2014
Mirësevini në Konferencë
Nëntor 2014


Mirësevini në Konferencë

Teksa dëgjojmë, u prekshin zemrat tona dhe u shtoftë besimi ynë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, sa i kënaqur jam që t’ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë të mrekullueshme botërore. Jemi mbledhur së bashku në vendndodhje anembanë botës për të dëgjuar dhe për të mësuar nga vëllezër e motra të cilët i kemi mbështetur si Autoritete të Përgjithshme dhe drejtues të përgjithshëm të Kishës. Ata kanë kërkuar ndihmën e qiellit për sa u përket mesazheve që do të paraqitin dhe kanë ndier frymëzim lidhur me atë që do të thuhet.

Kjo konferencë shënon përvjetorin e 90-të të transmetimeve në radio të konferencës së përgjithshme. Gjatë konferencës së tetorit të vitit 1924, sesionet u transmetuan në radio për herë të parë nëpërmjet stacionit radiofonik KSL, pronë e Kishës. Kjo konferencë shënon edhe përvjetorin e 65-të të transmetimeve të konferencës në televizion. Në konferencën e përgjithshme të mbajtur në tetor të vitit 1949, sesionet u transmetuan së pari në televizion në të gjithë zonën e Solt-Lejkut nëpërmjet stacionit televiziv KSL.

Ne i njohim bekimet e mjeteve bashkëkohore të komunikimit që u lejojnë miliona anëtarëve të Kishës që ta shikojnë apo dëgjojnë konferencën e përgjithshme. Sesionet e kësaj fundjave po transmetohen nëpërmjet televizonit, radios, televizionit kabllor, marrësve satelitorë dhe internetit, përfshirë aparatet celularë.

Gjatë gjashtë muajve të kaluar që kur u takuam herën e fundit, është përkushtuar një tempull i ri dhe një tempull është ripërkushtuar. Në maj, Presidenti Diter F. Uhtdorf përkushtoi Tempullin e Fort-Loderdejlit në Florida. Një kremtim mahnitës kulturor nga të rinjtë u mbajt ditën përpara përkushtimit. Ditën vijuese, të dielën, më 4 maj, tempulli u përkushtua në tri sesione.

Vetëm dy javë më parë ishte privilegji im të ripërkushtoja Tempullin e Ogdenit në Juta, të përkushtuar fillimisht në vitin 1972 nga Presidenti Jozef Fillding Smith. Një kremtim i madh kulturor ndodhi ditën përpara ripërkushtimit, me kaq shumë të rinj pjesëmarrës, saqë u paraqitën dy interpretime të ndara, secili me një trupë të ndryshme. Gjithsej morën pjesë 16.000 të rinj. Shërbimet e ripërkushtimit ndodhën ditën e nesërme, me shumë nga Vëllezërit në pjesëmarrje, së bashku me udhëheqësit e organizatave ndihmëse dhe me presidentin e tempullit, këshilltarët e tij dhe bashkëshortet e tyre.

Ndërtimi i tempujve prej nesh vazhdon fuqishëm. Muajin e ardhshëm do të përkushtohet tempulli i ri i Feniksit në Arizona dhe vitin tjetër, në 2015-n, ne presim përkushtimin ose ripërkushtimin e së paku pesë tempujve, me më shumë të tjerë ka gjasë, në varësi të përfundimit.

Sikurse e përmenda në prill, kur të gjithë tempujt e njoftuar më parë të ndërtohen dhe të përkushtohen, ne do të kemi 170 tempuj në funksionim në mbarë botën. Për shkak se po i përqendrojmë përpjekjet tona te përfundimi i tempujve që u njoftuan më parë, nuk po njoftojmë tani ndonjë tempull të ri. Sidoqoftë, në të ardhmen, teksa i përcaktojmë nevojat dhe gjejmë tokat, do të bëhen njoftime për tempuj të tjerë.

Kisha vazhdon të rritet. Ne tani jemi më shumë se 15 milionë [anëtarë] të fortë dhe po rritemi në numër. Përpjekjet tona misionare po shkojnë përpara të papenguara. Kemi mbi 88.000 misionarë që po shërbejnë, duke e shpërndarë mesazhin e ungjillit kudo në botë. Ne e ripohojmë se puna misionare është një detyrë priftërie dhe i nxitim të gjithë të rinjtë e denjë e në gjendje që të shërbejnë. Jemi shumë mirënjohës për të rejat që shërbejnë gjithashtu. Ato japin një ndihmesë domethënëse, edhe pse nuk janë nën të njëjtin urdhër për të shërbyer sikurse janë të rinjtë.

Tani ju ftoj t’u kushtoni vëmendjen tuaj vëllezërve dhe motrave që do të marrin pjesë sot dhe nesër në sesionet tona të konferencës. Të gjithëve që u është kërkuar të flasin, ndiejnë një përgjegjësi të madhe në bërjen e kësaj. Teksa dëgjojmë, u prekshin zemrat tona dhe u shtoftë besimi ynë, unë lutem përulësisht, në emrin e Jezu Krishtit, amen.