Emri i Saktë i Kishës
Jezu Krishti na drejtoi ta quajmë Kishën me emrin e Tij, sepse është Kisha e Tij, e mbushur me fuqinë e Tij.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në këtë ditë të bukur Shabati, ne gëzohemi së bashku për bekimet tona të shumta nga Zoti. Jemi shumë mirënjohës për dëshmitë tuaja për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, për sakrificat që ju keni bërë për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve të Tij apo për t’u kthyer në të, si dhe për shërbimin tuaj të përkushtuar në Kishën e Tij.
Sot ndihem i detyruar të diskutoj me ju një çështje me rëndësi të madhe. Disa javë më parë, unë nxora një deklaratë lidhur me një korrigjim në përdorimin e emrit të Kishës. E bëra këtë pasi Zoti ka ngulitur në mendjen time rëndësinë e emrit që Ai e dekretoi për Kishën e Tij, madje Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Siç do ta prisnit, reagimet ndaj kësaj deklarate dhe ndaj udhëzuesit të rishikuar për stilin kanë qenë të përziera. Shumë anëtarë menjëherë e korrigjuan emrin e Kishës në ditarët e tyre në internet dhe në faqet e mediave shoqërore. Të tjerët vranë mendjen për arsyen përse, me gjithçka që po ndodh në botë, është e domosdoshme ta theksojmë diçka kaq “të parëndësishme”. Dhe disa thanë se nuk mund të bëhej, kështu që përse madje të përpiqemi? Më lejoni të shpjegoj se përse ne tregojmë kaq shumë kujdes për këtë çështje. Por së pari më lejoni të shpreh se çfarë nuk është kjo përpjekje:
-
Nuk është një ndryshim i emrit.
-
Nuk është një riemërtim.
-
Nuk është për zbukurim.
-
Nuk është një tekë.
-
Dhe nuk është e parëndësishme.
Përkundrazi, është një korrigjim. Është urdhri i Zotit. Jozef Smithi nuk ia vuri vetë emrin Kishës së rivendosur; as Mormoni nuk e bëri këtë. Ishte Vetë Shpëtimtari që tha: “Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”.
Edhe më herët, në vitin 34 ps.K., Zoti ynë i ringjallur u dha udhëzim të ngjashëm anëtarëve të Kishës së Tij kur i vizitoi ata në kontinentin amerikan. Në atë kohë, Ai tha:
“Ju do ta quani kishën në emrin tim. …
Dhe si do të ishte kisha ime nëse nuk do të quhej me emrin tim? Pasi, në qoftë se një kishë quhet me emrin e Moisiut, atëherë do të jetë kisha e Moisiut; ose në qoftë se quhet me emrin e një njeriu, atëherë do të jetë kisha e një njeriu; por në qoftë se quhet me emrin tim, atëherë është kisha ime.”
Si rrjedhojë, emri i Kishës nuk është i diskutueshëm. Kur Shpëtimtari e shpall qartë se cili duhet të jetë emri i Kishës së Tij dhe madje kur i paraprin deklaratës së Tij me fjalët: “Kështu do të quhet kisha ime”, Ai e ka seriozisht. Dhe nëse ne lejojmë që nofkat të përdoren, ose i pranojmë, ose madje i nxitim vetë ato nofka, Ai fyhet.
Çfarë vlere ka te një emër apo, në këtë rast, një nofkë? Për sa u përket nofkave të Kishës, të tilla si “Kisha SHDM”, “Kisha Mormone”, apo “Kisha e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, gjëja më e rëndësishme në ata emra është mungesa e emrit të Shpëtimtarit. Ta heqësh emrin e Zotit nga Kisha e Zotit, është një fitore madhore për Satanin. Kur ne e heqim emrin e Shpëtimtarit, ne po shpërfillim fshehtas gjithçka që Jezu Krishti bëri për ne – madje dhe Shlyerjen e Tij.
Merreni parasysh këtë nga këndvështrimi i Tij: Para vdekshmërisë, Ai ishte Jehova, Perëndia i Dhiatës së Vjetër. Nën drejtimin e Atit të Tij, Ai ishte Krijuesi i kësaj bote dhe i botëve të tjera. Ai zgjodhi t’i nënshtrohej vullnetit të Atit të Tij dhe të bënte diçka për të gjithë fëmijët e Perëndisë që askush tjetër nuk mund ta bënte! Pasi denjoi të vinte në tokë si Biri i Vetëmlindur i Atit në mish, Atë e fyen vrazhdë, e tallën, e pështynë dhe e fshikulluan. Në Kopshtin e Gjetsemanit, Shpëtimtari ynë mori mbi Vete çdo dhembje, çdo mëkat dhe të gjithë ankthin dhe vuajtjen që u përjetua ndonjëherë nga ju dhe unë, si dhe nga cilido që ka jetuar ndonjëherë apo do të jetojë ndonjëherë. Nën peshën e asaj barre torturuese, Atij i doli gjak nga çdo por. E gjitha kjo vuajtje u përforcua kur Atë e kryqëzuan mizorisht në kryqin e Kalvarit.
Me anë të këtyre përvojave torturuese dhe Ringjalljes së Tij pasuese – Shlyerjes së Tij të pafundme – Ai u dhuroi pavdekësi të gjithëve dhe e shëlboi secilin prej nesh nga pasojat e mëkatit, me kushtin e pendimit tonë.
Në vijim të Ringjalljes së Shpëtimtarit dhe vdekjes së Apostujve të Tij, bota u zhyt për shekuj në errësirë. Pastaj në vitin 1820, Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Profetit Jozef Smith për të filluar Rivendosjen e Kishës së Zotit.
Pas gjithçkaje që Ai kishte duruar – dhe pas gjithçkaje që Ai kishte bërë për njerëzimin – unë e kuptoj me keqardhje të thellë se ne padashur e kemi pranuar në heshtje në Kishën e rivendosur të Zotit, që të thirremi me emra të tjerë, ku secili prej tyre e heq emrin e shenjtë të Jezu Krishtit!
Çdo të diel, teksa e marrim denjësisht sakramentin, ne e bëjmë sërish premtimin tonë të shenjtë ndaj Atit tonë Qiellor se ne jemi të gatshëm ta marrim mbi vete emrin e Birit të Tij, Jezu Krishtit. Ne premtojmë ta ndjekim Atë, të pendohemi, t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe gjithmonë ta kujtojmë Atë.
Kur e lëmë jashtë emrin e Tij nga Kisha e Tij, ne jemi duke e hequr paqëllimshëm Atë nga pozicioni si pika qendrore e jetës sonë.
Marrja mbi vete e emrit të Shpëtimtarit përfshin deklarimin dhe dëshmimin ndaj të tjerëve – me anë të veprimeve tona dhe fjalëve tona – se Jezusi është Krishti. A kemi pasur aq shumë frikë se mos e fyejmë dikë që na quajti “mormonë” saqë kemi dështuar ta mbrojmë Vetë Shpëtimtarin, ta përkrahim Atë madje edhe në emrin me të cilin thirret Kisha e Tij?
Nëse ne si popull dhe si individë dëshirojmë të kemi të drejtë për ta përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit – që të na pastrojë e shërojë, të na forcojë e lartësojë dhe përfundimisht të na ekzaltojë – ne duhet ta pranojmë qartë Atë si burimin e asaj fuqie. Ne mund ta fillojmë duke e quajtur Kishën e Tij me emrin që Ai dekretoi.
Për shumicën e botës, Kisha e Zotit fshihet në kohën e tanishme pas emrit “Kisha Mormone”. Por ne, si anëtarë të Kishës të Zotit, e dimë se kush qëndron në krye të saj: Jezu Krishti Vetë. Fatkeqësisht, shumë njerëz që e dëgjojnë termin mormon, mund të mendojnë se ne adhurojmë Mormonin. Nuk është ashtu! Ne e nderojmë dhe e respektojmë atë profet të madhërishëm amerikan të lashtësisë. Por ne nuk jemi dishepuj të Mormonit. Ne jemi dishepujt e Zotit.
Në ditët e hershme të Kishës së rivendosur, terma të tillë si Kisha Mormone dhe mormonët shpesh u përdorën si epitete – si terma mizorë, terma fyes – të krijuar për ta zhdukur dorën e Perëndisë në rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit në këto ditë të mëvonshme.
Vëllezër dhe motra, ka shumë argumente nga bota kundër rivendosjes së emrit të saktë të Kishës. Për shkak të botës dixhitale në të cilën jetojmë dhe me përmirësimin e motorëve të kërkimit që na ndihmon të gjithëve ta gjejmë informacionin që na nevojitet thuajse në çast – përfshirë informacionin për Kishën e Zotit – kritikët thonë se në këtë pikë, një korrigjim nuk është gjë e mençur. Të tjerët mendojnë që, meqenëse njihemi kaq gjerësisht si “mormonë” dhe si “Kisha Mormone”, ne thjesht duhet të përshtatemi.
Nëse ky do të ishte një diskutim rreth emërtimit të një organizate të bërë nga njeriu, ato argumente mund të ishin mbizotëruese. Por në këtë çështje kritike, ne i drejtohemi Atij, Kisha e të cilit është kjo, dhe e pranojmë se udhët e Zotit nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë udhët e njeriut. Nëse do të jemi të duruar dhe nëse do ta bëjmë mirë pjesën tonë, Zoti do të na udhëheqë gjatë kësaj detyre të rëndësishme. Në fund të fundit, ne e dimë se Zoti i ndihmon ata që kërkojnë të bëjnë vullnetin e Tij, pikërisht ashtu siç Ai e ndihmoi Nefin që ta përmbushte detyrën për ndërtimin e një anijeje që ta kapërcente detin.
Ne do të dëshirojmë të jemi të sjellshëm dhe të duruar në përpjekjet tona për t’i korrigjuar këto gabime. Mediat e përgjegjshme do të jenë mirëkuptuese për t’iu përgjigjur kërkesës sonë.
Në një konferencë të përgjithshme të mëparshme, Plaku Benjamin De Hojos foli për një ngjarje të tillë. Ai tha:
“Disa vite përpara, kur shërbeja në zyrën e çështjeve publike të Kishës në Meksikë, [një shok dhe unë] qemë ftuar të merrnim pjesë në një diskutim në radio. … [Një nga drejtuesit e programit na] pyeti: ‘Përse Kisha ka një emër kaq të gjatë? …’
Shoku im dhe unë buzëqeshëm me një pyetje të tillë të mrekullueshme dhe pastaj vazhduam të shpjegonim se emri i Kishës nuk ishte zgjedhur nga njeriu. Ai ishte dhënë nga Shpëtimtari. … Drejtuesi i programit menjëherë dhe me respekt u përgjigj: ‘Ne kështu do ta përsëritim atë me kënaqësi të madhe’.”
Ai raportim jep një model. Një nga një, do të kërkohen përpjekjet tona më të mira si individë për të korrigjuar gabimet që janë futur brenda nëpër vite. Pjesa tjetër e botës mund ta ndjekë ose jo udhëheqjen tonë që të na quajnë me emrin e saktë. Por nuk është e çiltër nga ana jonë që të mërzitemi nëse shumica e botës i quan Kishën dhe anëtarët e saj me emra të gabuar, nëse ne bëjmë të njëjtën gjë.
Udhëzuesi ynë i rishikuar për stilin është i dobishëm. Ai pohon: “Në referimin e parë, parapëlqehet emri i plotë i Kishës: ‘Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’. Kur nevojitet një referim i shkurtuar [i dytë], inkurajohet të përdoren termat ‘Kisha’ ose ‘Kisha e Jezu Krishtit’. Edhe ‘Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit’ është e saktë dhe inkurajohet të përdoret.”
Nëse dikush do të pyeste: “A je mormon?”, mund t’i përgjigjeshit: “Nëse po pyet a jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, po, jam!”
Nëse dikush pyet: “A je shenjtor i ditëve të mëvonshme?” ju mund të përgjigjeni: “Po, jam. Unë besoj te Jezu Krishti dhe jam anëtar i Kishës së Tij të rivendosur.”
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju premtoj që, nëse ne do të bëjmë më të mirën tonë për ta rivendosur emrin e saktë të Kishës së Zotit, Ai, Kisha e të cilit është kjo, do të derdhë fuqinë dhe bekimet e Tij mbi kokat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, në mënyra të cilat ne nuk i kemi parë kurrë. Ne do të kemi njohurinë dhe fuqinë e Perëndisë që të na ndihmojnë për t’i çuar bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit te çdo komb, fis, gjuhë e popull dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit.
Pra, çfarë vlere ka te një emër? Kur vjen puna tek emri i Kishës së Zotit, përgjigjja është: “Gjithë vlerën e mundshme!” Jezu Krishti na drejtoi ta quajmë Kishën me emrin e Tij, sepse është Kisha e Tij, e mbushur me fuqinë e Tij.
Unë e di se Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Ai e udhëheq Kishën e Tij sot. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.