Transmetimet e Trajnimeve
Diskutim me Grupin e Pjesëmarrësve


Diskutim me Grupin e Pjesëmarrësve

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së për 2020-ën

9 qershor 2020

Vëllai Xhejson Uillard: Ne ju mirëpresim kudo që ndodheni, në këtë diskutim me grupin e pjesëmarrësve. Unë quhem Xhejson Uillard dhe shërbej si bashkadministrator për Seminaret dhe Institutet e Fesë. Jemi kaq të lumtur sot që janë bashkuar me ne këta të ftuar të veçantë: Motra Reina Aburto, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës; Motra Mishel Krejg, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave; Motra Xhill Xhonson, bashkëshortja e komisionerit tonë, Plakut Pol V. Xhonson dhe Vëllezërit Çad Uikinson dhe Bert Uimpi, të cilët shërbejnë gjithashtu si bashkadministratorë për SeI-në. E falënderojmë secilin prej jush që u bashkua me ne sot.

Qëllimi i këtij grupi pjesëmarrësish është që të diskutojë për disa pyetje që ne shpresojmë se do të jenë të dobishme në një larmi të gjerë rrethanash, teksa kërkoni t’i bekoni më fuqimisht rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore anembanë botës. Ne kemi kërkuar ndihmën e qiellit për përgatitjen e diskutimit të sotëm dhe ju ftojmë që të bëni të njëjtën gjë.

Pra, le të vijojmë me pyetjen tonë të parë. Duket se kemi shumë e më shumë mësues, studentë dhe familje që mundohen nga stresi, ankthi, depresioni dhe sfida të tjera emocionale. Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar ata?

Motra Reina I. Aburto: Unë mendoj se në të vërtetë të gjithë ne kemi nevojë për shërim nga diçka, por mendoj se është e rëndësishme që ne t’i ndihmojmë studentët tanë të kuptojnë se nëse po përballen ose kanë vështirësi me emocionet e tyre, ta dinë se nuk janë të thyer, se ata nuk kanë të meta, se emocionet janë pjesë e natyrës sonë hyjnore. Sidoqoftë, nëse kemi trishtim të vazhdueshëm, ndoshta kemi nevojë të kërkojmë ndihmë. Kështu që do të sugjeroja të ndiqnim shembullin e Shpëtimtarit. Ai bëri pyetje që i lejuan njerëzit të shprehnin ndjenjat e tyre. Ai i lejoi njerëzit ta shprehnin dhembjen e tyre – për shembull, kur Ai i bëri pyetje Maries dhe Martës kur vdiq Lazari. Gjithashtu, rrugës për në Emaus, Ai foli me dishepujt e Tij dhe Ai u bëri pyetje që t’i lejonte ata të shprehnin shqetësimet e tyre dhe dhembjen e tyre ngaqë e kishin humbur Shpëtimtarin e tyre. E njëjta gjë ndodhi me Maria Magdalenën pranë varrit dhe, kur Ai u bëri pyetje njerëzve të ndryshëm që t’i lejonte të shprehnin ndjenjat e tyre.

Ndiej se, nëse krijojmë një atmosferë ku studentët ndihen të sigurt për t’i shprehur ndjenjat e tyre – jo medoemos në klasë dhe jo medoemos njëri-tjetrit, por të ndihen të sigurt për t’i shprehur ndjenjat e tyre ndoshta me të shkruar, ndoshta një pjesëtari të familjes, ndoshta një miku dhe veçanërisht, Atit Qiellor. Ne mund të bëjmë pyetje që do t’i lejojnë ata t’i shprehin ndjenjat e tyre në njëfarë mënyre. “Cilat janë shqetësimet tuaja rreth miqve tuaj, familjes suaj?” “Si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin?”

Kam vënë re se kur i pyesim njerëzit për ide ose zbulesë apo frymëzim mbi mënyrën se si t’i ndihmojmë të tjerët, ata e marrin atë frymëzim nëse luten për të dhe mund të shkojnë e të ndihmojnë. Ndaj nëse krijojmë një atmosferë ku njerëzit nuk ndihen të gjykuar, atëherë ne jemi duke i ndihmuar me këtë gjë dhe duke i ndihmuar të kuptojnë se nuk ka përgjigje të gabuara, që ata të mund të bëjnë pyetje të çiltra e të ndihen të lirë e të sigurt për t’i shprehur ndjenjat e tyre. Dhe veçanërisht nëse po i mundon diçka, ata nuk kanë përse të përballen të vetëm me atë gjë, ata mund t’i kërkojnë ndihmë Atit tonë Qiellor, Shpëtimtarit tonë dhe njëri-tjetrit. Dhe pavarësisht nga gjithçka, pavarësisht nga ajo që po u ndodh në jetë, secili prej nesh është një fëmijë i Perëndisë dhe ne mund t’i drejtohemi Atit Qiellor. Ne jemi të gjithë vëllezër e motra, e mund t’i drejtohemi njëri‑tjetrit. Ne jemi dishepuj të Krishtit gjithashtu dhe mund t’i drejtohemi Atij.

Vëllai Bert Uimpi: E vlerësoj Plakun Holland – nëse e mbani mend, ishte në bisedën e tij në konferencën e tetorit 2013. Ai foli për mundimet e veta që kishte me depresionin dikur. Dhe më pas ai tha këtë: “Nuk duhet të ketë më shumë turp në pranimin e tyre [vështirësitë me shëndetin tonë mendor] sesa pranimi i një beteje me tensionin e lartë të gjakut ose me shfaqjen e papritur të një tumori malinj”.1 Ai tha se është normale të flasësh për të dhe ta shprehësh atë, në fakt t’i tregosh ato gjëra. Dhe i vlerësoj vërtet tri gjërat që ai tregoi: “Kurrë mos e humbisni besimin tek Ati juaj në Qiell. … Kërkoni këshillën e atyre që mbajnë çelësa për mirëqenien tuaj shpirtërore” e më pas, nëse është e nevojshme, “kërkoni këshillën e njerëzve të respektuar, me trajnim të vërtetuar, me aftësi profesionale dhe vlera të mira”.2

Unë mendoj që nuk është e rëndësishme vetëm për studentët tanë por edhe për mësuesit tanë, që ta dinë se është normale t’i shprehësh ato gjëra e të flasësh për to, e të marrin ndihmën që u nevojitet. Është e mrekullueshme gjithashtu në profesionin tonë që jemi në gjendje të takohemi me një përfaqësues të burimeve njerëzore, për të parë se cilat janë përfitimet dhe vendet se ku ata mund të shkojnë për të gjetur ndihmë, dhe faqja elektronike e Kishës është një vend i mrekullueshëm po ashtu ku të gjeni burime.

Vëllai Uillard: Vëllai Uimpi, faleminderit për përgjigjen. Kjo pyetje e radhës ka të bëjë me rininë dhe të rinjtë e të rejat tona në moshë madhore, dhe se si mund t’i ndihmojmë ata të kuptojnë se përse Kisha është e rëndësishme për jetën e tyre, përse ata kanë nevojë për Kishën dhe përse Kisha ka nevojë për ta.

Motra Mishel Krejg: Besoj se kjo është një pyetje kaq e rëndësishme dhe vërtet besoj se rinia jonë dhe të rinjtë e të rejat tona në moshë madhore beqarë duhet ta kuptojnë se anëtarësia në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është më tepër se një listë me rregulla ose kutiza për t’u shenjuar. Është më tepër sesa një klub shoqëror. Ata kanë nevojë të kuptojnë se thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit është dashuria. Është dashuria për Perëndinë dhe është dashuria për të tjerët. Dhe kur e mësojnë dhe jetojnë ungjillin, ata do të arrijnë vërtet ta kuptojnë dhe ta ndiejnë identitetin dhe qëllimin e tyre.

Të rinjtë e të rejat tona sot u përgjigjen parimeve si dashuria për të tjerët, ndihma ndaj atyre që janë të papranuar nga shoqëria, me dashuri. Ata dëshirojnë një kauzë dhe dëshirojnë të sjellin një ndryshim në botë. Unë shpresoj që ata mund të arrijnë të kuptojnë se teksa janë besnikë, brenda strukturës së organizatës së Kishës, ata do të kenë më shumë mundësi që të sjellin një ndryshim për mirë në botë sesa nëpërmjet cilësdo organizate tjetër.

Një nga gjërat që pëlqej shumë rreth Presidenti Nelson dhe drejtimit se ku po shkon Kisha, është se i kushtohet shumë vëmendje rinisë dhe të rinjve e të rejave në moshë madhore beqarë, më shumë se në çdo kohë nga ç’kujtoj. E si të rritur kemi nevojë të sprapsemi dhe kemi nevojë t’u japim të rinjve e të rejave tona mundësi që të udhëheqin, të planifikojnë, të kërkojnë zbulesë dhe të veprojnë sipas asaj zbulese. Na nevojitet ta respektojmë inteligjencën e tyre dhe kemi nevojë të mësojmë mësimet që ata kanë për të na mësuar. Ne kemi nevojë për ta, jo për rritje numrash, por sepse bota ka nevojë të dëshpëruar për atë që ata kanë për të ofruar. Dhe Kisha ka strukturën që të sigurojë mjetet për t’i plotësuar ato nevoja, të secilit person, një e nga një. Shpresoj se gjithçka që rinia jonë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë po mësojnë në shtëpitë e tyre, në kishë dhe në seminaret e institutet do t’i frymëzojë ata të përdorin zemrën e duart për t’u shkuar në ndihmë njerëzve të tjerë e për t’i dashur ata, e për t’u shërbyer atyre me të cilët bien në kontakt. Për shkak se ajo është rrjedhoja e natyrshme e dashurisë për Jezu Krishtin dhe dashurisë për të tjerët.

Unë mendoj vërtet se gjithçka vjen prej Jezu Krishtit. Gjithçka që ne si mësues bëjmë e që japim mësim, si edhe ata që i duan dhe ndërveprojnë me rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë dhe fëmijët, duhet ta forcojë dëshminë në jetën, misionin dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit. Dhe ky është qëllimi i gjithë kësaj. Mendoj se nëse e bëjmë atë, me shpresë ata të arrijnë të dinë se ky është ungjilli i Jezu Krishtit, ky është ungjilli i Tij, bekimet e anëtarësisë në këtë ungjill janë kaq të mrekullueshme dhe se të gjithë ne jemi të nevojshëm për përmbushjen e veprës. Është vërtet vepra e Tij.

Vëllai Uillard: E thatë kaq mirë! Ju faleminderit. Vëllai Uikinson, çfarë do t’i shtonit kësaj?

Vëllai Çad Uikinson: Jam plotësisht dakord me atë që sapo tha Motra Krejg. Thjesht po mendoja teksa ajo po fliste, për një klasë instituti që kisha, ku pjesa më e madhe ishin misionarë të kthyer. Dhe ata folën për një nga mundimet më të mëdha të përshtatjes me kthimin në shtëpi, ngaqë kanë qenë kaq të përqendruar për 18 muaj ose 2 vite te dikush tjetër dhe kur u kthyen në shtëpi gjithçka kishte të bënte me veten e tyre. Brenda ungjillit dhe në klasat tona, ne mund të bëjmë ftesa që i lejojnë ata të mendojnë rreth asaj gjëje ose të hulumtojnë disa mënyra për t’i bërë ato gjëra dhe për të ndihmuar të tjerët, jo vetëm vetveten.

Vëllai Uillard: Motra Xhonson, çfarë do t’i shtonit kësaj?

Motra Xhill Xhonson: Teksa e shqyrtoja këtë pyetje, pata një mendim tjetër për fuqinë në besëlidhjet që mund ta kemi vetëm në një Kishë që ka autoritetin dhe fuqinë e Perëndisë. Dhe në botën e sotme, me kaq shumë trysni të ushtruar mbi të rinjtë e të rejat dhe tërheqjen për t’i larguar nga Kisha, duhet t’i rilidhim ata me fuqinë në mbajtjen e besëlidhjeve. Në këtë botë mund të ndiejmë se jemi vetëm dhe të pafuqishëm për t’i kapërcyer gjërat që na bien; sprovat tona, tundimet tona. Por besëlidhjet që mund t’i gjeni vetëm në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe në vende të shenjta, kanë fuqi shumë më të madhe sesa ka cilado prej atyre forcave. Dhe mendoj vërtet se është diçka që mund ta sigurojë Kisha. Ne mund t’ua bëjmë të ditur studentëve tanë e të japim dëshmi për këtë, e t’u tregojmë atyre nëpërmjet jetës sonë, se Kisha ka më shumë gjëra sesa thjesht të bësh mirë. Besëlidhjet kanë fuqi.

Vëllai Uimpi: Motra Xhonson, e vlerësoj atë koment? Kam pasur bashkëbisedime me të rinjtë e të rejat në moshë madhore që më kanë thënë diçka të tillë: “Mund të ndihem afër Atit Qiellor pa shkuar në kishë”. Dhe jam përgjigjur: “Jam dakord. Por synimi im nuk është vetëm të jem afër Atit Qiellor; unë dua të bëhem si Ati Qiellor. Synimi im është të jem i ekzaltuar.” Dhe mendoj se kemi nevojë t’i ndihmojmë të gjithë rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore të kujtojnë se qëllimi i jetës në vdekshmëri është të bëhen si Ati i tyre Qiellor. Kisha është vendi ku ata gjejnë çelësat e priftërisë dhe ordinancat e besëlidhjet, siç tha motra Xhonson. Ajo është mbretëria e Perëndisë këtu në tokë dhe ka diçka që do ta fitojnë këtu, që do t’i ndihmojë ata të bëhen si Ati Qiellor, diçka që ata nuk mund ta marrin në asnjë vend tjetër dhe në asnjë mënyrë tjetër.

Vëllai Uillard: Kjo është njëmend e vërtetë! Jo thjesht të jesh pjesë e një kauze, por – mendoj se është përmendur në konferencën e përgjithshme më të fundit – të jesh pjesë e “kauzës së Krishtit”. Dhe kjo është ajo që na sigurojnë ato besëlidhje. Kështu që faleminderit shumë për këtë. Cilat janë disa gjëra të vogla dhe të thjeshta që mund të bëjmë për ta rritur fuqinë tonë për t’i bekuar studentët tanë, për të dhënë mësim me fuqi më të madhe e për të pasur një mësimdhënie vërtet mahnitëse?

Vëllai Uikinson: Më pëlqen shumë ajo pyetje. Kemi biseduar, kemi dhënë mësim dhe jemi trajnuar shumë mbi aftësitë dhe metodat dhe shumë gjëra të tjera, dhe të gjitha janë të rëndësishme. Por, teksa i caktojmë vetvetes një mësues – që do të thotë Frymën e Shenjtë si mësuesin – teksa e caktojmë Frymën e Shenjtë si mësuesin tonë dhe e ftojmë atë në klasat tona, atëherë ajo fuqi, ajo mësimdhënie mahnitëse do të ndodhë.

Plaku Xhonson më mësoi njëherë se Satani mund të mos jetë në gjendje t’i bëjë shumë punonjës të SeI‑së apo njerëz që të kryejnë shkelje kurore ose ta thyejnë Fjalën e Urtësisë apo të bëjnë diçka shumë të keqe, të rëndë apo serioze. Por ai mund të bëjë gjëra të vogla që do të na çojnë në humbjen e fuqisë. Ai ndoshta mund të na ftojë që të ankohemi ose të ulemi rreth tryezës dhe të flasim keq për njëri-tjetrin ose të tallim një student apo të qeshim me rastin, ose gjëra fare të vogla, saqë kur u jepemi atyre, ne e humbasim Frymën e Shenjtë ose Fryma e Shenjtë nuk mund të jetë me ne në të njëjtin nivel që Ai mund të ishte apo duhej të ishte.

Më shkoi mendja te Akani në Dhiatën e Vjetër, ku ata u urdhëruan kur shkuan në betejë kundër Jerikos që nuk duhej të merrnin asnjë send të mallkuar – asnjë të mirë materiale, asnjë thesar nga Jeriko. Dhe Akani mori, e askush tjetër s’e mori vesh. Dhe në betejën e radhës, ku dukej si e fituar, se do të rroknin fitore kundër qytetit të Ait, ata humbën dhe 36 burra humbën jetën.

Aty gjejmë një parim se ajo që ne bëjmë, ka rëndësi. Gjërat e vogla që mund të themi, ose ankesat apo murmuritjet ose çfarëdo që mund të vijë, çka mund të ndikojë që fuqia e Frymës së Shenjtë të vijë më mundimshëm në jetën tonë – ka rëndësi. Dhe humbet gjithë fuqia e sistemit. Kjo është diçka që ka rëndësi. Unë thjesht do të doja ta ftonim veten që t’i bëjmë ato gjëra të vogla [të duhura]. T’u kushtojmë vëmendje gjërave të vogla e të thjeshta që do ta ftojnë Frymën e Shenjtë ose do të na ndihmojnë të kemi deri në nivelin më të madh të mundshëm, ndikimin e Mësuesit.

Vëllai Uillard: Vëllai Uimpi, kishit një koment?

Vëllai Uimpi: Nëse jemi vërtet të përqendruar te Shpëtimtari, këtë kam në mendje kur ulem dhe mendoj për studentët e mi, dhe mendoj për mësimet e mia, që të jem vërtet i qendërzuar te Krishti. Dua që studentët e mi t’i dinë karakteristikat dhe cilësitë e Tij. Pra që aty nis, a përqendrohem te Shpëtimtari.

Pastaj mendoj gjënë e dytë, a jam vërtet i përqendruar te studentët e mi. E vlerësoj vërtet Plakun Bednar – nëse ju kujtohet, në një Seri për Përmirësimin e Udhëheqjes, ai foli për një përvojë me të birin, ku i biri donte ndihmë për të ditur se çfarë të planifikonte në një aktivitet për priftërinjtë dhe Dafinat. Plaku Bednar i lexoi atij nga Jakobi [LiM] 1:5: “Për shkak të besimit dhe shqetësimit të madh, na u tregua me të vërtetë qartë në lidhje me njerëzit tanë, çfarë gjërash do t’u ndodhnin atyre”. Nëse ju kujtohet historia, u deshën disa minuta që i biri i Plakut Bednar ta kuptonte më në fund se Plaku Bednar po thoshte: “Çfarë nevojitet të ndodhë? Përpara se të planifikoni një aktivitet, mendoni fillimisht se për çfarë përvoje kanë nevojë studentët tanë?” Nisuni nga pyetja: “Çfarë i nevojitet një studenti që të përjetojë?” kur bëjmë përgatitjen.

Pastaj mendoj se gjëja e tretë, siç e përmendi Vëllai Uikinson, është të jesh i vetëdijshëm për lejimin e Frymës së Shenjtë që ta kryejë rolin dhe funksionin e Tij ndërsa jemi në klasë. Kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se manuali Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, pjesa 2.1 është diçka e shkëlqyer për t’u shqyrtuar, teksa mendojmë vërtet për rolin dhe funksionin e Frymës së Shenjtë. Dhe thjesht të kuptuarit e kësaj dhe lejimi i Frymës së Shenjtë për ta kryer rolin dhe funksionin e Tij në klasë, do të ishte tepër, tepër domethënëse.

Motra Krejg: Diçka krejt e thjeshtë që kam zbuluar është se, nëse jam duke dhënë mësim dhe ndiej se Shpirti nuk është aty, nëse jap dëshmi të sinqertë për Jezu Krishtin dhe Atin Qiellor, atëherë Fryma e Shenjtë vjen. Ky është misioni i Frymës së Shenjtë që të dëshmojë për hyjninë e Jezu Krishtit dhe Atit Qiellor. Kështu që, nëse jap dëshmi, një dëshmi të thjeshtë, Shpirti do të vijë.

Vëllai Uillard: Ne folëm rreth mësimdhënies më me fuqi, për të qenë më të qendërzuar te Krishti. Por teksa përpiqemi të jemi më të përqendruar te studentët, çfarë mund të bëjnë mësuesit, që përgatitja e tyre të jetë më e përshtatshme dhe konkrete për studentët?

Motra Xhonson: Kur e lexova fillimisht atë pyetje vrava mendjen: Çfarë do të thotë që t’u jepet shërbesë studentëve një e nga një? A do të thotë që duhet t’i njohim ata konkretisht? A mundet që thjesht t’i njohim ata personalisht? Të kalojmë kohë me ta në mënyra që t’i njohim më mirë? Pastaj mendova se kjo pyetje do të jetë e ndryshme për një mësues që është në Orem dhe u jep mësim mbi 100 studentëve. Përpjekja për t’u përfshirë personalisht në jetët e të gjithë atyre studentëve do të ishte një detyrë e frikshme krahasuar me një mësues në Frankfurt të Gjermanisë, i cili ka gjashtë studentë me të cilët frekuenton kishën, dhe është shumë i lidhur me ta, me disa nga familjet. Mendoj se do të ishte tepër shkurajuese të ndjesh se si mësues, përgjegjësia jote është të përfshihesh me çdo student personalisht në atë mënyrë, sa t’i vizitosh familjet e tyre dhe të shkosh në rastet e tyre [familjare]. Ata kanë kaq shumë raste [familjare] dhe ju thjesht mund të ndiheni të mbingarkuar.

Prandaj, ja tek janë disa ide se si t’i vlerësoni nevojat. Mendova, kemi nevojë të pyesim. Kemi nevojë t’i pyesim vetë studentët se cilat janë nevojat e tyre. Kemi nevojë t’i pyesim mësuesit e tjerë se çfarë kanë vëzhguar te studentët e të njëjtës moshë, grupmoshe dhe kulture, sepse Kisha është mbarëbotërore dhe ka shumë dallime kulturore. Por më e rëndësishmja, pyetni Atin tonë në Qiell dhe mbështetuni te Shpirti dhe premtimet që kemi, se nëse jemi duke bërë gjithçka që mundemi, atëherë do të bekohemi me frymëzimin që kemi nevojë për t’i njohur ata studentë dhe të dimë se çfarë na nevojitet që t’u japim mësim atyre. Në një botë të ndërlikuar me gjithë sfidat e reja që kanë të rinjtë e të rejat, është edhe më e rëndësishme që ta kemi atë udhërrëfim nga Ati ynë Qiellor kur u japim mësim atyre.

Motra Aburto: Mendoj se nëse këshillohemi me ta dhe dimë rreth tyre, ne do të arrijmë t’i njohim më mirë. Është e rëndësishme që edhe t’i vëzhgojmë e t’i perceptojmë ato shenja, ose t’i vërejmë ato shenja që do të na përçojnë. Komentet që bëjnë ose mosdhënia e komenteve apo pyetjet që bëjnë, do të na lejojnë që t’i njohim më mirë ata. Ndoshta, mund t’i lejojmë qoftë që të bëjnë pyetje në mënyrë anonime. Ndonjëherë ata ndihen më të lirë ta thonë atë që kanë në zemër nëse nuk ua dimë emrat. Gjithashtu, sigurohuni që t’i lidhni parimet dhe doktrinat që po mësojmë me atë që po ndodh në jetën e tyre pikërisht tani – jo medoemos në të ardhmen, por pikërisht tani – që ata ta shohin veten te shkrimet e shenjta, që ta shohin veten në mbledhjen e Izraelit, që ta shohin veten në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Dhe ata mund të shohin prapa gjithashtu në vetë jetët e tyre dhe të vërejnë kohët në të cilat Zoti i ka bekuar jetët e tyre, që ata të mund të kujtojnë se kush janë, dhe se Ai është gjithmonë gati për t’i bekuar ata. Ndihmojini ata ta gjejnë atë lidhje. Dhe për ta bërë këtë, juve ju nevojitet të dini se çfarë po ndodh në jetën e tyre.

Vëllai Uikinson: Mendoj se të dyja ato komente janë vërtet të shkëlqyera. Kam zbuluar se në ditën e parë në klasë ia vlen t’i vë studentët të më shkruajnë një letër. Nuk dua që ata të më tregojnë se cilat janë mëkatet e tyre apo diçka të ngjashme, por të më tregojnë për veten. Çfarë kam nevojë të di për ju që do të më ndihmojë më mirë t’ju shërbej si mësues i juaji këtë semestër apo këtë vit? Më tregoni rreth familjes suaj, më tregoni rreth punës, më tregoni se me çfarë veprimtarish merreni. Më tregoni se çfarë prisni nga ora mësimore. Ose qoftë të thoni “po has vështirësi me besimin tim” ose “më shqetëson diçka”. Pastaj i bëj një fotografi çdo studenti dhe ia bashkëngjit asaj letre. E ndërsa e lexoj atë letër, arrij ta njoh atë student dhe i mbaj në mendje këto gjëra teksa bëj përgatitjen time. Ato, ndoshta disa prej tyre, janë disa mënyra praktike për të arritur tek ajo që po na mësojnë Motra Xhonson dhe Motra Aburto.

Vëllai Uillard Pyetja jonë e radhës është që të ndihmojmë mësuesit tanë. Si ta baraspeshojmë këtë përgjegjësi që kemi për të dhënë mësim doktrinën me qartësi e vërtetësi, ndërkohë që i nxitim studentët që vijnë nga një larmi rrethanash dhe rrethana të ndryshme kulturore, për t’i shprehur siç duhet mendimet dhe ndjenjat e tyre? Çfarë mund t’i thoshit një mësuesi që po përpiqet të sigurohet që studentët të ndiejnë se u dëgjohet zëri në klasë, që mund të flasin, që mund të shprehin mendime e ndjenja që mund të kenë dallim nga ajo që po ndodh në orën mësimore dhe prapëseprapë ta japin mësim doktrinën?

Vëllai Uimpi: Nganjëherë ky është një ekuilibër i vështirë për ta mbajtur në klasë. Mendoj se duhet të kujtojmë se përgjegjësia jonë është të japim mësim të vërtetën, jo opinionin. Studentët tanë kanë nevojë të dinë se kur vijnë në klasë, ata do të dëgjojnë të vërtetën. Ja përse kemi nevojë të jemi të qendërzuar te shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve, që kur studentët të vijnë, të drejtohemi aty dhe aty do t’i gjejmë përgjigjet tona. Gjithashtu të kujtojmë synimin, dhe se qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore të kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit. Kam nevojë t’i ndihmoj studentët e mi të kuptojnë.

Por mendoj edhe se kemi nevojë të kujtojmë se studentët tanë më pas kanë përgjegjësi. Kujtoni seksionin Doktrina e Besëlidhje 50, ne do të predikojmë fjalën e së vërtetës, por më pas edhe studentët tanë kanë nevojë ta pranojnë fjalën e së vërtetës. Ata kanë nevojë të jenë besues teksa vijnë në orën mësimore. Ndaj do të ishte mirë sikur orët tona mësimore të mund të bëhen si një laborator, ku studentët të vijnë dhe ta ndiejnë se është një mjedis ku do të jepet mësim e vërteta, por më pas të ndihen të sigurt t’i bëjnë pyetjet e tyre ose t’i tregojnë përvojat e tyre apo shqetësimet e tyre. Por si mësues, ne jemi vërtet aty që t’i ndihmojmë studentët tanë të mësojnë se si të mësojnë – të mësojnë se si ta ndiejnë Shpirtin, si të mësojnë vetë, që në atë mjedis ta shprehin atë që po mendojnë. Dhe kjo mbase të shpie te diskutimi ynë, na shpie te shkrimet e shenjta dhe te fjalët e profetëve për të na ndihmuar të gjejmë se ç’është e vërteta dhe jo thjesht se ç’është opinioni apo çfarë po thuhet në botë sot.

Por le të përqendrohemi te ajo se ç’është e vërteta. Mendoni rreth modelit për marrjen e njohurisë shpirtërore. Do të ishte mirë të përqendroheshim vërtet tek ai model dhe t’i ndihmojmë studentët tanë të mësojnë se si të veprojnë me besim dhe të kenë një këndvështrim të përjetshëm dhe më pas të kërkojnë te burimet e caktuara në mënyrë hyjnore për të marrë përgjigje, që kur të vijnë në klasë, ta dinë se janë pikërisht për atë arsye, që të mësojnë të vërtetën, që të bëhen si Ati i tyre Qiellor.

Një nga drejtuesit e zonës tonë më tregoi një përvojë. Ishte ulur në një klasë dhe një i ri në moshë madhore dha një opinion që nuk ishte edhe aq në përputhje me mësimet e Kishës. Më pas mësuesi u përgjigj në këtë mënyrë. Ai tha: “Çfarë informacioni nxjerr për opinionin tënd nga vetë dëshmia dhe të kuptuarit tënd për planin e shpëtimit? Duke u nisur nga ajo pikë besimi, nga ajo që di e ajo që ndjeve, le të flasim rreth kësaj nisur nga ai këndvështrim.” Dhe më pas ai tha se e pa këtë të ri në moshë madhore të merrte zbulesë menjëherë, teksa u përpoq të vepronte me besim dhe ta shihte me një këndvështrim të përjetshëm. Ata folën mbi atë që dinin, mbi atë që ende nuk e dinë dhe arsyen përse duan që të vazhdojnë të përpiqen për ta zbuluar atë. Pra ata nuk i kishin të gjitha përgjigjet, por në atë atmosferë, ata u mblodhën së bashku për ta ditur të vërtetën dhe e shqyrtuan atë, duke vepruar me besim e duke besuar tek ajo që tashmë e dinin.

Tani, si mund t’ju ndihmoj të mësoni se si të mësoni dhe si të gjeni përgjigje teksa përparoni në atë aftësi? Mendoj që nganjëherë duhet të jemi të kujdesshëm, që nëse ndonjëherë nuk i lejojmë parimet dhe doktrinat e ungjillit të na ndryshojnë, ne përpiqemi të ndryshojmë parimet dhe doktrinat e ungjillit që t’u përshtaten rrethanave dhe situatës sonë. Nëse vërtet mund të themi: “Atë Qiellor, dua të bëhem si Ti. Më ndihmo të mësoj se si doktrinat dhe parimet e ungjillit do të më ndihmojnë” në këtë aspekt “ende kam pyetje e shqetësime, por vërtet dua të di se çfarë është e vërteta”. Unë mendoj se si mësues ne vërtet mund ta krijojmë atë lloj atmosfere, nga mënyra si përgjigjemi. Por duke i ndihmuar studentët tanë t’u drejtohen shkrimeve të shenjta dhe profetëve për të mësuar të vërtetën e për t’i ndihmuar ata kur ndeshen me shqetësime, që vërtet ta dinë atë që është e vërtetë. Më pas do tʼu thosha edhe të mos e nënvlerësojnë fuqinë e dëshmisë dhe të dëshmitarit. “Çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve”.3 Te shkrimet e shenjta, te fjalët e profetëve dhe te dëshmia e vet për atë që është e vërtetë. Dhe atëherë kur ai Shpirt jep dëshmi, të rinjtë e të rejat tona do ta gjejnë zgjidhjen dhe do të mësojnë se si të mësojnë vetë e do të arrijnë ta dinë vetë të vërtetën.

Vëllai Uillard: Më pëlqen shumë komenti nga Nefi kur thotë: “Unë e di se ai i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave”.4 Nefi e dha dëshminë e tij për atë që ai tashmë e dinte dhe çfarë bekimi është ajo për të gjithë ne.

Vëllai Uikinson: Një nga mendimet që më erdhi në mendje, ishte gruaja që u kap me shkelje kurore dhe shembulli i Shpëtimtarit. Ai nuk ngurroi ta jepte mësim të vërtetën. Ai i mësoi asaj doktrinën se nuk ishte në rregull. Por Ai e bëri në një mënyrë që e mbrojti atë, i krijoi një vend të sigurt për ta ndihmuar që të merrte një përvojë.

Motra Xhonson: Po mendoja në përputhje me atë që u tha, se studentët mund ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit dhe fuqinë e Shlyerjes si fuqi më të madhe, kur u mësojmë urdhërimet dhe pasojat e mosbindjes ndaj tyre. Nëse ndjenja që marrin së fundmi nga klasa dhe mësimi është se gjendet dikush që i do ata kaq shumë, se ka një mënyrë për ta marrë fuqinë e Shlyerjes, që kur kemi bërë gabime – dhe gjithkush do të bëjë e gjithkush bën, –ka gjëra për të cilat ne kemi pikërisht nevojë për Shlyerjen. Ana pozitive e gjithë kësaj bëhet atëherë kur studentët largohen nga klasa me këtë gjë. Ata ndiejnë se ka shpresë. Dhe ata kanë vërtet nevojë për të në këtë botë, mendoj.

Vëllai Uillard: Faleminderit për ato komente. Në fakt, kjo pyetje e fundit ka të bëjë sërish me këtë gjë: Si mund t’i ndihmojmë të rinjtë e të rejat të ndihen se e kemi syrin tek ata, se pyetjet e tyre kanë vërtet rëndësi? Motra Krejg, çfarë do të shtonit?

Motra Krejg: Mendova për një shkrim të shenjtë te Marku të cilin e njihni të gjithë. Një nga krerët e rinj e pasanik iu afrua Shpëtimtarit, duke vrarë mendjen se çfarë mund të bënte për të marrë jetë të përjetshme. Dhe Shpëtimtari i rendit disa urdhërime të cilave ai po u bindej tashmë. Pastaj, përpara se Ai t’i kërkonte këtij të riu të bënte diçka vërtet të vështirë, vërtet të vështirë – dhe të gjithë ne kemi gjëra të vështira – më pëlqen shumë vargu 21: “Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë”, ose duke e parë, “ndjeu dashuri për të”.5 Mendoj se vërtet gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë në çdo ndërveprim me të rinjtë e të rejat tona është që t’i ndihmojmë ata të ndiejnë se i duam. Kuptoj se nuk është gjithnjë e lehtë dhe nganjëherë do të kërkojë shumë përpjekje dhe lutje nga ana jonë që të kemi sy për të parë ashtu siç do të shihte Shpëtimtari.

Një gjë tjetër që më vjen në mendje kur mendoj për këtë, është se kemi nevojë ta përdorim fuqinë e pyetjeve. Për këto gjëra u fol sot këtu, por kemi nevojë të mësojmë që të jemi vërtet në harmoni me studentët tanë e me ata të cilëve po u japim mësim e t’u bëjmë pyetje të mira – pyetje që do të na lejojnë të perceptojmë se si po ndihen dhe se ku qëndrojnë, e më pas t’i nxitim ata të bëjnë pyetjet e tyre të vërteta, jo thjesht pyetjet që ata ndiejnë se duam t’u bëjmë. Këto janë pyetje që nganjëherë janë të sikletshme dhe nuk kanë përgjigje të lehta dhe nuk ka problem. Ato nuk mund të anashkalohen, sepse, mendoj se vetë fakti që ata i kanë këto pyetje të vështira, është tregues për interesin e tyre. Dhe sigurisht që ne nuk duam që ata të jenë pjesëmarrës pasivë. Ne duam që ata të bëjnë pyetje. Detyra jonë është t’i ndihmojmë që t’i prijmë drejt burimeve të duhura, më e rëndësishmja drejt Zotit, për të marrë zbulesë vetjake dhe për të vepruar sipas saj. Dhe kemi nevojë të bëjmë të njëjtën gjë teksa krijojmë atmosferë mirëbesimi, ku ata të ndihen të sigurt t’i shprehin bindjet e tyre dhe nganjëherë dyshimet e tyre. Mendoj që e arrijmë teksa i krijojmë këtë atmosferë sigurie dhe teksa vërtet i respektojmë ata, inteligjencën e tyre, aftësinë e tyre, atë që kanë për të na mësuar dhe atë që kanë për të na ofruar, teksa u japim mundësi t’i përgjigjen thirrjes së një profeti dhe Jezu Krishtit dhe të përfshihen në veprën e shpëtimit e të ekzaltimit, mendoj se kur e ndiejnë se e kemi syrin tek ata, i dëgjojmë dhe kemi nevojë për ta, do të jetë një rezultat i natyrshëm.

Motra Aburto: Mendoj se kemi nevojë gjithashtu të jemi të ndjeshëm ndaj studentëve që kanë rrethana të ndryshme në jetën e tyre dhe në familjet e tyre. Ne kemi nevojë të sigurohemi që ata të ndihen të përfshirë, se janë pjesë e kësaj Kishe dhe e këtij trupi të Krishtit, që jemi ne të gjithë. Ndiej se kemi nevojë edhe që të jemi të kujdesshëm me fjalët që përdorim. Për shembull, ka studentë që ndoshta nuk jetojnë me prindërit e vet, pra ne thjesht mund të themi, “familja jote” ose “njerëzit që i doni” në vend që të themi “prindërit”. Mendoj edhe se të qenit i cenueshëm i ndihmon ata të shohin se ne të gjithëve na mundon diçka, se të gjithë ne kemi dobësitë tona. Ndaj mendoj se kur i ndihmojmë studentët të ndihen pjesë e këtij rrugëtimi në të cilin jemi bashkë, se askush nuk është i përsosur, do t’i ndihmojë të ndiejnë se ata kanë rëndësi. Dhe gjithashtu, sigurisht, duke i dëgjuar ata, duke dëgjuar komentet e tyre, duke dëgjuar pyetjet që ata bëjnë. Nëse bëjnë një pyetje, thjesht na nevojitet të ndalemi së bëri çfarë po bëjmë e të përpiqemi t’i ndihmojmë t’i gjejnë vetë përgjigjet – jo detyrimisht t’ua japim përgjigjen, por ta gjejnë vetë përgjigjen në shkrimet e shenjta, nëpërmjet lutjes, nëpërmjet fjalëve të profetëve të gjallë.

Motra Xhonson: Unë thjesht dua të them se shqyrtimi i këtyre pyetjeve më ka bërë ta kthej kokën pas te mësuesit që kam pasur në jetën time dhe ndikimin e madh që ata kanë pasur në jetën time – shumë e mrekullueshme. Kam qenë kaq mirënjohëse këto dy ditët e fundit gjatë përgatitjes për këtë, që të mendoj për mësuesit që kam pasur, dhe dashurinë e tyre, dhe përkushtimin e tyre ndaj Shpëtimtarit, dhe se çfarë ndikimi madhor ka qenë. Jam ndier kaq e rëndësishme dhe kaq me vlerë për shkak të tyre dhe dashurisë së tyre për Shpëtimtarin e për mua. Do të jem përjetësisht mirënjohëse për të gjithë mësuesit e mirë që kemi në këtë Kishë. Ka qenë thjesht një përvojë e mrekullueshme të mendoja sërish për mirësinë.

Vëllai Uillard: Në lidhje me këtë gjë, shembulli i një mësuesi të mrekullueshëm flet jashtë mase. Ai do të shprehë më shumë sesa ky diskutim me këtë grup pjesëmarrësish ose flet për përjetësinë rreth mësimdhënies. Gjithçka që kërkohet është të mendoni për një mësues që e ka bekuar jetën tuaj, të mendoni për një individ që ju ka ardhur në ndihmë e ju ka dhënë shërbesë në një mënyrë të tillë që e ka bekuar jetën tuaj. Dhe e di se do të jetë një predikim që do të zgjasë më shumë nga sa mundemi ne me kohën që kemi sot në dispozicion. Kështu që faleminderit që e sollët në kujtesë.

Teksa e përfundojmë kohën tonë së bashku sot, më lejoni ta falënderoj secilin prej jush në këtë grup pjesëmarrësish që na mësuat si nëpërmjet fjalëve tuaja në diskutimin tonë sot, por, më e rëndësishmja, me anë të shembujve tuaj të të jetuarit një jetë si e Krishtit. Ju jeni dishepuj të Jezu Krishtit dhe për mua ka qenë një privilegj sot që të jem me secilin prej jush dhe të mësoj prej jush. Dëgjuesve tanë që po na ndjekin në mbarë botën, në emër të secilit prej nesh në këtë grup pjesëmarrësish, ju duam! Ju falënderojmë për mënyrat e shumta me anë të të cilave kërkoni të bekoni fëmijët e Perëndisë. Unë ju jap dëshmi se Ai jeton; kjo është vepra e Tij. Dhe lutem që bekimet e Tij më të larmishme do të derdhen në jetën e secilit prej jush, kudo qofshi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër