2014
Gjetja e Paqes së Qëndrueshme dhe Ndërtimi i Familjeve të Përjetshme
Nëntor 2014


Gjetja e Paqes së Qëndrueshme dhe Ndërtimi i Familjeve të Përjetshme

Është ungjilli i Jezu Krishtit ai që e siguron themelin tek i cili ne mund të gjejmë paqe të qëndrueshme dhe mbi të cilin mund të ndërtojmë njësi familjare të përjetshme.

Udhëtimi ynë gjatë jetës ka periudha kohe si të mira edhe të këqija. Secila paraqet sfida të ndryshme. Mënyra se si mësojmë t’u përshtatemi ndryshimeve që vijnë, varet nga themeli mbi të cilin ndërtojmë. Ungjilli i Zotit dhe Shpëtimtarit tonë siguron një themel të sigurt dhe të fortë. Ai ngrihet hap pas hapi ndërsa fitojmë njohuri për planin e përjetshëm të Zotit për fëmijët e Tij. Shpëtimtari është Mësuesi Mjeshtër. Ne e ndjekim Atë.

Shkrimet e shenjta dëshmojnë për Të dhe japin një shembull të drejtësisë së përsosur për ne që ta ndjekim. U kam treguar anëtarëve të Kishës në një konferencë të mëparshme se kam një numër blloqesh shënimi, në të cilat nëna ime kishte shënuar materiale që po i përdorte për të përgatitur mësimet e saj për Shoqatën e Ndihmës. Shënimet janë po aq bashkëkohore sot sa ishin atëherë. Një nga këto shënime ishte një citat nga Çarls Eduard Xhefersoni për karakterin e Jezu Krishtit, i shkruar në vitin 1908. Aty thuhet:

“Të jesh i krishterë është të admirosh Jezusin në mënyrë aq të sinqertë dhe aq të zjarrtë sa të gjithë jetën t’ia kushtosh Atij me një aspiratë për të qenë si Ai.

… Ne mund të arrijmë ta njohim Atë nëpërmjet fjalëve që tha, nëpërmjet veprave që bëri dhe gjithashtu nëpërmjet heshtjeve të Tij. Ne mund ta njohim Atë edhe nga përshtypja që Ai u la së pari miqve të Tij e së dyti armiqve të tij dhe së treti masës së përgjithshme të bashkëkohësve të Tij. …

Një nga karakteristikat e jetës së shekullit të njëzetë është pakënaqësia [dhe shqetësimi]. …

… Bota po kërkon diçka, vështirë se e di çfarë. Pasuria ka ardhur … [dhe] bota është mbushur me … shpikje të aftësisë dhe gjenisë njerëzore, por … ne [ende] jemi të shqetësuar, të pakënaqur [dhe] të hutuar. … [Nëse hapim] Dhiatën e Re, [ne do të gjejmë këto fjalë]: ‘Ejani tek unë, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Unë jam buka e jetës. Unë jam drita e botës. Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Po ju jap paqen time. Ju do të merrni fuqi. Ju do të gëzoheni’” (The Character of Jesus [1908], f. 7, 11, 15–16).

Burrat dhe gratë formohen pjesërisht prej atyre mes të cilëve ata zgjedhin të jetojnë. Në formimin e tyre ndikojnë gjithashtu ata nga të cilët i mbajnë sytë dhe të cilëve përpiqen t’u ngjajnë. Jezusi është Shembulli i madh. E vetmja mënyrë për të gjetur paqe të qëndrueshme është të shikojmë tek Ai dhe të jetojmë.

Çfarë është me vlerë për ne që ta studiojmë rreth Jezusit?

“Shkruesit e Dhiatës së Re … nuk i kushtuan aspak vëmendje shtatit [të Jezusit], rrobave që veshi, ose shtëpive ku jetoi. … Ai u lind në një ahur, punoi në një punishte marangozi, dha mësim për tri vite dhe më pas vdiq në kryq. … Dhiata e Re u shkrua nga burra të cilët ishin të vendosur që ne … t’i mbanim sytë të ngulur tek [Ai]” (The Character of Jesus, f. 21–22) me një siguri se Ai vërtet ishte dhe është Biri i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës.

Një prej shëmbëlltyrave të Shpëtimtarit, besoj unë, gjen veçanërisht zbatim për ditët tona sot.

Ajo është e përfshirë te Mateu kapitulli 13, ku lexojmë:

“Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku.

Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra.

Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: ‘Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra?’

Dhe ai u tha atyre: ‘Këtë e ka bërë armiku’. Atëherë shërbëtorët i thanë: ‘A do ti të shkojmë e ta shkulim?’

Por ai tha: ‘Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin.

I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim’” (vargjet 25–30).

Ai armik i vjetër i të gjithë njerëzimit ka gjetur aq shumë mjete sa mund të mendojë për të shpërndarë gjatë e gjerë egjra. Ai ka gjetur mënyra për t’i bërë ato të depërtojnë madje dhe në shenjtërinë e vetë shtëpive tona. Mënyrat e liga dhe të kësaj bote janë bërë kaq të përhapura sa duket se nuk ka asnjë mënyrë reale për t’i shkulur ato. Ato vijnë përmes telave dhe nëpërmjet ajrit pikërisht në mjetet që i kemi krijuar për të na mësuar dhe argëtuar. Gruri dhe egjrat janë rritur pranë njëra-tjetrës. Një shërbëtor që administron fushën, duhet që, me të gjithë fuqinë e tij apo të saj, të ushqejë atë që është e mirë dhe ta bëjë aq të fortë e të bukur sa egjrat nuk do të përbëjnë asnjë joshje si për syrin ose veshin. Sa të bekuar jemi ne si anëtarë të Kishës së Zotit që e kemi ungjillin e çmuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë si një themel mbi të cilin mund ta ndërtojmë jetën tonë.

Nga Libri i Mormonit, te 2 Nefi lexojmë: “Pasi vini re, përsëri unë ju them se, në qoftë se ju do të hyni nëpërmjet udhës dhe do të merrni Frymën e Shenjtë, ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni” (2 Nefi 32:5).

Ne nuk duhet ta lejojmë kurrë zhurmën e botës t’ia kalojë dhe ta mposhtë atë zë të qetë, të ulët.

Ne sigurisht na kanë paralajmëruar për ngjarje me të cilat vërtet do të përballemi në kohën tonë. Sfida jonë do të jetë lidhur me mënyrën se si ne përgatitemi për ngjarjet që Zoti ka thënë se ende do të vijnë me siguri.

Shumë njerëz në shoqërinë tonë të shqetësuar e kuptojnë se shpërbërja e familjes do të sjellë vetëm hidhërim dhe mungesë shprese në një botë të trazuar. Si anëtarë të Kishës, ne kemi përgjegjësinë ta ruajmë dhe ta mbrojmë familjen si njësinë bazë të shoqërisë dhe përjetësisë. Profetët kanë lajmëruar dhe paralajmëruar rreth pasojës së pashmangshme dhe shkatërrimtare të rënies së vlerave familjare.

Ndërsa bota vazhdon të na vëzhgojë, le të jemi të sigurt që shembulli ynë do ta mbështetë dhe përkrahë planin që Zoti ka krijuar për fëmijët e Tij këtu në vdekshmëri. Mësimdhënia më e madhe nga të gjitha duhet të jepet me anë të shembullit të drejtë. Shtëpitë tona duhet të jenë vende të shenjta që t’u bëjnë ballë trysnive të botës. Kujtoni se bekimet më të mëdha nga të gjitha bekimet e Zotit, vijnë nëpërmjet familjeve të drejta dhe u jepen atyre.

Ne duhet që me kujdes të vazhdojmë ta vlerësojmë punën tonë si prindër. Mësimdhënia më e fuqishme që do të marrë ndonjëherë një fëmijë, do të vijë nga etër e nëna të merakosur e të drejtë. Le të shohim së pari rolin e nënës. Dëgjojeni këtë citat nga Presidenti Gordon B Hinkli:

“Gratë që e bëjnë shtëpinë një vatër familjare, i japin një kontribut më të madh shoqërisë sesa ata që urdhërojnë ushtri të mëdha ose qëndrojnë në krye të korporatave mbresëlënëse. Kush mund t’i vërë çmim ndikimit që një nënë ka te fëmijët e saj, një gjyshe te pasardhësit e saj ose që emtat e motrat kanë te rrethi i tyre familjar?

Ne nuk mund të fillojmë ta matim apo llogaritim ndikimin e grave të cilat, në mënyrat e tyre vetjake, ndërtojnë jetë familjare të qëndrueshme dhe i ushqejnë për të mirën e përhershme brezat e së ardhmes. Vendimet e marra nga gratë e këtij brezi do të jenë të përjetshme në pasojat e tyre. Më lejoni të sugjeroj se nënat e ditëve të sotme nuk kanë mundësi më të madhe dhe as sfidë më serioze sesa të bëjnë gjithçka munden për ta forcuar [vatrën familjare]” (Standing for Something: 10 Neglected Virtues That Will Heal Our Hearts and Homes [2000], f. 152).

Tani le të shohim rolin që luan një atë në jetën tonë:

Etërit japin bekime dhe kryejnë ordinanca të shenjta për fëmijët e tyre. Këto do të bëhen çaste të spikatura shpirtërore në jetën e tyre.

Etërit përfshihen personalisht në udhëheqjen e lutjeve familjare, e leximit të përditshëm të shkrimeve të shenjta dhe e mbrëmjeve familjare të përjavshme.

Etërit krijojnë tradita familjare duke u përfshirë në të ndihmuarin për të planifikuar udhëtime pushimesh dhe ekskursione që do t’i përfshijnë të gjithë anëtarët e familjes. Kujtimet e këtyre çasteve të veçanta së bashku nuk do të harrohen kurrë nga fëmijët e tyre.

Etërit zhvillojnë takime vetëm për vetëm me fëmijët e tyre dhe u mësojnë atyre parime të ungjillit.

Etërit u mësojnë bijve dhe bijave vlerën e punës dhe i ndihmojnë në vendosjen e qëllimeve të denja në vetë jetën e tyre.

Etërit japin një shembull të shërbimit besnik në ungjill.

Ju lutem, vëllezër, mbajeni mend thirrjen tuaj të shenjtë si një atë në Izrael – thirrjen tuaj më të rëndësishme për kohën dhe përjetësinë – një thirrje nga e cila nuk liroheni kurrë.

Shumë vite më parë në konferencat e kunjeve, ne do të shfaqnim një pjesë të shkurtër filmike për të ilustruar temën e mesazhit që po paraqitnim. Gjatë vitit në vazhdim, ndërsa udhëtonim nëpër Kishë në vizitat tona në konferencat e kunjeve ku ishim caktuar, ne njiheshim shumë mirë me përmbajtjen e filmit. Pothuaj mund ta citonim përmendsh. Mesazhi më ka mbetur në mendje gjatë gjithë këtyre viteve. Filmi tregohej nga Presidenti Harold B. Li dhe jepte një rrëfim të një ngjarjeje në shtëpinë e bijës së tij. Është pak a shumë kështu:

Një mbrëmje, nëna e shtëpisë po përpiqej me furi të mbaronte konservimin e disa frutave. Më në fund fëmijët ishin gati për të shkuar në krevat dhe ishin qetësuar. Tanimë ishte koha për t’iu kthyer frutave. Ndërsa filloi t’i qëronte dhe t’u hiqte bërthamat frutave, dy djem të vegjël u dukën në kuzhinë dhe thanë se ishin gati për lutjet e tyre të orës së gjumit.

Duke mos dashur të ndërpritej, nëna u tha me shumë ngut djemve: “Përse nuk i bëni vetëm lutjet sonte dhe Nëna do të vazhdojë të punojë me frutat?”

Më i madhi nga dy bijtë këmbënguli me vendosmëri dhe tha: “Çfarë është më e rëndësishmja, lutjet apo frutat?” (Shih Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 143–144.)

Nganjëherë ne e gjejmë veten në situata kur kemi mundësinë t’u japim fëmijëve një mësim që do të ketë ndikim të qëndrueshëm në jetën e tyre të hershme. Sigurisht, lutjet janë më të rëndësishme sesa frutat. Një prind i suksesshëm nuk duhet të jetë kurrë tepër i zënë për të shfrytëzuar një çast në jetën e një fëmije kur mund të jepet një mësim i rëndësishëm.

Është bindja ime e palëkundur se nuk ka pasur kurrë një periudhë në vitet e mia të shumta të jetës kur fëmijët e Atit tonë në Qiell kanë pasur më tepër nevojë për dorën drejtuese të prindërve besnikë, të përkushtuar. Ne kemi një trashëgimi të mrekullueshme dhe fisnike prindërish që heqin dorë pothuaj nga gjithçka që zotërojnë, për të gjetur një vend ku mund t’i rritin familjet e tyre me besim dhe kurajë, në mënyrë që brezi i ardhshëm të ketë mundësi më të mëdha sesa kishin ata. Ne duhet të gjejmë brenda vetes po atë shpirt të palëkundur dhe të kapërcejmë sfidat që hasim, me po të njëjtin shpirt sakrifice. Ne duhet të rrënjosim te brezat e ardhshëm një mbështetje edhe më të fuqishme te mësimet e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë.

“Dhe tani bijtë e mi, mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po, shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).

Është ungjilli i Jezu Krishtit ai që e siguron themelin tek i cili ne mund të gjejmë paqe të qëndrueshme dhe mbi të cilin mund të ndërtojmë njësi familjare të përjetshme. Për këtë dëshmoj në emrin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, madje Jezu Krishtit, amen.