“Mos Jam Unë, Zot?”
Ne duhet ta vëmë mënjanë krenarinë tonë, të shohim përtej kotësisë sonë dhe me përulësi të pyesim: “Mos jam unë, Zot?”
Ishte nata e fundit e Shpëtimtarit tonë të dashur në vdekshmëri, mbrëmja përpara se Ai ta ofronte Veten e Tij si një çmim për shpengimin e gjithë njerëzimit. Ndërsa theu bukë me dishepujt e Tij, Ai tha diçka që duhet t’i ketë mbushur zemrat e tyre me panik të madh dhe trishtim të thellë. “Një nga ju do të më tradhtojë”, u tha Ai.
Dishepujt nuk e dyshuan vërtetësinë e asaj që Ai tha. As nuk e hodhën vështrimin përreth, treguan dikë tjetër me gisht dhe pyetën: “Mos është ai?”
Përkundrazi, ata u “pikëlluan shumë dhe secili prej tyre filloi të thotë: ‘Mos jam unë, Zot?’”1
Pyes veten se çfarë do të bënte secili prej nesh nëse Shpëtimtari na e bënte atë pyetje. A do ta hidhnim vështrimin te njerëzit përreth nesh dhe do të thoshim me vete: “Ai ndoshta po flet për Vëllanë Duka. Gjithmonë kam pasur dyshim për të” ose “Jam i kënaqur që Vëllai Bregu është këtu. Ai ka vërtet nevojë ta dëgjojë këtë mesazh”? Apo ne, si ata dishepuj të lashtë, do të shihnim brenda vetes dhe do të bënim atë pyetje depërtuese: “Mos jam unë?”
Në këto fjalë të thjeshta, “Mos jam unë?” gjendet fillimi i urtësisë dhe shtegu drejt kthimit vetjak në besim dhe ndryshimit jetëgjatë.
Një Shëmbëlltyrë rreth Luleradhiqeve
Na ishte njëherë një burrë të cilit i pëlqente mbrëmjeve të bënte shëtitje nëpër lagjen e tij të banimit. Veçanërisht ai mezi priste të ecte pranë shtëpisë së fqinjit të tij. Fqinji i tij e mbante barin e oborrit të tij të prerë në mënyrë të përsosur, lulet gjithmonë të lulëzuara, pemët në gjendje të mirë dhe plot hije. Ishte e dukshme që fqinji bënte çdo përpjekje që të kishte një oborr të bukur.
Por një ditë, ndërsa burri po ecte pranë shtëpisë së fqinjit të tij, ai vuri re në mes të këtij oborri të bukur një luleradhiqe të egër, të vetme, të stërmadhe, të verdhë.
Ajo dukej kaq pa vend sa e habiti atë. Përse nuk e shkulte fqinji atë? A nuk mund ta shihte? A nuk e dinte ai se luleradhiqet mund të shpërndanin fara që do të bënin të rriteshin duzina barërash të këqija?
Kjo luleradhiqe e vetmuar e shqetësoi burrin përtej çdo përshkrimi dhe ai donte të bënte diçka rreth saj. A duhej thjesht ta shkulte? Apo ta spërkaste me një solucion për barërat e këqija? Ndoshta po të shkonte nëpër natë, ai mund ta hiqte fshehurazi.
Këto mendime ia pushtuan mendjen tërësisht, teksa ecte drejt shtëpisë së vet. Ai hyri në shtëpinë e tij pa ia hedhur vështrimin aspak oborrit përpara shtëpisë së tij – që ishte i mbuluar me qindra luleradhiqe të verdha.
Trarët dhe Lëmishtet
A na i kujton kjo histori fjalët e Shpëtimtarit?
“Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd? …
Hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.”2
Kjo histori e trarëve dhe lëmishteve duket se lidhet ngushtësisht me paaftësinë tonë për ta kuptuar veten tonë me qartësi. Nuk jam i sigurt se përse ne jemi të aftë të gjejmë diagnozën dhe të rekomandojmë kaq mirë kurime për papërsosmëritë e njerëzve të tjerë, ndërkohë që kemi shpesh vështirësi për t’i kuptuar papërsosmëritë tona.
Disa vjet më parë pati një ngjarje në lajmet rreth një burri që besonte se, nëse e fërkonte fytyrën me lëng limoni, do të bëhej i padukshëm për kamerat. Prandaj ai e leu me lëng limoni tërë fytyrën, shkoi dhe vodhi dy banka. Jo shumë kohë më vonë ai u arrestua kur fotografia e tij u shfaq në emisionin e lajmeve në mbrëmje. Kur policia i tregoi burrit videot e vetë atij nga kamerat e sigurisë, ai nuk mund t’u besonte syve. “Por unë e kisha fytyrën me lëng limoni!” protestoi ai.3
Kur një shkencëtar në Universitetin Kornel dëgjoi rreth kësaj ngjarjeje, ai pati kureshtje se si një njeri mund të ishte kaq jashtëzakonisht i pavetëdijshëm ndaj pazotësisë së vet. Që të përcaktonin nëse ky ishte një problem i përgjithshëm, dy kërkues shkencorë ftuan studentë kolegji që të merrnin pjesë në një seri testesh për aftësi të ndryshme jetësore dhe më pas u kërkuan atyre ta vlerësonin vetë atë që bënë. Studentët që patën rezultate të ulëta, ishin më të pasaktët në vlerësimin e përgjigjeve të tyre – disa prej tyre duke i vlerësuar rezultatet e tyre të ishin pesë herë më të larta nga ato që ishin në të vërtetë.4
Ky studim është përsëritur në mënyra të shumta, duke vërtetuar sërish e sërish të njëjtin përfundim: shumë prej nesh e kanë të vështirë ta kuptojnë vetveten siç janë në të vërtetë dhe, edhe njerëz të suksesshëm e mbivlerësojnë ndihmesën e tyre dhe i nënvlerësojnë ndihmesat që bëjnë të tjerët.5
Mund të mos jetë kaq domethënëse nëse e mbivlerësojmë mënyrën se si e ngasim makinën apo se sa larg mund ta hedhim një top golfi. Por kur fillojmë të besojmë se ndihmesat tona në shtëpi, në punë dhe në kishë janë më të mëdha sesa janë në të vërtetë, ne verbohemi ndaj bekimeve dhe mundësive për ta përmirësuar veten tonë në mënyra domethënëse dhe rrënjësore.
Gjëra të Padukshme Shpirtërore
Një i njohuri im jetonte në një lagje me disa nga statistikat më të larta në Kishë – frekuentimi ishte i lartë, numri i mësimeve të shtëpisë ishte i lartë, fëmijët e Fillores silleshin gjithmonë mirë, darkat e lagjes përfshinin ushqime fantastike që anëtarët rrallë i derdhnin në dyshemenë e shtëpisë së mbledhjeve dhe mendoj se nuk kishte kurrë grindje kur luanin basketboll në Kishë.
Miku im dhe bashkëshortja e tij më pas u thirrën në mision. Kur u kthyen tre vjet më vonë, ky çift u befasua të mësonte se, gjatë kohës që ata ishin larg duke shërbyer, 11 martesa kishin përfunduar në divorce.
Megjithëse lagjja kishte çdo tregues të jashtëm të besnikërisë dhe forcës, diçka e pafat po ndodhte në zemrat dhe jetën e anëtarëve. Dhe gjëja shqetësuese është që kjo gjendje nuk është e pashoqe. Gjëra të tilla të tmerrshme dhe shpesh të panevojshme ndodhin kur anëtarët e Kishës i lënë pas dore parimet e ungjillit. Ata mund të duken nga jashtë se janë dishepuj të Jezu Krishtit, por nga brenda zemrat e tyre janë shkëputur nga Shpëtimtari i tyre dhe mësimet e Tij. Ata janë larguar dalëngadalë nga gjërat e Shpirtit dhe janë zhvendosur drejt gjërave të botës.
Mbajtës dikur të denjë të priftërisë fillojnë t’i thonë vetvetes se Kisha është një gjë e mirë për gratë dhe fëmijët, por jo për ta. Ose disa e bindin vetveten se programet e tyre të ngjeshura ditore apo rrethanat e tyre të pashoqe i përjashtojnë ata nga veprimet e përditshme të përkushtimit dhe shërbimit që do t’i mbanin pranë Shpirtit. Në këtë epokë të vetëshfajësimit dhe vetëdashjes, është e lehtë që të bëhemi tepër krijues lidhur me gjetjen e justifikimeve për të mos iu drejtuar rregullisht Perëndisë në lutje, për ta shtyrë për më vonë studimin e shkrimeve të shenjta, për t’iu shmangur mbledhjeve të Kishës dhe mbrëmjeve familjare, apo për të mos paguar një të dhjetë dhe oferta të ndershme.
Vëllezërit e mi të dashur, a do të shihni, ju lutem, brenda zemrave tuaja dhe të bëni pyetjen e thjeshtë: “Mos jam unë, Zot?”
A e keni lënë pas dore – qoftë edhe pak – “ungjilli[n] … [e] të lumit Perëndi, që [ju] është besuar”6? A e keni lejuar “perëndinë e kë[saj bote]” që t’i errësojë mendjet tuaja kundrejt “drit[ës së] ungjillit të lavdisë së Krishtit”7?
Miqtë e mi të shtrenjtë, vëllezërit e mi të dashur, i bëni pyetjen vetes: “Ku gjendet thesari im?”
A vihet zemra juaj mbi gjërat e volitshme të kësaj bote apo përqendrohet ajo te mësimet e Jezu Krishtit të kujdesshëm? “Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.”8
A banon në zemrat tuaja Shpirti i Perëndisë? A jeni “të rrënjosur dhe të themeluar” në dashurinë për Perëndinë dhe për bashkënjerëzit tuaj? A kushtoni kohë dhe aftësi krijuese të mjaftueshme që t’i sillni lumturi martesës dhe familjes suaj? A ia jepni energjitë tuaja qëllimit madhështor të të kuptuarit dhe të jetuarit të “gjerësisë, gjatësisë, thellësisë dhe lartësisë”9 së ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit?
Vëllezër, nëse është dëshira juaj e madhe që të kultivoni tiparet e ngjashme me Krishtin si “besimin, virtytin, diturinë, maturinë, durimin, mirësinë vëllazërore, perëndishmërinë, dashurinë hyjnore, përulësinë [dhe shërbimin]”10, Ati Qiellor do t’ju bëjë një mjet në duart e Tij për shpëtimin e shumë shpirtrave.11
Shqyrtimi i Jetës Sonë
Vëllezër, askush prej nesh nuk dëshiron ta pranojë kur po rrëshqasim nga udha e drejtë. Shpesh ne përpiqemi ta mënjanojmë të shikuarin thellë brenda shpirtrave tanë dhe përballjen me dobësitë, kufizimet dhe gjërat tona frikësuese. Si pasojë, kur vërtet e shqyrtojmë jetën tonë, ne shohim përmes përzgjedhësit të paragjykimeve, justifikimeve dhe ngjarjeve që ia tregojmë vetvetes me qëllim që t’i përligjim mendimet dhe veprimet e padenja.
Por aftësia për ta kuptuar veten tonë qartësisht është thelbësore për rritjen dhe mirëqenien tonë shpirtërore. Nëse dobësitë dhe të metat tona mbeten të mbuluara nga hijet, atëherë fuqia shëlbuese e Shpëtimtarit nuk mund t’i shërojë ato dhe nuk mund t’i bëjë ato të forta.12 Si për ironi, verbëria jonë kundrejt dobësive tona njerëzore do të na bëjë gjithashtu të verbër ndaj potencialit hyjnor që Ati ynë është i etur ta ushqejë brenda secilit prej nesh.
Prandaj si mund ta lëmë të shkëlqejë dritën e pastër të së vërtetës së Perëndisë brenda shpirtrave tanë dhe si ta shohim veten tonë ashtu siç na sheh Ai?
Më lejoni të sugjeroj se shkrimet e shenjta dhe bisedat e dhëna në konferenca të përgjithshme janë një pasqyrë frytdhënëse që mund ta vëmë përpara nesh për vetëshqyrtim.
Kur i dëgjoni ose i lexoni fjalët e profetëve të lashtë dhe të sotëm, hiqni dorë nga të menduarit se si ato fjalë gjejnë zbatim te dikush tjetër dhe bëni pyetjen e thjeshtë: “Mos jam unë, Zot?”
Ne duhet t’i afrohemi Atit tonë të Amshuar me zemra të thyera dhe mendje të mësueshme. Ne duhet të jemi të gatshëm që të mësojmë dhe të ndryshojmë. Dhe, oh, sa shumë fitojmë nëpërmjet zotimit që të jetojmë jetën që ka si qëllim për ne Ati ynë Qiellor.
Ata që nuk duan të mësojnë e ndryshojnë, ndoshta nuk do t’i bëjnë këto dhe ka shumë mundësi që do të fillojnë të pyesin veten nëse Kisha ka ndonjë gjë për t’u ofruar atyre.
Por ata që duan të përmirësohen dhe të përparojnë, ata që mësojnë për Shpëtimtarin dhe dëshirojnë të bëhen si Ai, ata që përulen si një fëmijë i vogël dhe kërkojnë t’i sjellin mendimet dhe veprimet e tyre në përputhje me Atin tonë në Qiell – ata do ta përjetojnë mrekullinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Ata me siguri do ta ndiejnë Shpirtin e shndritshëm të Perëndisë. Ata do të shijojnë gëzimin e papërshkrueshëm që është fryti i një zemre të bindur e të përulur. Ata do të bekohen me dëshirën dhe disiplinën për t’u bërë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit.
Fuqia e Mirësisë
Përgjatë rrjedhës së jetës sime, kam pasur mundësinë të qëndroj krah për krah me disa nga burrat dhe gratë më të afta dhe më inteligjente që ka për të ofruar kjo botë. Kur isha më i ri, më lanë mbresa ata që ishin të arsimuar, të përgatitur, të suksesshëm dhe të lavdëruar nga bota. Por me kalimin e viteve, kam arritur të kuptoj se më kanë lënë shumë më tepër mbresa ata, shpirtrat e mrekullueshëm dhe të bekuar të të cilëve janë me të vërtetë plot mirësi dhe pa mashtrim.
Dhe a s’është ajo gjëja për të cilën është në të vërtetë ungjilli dhe gjëja që ai bën për ne? Ai është lajmi i mirë dhe na ndihmon të bëhemi të mirë.
Fjalët e Apostullit Jakob gjejnë zbatim për ne sot:
“Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve. …
Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë!”13
Vëllezër, ne duhet ta vëmë mënjanë krenarinë tonë, të shohim përtej kotësisë sonë dhe me përulësi të pyesim: “Mos jam unë, Zot?”
Dhe nëse përgjigjja e Zotit ndodh të jetë: “Po, biri im, ka gjëra që duhet t’i përmirësosh, gjëra që mund të të ndihmoj t’i kapërcesh”, unë lutem që ne do ta pranojmë këtë përgjigje, t’i dallojmë me përulësi mëkatet e të metat tona dhe më pas t’i ndryshojmë udhët tona duke u bërë bashkëshortë më të mirë, etër më të mirë, bij më të mirë. Që tani e tutje, kërkofshim me gjithë fuqinë tonë që të ecim të palëkundur në udhën e bekuar të Shpëtimtarit – sepse të kuptuarit e vetes sonë qartësisht është fillimi i urtësisë.
Kur e bëjmë këtë, Perëndia ynë bujar do të na drejtojë për dore; ne do të “bëhe[mi] të fortë e [do] të bekohe[mi] nga lart”14.
Miqtë e mi të dashur, hapi i parë në shtegun tonë të mrekullueshëm dhe të kënaqshëm të të qenit dishepuj të vërtetë fillon duke i bërë vetes një pyetje të thjeshtë:
“Mos jam unë, Zot?”
Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.