[Të] Përgatitur në një Mënyrë që Nuk Ishte Parë Ndonjëherë
U përgatitshim për t’i marrë me denjësi ordinancat shpëtuese, pikë pas pike, dhe për t’i mbajtur me gjithë zemër besëlidhjet që i shoqërojnë ato.
Kur vajza jonë më e vogël u kthye në shtëpi pas ditës së parë të saj në shkollë, e pyeta: “Si ia kalove?”
Ajo u përgjigj: “Ishte mirë”.
Megjithatë, të nesërmen në mëngjes kur e zgjova për në shkollë, ajo i mblodhi krahët e saj dhe tha prerazi: “Unë shkova një herë në shkollë!” Me sa duket unë nuk e kisha përgatitur atë ose nuk ia kisha shpjeguar se të shkuarit në shkollë nuk ishte një ngjarje që ndodhte vetëm një herë, por që nga ajo pritej të shkonte në shkollë pesë ditë në javë për shumë, shumë vite.
Ndërsa e shqyrtojmë parimin e të qenit të përgatitur, përfytyroni me mua skenën që vijon. Jeni ulur në dhomën çelestiale të tempullit dhe vini re një numër nusesh dhe dhëndurësh që shoqërohen brenda dhe jashtë në mënyrë nderuese, ndërsa presin të martohen për kohën dhe gjithë përjetësinë. Një nuse hyn në dhomën çelestiale, dorë për dore me të dashurin e saj. Ajo ka veshur një fustan tempulli të thjeshtë por të bukur, dhe ka një buzëqeshje të qetë, paqësore e të ngrohtë në fytyrën e saj. Ajo është rregulluar mirë, por nuk ta tërheq vëmendjen. Ajo zë vendin e saj, vështron përreth dhe më pas, mbushet papritur me emocion. Duket sikur lotët e saj vijnë për shkak të druajtjes dhe nderimit që ajo ka si për vendin ku është, ashtu edhe për ordinancën e shenjtë që e pret atë dhe të dashurin e jetës së saj. Sjellja e saj duket se thotë: “Sa mirënjohëse jam që të jem sot në shtëpinë e Zotit, gati për të filluar një udhëtim të përjetshëm me një shok të dashur, të përjetshëm”. Ajo duket e përgatitur për shumë më tepër se sa thjesht një ngjarje.
Mbesa jonë e bukur adoleshente, kohët e fundit la një shënim për mua mbi jastëkun tim, ku pjesërisht thuhej: “Një gjë që më bën përshtypje kur hyj në tempull, është shpirti paqësor dhe i dashur që banon atje. … Njerëzit mund të shkojnë në tempull për të marrë frymëzim.”1 Ajo ka të drejtë. Ne mund të marrim frymëzim dhe zbulesë në tempull – dhe gjithashtu fuqi për t’u përballur me fatkeqësitë e jetës. Ajo që mbesa po mëson për tempullin ndërsa merr pjesë vazhdimisht në çuarjen e emrave të vetë familjes së saj për të bërë pagëzime dhe konfirmime në tempull, do ta përgatitë atë që të marrë ordinanca, besëlidhje dhe bekime të tjera të tempullit, si për veten e saj edhe për ata që janë në anën tjetër të velit.
Plaku Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ndërsa tempuj përgatiten për njerëzit, njerëzit duhet të përgatiten për tempullin”2.
Teksa po lexoj sërish rreth kapiten Moronit në Librin e Mormonit, më vjen në mendje se, një nga arritjet më të mëdha të Moronit, ishte përgatitja me kujdes e nefitëve nga ana e tij, që t’i bënin ballë ushtrisë frikësuese lamanite. Ai e përgatiti popullin e tij kaq mirë sa ne lexojmë: “Vini re, për çudinë e pabesueshme të [lamanitëve], [nefitët] qenë përgatitur për ta, në një mënyrë që nuk ishte parë ndonjëherë”3.
Ajo frazë, “përgatitur … në një mënyrë që nuk ishte parë ndonjëherë”, ma tërhoqi vërtet vëmendjen.
Si mund të përgatitemi më mirë për bekimet e shenjta të tempullit? Zoti dha mësim: “Dhe përsëri, unë do t’ju jap një model në gjithçka”4. Le të shqyrtojmë një model të shkrimit të shenjtë që të na ndihmojë të përgatitemi mirë. Përgatitja e Moronit për armikun kërkoi zell të vazhdueshëm e besnik, dhe ky model do të kërkojë të njëjtën gjë.
Duket sikur nuk lodhem kurrë nga shëmbëlltyra e bukur që Shpëtimtari tregoi për pesë virgjëreshat e mençura dhe pesë budallaçkat. Megjithëse kjo shëmbëlltyrë i referohet të qenit të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit tonë, ne mund ta përshtatim atë me të qenit të përgatitur për bekimet e tempullit, të cilat mund të jenë si një gosti shpirtërore për ata që janë të përgatitur mirë.
Te Mateu 25 lexojmë:
“Atëherë mbretëria e qiejve do t’u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.
Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka. …
[Ato që ishin] të mençura morën edhe vajin në enët e tyre.
Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.
Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: ‘Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!’
Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre.
Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: ‘Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken’.
Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: ‘Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini’.
Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.
Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: ‘Zot, zot, hapna’.
Por ai, duke u përgjigjur, tha: ‘Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh’.”5
Nuk mendoj se ka njeri, veçanërisht midis atyre njerëzve me zemër të butë, që nuk ndihet i trishtuar për të rejat budallaçka. Dhe disa prej nesh duan t’u thonë të tjerave: “A nuk mund ta ndani [vajin] kështu që gjithsecila të mund të jetë e lumtur?” Por mendoni për këtë. Kjo është historia që tregoi Shpëtimtari dhe Ai është personi që i quan pesë prej tyre “të mençura” dhe pesë prej tyre “budallaçka”.
Ndërsa e marrim në shqyrtim këtë shëmbëlltyrë, si një model për përgatitjen për në tempull, merrini parasysh fjalët e një profeti shenjtor të ditëve të mëvonshme, i cili dha mësim se “vaji i përgatitjes shpirtërore nuk mund të ndahet”6. Presidenti Spenser W. Kimball ndihmoi për të qartësuar përse pesë të rejat “e mençura” nuk mund ta ndanin vajin në llambat e tyre me ato që ishin “budallaçka” kur ai tha: “Pjesëmarrja në mbledhjet e sakramentit iu shton vaj llambave tona, pikë pas pike, përgjatë viteve. Agjërimi, lutja familjare, mësimi i shtëpisë, kontrolli i orekseve trupore, predikimi i ungjillit, studimi i shkrimeve të shenjta – çdo vepër përkushtimi dhe bindjeje është një pikë e shtuar në rezervën tonë. Veprat e dashamirësisë, pagimi i ofertës e i të dhjetave, mendimet dhe veprimet e dëlira … – edhe këto ndihmojnë shumë te vaji me të cilin ne mund t’i mbushim në mesnatë llambat tona të shteruara.”7
A mund ta shihni modelin e gatishmërisë – pikë pas pike – që mund të na ndihmojë ndërsa mendojmë për mënyrën se si mund të jemi më të zellshme në përgatitjen tonë për t’i marrë ordinancat e shenjta për vetveten e për të tjerët? Çfarë gjërash të tjera të vogla e të thjeshta mund të bëjmë për t’i shtuar pika vaji të çmuar shpirtëror llambave tona të përgatitjes?
Ne mësojmë nga Plaku Riçard G. Skot se “denjësia vetjake është një kërkesë thelbësore për të gëzuar bekimet e tempullit. … Karakteri i denjë farkëtohet më mirë nga një jetë me zgjedhje të qëndrueshme e të drejta, të përqendruara te mësimet e Mësuesit.”8 E dua fjalën të qëndrueshme. Të jesh i qëndrueshëm do të thotë të jesh i sigurt, i vazhdueshëm dhe i besueshëm. Çfarë përshkrimi i mrekullueshëm i parimit të denjësisë!
Në Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] na sillet në mendje se: “Vetëm shtëpia mund të krahasohet me tempullin në shenjtëri”9. A i përputhen këtij përshkrimi shtëpitë dhe apartamentet tona? Një e re e mrekullueshme e lagjes sonë erdhi në shtëpinë tonë kohët e fundit. Duke e ditur se vëllai i saj sapo ishte kthyer nga misioni, e pyeta se si ishte ta kishte të vëllanë të kthyer në shtëpi. Ajo tha se ishte e mrekullueshme por, me raste, ai pyeste nëse mund të ulej volumi i muzikës. Ajo tha: “Dhe nuk ishte as muzikë e keqe!” Por mund jetë me dobi që ne ta kontrollojmë veten tonë tani dhe pastaj të sigurohemi se shtëpitë tona janë vende ku ne jemi të përgatitura ta ndiejmë Shpirtin. Ndërsa i përgatitim shtëpitë tona për të qenë vende ku Shpirti është i mirëpritur, ne do të jemi të përgatitura për t’u ndier më shumë “në shtëpi” kur të hyjmë në shtëpinë e Zotit.
Ndërsa përgatitemi të hyjmë denjësisht në tempull dhe jemi besnike ndaj besëlidhjeve të tempullit, Zoti do të derdhë mbi ne “një shumëllojshmëri bekimesh”10. Mikesha ime e mirë, Boni Oskarson, kohët e fundit e ndryshoi tërësisht formulimin e shkrimit të shenjtë kur tha: “Atje ku shumë është kërkuar, shumë do të jepet”11. Jam plotësisht dakord! Për shkak se ne vijmë në tempull për të marrë bekime të përjetshme, nuk duhet të çuditemi që kërkohet një standard më i lartë që të kualifikohemi për ato bekime. Përsëri Plaku Nelson dha mësim: “Për shkak se tempulli është shtëpia e Zotit, standardet e pranimit vendosen prej Tij. Njeriu hyn si i ftuari i Tij. Të mbash një rekomandim tempulli është një privilegj i paçmuar dhe një shenjë e prekshme e bindjes ndaj Perëndisë dhe profetëve të Tij.”12
Atletët më të mirë të botës dhe studentët e doktoraturës në universitet harxhojnë orë e ditë dhe javë e muaj, dhe madje vite përgatitjeje. Kërkohen pika të përditshme përgatitjeje për t’ia dalë mbanë. Në mënyrë të ngjashme, nga ata të cilët dëshirojnë të kualifikohen për ekzaltim në mbretërinë çelestiale pritet që të jetojnë një standard më të lartë të bindjes, që vjen duke e ushtruar virtytin e bindjes ditë pas dite dhe pikë pas pike.
Teksa i shtojmë vaj në mënyrë të vazhdueshme dhe me zell, pikë pas pike, llambave tona shpirtërore, duke i bërë këto gjëra të vogla dhe të thjeshta, ne mund t’i kemi llambat tona “të rregulluara e të ndezura”13 me përgatitje mahnitëse. Bashkëshorti im i dashur, i cili është president kunji, së fundi vuri në dukje se gati përherë ai mund ta dallojë kur dikush është i përgatitur dhe i denjë për të hyrë në tempull, sepse “ata e ndriçojnë dhomën” kur vijnë të kërkojnë një rekomandim tempulli.
Në lutjen përkushtuese të tempullit të Kirtlandit, Profeti Jozef Smith i kërkoi Zotit “që të gjithë njerëzit që do të hyjnë në pragun e shtëpisë së Zotit, të mund të ndiejnë fuqinë tënde, … që ata të mund të rriten në ty e të marrin një plotësi të Frymës së Shenjtë, … dhe të përgatiten për të fituar çdo gjë të nevojshme”14.
Është lutja ime që për ne, vajtja në tempull do të jetë më shumë se një ngjarje që ndodh vetëm një herë. U përgatitshim për t’i marrë me denjësi ordinancat shpëtuese, pikë pas pike, dhe për t’i mbajtur me gjithë zemër besëlidhjet që i shoqërojnë ato. Ndërsa e bëjmë këtë, e di se do të kualifikohemi për t’i marrë bekimet e premtuara për një plotësi të Frymës së Shenjtë dhe fuqinë e Zotit në shtëpitë dhe jetën tonë vetjake. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.