Eklipsi Shpirtëror
Mos i lejoni shpërqendrimet e jetës që ta eklipsojnë dritën e qiellit.
Më 21 gusht të këtij viti ndodhën dy ngjarje të rralla, të cilat tërhoqën vëmendjen e njerëzve anembanë botës. E para ishte kremtimi i ditëlindjes së 90-të të profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson. Në atë kohë, isha me një detyrë në Zonën e Paqësorit dhe u emocionova që shenjtorët në Australi, Vanuatu, Zelandën e Re dhe Polinezinë Franceze jo vetëm që ishin në dijeni për këtë ngjarje të tij të shënuar vetjake, por gjithashtu ngazëlleheshin në kremtimin e saj. U ndjeva me fat të dëgjoja shprehjet e tyre të ngrohta të besimit e të dashurisë për këtë burrë të madhërishëm. Çfarë frymëzimi është ta shohësh lidhjen që kanë shenjtorët e ditëve të mëvonshme me profetin e tyre.
Sigurisht, Presidenti Monson, i vëmendshëm ndaj atyre që dëshironin t’i uronin atij një ditëlindje të lumtur, përshkroi një dhuratë ideale ditëlindjeje: “Gjeni dikë, i cili po kalon një kohë të vështirë apo që është i sëmurë ose i vetmuar, dhe bëni diçka për të. Kjo është gjithë çka do të kërkoja.” Ne ju duam dhe ju mbështetim, Presidenti Monson.
Eklipsi Diellor
Ngjarja tjetër e rrallë dhe qiellore që ndodhi në të njëjtën ditë dhe që magjepsi miliona njerëz anembanë botës, ishte një eklips i plotë diellor. Kjo ishte hera e parë në 99 vjet që një eklips i tillë kishte kaluar përmes gjithë Shteteve të Bashkuara. A keni parë ndonjëherë një eklips diellor? Ndoshta mund ta përshkruaj këtë me më shumë hollësi.
Një eklips i plotë diellor ndodh kur hëna lëviz ndërmjet tokës e diellit, duke e bllokuar pothuajse tërësisht çfarëdo drite nga sipërfaqja e diellit. Fakti që kjo mund të ndodhë, është një çudi për mua. Nëse e përfytyroni diellin të kishte madhësinë e një rrote të zakonshme biçiklete, hëna, në krahasim me të, mezi do të kishte madhësinë e një guraleci të vogël.
Si është e mundur që burimi i vërtetë i ngrohtësisë, dritës e jetës sonë mund të mbulohej kaq shumë nga diçka relativisht e parëndësishme në madhësi?
Edhe pse dielli është 400 herë më i madh se hëna, ai është gjithashtu 400 herë më larg nga toka. Nga këndvështrimi i tokës, kjo gjeometri i bën diellin dhe hënën të shfaqen sikur janë të së njëjtës madhësi. Kur që të dy vendosen në vijë të drejtë, hëna duket se e errëson të gjithë diellin. Miq dhe familjarë të mitë, të cilët ishin në zonën e eklipsit të plotë, përshkruan se si drita u zëvendësua nga errësira, u shfaqën yjet dhe zogjtë e ndalën këngën. Ajri u bë i ftohtë ngaqë temperatura në një eklips mund të zbresë me më shumë se 11 gradë Celsius.
Ata përshkruan një ndjenjë mahnitjeje, habie dhe madje ankthi, duke e ditur se një eklips sjell rreziqe të caktuara. Megjithëkëtë, të gjithë ata ushtruan kujdes për të parandaluar dëmtimin e përhershëm të syve ose “verbërinë eklipsore” gjatë ngjarjes së eklipsit. Siguria u bë e mundur pasi ata vunë syze të pajisura me lente të veçanta filtruese, që i mbrojnë sytë nga ndonjë dëmtim i mundshëm.
Analogjia
Në të njëjtën mënyrë që hëna shumë e vogël mund ta bllokojë diellin madhështor, duke e shuar dritën dhe ngrohtësinë e tij, një eklips shpirtëror mund të ndodhë kur ne lejojmë pengesa të vogla dhe shqetësuese – ato që i ndeshim në jetën tonë të përditshme – të na afrohen kaq pranë sa ta bllokojnë madhështinë, shkëlqimin, ngrohtësinë e dritës së Jezu Krishtit dhe të ungjillit të Tij.
Plaku Nil A. Maksuell e çoi këtë analogji edhe më tej kur tha: “Edhe diçka aq e vogël sa gishti i madh i një njeriu, kur mbahet shumë pranë syrit, mund ta verbojë atë ndaj diellit shumë të madh. Prapëseprapë dielli është ende atje. Verbëria shkaktohet nga njeriu vetë. Kur afrojmë gjëra të tjera shumë pranë, duke i vendosur ato të parat, ne e errësojmë largpamësinë tonë për qiellin.”
Natyrisht, askush prej nesh nuk dëshiron që ta errësojë largpamësinë tonë për qiellin qëllimisht apo të lejojë të ndodhë në jetën tonë një eklips shpirtëror. Lejomëni të jap disa ide që mund të na ndihmojnë për ta parandaluar eklipsin shpirtëror që të na shkaktojë dëmtim të përhershëm shpirtëror.
Syzet Ungjillore: Ruani një Këndvështrim Ungjillor
A ju kujtohet përshkrimi im i syzeve të veçanta, të përdorura për t’i mbrojtur ata që shohin një eklips diellor prej dëmtimit të syve apo madje verbërisë nga eklipsi? Të shikuarit e një eklipsi shpirtëror përmes lentave mbrojtëse dhe zbutëse të Shpirtit siguron një këndvështrim ungjillor, duke na mbrojtur në këtë mënyrë nga errësira shpirtërore.
Le të marrim në shqyrtim disa shembuj. Me fjalët e profetëve në zemrat tona dhe me Shpirtin e Shenjtë si këshilluesin tonë, ne mund ta vështrojmë dritën pjesërisht të bllokuar qiellore përmes “syzeve ungjillore”, duke iu shmangur dëmtimit të një eklipsi shpirtëror.
Pra, si i vëmë syzet ungjillore? Ja disa shembuj: Syzet tona ungjillore na informojnë se Zoti dëshiron që ne të marrim pjesë në sakrament çdo javë dhe se Ai dëshiron që ne t’i studiojmë shkrimet e shenjta dhe të kemi lutje të përditshme. Ato gjithashtu na njoftojnë se Satani do të na tundojë që të mos i bëjmë ato gjëra. Ne e dimë se plani i tij kërkon ta heqë lirinë tonë të zgjedhjes nëpërmjet shpërqendrimeve dhe tundimeve nga bota. Edhe në kohën e Jobit, ndoshta pati disa njerëz që po përjetonin një eklips shpirtëror, të përshkruar si: “Gjatë ditës ata hasin në errësirë, bash në mesditë [dhe] ecin me tahmin sikur të ishte natë”.
Vëllezër dhe motra, kur flas për shikimin përmes syzeve ungjillore, ju lutem të dini se nuk po sugjeroj që të mos i njohim apo diskutojmë sfidat që hasim, ose që të ecim në mosnjohje të hareshme të kurtheve dhe ligësive që armiku ka vendosur përpara nesh. Nuk po them që të vendosim kufizues të shikimit – por pikërisht të kundërtën. Po sugjeroj që ne t’i shohim sfidat përmes lentave të ungjillit. Plaku Dallin H. Ouks vërejti se “këndvështrimi është aftësia për ta parë të gjithë informacionin domethënës në një marrëdhënie të dobishme”. Një këndvështrim i ungjillit e zgjeron shikimin tonë drejt një pamjeje të përjetshme.
Kur i vini syzet ungjillore, ju gjeni këndvështrim, përqendrim e largpamësi të përmirësuar lidhur me mënyrën se si mendoni rreth përparësive tuaja, problemeve tuaja, tundimeve tuaja dhe madje gabimeve tuaja. Do të shihni dritë më të shndritshme, të cilën nuk mund ta shihnit pa to.
Si për ironi, nuk janë vetëm gjërat negative që mund të shkaktojnë një eklips shpirtëror në jetën tonë. Shpesh orvatje të admirueshme ose pozitive, të cilave ua përkushtojmë veten tonë, mund të afrohen kaq pranë saqë e bllokojnë dritën e ungjillit dhe sjellin errësirë. Këto rreziqe ose shpërqendrime mund të përfshijnë arsimimin dhe mirëqenien, pushtetin dhe ndikimin, ambicien, madje talentet dhe dhuntitë.
Presidenti Diter F. Uhtdorf na ka mësuar se “çdo virtyt, kur çohet në skaj, mund të shndërrohet në ves. … Vjen një pikë ku synimet mund të bëhen si gurë mulliri dhe ambiciet, si mokra që na varen në qafë.”
Lejomëni të tregoj më me hollësi shembuj që mund të bëhen përshpejtues për t’i shmangur vetë eklipset tona shpirtërore.
Mediat Shoqërore
Disa muaj më parë fola në Konferencën e Grave në UBJ. Unë përshkrova se si teknologjia, përfshirë mediat shoqërore, e lehtësojnë shpërndarjen e “njohuri[së për] një Shpëtimtar … mes çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli”. Këto teknologji përfshijnë faqe interneti të Kishës, si LDS.org dhe Mormon.org; programet për telefonat celularë, të tilla si Gospel Library, Mormon Channel, LDS Tools e Family Tree; dhe platformat e mediave shoqërore, përfshirë Facebook, Instagram, Twitter dhe Pinterest. Këto programe kanë krijuar qindra mijëra pëlqime, shpërndarje, shikime e ridërgime të mesazheve në Twitter e Pinterest dhe janë bërë shumë frytdhënëse dhe të efektshme në ndarjen e ungjillit me familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët.
Pavarësisht nga të gjitha anët pozitive dhe përdorimi i duhur i këtyre teknologjive, ka rreziqe që lidhen me to që, kur vendosen shumë pranë, mund të na vendosin në një eklips shpirtëror dhe ka të ngjarë që ta bllokojnë shkëlqimin dhe ngrohtësinë e ungjillit.
Përdorimi i mediave shoqërore, programeve për telefonat celularë dhe lojërave mund të jetë humbje e jashtëzakonshme kohe dhe mund ta pakësojë ndërveprimin e njerëzve ballë për ballë. Kjo humbje e bashkëbisedimit vetjak mund të ndikojë te martesat, të zërë vendin e praktikave të vlefshme shpirtërore dhe ta ndrydhë zhvillimin e aftësive shoqërore, veçanërisht mes rinisë.
Dy rreziqe shtesë që lidhen me mediat shoqërore, janë realiteti i idealizuar dhe krahasimet ligështuese.
Shumë (në mos shumica) prej fotografive të vendosura në mediat shoqërore priren që ta portretizojnë jetën në më të mirën e saj – shpesh në mënyrë jorealiste. Që të gjithë kemi parë fotografi të bukura të zbukurimeve të shtëpisë, vendeve të mrekullueshme të pushimeve, të selfi-ve [fotografive të vetes] plot buzëqeshje, të përgatitjes së ushqimeve të ndërlikuara dhe pamjeve të trupave në dukje të paarritshëm.
Ja, për shembull, një fotografi që mund ta keni parë në llogarinë e dikujt në mediat shoqërore. Megjithatë, ajo nuk tregon mjaftueshëm pamjen e plotë të asaj që po ndodh vërtet në jetën reale.
Krahasimi i ekzistencës sonë që në dukje është e nivelit mesatar, me atë të të tjerëve të ndryshuar me mjeshtëri të përsosur për t’u dukur e bukur, siç paraqitet në mediat shoqërore, mund të na lërë me ndjenjat e shkurajimit, zilisë dhe madje dështimit.
Dikush që ka treguar afishe të shumta të vetes së saj, mbase duke bërë ca shaka, tha: “Ç’kuptim ka të jesh i lumtur nëse nuk do ta tregosh në mediat shoqërore?”
Sikurse na e kujtoi Motra Boni L. Oscarson këtë mëngjes, suksesi në jetë nuk vjen nga sa shumë pëlqime marrim apo sa shumë miq ose pasues kemi në rrjetet e mediave shoqërore. Sidoqoftë, kjo vërtet ka të bëjë disi me lidhjen në mënyrë domethënëse me të tjerët dhe shtimin e dritës në jetën e tyre.
Fatmirësisht, ne mund të mësojmë që të jemi më të vërtetë, të gjejmë më shumë humor dhe të përjetojmë më pak shkurajim kur përballemi me pamje që mund ta paraqesin realitetin e idealizuar dhe që shumë shpesh çojnë drejt krahasimeve ligështuese.
Krahasimi siç duket nuk është vetëm një shenjë e kohëve tona, por ishte një shenjë edhe në të shkuarën. Apostulli Pal i paralajmëroi njerëzit e kohës së tij që “ata, duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend”.
Me kaq shumë përdorime të duhura dhe frymëzuese të teknologjisë, le ta përdornim atë për të dhënë mësim, frymëzuar e lartësuar veten tonë dhe për t’i nxitur të tjerët që të bëhen më të mirët – në vend që ta portretizojmë veten tonë virtuale të idealizuar. Gjithashtu le t’i mësojmë dhe tregojmë brezit të ri përdorimin e drejtë të teknologjisë dhe le ta paralajmërojmë kundër rreziqeve që lidhen me të, dhe kundër përdorimit shkatërrues të saj. Të shikuarit e mediave shoqërore përmes lentave të ungjillit mund ta parandalojë atë që të bëhet eklips shpirtëror në jetën tonë.
Krenaria
Tani le të flasim për pengesën e lashtë të krenarisë. Krenaria është e kundërta e përulësisë, e cila është një “gatishmëri për t’iu nënshtruar vullnetit të Zotit”. Kur jemi krenarë, ne priremi t’i japim nderim vetvetes në vend që t’u japim nderim të tjerëve, përfshirë Zotin. Krenaria shpesh është konkurruese; është një prirje për t’u përpjekur që të fitojmë më shumë dhe të hamendësojmë se jemi më të mirë se të tjerët. Krenaria shpesh përfundon në ndjenja zemërimi dhe urrejtjeje; e bën dikë që të mbajë mëri ose të mos falë. Megjithatë, krenaria mund të përpihet nga tipari si i Krishtit i përulësisë.
Marrëdhëniet, edhe me të afërm të familjes dhe njerëz të tjerë të dashur, veçanërisht me të afërm të familjes dhe njerëz të tjerë të dashur – madje midis bashkëshortëve e bashkëshorteve – zhvillohen nga përulësia dhe prishen nga krenaria.
Shumë vite më parë, një drejtues i një kompanie të madhe dyqanesh më mori në telefon që të flisnim rreth kompanisë së tij, e cila po blihej nga njëri prej konkurrentëve të tij. Ai dhe shumë të tjerë nga personeli drejtues ishin jashtëzakonisht të shqetësuar se mund t’i humbitnin punët e tyre. Duke e ditur se i njihja mirë drejtuesit kryesorë të kompanisë blerëse, ai më pyeti nëse do të isha i gatshëm ta prezantoja atë, si edhe të jepja një referencë të mirë për të, madje të organizoja një takim për të. Më pas ai përfundoi me thënien vijuese: “Ju e dini se ç’thonë? ‘Zemërbutët do të mbarojnë!’”
E kuptova që komenti i tij kishte më shumë të ngjarë të ishte për humor. E kuptova shakanë. Por pati një parim të rëndësishëm që e ndjeva se në fund të fundit mund të ishte i dobishëm për të. U përgjigja: “Në të vërtetë, nuk është ajo që thonë. Në fakt, është pikërisht e kundërta. Ajo që thonë është se ‘zemërbutë[t] … do ta trashëgojnë tokën’”.
Në përvojën time në Kishë, si edhe gjatë gjithë karrierës sime profesionale, disa nga njerëzit më të mrekullueshëm, më frytdhënës që kam njohur, kanë qenë mes më zemërbutëve dhe më të përulurve.
Përulësia dhe zemërbutësia lidhen si mishi me thuan. Kujtofshim se “askush nuk pranohet para Perëndisë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përulur në zemër”.
Lutem që ne do të përpiqemi fort për ta shmangur eklipsin shpirtëror të krenarisë duke e përqafuar virtytin e përulësisë.
Përfundimi
Në përfundim, një eklips diellor është me të vërtetë një fenomen mbresëlënës i natyrës gjatë të cilit bukuria, ngrohtësia dhe drita e diellit mund të mbulohet tërësisht nga një objekt relativisht i parëndësishëm, duke shkaktuar errësirë dhe ftohtësi.
Një fenomen i ngjashëm mund të përsëritet nga një pikëpamje shpirtërore, kur çështje që përndryshe do të ishin të vogla dhe të parëndësishme, afrohen shumë pranë dhe e bllokojnë bukurinë, ngrohtësinë dhe dritën qiellore të ungjillit të Jezu Krishtit, duke e zëvendësuar atë me një errësirë të ftohtë.
Syzet e krijuara për ta mbrojtur shikimin e njerëzve në zonën e një eklipsi të plotë diellor, mund ta parandalojnë dëmtimin e përhershëm dhe madje verbërinë. Syzet e ungjillit, të përbëra nga një njohuri dhe dëshmi për parimet dhe ordinancat e ungjillit, sigurojnë një këndvështrim të ungjillit i cili mund të sigurojë në mënyrë të ngjashme mbrojtje dhe qartësi më të madhe shpirtërore për dikë që qëndron i zbuluar ndaj rreziqeve të një eklipsi shpirtëror.
Nëse zbuloni diçka që duket se po e bllokon gëzimin dhe dritën e ungjillit në jetën tuaj, unë ju ftoj ta shihni sipas një këndvështrimi ungjillor. Shihni përmes një lenteje të ungjillit dhe jini vigjilentë që të mos i lejoni çështje të parëndësishme ose të paqëndrueshme në jetë t’ua errësojnë pamjen tuaj të përjetshme të planit të madh për lumturinë. Shkurtimisht, mos i lejoni shpërqendrimet e jetës që ta eklipsojnë dritën e qiellit.
Dëshmia
Unë dëshmoj se, pavarësisht nga pengesa që mund ta bllokojë pamjen tonë të dritës së ungjillit, drita është ende atje. Ai burim i ngrohtësisë, së vërtetës dhe shkëlqimit është ungjilli i Jezu Krishtit. Unë jap dëshmi për një Atë të dashur Qiellor, për Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe për rolin e Birit si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.