat që u mësuan mes popullit tim; as nuk jam i fuqishëm në të shkruar si në të folur; pasi kur një njeri flet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, fuqia e Frymës së Shenjtë e çon atë në zemrat e fëmijëve të njerëzve”15. Ç’rol të rëndësishëm ka Shpirti në mësimdhënien tonë për ta çuar të vërtetën te zemrat e fëmijëve të njerëzve!

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne mund të jemi shumë gojëtarë dhe të zotë për folur bukur në publik, por pa Shpirtin aftësitë tona nuk do të sjellin asnjë ndryshim. Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit dha mësim se “asnjëherë nuk ka qenë më e domosdoshme ta di[më] se si [na] flet Shpirti sesa është pikërisht tani”. Ai shtoi se “në Kreun‑Perëndi, Fryma e Shenjtë është lajmëtari. Ai do t[ë na] sjellë në mendje[t tona] mendime që Ati dhe Biri dëshirojnë që [ne] t’i m[arrim]. Ai është Ngushëlluesi. Ai do t[ë na] sjellë në zemër një ndjenjë paqeje. Ai dëshmon për të vërtetën dhe do t[ë na] pohojë se çfarë është e vërtetë teksa e dëgjo[jmë] dhe e lexo[jmë] fjalën e Zotit.”16

Parimi i katërt që do të doja të përmendja është të jepni mësim nga zemra. Ka mësues që mund të krijojnë fjali elegante, me stil, të cilat janë mbresëlënëse dhe të këndshme për t’i dëgjuar. Por mësuesit me ide bindëse, të cilët flasin me zemër të hapur, janë ata që me të vërtetë mund të na frymëzojnë të veprojmë sipas gjërave që mësojmë. Disa nga këta mësues mund të mos jenë aq të rafinuar për të folur në publik, por kur studentët i dëgjojnë, ata i hapin sytë për të kuptuar më mirë. Këta mësues mund të mbjellin një dëshirë në zemrat dhe mendjet e tyre, e cila do të ndikojë dhe do t’i bindë studentët në kërkimin e tyre për mirësi dhe në ndjekje të ekzaltimit. Mësuesit që patën ndikimin më të madh në jetën time, ishin ata që më dhanë mësim nga zemra. Ata nuk ishin më të përgatiturit në teknikat e mësimdhënies, por ata ishin në gjendje të flisnin me zemër të hapur. Ndikimi i tyre kishte të bënte më pak me ndjekjen mekanikisht të planeve të përcaktuara mësimore ose teorive arsimore dhe kishte të bënte më shumë me kujdesin, çiltërsinë, pasionin dhe bindjen e vërtetë. Siç u shpreh nga autori dhe arsimtari amerikan Parker Palmer: “Mësuesit e mirë zotërojnë një aftësi për t’u lidhur. … Lidhjet e bëra nga mësuesit e mirë nuk varen nga metodat e tyre, por nga zemra e tyre – domethënë zemra në kuptimin e saj të lashtë, si vendi ku intelekti dhe emocioni, dhe shpirti e vullneti, puqen në veten njerëzore.”17

Zoti ynë, Jezu Krishti, ishte shembulli i përsosur i atij parimi. Ai la gjurmë fizike në rërën në bregdet, por la shenjën shpirtërore të mësimeve të Tij në zemrat dhe në jetën e të gjithë njerëzve të cilëve Ai u dha mësim. Ai i udhëzoi dishepujt e Tij të asaj kohe, dhe neve Ai na flet të njëjtat fjalë: “Ti ndiqmë”18.

Le t’i dëgjojmë komentet përfundimtare të shokëve dhe shoqeve të mia të klasës e miqve të mi. Mendoj se nuk ju kam njohur ende me ta. Këto tri çifte janë Glausia dhe Reinaldo Barreto, Lucelia dhe Mauro Gonçalves, dhe Selia Maria e Ramilfo Silva. Shumicën e këtyre njerëzve të mrekullueshëm i kam njohur që nga fëmijëria jonë. I kam parë gjatë jetës së tyre dhe kam mësuar nga shembujt e tyre të drejtë. Ata kanë qenë anëtarë besnikë, të qëndrueshëm dhe të përkushtuar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të cilët i kanë rritur familjet e tyre në ungjill dhe kanë shërbyer me gjithë zemër në përgjegjësitë ku Zoti i ka thirrur ata.

Plaku Barreto: Pata shembuj shumë të mirë në jetën time të profesorëve e mësuesve të seminarit dhe institutit, si dhe nga bashkërenduesit dhe drejtorët e seminarit dhe të institutit. Ne kemi pasur miqësi shumë të mirë me ta që nga ajo kohë. Nuk mund ta shpreh aq sa duhet mirënjohjen për ta dhe shembujt e tyre në jetën time. Ata ishin edhe miq shumë të mirë. Gjithmonë ndihesha i sigurt të bisedoja me ta për çdo gjë. Ata më udhëzuan, më mësuan, më dhanë mësim ungjillin, por shembulli i tyre ishte i mrekullueshëm. Ata ndikuan shumë tek unë.

Motra Gonçalves: Jam shumë mirënjohëse që e kam ungjillin dhe që isha në gjendje ta rritja familjen time në të dhe të shoh sot frytin e gjithë asaj pune e cila filloi që kur ishim të rinj. Mbaj mend që një herë isha para tempullit kur ai u përkushtua dhe pata privilegjin të këndoja atje me Presidentin Kimball. Motra Lobo ishte drejtuesja jonë e korit. Pak njerëz ishin në gjendje të hynin brenda dhomës çelestiale, dhe fakti që unë isha në gjendje të ndieja brenda tempullit se gjithçka që po mësoja atje, gjithçka që kisha mësuar në rininë time, ia kishte vlejtur dhe që njëmend dëshiroja të vazhdoja deri në përjetësi. Gjithçka në jetë ka një qëllim dhe qëllimi im është që të jem në gjendje të kthehem në praninë e Atit Qiellor së bashku me familjen time dhe miqtë e mi.

Plaku Silva: Mendimet e mia, para së gjithash, jam mirënjohjes për ata mësues guximtarë, ata njerëz të cilët i kushtuan vullnetarisht dhe me të vërtetë vazhdojnë t’i kushtojnë kohë përgatitjes së tyre vetjake për të dhënë mësim. Nuk mund ta mat ndikimin e mirë që mësuesit mund të kenë dhe kanë te studentët e tyre. Ndonjëherë ne e zbulojmë këtë vetëm shumë vite më vonë. Por ata me të vërtetë zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë dhe të qëndrojnë në shteg. Dhe jam vërtet mirënjohës për këtë. Kam dëshmi se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Kam pasur disa përvoja dhe nuk mund ta mohoj se Jozef Smithi është një profet i Perëndisë. Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Sot kemi një profet që na udhërrëfen dhe që merr zbulesë, dhe unë e di se Jezu Krishti është aktiv në drejtimin e Kishës. Këto janë mendimet e mia, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Plaku Soares: Faleminderit, miqtë e mi të dashur. Zoti ju bekoftë të gjithëve ndërsa vazhdoni të jeni shembuj të mirë të asaj që mësuat kur ishit të rinj e të reja dhe ndërsa vazhdoni ta ndërtoni ungjillin e Jezu Krishtit në zemrat e të tjerëve.

Parimi i fundit dhe shumë i rëndësishëm që dua t’ju tregoj është të dëshmojmë për atë që e dimë se është e vërtetë. Shokët dhe shoqet e mia të dashura në ungjill, fuqia e dëshmive tuaja të forta do ta ndryshojë jetën e studentëve tuaj përgjithmonë. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi me secilin prej nesh ose paraardhësit tanë, kur i dëgjuam misionarët të tregonin dëshmitë e tyre. Një dëshmi e fortë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë është fuqia mbështetëse e një jete të suksesshme dhe jep paqe, rehati e siguri. Ajo prodhon bindjen se, kur u bindemi vazhdimisht mësimeve të Shpëtimtarit, jeta do të jetë e bukur, e ardhmja e sigurt dhe do të kemi zotësinë për t’i kapërcyer sfidat që na dalin në shtigjet tona. Dëshmitë tuaja të forta do ta mbështetin besimin e studentëve tuaj dhe do t’i ndihmojnë që të zhvillojnë dëshmitë e tyre për ungjillin. Dëshmitë e tyre do të jenë një nga shtyllat që do t’i ndihmojë të dallojnë fuqinë e flijimit shlyes e hyjnor të Krishtit në vetë jetën e tyre. Teksa veprojnë sipas dëshmive të tyre në drejtësi, unë mund t’ju siguroj se dëshmitë e tyre mund të bëhen mburoja e tyre kundrejt përpjekjeve të kundërshtarit për ta dobësuar besimin e tyre dhe për të futur mosbesim në mendjet e tyre gjatë gjithë jetës së tyre. Ky themel do t’u japë atyre kurajë për t’i shpallur botës me guxim të vërtetat e ungjillit.

Kënga e Fillores thotë: “E di, Ati im rron dhe mua më do fort. / Shpirti mua më pëshpërit, ësht’ e vërtet’ më thot’, / Ësht’ e vërtet’ më thot’.”19

Në këtë frymë, unë do të doja t’i përmbyllja fjalët e mia sot duke ju shprehur dëshminë time, një dëshmi që u ndërtua rresht pas rreshti dhe që vazhdon të rritet ndërsa kërkoj vazhdimisht me një zemër të sinqertë për ta kuptuar më plotësisht fjalën e Perëndisë. Fara e asaj dëshmie u mboll fillimisht në zemrën time nga misionarë të mrekullueshëm, të cilët e mësuan familjen time në fëmijërinë time. Më pas u ushqye nga prindërit e mi besnikë, të cilët më dhanë mësim nëpërmjet shembullit dhe përkushtimit të tyre ndaj Zotit. Përfundimisht, fara e asaj dëshmie lulëzoi teksa dëgjova mësimet e mësuesve të mi të mrekullueshëm të seminarit dhe pata nxitjen të veproja sipas tyre në jetën time që në moshë të re.

E di se Jezusi është Krishti. E di se Ai jeton. E di se Ai vuajti për mëkatet e mia dhe u ringjall e më dha një mundësi për ta ndryshuar sjelljen time. E di se Ai e harroi veten e Tij për mua; Ai u largua nga dëshirat e Tij vetjake dhe bëri pikërisht atë që i kërkoi Ati të bënte. Edhe në atë çast të vuajtjes së madhe, Ai e mohoi Veten e Tij dhe bëri atë që Ati donte që Ai të bënte.

E di se Ati ynë Qiellor jeton dhe i dëgjon lutjet tona. Unë ju dëshmoj se Ai e kupton dhembjen. E di që kjo është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit në tokë. Zoti me të vërtetë e filloi Rivendosjen e ungjillit të Tij dhe të priftërisë së Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith. E dua Shpëtimtarin tim dhe Atin tim Qiellor dhe më pëlqen shumë që t’u shërbej Atyre. Jam përpjekur t’ia tregoj dashurinë time Zotit tim të dashur gjatë gjithë jetës sime nëpërmjet shërbimit tim ndaj fëmijëve të Perëndisë. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa mirënjohës jam për mësuesit e mi të seminarit dhe institutit, të cilët ndikuan në mënyrë të palodhur tek unë nëpërmjet shërbimit të tyre të përkushtuar dhe plot dashuri ndaj Zotit! Çdo gjë filloi në atë kohë dhe jam vërtet mirënjohës për këtë.

Ju dua, vëllezër e motra. Më pëlqeu shumë mundësia që të isha sot me ju. Faleminderit sërish për gjithçka që bëni për Zotin dhe popullin e Tij në tokë. Unë i them këto gjëra në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 3 qershor 2018), material shtesë për revistën New Era, gusht 2018.

  2. Shih Russell M. Nelson, “The Lord Uses the Unlikely to Accomplish the Impossible” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigham Young – Ajdaho”, 27 janar 2015), byui.edu.

  3. Henry B. Eyring, “We Must Raise Our Sights”, në Scott C. Esplin dhe Richard Neitzel Holzapfel, red., The Voice of My Servants: Apostolic Messages on Teaching, Learning, and Scripture, (2010), f. 17.

  4. Moisiu 1:39.

  5. Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë (2012), f. x

  6. General Handbook: Serving in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, [Manual i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], (2020), 15.0.

  7. Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. x.

  8. Efesianëve 4:11–13.

  9. Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 33.

  10. 1 Timoteut 4:12.

  11. Romakëve 1:16.

  12. Shih “How to Be a Teacher When Your Role as a Leader Requires You to Teach” (mbledhja e bordit të Priftërisë për Autoritetet e Përgjithshme, 5 shkurt 1969).

  13. Teaching the Gospel in the Savior’s Way: A Guide to Come, Follow Me: Learning Resources for Youth (2012), f. 2.

  14. Doktrina e Besëlidhje 50:22.

  15. 2 Nefi 33:1.

  16. Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Ensign maj 2020, f. 90.

  17. Parker J. Palmer, The Courage To Teach: Exploring the Inner Landscape of a Teacher’s Life (1998), f. 11.

  18. Gjoni 21:22.

  19. E Di, Ati Im Rron”, Himne, nr. 197

Shtyp në Letër