Mbështetja e Profetëve
Mbështetja e profetëve nga ana jonë është një zotim vetjak se ne vërtet do të bëjmë më të mirën për t’i përkrahur përparësitë e tyre profetike.
Presidenti Ajring, ju falënderojmë për mesazhin tuaj udhëzues dhe frymëzues. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju falënderojmë për besimin dhe përkushtimin tuaj. Dje, secili prej nesh u ftua ta mbështeste Tomas S. Monsonin si profetin e Zotit dhe Presidentin e Kishës së Zotit. Dhe shpesh ne këndojmë: “Të falemi, Zot, për profetin”1. A e kuptojmë ju dhe unë me të vërtetë se çfarë do të thotë kjo? Përfytyrojeni privilegjin që Zoti na ka dhënë për ta mbështetur profetin e Tij, këshilla e të cilit do të jetë e panjollosur, e palustruar, e pashtyrë nga ndonjë synim vetjak dhe tërësisht e vërtetë!
Si e mbështetim me të vërtetë një profet? Kohë përpara se të bëhej President i Kishës, Presidenti Jozef F. Smith shpjegoi: “Është një detyrë e rëndësishme, e vendosur mbi shenjtorët të cilët … i mbështetin autoritetet e Kishës, që ta bëjnë këtë jo vetëm duke ngritur dorën, që është pamja e dukshme, por me anë të veprimit dhe me të vërtetë”2.
Më kujtohet mirë “veprimi” im më i pashoq për ta mbështetur një profet. Si mjek dhe si kirurg kardiolog, pata përgjegjësinë e kryerjes së një operacioni në zemër të hapur te Presidenti Spenser W. Kimball në vitin 1972, kur ai ishte Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai kishte nevojë për një operacion shumë të ndërlikuar. Por unë nuk kisha përvojë në kryerjen e një procedure të tillë te një pacient 77-vjeçar me pamjaftueshmëri kardiake. Nuk e rekomandova operacionin dhe këtë ia njoftova Presidentit Kimball dhe Presidencës së Parë. Por, me besim, Presidenti Kimball zgjodhi ta bënte operacionin, vetëm ngaqë iu këshillua prej Presidencës së Parë. Kjo tregon se si ai i mbështeti udhëheqësit e tij! Dhe vendimi i tij më bëri të dridhem!
Falë Zotit, operacioni doli me sukses. Kur zemra e Presidentit Kimball filloi të rrihte përsëri, ajo rrahu me fuqi të madhe! Pikërisht në atë çast, pata një dëshmim të qartë prej Shpirtit se ky burrë do të bëhej një ditë Presidenti i Kishës!3
Ju e dini çfarë ndodhi. Vetëm 20 muaj më vonë, Presidenti Kimball u bë Presidenti i Kishës. Ai siguroi udhëheqje të guximshme dhe plot kurajë për shumë vite.
Që nga ajo kohë ne i kemi mbështetur Presidentët Ezra Taft Benson, Hauard W. Hanter, Gordon B. Hinkli dhe tani Tomas S. Monson si Presidentë të Kishës – profetë me çdo kuptim të fjalës!
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, nëse Rivendosja bëri diçka, ajo e copëtoi mitin e lashtë se Perëndia ka pushuar së foluri fëmijëve të Tij. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Një profet ka qëndruar në krye të Kishës së Perëndisë në të gjitha periudhat e kujdestarisë ungjillore, që nga Adami deri në ditën e sotme.4 Profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin – qenien e Tij hyjnore dhe misionin e shërbesën e Tij tokësore.5 Ne e nderojmë Profetin Jozef Smith si profeti i kësaj periudhe të fundit të kujdestarisë ungjillore. Dhe e nderojmë secilin burrë që e ka pasuar atë si Presidentin e Kishës.
Kur i mbështetim profetët dhe udhëheqësit e tjerë6, ne përdorim ligjin e miratimit të përbashkët, sepse Zoti tha: “Përsëri unë ju them se nuk do t’i jepet askujt që të shkojë për të predikuar ungjillin tim, ose për të ngritur kishën time, përveçse nëse ai shugurohet nga dikush që ka autoritet e njihet prej kishës që ka autoritet dhe është shuguruar në mënyrë të rregullt nga krerët e kishës”7.
Kjo na jep neve, si anëtarë të Kishës së Zotit, bindje dhe besim teksa përpiqemi ta zbatojmë urdhrin e dhënë në shkrimet e shenjta për t’ia vënë veshin zërit të Zotit8, kur ai vjen nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të Tij, profetëve.9 Të gjithë udhëheqësit në Kishën e Zotit thirren nëpërmjet autoritetit të duhur. Asnjë profet apo ndonjë udhëheqës tjetër në këtë Kishë, për atë arsye, nuk e ka thirrur kurrë veten e tij ose të saj. Asnjë profet kurrë nuk është thirrur nëpërmjet zgjedhjeve. Zoti e bëri atë të qartë kur Ai tha: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova”10. Ju dhe unë nuk “votojmë” për udhëheqësit e Kishës, të çfarëdo niveli. Ne, megjithatë, vërtet kemi privilegjin për t’i mbështetur ata.
Udhët e Zotit janë të ndryshme nga udhët e njeriut. Udhët e njeriut i heqin njerëzit nga detyrat ose bizneset kur ata plaken apo bëhen të paaftë fizikisht. Por udhët e njeriut nuk janë dhe kurrë nuk do të jenë udhët e Zotit. Mbështetja e profetëve nga ana jonë është një zotim vetjak se ne vërtet do të bëjmë më të mirën për t’i përkrahur përparësitë e tyre profetike. Mbështetja jonë është një tregues i betuar se ne e pranojmë thirrjen e tyre si profet që të jetë ligjëruese dhe detyruese për ne.
Njëzet e gjashtë vjet përpara se të bëhej President i Kishës, në atë kohë Plaku Xhorxh Albert Smith tha: “Detyrimi që ne marrim përsipër kur ngremë dorën … është një nga më të shenjtët. Ai nuk do të thotë se ne do të shkojmë qetësisht në udhën tonë dhe do të jemi dakord që profeti i Zotit ta drejtojë këtë punë, por do të thotë … se ne do ta mbështetim atë; ne do të lutemi për të; ne do të mbrojmë emrin e tij të mirë dhe ne do të përpiqemi t’i plotësojmë udhëzimet e tij ndërsa Zoti do ta drejtojë.”11
Zoti i gjallë e udhëheq Kishën e Tij të gjallë!12 Zoti ia zbulon profetit të Tij vullnetin e Tij për Kishën. Dje, pasi u ftuam ta mbështetnim Tomas S. Monsonin si President të Kishës, ne gjithashtu patëm privilegjin ta mbështetnim atë, këshilltarët në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues. Merreni me mend! Ne mbështetim 15 burra si profetë të Perëndisë! Ata mbajnë të gjithë çelësat e priftërisë që i janë dhënë ndonjëherë njeriut në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore.
Thirrja e 15 burrave në detyrën e shenjtë të apostullit na jep mbrojtje të madhe si anëtarë të Kishës. Përse? Sepse vendimet e këtyre udhëheqësve duhet të jenë të njëzëshme.13 A mund ta përfytyroni se si Shpirti ka nevojë që t’i nxitë 15 burra për të sjellë njëzëshmërinë? Këta 15 burra kanë përvoja të shumëllojshme arsimore dhe profesionale, me opinione të ndryshme rreth shumë gjërave. Besomëni! Këta 15 burra – profetë, shikues e zbulues – e dinë se cili është vullneti i Zotit kur arrihet njëzëshmëria! Ata zotohen për t’u kujdesur që vullneti i Zotit të bëhet me të vërtetë. Lutja e Zotit siguron modelin për secilin prej këtyre 15 burrave, kur ata luten: “U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell”14.
Apostulli me vjetërsinë më të madhe në detyrën e Apostullit, kryeson.15 Ai sistem i vjetërsisë do të sjellë zakonisht burra më të moshuar në detyrën e Presidentit të Kishës.16 Ai siguron vazhdimësi, pjekuri të sprovuar, përvojë dhe përgatitje të gjithanshme, siç u drejtua nga Zoti.
Kisha sot është organizuar nga Zoti Vetë. Ai ka vendosur një sistem të mrekullueshëm të udhëheqjes, i cili siguron njerëz zëvendësues për kryerjen e funksioneve. Ai sistem e siguron udhëheqjen profetike edhe kur sëmundjet apo paaftësitë e pashmangshme mund të vijnë në moshën e thyer.17 Kundërpeshimet dhe përkujdesjet shtohen që askush të mos mundet ta drejtojë ndonjëherë Kishën në udhë të gabuar. Udhëheqës me përvojë po mësohen në mënyrë të vazhdueshme që një ditë të jenë gati për t’u ulur në këshillat më të larta. Ata mësojnë se si ta dëgjojnë zërin e Zotit nëpërmjet pëshpëritjeve të Shpirtit.
Ndërsa shërbente si Këshilltar i Parë i Presidentit Ezra Taft Benson, i cili po i afrohej në atë kohë fundit të jetës së tij në vdekshmëri, Presidenti Gordon B. Hinkli shpjegoi:
“Parimet dhe procedurat, të cilat Zoti i ka vendosur për qeverisjen e Kishës së Tij, marrin masa për çdo … rrethanë. Është e rëndësishme … që të mos ketë asnjë dyshim apo shqetësim lidhur me qeverisjen e Kishës dhe ushtrimin e dhuntive profetike, duke përfshirë të drejtën për frymëzim e zbulesë në administrimin e punëve dhe programeve të Kishës, kur Presidenti mund të sëmuret apo nuk është në gjendje të veprojë plotësisht.
Presidenca e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve, të thirrur e të shuguruar që të mbajnë çelësat e priftërisë, kanë autoritetin dhe përgjegjësinë për ta qeverisur Kishën, për t’i administruar ordinancat e saj, për ta sqaruar doktrinën e saj dhe për t’i themeluar e mirëmbajtur procedurat e saj.”
Presidenti Hinkli vazhdoi:
“Kur Presidenti është i sëmurë apo i paaftë për të vepruar plotësisht në të gjitha detyrat e pozitës së tij, dy Këshilltarët e tij së bashku përbëjnë një Kuorum të Presidencës së Parë. Ata e vazhdojnë punën e përditshme të Presidencës. …
Por çfarëdo pyetje e rëndësishme rreth politikës, procedurave, programeve apo doktrinës merret në shqyrtim me hollësi dhe lutje nga Presidenca e Parë dhe Të Dymbëdhjetët së bashku.”18
Vitin që shkoi, kur Presidenti Monson arriti 5-vjetorin e shërbimit si President i Kishës, ai u shpreh rreth 50 viteve të tij të shërbimit apostullor dhe bëri këtë deklarim: “Mosha më së fundi e vendos peshën e saj të rëndë mbi të gjithë ne. Megjithatë, ne e bashkojmë zërin tonë me Mbretin Beniamin, i cili tha: … ‘Unë jam sikurse ju, mund të prekem nga të gjitha llojet e dobësive në trup dhe mendje; megjithëkëtë, unë jam zgjedhur … dhe përkushtuar nga ati im … dhe jam mbajtur dhe ruajtur nga fuqia e tij e pakrahasueshme, për t’ju shërbyer juve me të gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën që Zoti më ka dhënë’ (Mosia 2:11).”
Presidenti Monson vazhdoi: “Pavarësisht nga ndonjë sfidë shëndetësore që mund të na vijë, pavarësisht nga ndonjë dobësi në trup apo mendje, ne shërbejmë sa më mirë që kemi aftësi. Unë ju siguroj se Kisha është në duar të sigurta. Sistemi i ngritur për Këshillin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë [Apostujve na] siguron që ajo do të jetë gjithmonë në duar të sigurta dhe se, çfarëdo që të ndodhë, nuk ka nevojë për t’u shqetësuar apo për të pasur frikë. Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, të cilin e ndjekim, të cilin e adhurojmë dhe të cilit i shërbejmë, është gjithmonë në timon.”19
Presidenti Monson, ne ju falënderojmë për ato të vërteta! Dhe ju falënderojmë për jetën shembullore dhe shërbimin tuaj të përkushtuar. Mendoj se flas për anëtarët e Kishës në mbarë botën në shprehjen tonë të bashkuar e të sinqertë të mirënjohjes për ju. Ne ju nderojmë! Ne ju duam! Ne ju mbështetim, jo vetëm me duar të ngritura, por me gjithë zemrat dhe përpjekjet tona të përkushtuara. Me përulësi dhe nderim, “ne përher’ lutemi për ty”20, i dashuri, profeti ynë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.