2014
Qasja te Froni i Perëndisë me Vetëbesim
Nëntor 2014


Qasja te Froni i Perëndisë me Vetëbesim

Duke e vënë në zbatim Shlyerjen e Jezu Krishtit, mund të filloni ta rritni vetëbesimin tuaj shpirtëror sot nëse jeni i gatshëm të dëgjoni e të veproni.

Në një shkallë nga 1-shi te 10-ta, ku do ta klasifikonit vetëbesimin tuaj shpirtëror para Perëndisë? A keni një dëshmi vetjake se ndihmesa juaj e tanishme si shenjtor i ditëve të mëvonshme është e mjaftueshme për të trashëguar jetën e përjetshme? A mund të thoni me veten tuaj se Ati Qiellor është i kënaqur me ju? Çfarë mendimesh ju vijnë në mendje nëse, pas një minute, do të kishit një intervistë personale me Shpëtimtarin tuaj? A do ta mbizotëronin mëkatet, keqardhjet dhe të metat imazhin tuaj për veten apo do të përjetonit thjesht një pritje të gëzueshme? A do ta shikonit në sy apo do t’i shmangeshit vështrimit të Tij? A do të ngurronit te dera apo do të ecnit me vetëbesim drejt Tij?

Kurdoherë që kundërshtari nuk mund t’i bindë shenjtorët e papërsosur, por të paepur si puna juaj që ta braktisni besimin tuaj te një Perëndi i dashur e [që na njeh] individualisht, ai nis një fushatë dashakeqe për ta rritur sa më shumë të jetë e mundur largësinë ndërmjet jush dhe Perëndisë. Kundërshtari e di se besimi në Krisht – lloji i besimit që prodhon një rrjedhë të qëndrueshme mëshirash të dhembshura dhe madje mrekullish të fuqishme – shkon dorë për dorë me një vetëbesim vetjak se po përpiqeni të zgjidhni të drejtën. Për atë arsye ai do të përpiqet që të hyjë në zemrën tuaj për t’ju thënë gënjeshtra – gënjeshtra që Ati Qiellor është i zhgënjyer me ju, se Shlyerja është përtej mundësisë suaj për ta arrirë, se nuk ka kuptim madje as të përpiqeni, se gjithkush tjetër është më i mirë se ju, se ju jeni i padenjë dhe një mijë variante të po kësaj teme të ligë.

Për aq kohë sa i lejoni këta zëra të gdhenden në shpirtin tuaj, ju nuk mund t’i qaseni fronit të Perëndisë me vetëbesim të vërtetë. Çfarëdo që të bëni, çfarëdo gjëje për të cilën luteni, çfarëdo shpresash që mund të keni për një mrekulli, do të ketë përherë mjaftueshëm dyshim vetjak të ciflojë besimin tuaj – jo vetëm besimin tuaj te Perëndia, por edhe besimin te vetvetja. Të jetuarit e ungjillit në këtë mënyrë nuk është argëtuese, as nuk është shumë e shëndetshme. Mbi të gjitha, është tërësisht e panevojshme! Vendimi për të ndryshuar është [në dorën] tuaj – dhe vetëm tuajën.

Do të doja të jepja gjashtë sugjerime praktike që, nëse mbahen vesh, do t’i davaritin këta zëra të ligj dhe do t’ju kthejnë llojin e sigurisë paqësore dhe vetëbesimin shpirtëror që është i juaji për t’u zotëruar nëse vetëm e dëshironi atë. Pavarësisht nga klasifikimi që i bëtë vetes në atë shkallë nga 1-shi te 10-ta, ju, duke e vënë në zbatim Shlyerjen e Jezu Krishtit, mund të filloni ta rritni vetëbesimin tuaj shpirtëror sot nëse jeni i gatshëm të dëgjoni e të veproni. Do të flas hapur, duke shpresuar të ngre moralisht dhe jo të fyej.

1. Mbani përgjegjësi për mirëqenien tuaj vetjake shpirtërore. Ndaloni së fajësuari të tjerët apo rrethanat tuaja, ndaloni së justifikuari dhe ndaloni së dhëni shfajësime për arsyet përse ju mund të mos jeni duke u përpjekur plotësisht që të jeni i bindur. Pranoni se ju jeni “të lirë sipas mishit” dhe “të lirë të [zgjidhni] lirinë dhe jetën e përjetshme” (2 Nefi 2:27). Zoti i njeh përsosurisht rrethanat tuaja, por Ai gjithashtu e di përsosurisht mirë nëse ju thjesht zgjidhni të mos e jetoni plotësisht ungjillin. Nëse është kështu, jini mjaftueshëm të ndershëm për ta pranuar atë dhe përpiquni të jeni të përsosur brenda sferës suaj vetjake të rrethanave. Vetëbesimi shpirtëror rritet kur mbani përgjegjësi për mirëqenien tuaj vetjake shpirtërore duke vënë në zbatim Shlyerjen e Jezu Krishtit përditë.

2. Mbani përgjegjësi për mirëqenien tuaj vetjake fizike. Shpirti juaj përbëhet nga trupi dhe fryma juaj (shih DeB 88:15). Të ushqyerit e shpirtit ndërsa trupi, i cili është një tempull, shpërfillet zakonisht çon në mospajtim shpirtëror dhe vetëvlerësim të ulur. Nëse nuk jeni në formë fizike, nëse nuk jeni rehat me vetë trupin tuaj dhe mund të bëni diçka për këtë, atëherë bëjeni! Plaku Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se ne duhet “ta konsiderojmë trupin tonë si tempull vetjak tonin” dhe se ne duhet “të kontrollojmë dietën dhe stërvitjen tonë për një formë të mirë fizike” (“We Are Children of God”, janar 1999, f. 103).

Presidenti Bojd K. Paker ka dhënë mësim “se shpirti ynë dhe trupi ynë ndërthuren në mënyrë të tillë që trupi ynë bëhet një mjet i mendjes sonë dhe themeli i karakterit tonë” (“The Instrument of Your Mind and the Foundation of Your Character” [mbledhje rreth vatrës e Sistemit Arsimor të Kishës, 2 shkurt 2003], f. 2; speeches.byu.edu). Prandaj, ju lutemi përdorni gjykim të mirë për atë që konsumoni, dhe veçanërisht për sasinë që konsumoni, dhe jepini trupit tuaj rregullisht stërvitjen për të cilën ka nevojë dhe e meriton. Nëse jeni fizikisht në gjendje, vendosni sot të jeni zot i trupit tuaj dhe filloni një program të rregullt, afatgjatë stërvitor, të përshtatur për aftësitë tuaja, të ndërthurur me një dietë më të shëndetshme. Vetëbesimi shpirtëror rritet kur shpirti juaj, me ndihmën e Shpëtimtarit, e ka me të vërtetë nën kontroll burrin apo gruan vetjake të natyrshme që jeni ju.

3. Përqafojeni bindjen e vullnetshme, me gjithë zemër si pjesë të jetës suaj. Pranojeni se nuk mund ta doni Perëndinë pa dashur edhe urdhërimet e Tij. Standardi i Shpëtimtarit është i qartë dhe i thjeshtë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Bindja përzgjedhëse sjell bekime përzgjedhëse dhe të zgjedhurit e diçkaje të keqe kundrejt diçkaje më të keqe është përsëri zgjedhje e gabuar. Nuk mund të shihni një film të keq dhe të prisni të ndiheni të virtytshëm pasi nuk patë një film shumë të keq. Bindja me besnikëri ndaj disa urdhërimeve nuk e shfajëson shpërfilljen e të tjerave. Me të drejtë, Abraham Linkolni tha: “Kur bëj mirë, unë ndihem mirë; kur bëj keq, unë ndihem keq” (në William H. Herndon dhe Jesse William Weik, Herndon’s Lincoln: The True Story of a Great Life, 3 vëll. [1889], 3:439).

Gjithashtu, bëjini gjërat e duhura për arsyet e duhura. Zoti, i cili “kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme” (DeB 64:34) dhe i cili “është në gjendje të dallojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (DeB 33:1), e di arsyen përse shkoni në kishë – nëse jeni i pranishëm vetëm fizikisht apo duke adhuruar vërtet. Ju nuk mund të këndoni të dielën “Babiloni, Babiloni, t’themi lamtumir’” dhe pastaj ta kërkoni ose ta toleroni shoqërinë e saj përsëri çaste më pas (“Ye Elders of Israel”, Hymns, nr. 319). Kujtoni se shkujdesi në çështjet shpirtërore kurrë nuk qe lumturi. Bëjeni Kishën dhe ungjillin e rivendosur [pjesë të] të gjithë jetës suaj, jo vetëm pjesë të jetës suaj të jashtme ose shoqërore. Zgjedhja këtë ditë se kujt doni t’i shërbeni përbën shërbim vetëm me buzë – derisa ju me të vërtetë të jetoni në përputhje me të (shih Jozueut 24:15). Vetëbesimi shpirtëror rritet kur ju po përpiqeni vërtet, për arsyet e drejta, të bëni një jetë të shenjtëruar, pavarësisht nga papërsosuritë tuaja!

4. Bëhuni vërtet, po vërtet të zotët në të penduarin plotësisht dhe me shpejtësi. Për shkak se Shlyerja e Jezu Krishtit është mjaft e volitshme, ju duhet ta vini në zbatim me bujari 24 orë në 24, 7 ditë në javë, pasi ajo kurrë nuk shteron. Përqafojeni Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe pendimin si gjëra që duhet të mirëpriten dhe zbatohen përditë në përputhje me urdhrat e Mjekut të Madh. Krijoni një zakon të pendimit të vazhdueshëm, të lumtur, të gëzueshëm duke e bërë atë stilin e zgjedhur të jetesës. Duke vepruar kështu, bëni kujdes nga tundimi i shtyrjes për më vonë dhe mos prisni që bota t’ju brohorasë. Duke i mbajtur sytë te Shpëtimtari, shqetësohuni më shumë për atë që Ai mendon për ju dhe lërini pasojat të vijnë. Vetëbesimi shpirtëror rritet kur pendoheni me dëshirë dhe me gëzim për mëkate si të vogla edhe të mëdha në kohën kur ndodhin, duke vënë në zbatim Shlyerjen e Jezu Krishtit.

5. Bëhuni vërtet, po vërtet i zoti për të falur. “Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit” (DeB 64:10). Falni gjithkënd, gjithçka, gjithë kohën ose të paktën përpiquni të veproni kështu, duke e lejuar në këtë mënyrë faljen të hyjë në vetë jetën tuaj. Mos mbani mëri, mos u fyeni lehtësisht, falni dhe harroni shpejt dhe mos mendoni kurrë se bëni përjashtim nga ky urdhërim. Vetëbesimi shpirtëror rritet kur e dini se Zoti e di që nuk mbani asnjë ndjenjë të keqe kundrejt një shpirti tjetër.

6. Pranojini sprovat, pengesat dhe “të papriturat” si pjesë të përvojës suaj në vdekshmëri. Mbani mend se jeni këtu për t’u vënë në provë dhe sprovuar “për të parë nëse [ju] do t’i bë[ni] të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia [juaj], do [t’ju] urdhërojë” (Abraham 3:25) – dhe a mund të shtoj vetëm “në të gjitha rrethanat”. Miliona prej vëllezërve dhe motrave tuaja janë sprovuar ose po sprovohen në këtë mënyrë, prandaj përse ju do të përbënit përjashtim? Disa sprova vijnë nga vetë mosbindja ose pakujdesia juaj. Sprova të tjera vijnë prej pakujdesisë së të tjerëve ose thjesht ngaqë kjo është një botë e rënë. Kur këto sprova vijnë, ithtarët e kundërshtarit fillojnë të kumtojnë se ju bëtë diçka gabim, se ky është një ndëshkim, një shenjë që Ati Qiellor nuk ju do. Mos i merrni parasysh ato! Përkundrazi, përpiquni ta detyroni veten të buzëqeshë, shihni drejt qiellit dhe thoni: “E kuptoj, Zot. E di se çfarë është kjo. Një kohë për të dhënë prova për veten time, apo jo?” Atëherë bashkëpunoni me Të për të duruar si duhet deri në fund. Vetëbesimi shpirtëror rritet kur ju pranoni se “shpesh sprovat dhe mundimet lejohen të vijnë në [jetën tuaj] si pasojë e asaj që [ju] po e bëni siç duhet” (Glenn L. Pace, “Crying with the Saints” [takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 13 dhjetor 1987], f. 2; speeches.byu.edu).

Ndërsa po kryesoja Misionin e Kievit në Ukrainë, një herë pyeta një prej motrave të mia më besnike se përse ajo ishte përherë aq e ashpër me veten, se përse e mundonte gjithmonë veten [edhe] për gjërat më të vogla. Përgjigjja e saj ishte shembulli model i një personi që dëgjon zërin e gabuar, kur u përgjigj: “Në mënyrë që asnjë të mos më qortojë për atë”.

Vëllezër dhe motra, këshilla ime për këtë motër misionare është këshilla ime për ju: pranojini dobësitë tuaja dhe përballuni me to, por mos u paralizoni prej tyre ngaqë disa prej tyre do të jenë shoqërueset tuaja derisa të largoheni nga kjo jetë tokësore. Pavarësisht nga gjendja juaj e tanishme, pikërisht në çastin që zgjidhni me dëshirë pendimin e ndershëm, të gëzueshëm, të përditshëm duke u përpjekur që thjesht të bëni më të mirën dhe të jini vetja juaj më e mirë, Shlyerja e Shpëtimtarit ju rrethon dhe ju ndjek, si ta themi, kudo që shkoni. Duke jetuar në këtë mënyrë, ju me të vërtetë mundet që “gjithmonë … të mbani një heqje të mëkateve tuaja” (Mosia 4:12) në çdo orë të çdo dite, në çdo sekondë të çdo minute dhe kështu të jeni plotësisht i pastër dhe i pranueshëm përpara Perëndisë gjatë gjithë kohës.

I juaji është privilegji, nëse e dëshironi, që të arrini ta dini vetë, sot ose së shpejti, se ju po e kënaqni Perëndinë pavarësisht nga të metat tuaja. Dëshmoj për një Shpëtimtar të dashur që pret prej nesh t’i jetojmë urdhërimet. Dëshmoj për një Shpëtimtar të dashur që po pret me kaq shumë padurim të na japë hirin dhe mëshirën e Tij. Dëshmoj për një Shpëtimtar të dashur që gëzohet kur ne e vëmë në zbatim Shlyerjen e Tij përditë, me sigurinë e qetë dhe të gëzueshme se ne po shohim në drejtimin e duhur. Dëshmoj për një Shpëtimtar të dashur i cili po pret me padurim që “të forcohet vetbesimi [juaj] në prani të Perëndisë” (DeB 121:45). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.