2014
Qëndroni Brenda në Barkë dhe Mbahuni!
Nëntor 2014


Qëndroni Brenda në Barkë dhe Mbahuni!

Nëse e mbajmë përqendrimin tonë te Zoti, na premtohet një bekim përtej çdo krahasimi.

Kohët e fundit, një miku im e çoi birin e tij në një udhëtim përgjatë lumit Kolorado përmes kanionit Katarakt, që ndodhet në Jutën juglindore. Kanioni është i famshëm për rrëmbesat e tij vorbulluese për rreth 23 km gjatësi, të cilat mund të jenë veçanërisht të rrezikshme.

Në përgatitje për aventurën e tyre, ata e kishin shqyrtuar me kujdes faqen në internet të agjencisë së Shërbimit për Parqet Kombëtare, e cila përmban informacion të rëndësishëm rreth përgatitjes vetjake dhe rreziqeve të zakonshme, të fshehta.

Në fillim të udhëtimit, njëri nga udhërrëfyesit me përvojë për lumin iu dha udhëzime të rëndësishme sigurie, duke theksuar tri rregulla që do të bënin të mundur udhëtimin e sigurt të grupit nëpër rrëmbesat e lumit. “Rregulli numër një: qëndroni brenda në barkë! Rregulli numër dy: gjithmonë vishni një jelek shpëtimi! Rregulli numër tre: gjithmonë mbahuni me të dyja duart!” Më pas ai tha përsëri, madje duke e theksuar më shumë: “Mbi të gjitha, kujtoni rregullin numër një: qëndroni brenda në barkë!”

Kjo aventurë më kujton udhëtimin tonë në vdekshmëri. Shumica prej nesh përjetojmë periudha në jetën tonë ku çmohen ujërat e qeta të jetës. Në kohë të tjera, ne hasim rrëpira vorbulluese që në mënyrë metaforike krahasohen me ato që gjenden në pjesën 23-kilometërshe nëpër kanionin Katarakt – sfida që mund të jenë probleme të shëndetit fizik e mendor, vdekja e një njeriu të dashur, ëndrra dhe shpresa të rrënuara dhe – për disa – madje një krizë besimi kur vihen përballë problemeve, pyetjeve dhe dyshimeve të jetës.

0:17

Zoti në mirësinë e Tij ka siguruar ndihmë, duke përfshirë një barkë, pajisjet thelbësore, si jelekët e shpëtimit, dhe udhërrëfyesit me përvojë të lumit, të cilët na japin udhërrëfim dhe udhëzime sigurie për të na ndihmuar që ta kryejmë udhëtimin tonë nëpër lumin e jetës drejt vendmbërritjes sonë përfundimtare.

Le të mendojmë për rregullin numër një: qëndroni brenda në barkë!

Presidenti Brigam Jang shpesh e përdori thënien “Anija e Vjetër Sion” si një metaforë për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Në një rast ai tha: “Jemi në mes të oqeanit. Një stuhi vjen dhe, siç thonë detarët, barka has shumë vështirësi në lundrim. ‘Nuk do të qëndroj këtu’, thotë dikush; ‘nuk e besoj se kjo është “Anija Sion”.’ ‘Por ne jemi në mes të oqeanit.’ ‘Nuk dua t’ia di, nuk do të qëndroj këtu.’ Heq pallton dhe hidhet në ujë. A nuk do të mbytet ai? Po. Kështu ndodh edhe me ata që e lënë këtë Kishë. Kjo është ‘Anija e Vjetër Sion’, le të qëndrojmë brenda në të.”1

Në një rast tjetër, Presidenti Jang tha se ai gjithashtu shqetësohej për njerëzit që e humbnin udhën e tyre kur po bekoheshin – kur jeta ishte e mirë: “Është në mot të qetë, kur anija e vjetër e Sionit po udhëton me një puhizë të lehtë [dhe] kur gjithçka është e qetë në kuvertën e anijes, që disa prej vëllezërve duan të zbresin me barkat e vogla me rrema që të shkojnë për … not, dhe disa mbyten, të tjerë largohen tutje dhe të tjerë kthehen përsëri në anije. Le të mos lëvizim nga anija e vjetër dhe ajo do të na çojë [të sigurt] drejt limanit; s’keni pse të shqetësoheni.”2

Dhe së fundi, Presidenti Jang i kujtoi shenjtorët: “Jemi brenda në anijen e vjetër Sion. … [Perëndia] është në timon dhe do të qëndrojë atje. … Çdo gjë është mirë, këndoni aleluja; sepse Zoti është këtu. Ai urdhëron, udhëzon dhe drejton. Nëse njerëzit do të kenë mirëbesim të palëkundur te Perëndia i tyre, kurrë nuk do t’i braktisin besëlidhjet e tyre, as Perëndinë e tyre, Ai do të na udhëheqë siç duhet.”3

Duke i pasur parasysh sfidat që ne të gjithë hasim sot, në ç’mënyrë qëndrojmë brenda në Anijen e Vjetër Sion?

Ja se si. Na nevojitet të përjetojmë një kthim të vazhdueshëm në besim me anë të rritjes së besimit tonë te Jezu Krishti dhe të shtimit të besnikërisë sonë ndaj ungjillit të Tij gjatë gjithë jetës sonë – jo vetëm një herë, por rregullisht. Alma pyeti: “Dhe tani vini re, unë ju them juve, vëllezërit [dhe motrat] e mi[a], në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”4

Udhërrëfyesit me përvojë të lumit sot mund të krahasohen me apostujt e profetët dhe udhëheqësit e frymëzuar vendorë të priftërisë dhe të organizatave ndihmëse të Kishës. Ata na ndihmojnë të arrijmë të sigurt në vendmbërritjen tonë përfundimtare.

Kohët e fundit, fola në një seminar për presidentët e rinj të misioneve dhe i këshillova këta udhëheqës:

“I mbani sytë e njerëzve të misionit tek udhëheqësit e Kishës. … Ne nuk do t’ju drejtojmë dhe … nuk mund t’ju drejtojmë në udhë të gabuar.

Dhe ndërsa i mësoni misionarët tuaj që t’i përqendrojnë sytë e tyre te ne, u mësoni që kurrë të mos i ndjekin ata që mendojnë se dinë më shumë rreth mënyrës se si të administrohen punët e Kishës nga … ç’dinë Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht” nëpërmjet udhëheqësve të priftërisë që i kanë çelësat për të kryesuar.

Kam zbuluar gjatë shërbesës sime se ata që janë bërë të humbur [dhe] të ngatërruar, janë zakonisht ata që kanë harruar … më shpesh se, kur Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve flasin me një zë të bashkuar, ai është zëri i Zotit për atë kohë. Zoti na kujton: ‘Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi, është njësoj’ [DeB 1:38].”5

Me fjalë të tjera, ata largohen nga Anija e Vjetër Sion – bien jashtë; bëhen braktisës. Në mënyrë tragjike, shpesh ata përjetojnë pasoja afatshkurtra dhe më pas afatgjata që nuk i kishin si qëllim, jo vetëm për veten e tyre, por edhe për familjet e tyre.

Udhëheqësit tanë vendorë të Kishës, si udhërrëfyes të sprovuar të lumit, janë mësuar nga përvojat e jetës; janë trajnuar dhe udhëzuar nga apostuj e profetë dhe drejtues të tjerë të Kishës; dhe, më e rëndësishmja, janë mësuar nga Zoti Vetë.

Në një rast tjetër këtë vit, u fola të rinjve në moshë madhore të Kishës në transmetimin në maj të takimit shpirtëror të SAK-ut. U thashë:

“Kam dëgjuar që disa njerëz mendojnë se udhëheqësit e Kishës jetojnë brenda një ‘flluske’. Ajo që ata harrojnë, është se ne jemi burra dhe gra me përvojë dhe e kemi jetuar jetën tonë në kaq shumë vende dhe kemi punuar me shumë njerëz nga origjina të ndryshme. Detyrat tona të caktuara, të tanishme na çojnë, në kuptimin e plotë të fjalës, përreth globit, ku takohemi me udhëheqës politikë, fetarë, biznesi dhe humanitarë të botës. Edhe pse kemi vizituar [udhëheqës në] Shtëpinë e Bardhë në Uashington, D.K. dhe udhëheqësit e kombeve [dhe feve] anembanë botës, ne kemi vizituar edhe [familjet dhe njerëzit] më të përulur të tokës. …

Kur e merrni parasysh plot mendim jetën dhe shërbesën tonë, ju ka shumë mundësi të bini dakord se ne e shohim dhe e përjetojmë botën në mënyra siç pak njerëz të tjerë e shohin dhe e përjetojnë. Ju do ta kuptoni se jetojmë brenda një ‘flluske’ më pak sesa shumica e njerëzve. …

… Megjithatë, ka diçka rreth urtësisë vetjake dhe të bashkuar të [udhëheqësve të Kishës], e cila duhet t’ju sigurojë njëfarë ngushëllimi. Ne kemi përjetuar gjithçka, përfshirë pasojat e ligjeve dhe rregulloreve të ndryshme publike, zhgënjimet, tragjeditë e vdekjet në vetë familjet tona. Ne nuk jemi të palidhur me jetën tuaj.”6

Së bashku me rregullin numër një, siç e kam vënë unë në zbatim, mbani mend rregullat dy dhe tre: gjithmonë vishni një jelek shpëtimi dhe mbahuni me të dyja duart. Fjalët e Zotit gjenden në shkrimet e shenjta dhe në mësimet e apostujve dhe të profetëve. Ato na këshillojnë e drejtojnë se, kur i ndjekim, do të veprojnë si jelekë shpëtimi shpirtëror dhe do të na ndihmojnë të dimë se si të mbahemi me të dyja duart.

Nevojitet të bëhemi si bijtë e Mosias, të cilët “ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës”. Ne mund të bëhemi burra e gra “me [të] kupt[uar] të saktë”. Kjo mund të arrihet nga ne vetëm duke “kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që [ne] të mund të di[më] fjalën e Perëndisë”7.

Gjatë kërkimit të shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të apostujve e profetëve të së shkuarës dhe të së tashmes, ne duhet të përqendrohemi te studimi, të jetuarit dhe të dashurit e doktrinës së Krishtit.

Përveç zhvillimit të zakonit të leximit vetjak të shkrimeve të shenjta, ne kemi nevojë të bëjmë sikurse bënë bijtë e Mosias dhe të jepemi “pas lutjeve të shumta dhe agjërimit”8.

Duket se këto gjëra, të cilat nuk maten me lehtësi, janë të një rëndësie të madhe. Qëndroni të përqendruar te këto gjëra të thjeshta dhe mos lejoni t’u tërhiqet vëmendja.

Ndërkohë që kam njohur njerëz që nuk kanë qëndruar në barkë dhe nuk janë mbajtur me të dyja duart gjatë kohëve të sprovave dhe vështirësive, ose që nuk kanë qëndruar në barkë gjatë kohëve relativisht të qeta, unë kam vërejtur se shumë prej tyre e kanë humbur përqendrimin e tyre tek të vërtetat qendrore të ungjillit – arsyet përse u bashkuan me Kishën fillimisht; arsyet përse mbetën tërësisht të zotuar dhe aktivë në të jetuarin e standardeve të ungjillit dhe në të bekuarin e të tjerëve nëpërmjet shërbimit të zotuar, të përkushtuar; dhe mënyrat sipas të cilave Kisha ka qenë në jetën e tyre “një vend i ushqimit dhe rritjes shpirtërore”9.

Jozef Smithi na mësoi këtë të vërtetë qendrore: “Parimet themelore të fesë sonë [janë] dëshmia e apostujve dhe profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, … ‘që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell’; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin fesë sonë janë vetëm shtojca të këtyre”10.

Nëse e mbajmë përqendrimin tonë te Zoti, na premtohet një bekim përtej çdo krahasimi: “Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.”11

Nganjëherë shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme dhe kërkues të sinqertë fillojnë të përqendrohen te “shtojcat”, në vend që të përqendrohen te parimet themelore. Kështu, Satani na tundon ta largojmë vëmendjen nga mesazhi i thjeshtë dhe i qartë i ungjillit të rivendosur. Ata, vëmendja e të cilëve largohet shpesh, heqin dorë nga marrja e sakramentit ngaqë bëhen të përqendruar, madje të shqetësuar, për praktika apo mësime më pak të rëndësishme.

Të tjerët mund të përqendrohen te pyetjet dhe dyshimet që përjetojnë. Sigurisht, pasja e pyetjeve dhe përjetimi i dyshimeve nuk janë të panjohura për dishepujt e përkushtuar. Kohët e fundit, Këshilli i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpalli: “Ne e kuptojmë se, herë pas here, anëtarë të Kishës do të kenë pyetje rreth doktrinës, historisë ose praktikave të Kishës. Anëtarët janë gjithmonë të lirë të bëjnë pyetje të tilla dhe të kërkojnë me zell kuptueshmëri më të madhe.”12

Mbani mend, Jozef Smithi vetë pati pyetje që filluan Rivendosjen. Ai ishte kërkues dhe, sikurse Abrahami, gjeti përgjigje për pyetjet më të rëndësishme të jetës.

Pyetjet e rëndësishme përqendrohen në atë që ka më shumë vlerë – planin e Atit Qiellor dhe Shlyerjen e Shpëtimtarit. Kërkimi ynë duhet të na drejtojë që të bëhemi dishepuj mirëdashës, të dhembshur, të dashur, falës, të duruar dhe të përkushtuar. Ne duhet të jemi të gatshëm, sikurse na mësoi Pali, që të “mba[jmë] barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbush[im] ligjin e Krishtit”13.

Mbajtja e barrëve të njëri-tjetrit përfshin të ndihmuarin, përkrahjen dhe të kuptuarin e çdonjërit, përfshirë të sëmurin, të dobëtin, të varfrin në shpirt e trup, kërkuesin dhe të shqetësuarin, dhe gjithashtu anëtarët e tjerë dishepuj – duke përfshirë udhëheqësit e Kishës që janë thirrur nga Zoti për të shërbyer për një stinë.

Vëllezër e motra, qëndroni brenda në barkë, përdorini jelekët tuaj të shpëtimit dhe mbahuni me të dyja duart. Shmangiuni largimeve të vëmendjes! Dhe nëse ndonjëri prej jush ka rënë nga barka, ne do t’ju kërkojmë, do t’ju gjejmë, do t’ju shërbejmë juve dhe do t’ju ngremë të sigurt brenda në Anijen e Vjetër Sion, ku Perëndia, Ati ynë, e Zoti Jezu Krisht janë në timon dhe do të na drejtojnë siç duhet, gjë për të cilën unë dëshmoj përulësisht në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 82–83.

  2. Brigham Young, “Discourse”, Deseret News, 27 janar 1858, f. 373.

  3. Brigham Young, “Remarks”, Deseret News, 18 nëntor, 1857, f. 291.

  4. Alma 5:26.

  5. M. Russell Ballard, “Mission Leadership” (fjalim i mbajtur në seminarin për presidentët e rinj të misioneve, 25 qershor, 2014), f. 8.

  6. M. Russell Ballard, “Rrini të Qetë dhe Dijeni se Unë Jam Perëndi” (takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 4 maj 2014); lds.org/broadcasts.

  7. Alma 17:2.

  8. Alma 17:3.

  9. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, 28 qershor 2014.

  10. Joseph Smith, Elders’ Journal, korrik 1838, f. 44.

  11. 2 Nefi 31:20.

  12. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, 28 qershor 2014.

  13. Galatasve 6:2.