Arsyeja për Shpresën Tonë
Një dëshmi e shpresës së shëlbimit është diçka që nuk mund të matet apo numërohet. Jezu Krishti është burimi i asaj shprese.
Disa vite më parë, Motra Paker dhe unë shkuam në Universitetin e Oksfordit. Po kërkonim dokumentet e stërgjyshit tim shtatë breza më parë. Drejtuesi i Kolegjit të Krishtit në Oksford, Dr. Papëlluelli, ishte mjaft i sjellshëm që ta bënte arkivistin e kolegjit të na i sillte dokumentet. Atje, në vitin 1583 ne gjetëm emrin e paraardhësit tim, Xhon Pakerit.
Vitin që pasoi u kthyem në Oksford për t’iu paraqitur një komplet të lidhur bukur të veprave standarde për bibliotekën e Kolegjit të Krishtit. Kjo iu duk paksa e çuditshme Dr. Papëlluellit. Ndoshta ai mendonte se ne nuk ishim me të vërtetë të krishterë. Prandaj e thirri kapelanin e kolegjit që t’i merrte librat.
Përpara se t’ia jepnim shkrimet e shenjta kapelanit, unë e hapa Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta dhe i tregova atij një temë: 18 faqe, me shkronja tepër të vogla, radhë pas radhe, duke renditur referenca për temën “Jezu Krishti”. Ajo është një nga përmbledhjet më gjithëpërfshirëse të referencave të shkrimeve të shenjta lidhur me temën e Shpëtimtarit, që është përmbledhur ndonjëherë në historinë e botës – një dëshmi nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe nga Perla me Vlerë të Madhe.
“Sido që t’i ndiqni këto referenca”, i thashë atij, “krah për krah, lart e poshtë, libër pas libri, temë pas teme – ju do të zbuloni se ato janë një dëshmi e vazhdueshme, harmonike, e hyjnisë së misionit të Zotit Jezu Krisht – lindja e Tij, jeta e Tij, mësimet e Tij, Kryqëzimi i Tij, Ringjallja e Tij dhe Shlyerja e Tij.”
Pasi i tregova kapelanit për disa nga mësimet e Shpëtimtarit, atmosfera ndryshoi dhe ai na shoqëroi për një vizitë të godinës, duke përfshirë një gërmim të kohëve të fundit që kishte zbuluar afreske që mbanin datën e kohëve romake.
Mes referencave të renditura në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta është kjo referencë nga Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit: “Ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” (2 Nefi 25:26).
Me vetë fjalët e Tij, Shpëtimtari ka shpallur: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6).
Dhe nga Libri i Mormonit, Ai shpall: “Vër re, unë jam ai që u përgatit nga krijimi i botës të shëlbejë popullin tim. Vër re, unë jam Jezu Krishti. … Në mua, i tërë njerëzimi do të ketë jetë dhe atë do ta ketë përjetësisht, madje, ata që do të besojnë në emrin tim; dhe do të bëhen bijtë e mi dhe bijat e mia” (Ethëri 3:14).
Ka mjaft referenca të tjera, të shumta, anembanë veprave standarde, të cilat shpallin rolin hyjnor të Jezu Krishtit si Shëlbuesi i të gjithë atyre që janë lindur ndonjëherë apo që do të linden ndonjëherë në vdekshmëri.
Me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit ne të gjithë shëlbohemi nga Rënia e njeriut, e cila ndodhi kur Adami dhe Eva morën frutën e ndaluar në Kopshtin e Edenit, siç shënohet te 1 Korintasve: “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin” (1 Korintasve 15:22).
Libri i Mormonit na mëson: “Pasi është e nevojshme që një shlyerje duhet bërë … përndryshe i tërë njerëzimi do të mbarojë patjetër; po, të gjithë janë të ngurtësuar, po, të gjithë kanë rënë dhe kanë humbur dhe duhet të mbarojnë po të mos ishte për shlyerjen … një flijim i pafundëm dhe i përjetshëm” (Alma 34:9–10).
Ne mund të mos jetojmë jetë të përsosur dhe ka ndëshkime për gabimet tona por, përpara se të vinim në tokë, ne ramë dakord që t’u nënshtroheshim ligjeve të Tij dhe ta pranonim dënimin për shkeljen e atyre ligjeve.
“Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,
por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus” (Romakëve 3:23–24).
Shpëtimtari e kreu Shlyerjen, e cila siguron një udhë për ne që të bëhemi të pastër. Jezu Krishti është Krishti i ringjallur. Ne e adhurojmë dhe e vlerësojmë Atë për dhembjen që Ai vuajti për të gjithë ne së bashku dhe për dhembjen që duroi për secilin prej nesh individualisht, si në Kopshtin e Gjetsemanit ashtu edhe në kryq. Ai e duroi të gjithën me përulësi të madhe dhe me një kuptueshmëri të përjetshme të rolit dhe qëllimit të Tij hyjnor.
Ata që do të pendohen dhe do ta braktisin mëkatin, do të zbulojnë se krahu i Tij i mëshirshëm ende shtrihet drejt tyre. Ata që i dëgjojnë dhe ua vënë veshin fjalëve të Tij dhe fjalëve të shërbëtorëve të Tij të zgjedhur, do të gjejnë paqe dhe kuptueshmëri, madje edhe në mes të dhembjes dhe hidhërimit të madh. Rezultati i sakrificës së Tij është të na çlirojë nga ndikimet e mëkatit, me qëllim që të gjithë të mund ta kenë të hequr fajin dhe të ndiejnë shpresë.
Nëse Ai nuk do ta kishte plotësuar Shlyerjen, nuk do të kishte as shëlbim. Do të ishte një botë e vështirë për të jetuar nëse ne kurrë nuk mund të faleshim për gabimet tona, nëse ne kurrë nuk mund ta pastronim vetveten dhe të ecim përpara.
Mëshira dhe hiri i Jezu Krishtit nuk kufizohen tek ata që kryejnë mëkate, qoftë nëpërmjet bërjes ose mosbërjes, por përfshijnë premtimin e paqes së pafundme për të gjithë ata që do ta pranojnë dhe ndjekin Atë dhe mësimet e Tij. Mëshira e Tij është shëruesi i fuqishëm, madje edhe për të pafajshmin që është lënduar.
Kohët e fundit mora një letër nga një grua që raportoi se kishte duruar vuajtje të madhe në jetën e saj. Një e keqe e tmerrshme, të cilën ajo nuk e përcaktoi por e nënkuptoi, ishte bërë kundër saj. Ajo e pranoi se u ndesh me ndjenja thellësisht të hidhura. Në zemërimin e saj, ajo thirri me vete: “Dikush duhet të paguajë për këtë të keqe të tmerrshme”. Në atë çast të skajshëm të hidhërimit dhe vënies në dyshim, ajo shkroi se i erdhi në zemër një përgjigje e menjëhershme: “Dikush e ka paguar tashmë”.
Nëse nuk jemi të ndërgjegjshëm se çfarë mund të bëjë për ne flijimi i Shpëtimtarit, ne mund të kalojmë përmes jetës duke mbartur keqardhje se kemi bërë diçka që nuk ishte e drejtë ose ishte fyese ndaj dikujt. Faji që i shoqëron gabimet, mund të pastrohet. Nëse përpiqemi ta kuptojmë Shlyerjen e Tij, ne vërtet do të arrijmë te një nderim i thellë për Zotin Jezu Krisht, shërbesën e Tij tokësore dhe misionin e Tij hyjnor si Shpëtimtari ynë.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u rivendos që të çojë kudo në botë njohurinë e jetës dhe të mësimeve të Shpëtimtarit. Kjo konferencë e madhërishme po transmetohet nëpërmjet satelitit në 94 gjuhë në 102 vende, por gjendet edhe në internet për çdo komb ku Kisha është e pranishme. Ne kemi mbi 3.000 kunje. Forca jonë misionare kohëplotë e kalon 88.000 vetë dhe numri i përgjithshëm i anëtarësisë së Kishës i ka kaluar 15 milionët. Këta numra shërbejnë si provë se “guri që shkëputet pa duar nga mali”, vazhdon të përhapet dhe më së fundi do ta mbushë “tërë tokën” (DeB 65:2).
Por, pavarësisht se sa e madhe bëhet organizata e Kishës apo sa shumë miliona të anëtarëve u shtohen radhëve tona, pavarësisht se në sa shumë kontinente dhe shtete hyjnë misionarët tanë, apo se sa shumë gjuhë të ndryshme flasim, suksesi i vërtetë i ungjillit të Jezu Krishtit do të matet nëpërmjet forcës shpirtërore të anëtarëve të saj individualë. Na nevojitet forca e bindjes që gjendet në zemrën e çdo dishepulli besnik të Krishtit.
Një dëshmi e shpresës së shëlbimit është diçka që nuk mund të matet apo numërohet. Jezu Krishti është burimi i asaj shprese.
Ne përpiqemi t’i forcojmë dëshmitë e të rinjve dhe të moshuarve, të të martuarve dhe beqarëve. Na nevojitet t’ua mësojmë ungjillin e Jezu Krishtit burrave, grave dhe fëmijëve, atyre të çdo race dhe kombësie, të pasurve dhe të varfërve. Na nevojiten i kthyeri në besim i kohëve të fundit dhe ata në mes të njerëzve tanë që e kanë prejardhjen nga pionierët. Na nevojitet t’i kërkojmë ata që e kanë humbur udhën dhe t’i ndihmojmë të kthehen në tufë. Na nevojiten urtësia, këndvështrimi dhe forca shpirtërore e kujtdo. Çdo anëtar i kësaj Kishe si një individ është një pjesë përbërëse e rëndësishme e trupit të Kishës.
“Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.
Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në të njëjtin trup. …
Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë” (1 Korintasve 12:12–14).
Çdo anëtar shërben si dëshmi e jetës dhe e mësimeve të Jezu Krishtit. Ne jemi në luftë me forcat e kundërshtarit dhe na nevojitet çdonjëri e secili prej nesh, në qoftë se do t’ia dalim me sukses në punën që Shpëtimtari ka për ne për ta bërë.
Mund të mendoni: “Ç’mund të bëj unë? Unë jam vetëm një njeri.”
Sigurisht Jozef Smithi u ndje shumë i vetëm në disa raste. Ai u ngrit drejt madhështisë, por e filloi kur ishte një djalë 14-vjeçar që kishte një pyetje: “Me cilën nga të gjitha kishat duhet të bashkohem?” (shih Joseph Smith–Historia 1:10). Besimi dhe dëshmia e Jozefit për Shpëtimtarin u rritën, ashtu siç duhet të rriten edhe tonat, “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje” (2 Nefi 28:30; shih edhe DeB 128:21). Jozefi u gjunjëzua që të lutej dhe çfarë gjërash të mrekullueshme kanë ardhur si rrjedhim i asaj lutjeje dhe Vegimit të Parë.
Si njëri prej Dymbëdhjetë Apostujve, unë jap dëshmi për Zotin Jezu Krisht. Ai jeton. Ai është Shëlbuesi ynë dhe Shpëtimtari ynë. “Nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet” (Nenet e Besimit 1:3). Ai kryeson mbi këtë Kishë. Ai nuk është një i panjohur për shërbëtorët e Tij. Ndërsa ecim drejt së ardhmes me një vetëbesim të qetë, Shpirti i Tij do të jetë me ne. Nuk ka fund për fuqinë e Tij që ta bekojë dhe drejtojë jetën e atyre që kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë. Unë jap dëshmi për Të në emrin e Jezu Krishtit, amen.