Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore
Pavarësisht nga të gjitha sfidat negative që kemi në jetë, ne duhet të gjejmë kohë që ta ushtrojmë në mënyrë aktive besimin tonë.
Kur Adami dhe Eva ishin në Kopshtin e Edenit, gjithçka që iu duhej për nevojat e përditshme, iu dha atyre bujarisht. Ata nuk kishin vështirësi, sfida apo dhembje. Ngaqë nuk kishin përjetuar kurrë kohë të vështira, ata nuk e dinin që mund të ishin të lumtur. Kurrë nuk kishin ndier trazirë, prandaj nuk mund të ndienin paqe.
Më së fundi, Adami dhe Eva e shkelën urdhrin që të mos e hanin frutën e pemës të njohjes të së mirës dhe të së keqes. Duke e bërë këtë, ata nuk ishin më në një gjendje pafajësie. Ata filluan të përjetonin parimet e kundërshtimit. Ata filluan të hasnin sëmundjen që e dobësonte shëndetin e tyre. Ata filluan të ndienin trishtim si edhe gëzim.
Nëpërmjet marrjes së frutës së ndaluar nga Adami dhe Eva, njohuria e së mirës dhe e së keqes u paraqit në botë. Zgjedhja e tyre bëri të mundur për secilin prej nesh që të vijmë në këtë tokë dhe të vihemi në provë e të sprovohemi.1 Ne bekohemi me lirinë e zgjedhjes, që është aftësia jonë për të marrë vendime dhe për t’u bërë të përgjegjshëm për ato vendime. Rënia bëri të mundur në jetën tonë ndjenja si të lumturisë edhe të trishtimit. Ne jemi në gjendje ta kuptojmë paqen ngaqë e ndiejmë trazirën.2
Ati ynë në Qiell e dinte se kjo do të na ndodhte. E gjitha është pjesë e planit të Tij të përsosur të lumturisë. Ai përgatiti një udhë nëpërmjet jetës së Birit të Tij përsosmërisht të bindur, Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, që Shlyerja e Tij ta mposhtte çdo vështirësi që mund ta përjetojmë në vdekshmëri.
Ne jetojmë në kohë të vështira. Nuk ka nevojë që të rendit të gjitha burimet e ligësisë në botë. Nuk është e nevojshme që të përshkruaj të gjitha sfidat dhe dhembjet e mundshme që janë pjesë e vdekshmërisë. Secili prej nesh është shumë i ndërgjegjshëm për vetë ndeshjet tona me tundimin, dhembjen dhe trishtimin.
Na u mësua në botën para vdekshmërisë se qëllimi ynë i ardhjes këtu është të vihemi në provë, të sprovohemi dhe të sforcohemi.3 Ne e dinim se do të përballeshim me ligësitë e kundërshtarit. Nganjëherë mund të ndihemi më të ndërgjegjshëm për gjërat negative të vdekshmërisë sesa jemi të ndërgjegjshëm për gjërat pozitive. Profeti Lehi na mësoi: “Pasi, është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat”4. Pavarësisht nga të gjitha sfidat negative që kemi në jetë, ne duhet të gjejmë kohë që ta ushtrojmë në mënyrë aktive besimin tonë. Një ushtrim i tillë e fton fuqinë pozitive, të mbushur me besim, të Shlyerjes së Jezu Krishtit në jetën tonë.
Ati ynë në Qiell na ka dhënë mjete për të na ndihmuar të vijmë te Krishti dhe për të ushtruar besim në Shlyerjen e Tij. Kur këto mjete bëhen zakone themelore, ato sigurojnë mënyrën më të lehtë për të gjetur paqe në sfidat e vdekshmërisë. Sot unë kam zgjedhur të diskutoj katër prej këtyre mjeteve. Ndërsa flas, merrni parasysh që ta vlerësoni përdorimin tuaj vetjak të secilit mjet; më pas kërkoni udhëzimin e Zotit që të përcaktoni se si mund ta vini më mirë në përdorim secilin prej tyre.
Lutja
Mjeti i parë është lutja. Zgjidhni të bashkëbisedoni shpesh me Atin tuaj në Qiell. Gjeni kohë çdo ditë që t’i ndani mendimet dhe ndjenjat tuaja me Të. Thuajani Atij gjithçka që ju shqetëson. Ai interesohet për aspektet më të rëndësishme, sikurse edhe më të rëndomta në jetën tuaj. Ndani me Të gamën tuaj të plotë të ndjenjave dhe përvojave.
Ngaqë e respekton lirinë tuaj të zgjedhjes, Ati në Qiell nuk do t’ju detyrojë kurrë që t’i luteni Atij. Por teksa e ushtroni atë liri të zgjedhjes dhe e përfshini Atë në çdo fushë të jetës suaj të përditshme, zemra juaj do të fillojë të mbushet me paqe, paqe të gjallëruar. Ajo paqe do të përqendrojë një dritë të përjetshme mbi vështirësitë tuaja. Do t’ju ndihmojë t’i mbikëqyrni ato sfida nga një këndvështrim i përjetshëm.
Prindër, ndihmoni që t’i mbroni fëmijët tuaj duke i armatosur ata në mëngjes e mbrëmje me fuqinë e lutjes familjare. Fëmijët bombardohen çdo ditë me ligësitë e epshit, lakmisë, krenarisë dhe një mori sjelljesh të tjera mëkatare. Mbrojini fëmijët tuaj nga ndikimet e përditshme të botës duke i fortifikuar me bekimet e fuqishme që rrjedhin nga lutja familjare. Lutja familjare duhet të jetë një përparësi e padiskutueshme në jetën tuaj të përditshme.
Studimi i Shkrimeve të Shenjta
Mjeti i dytë është të studiojmë fjalën e Perëndisë në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë. Ne i flasim Perëndisë nëpërmjet lutjes. Ai më shpesh komunikon me ne nëpërmjet fjalës së Tij të shkruar. Që të dini se si tingëllon dhe ndihet zëri i Hyjnisë, lexoni fjalët e Tij, studioni shkrimet e shenjta dhe përsiatini ato.5 Bëjini ato pjesë përbërëse të jetës suaj të përditshme. Nëse dëshironi që fëmijët tuaj t’i dallojnë dhe kuptojnë nxitjet e Shpirtit dhe të veprojnë sipas tyre, ju duhet t’i studioni shkrimet e shenjta me ta.
Mos iu dorëzoni gënjeshtrës së Satanit se ju nuk keni kohë për t’i studiuar shkrimet e shenjta. Zgjidhni që ta gjeni kohën për t’i studiuar ato. Ushqyerja me bollëk me fjalën e Perëndisë çdo ditë është më e rëndësishme sesa gjumi, shkolla, puna, shfaqjet televizive, videolojërat apo mediat shoqërore. Mund t’ju duhet të riorganizoni përparësitë tuaja për të siguruar kohë për studimin e fjalës së Perëndisë. Nëse ju duhet, bëjeni atë!
Ka shumë premtime profetike për bekimet e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta.6
Unë e shtoj dëshminë time me këtë premtim: kur i përkushtoni kohë çdo ditë, për veten tuaj dhe me familjen tuaj, studimit të fjalës së Perëndisë, paqja do të mbizotërojë në jetën tuaj. Ajo paqe nuk do të vijë nga bota e jashtme. Do të vijë nga brenda shtëpisë suaj, nga brenda familjes suaj, nga brenda vetë zemrës suaj. Ajo do të jetë një dhuratë e Shpirtit. Ajo do të rrezatojë prej jush për t’i ndikuar të tjerët në botën përreth jush. Ju do të bëni diçka shumë domethënëse për t’ia shtuar paqes së grumbulluar në botë.
Unë nuk shpall se jeta juaj do të pushojë së pasuri sfida. Kujtoni kur Adami dhe Eva ishin në kopsht, ata nuk u nënshtroheshin sfidave, prapëseprapë ishin të paaftë të përjetonin lumturi, gëzim dhe paqe.7 Sfidat janë një pjesë e rëndësishme e vdekshmërisë. Nëpërmjet studimit të përditshëm, të vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta, ju do të gjeni paqe në trazirën përreth jush dhe forcë për t’u bërë ballë tundimeve. Ju do të zhvilloni besim të fortë te hiri i Perëndisë dhe do të dini se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, gjithçka do të vihet në rregull sipas kohës së Perëndisë.
Mbrëmja Familjare
Ndërkohë që po veproni për ta forcuar familjen tuaj dhe për ta përmirësuar paqen, kujtoni këtë mjet të tretë: mbrëmjen familjare të përjavshme. Jini të kujdesshëm të mos e bëni mbrëmjen tuaj familjare thjesht një mendim të mëvonshëm të një dite plot punë. Vendosni që mbrëmjen e së hënës familja juaj do të jetë në shtëpi së bashku për mbrëmjen. Mos i lejoni kërkesat e punësimit, sportet, veprimtaritë jashtëshkollore, detyrat e shkollës apo çfarëdo tjetër që të bëhen më të rëndësishme se sa ajo kohë që kaloni së bashku në shtëpi me familjen tuaj.
Struktura e mbrëmjes suaj nuk është aq e rëndësishme sa koha e përfshirë në të. Ungjilli duhet të mësohet si në mënyrë formale, ashtu edhe në mënyrë joformale. Bëjeni atë një përvojë domethënëse për secilin anëtar të familjes. Mbrëmja familjare është një kohë e çmuar për të dhënë dëshmi në një mjedis të sigurt; për të mësuar aftësi të mësimdhënies, planifikimit dhe organizimit; për të forcuar lidhje familjare; për të zhvilluar tradita familjare; për të folur me njëri-tjetrin; dhe, më e rëndësishme, të kaloni një kohë të mrekullueshme së bashku!
Në konferencën e shkuar të përgjithshme të prillit, Motra Linda S. Rivs shpalli guximshëm: “Unë duhet të dëshmoj për bekimet e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta e të lutjes dhe të mbrëmjes familjare të përjavshme. Këto janë pikërisht zakone që ndihmojnë në largimin e stresit, në dhënien e drejtimit në jetën tonë dhe shtimin e mbrojtjes për shtëpitë tona.”8 Motra Rivs është një grua shumë e mençur. Ju nxit fuqimisht ta fitoni vetë dëshminë tuaj për këto tri zakone vendimtare.
Frekuentimi i Tempullit
Mjeti i katërt është të shkoni në tempull. Ne të gjithë e dimë se nuk ka asnjë vend më paqësor mbi këtë tokë sesa në tempujt e Perëndisë. Nëse nuk keni një rekomandim tempulli, kualifikohuni për ta marrë atë. Kur e keni një rekomandim, përdoreni shpesh atë.9 Caktoni një kohë të rregullt që të jeni në tempull. Mos lejoni askënd ose asgjë që t’ju pengojë prej të qenit atje.
Ndërkohë që jeni në tempull, dëgjojini fjalët e ordinancave, përsiatini ato, lutuni rreth tyre dhe kërkoni ta kuptoni domethënien e tyre. Tempulli është një nga vendet më të mira që të arrini të kuptoni fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Kërkojeni Atë atje. Mbani mend se shumë më tepër bekime vijnë nga dhënia e emrave të vetë familjeve tuaja në tempull.
Këto katër mjete janë zakone themelore për ta bërë jetën tuaj të sigurt brenda fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit. Mbani mend që Shpëtimtari ynë është Princi i Paqes. Paqja në këtë jetë të vdekshme vjen nga flijimi i Tij shlyes. Kur ne lutemi vazhdimisht në mëngjes dhe natën, kur i studiojmë shkrimet tona të shenjta çdo ditë, kemi mbrëmje familjare të përjavshme dhe e frekuentojmë tempullin rregullisht, ne po i përgjigjemi në mënyrë aktive ftesës së Tij për të “ardhur tek Ai”. Sa më shumë që i zhvillojmë këto zakone, aq më në ankth është Satani për të na dëmtuar, por aq më e paktë është aftësia e tij për ta bërë këtë. Nëpërmjet përdorimit të këtyre mjeteve, ne ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes për t’i pranuar dhuratat e plota të flijimit të Tij shlyes.
Nuk po sugjeroj se të gjitha vështirësitë e jetës do të zhduken kur i bëni këto gjëra. Ne erdhëm në jetën në vdekshmëri pikërisht për t’u rritur nëpërmjet sprovave dhe vënies në provë. Sfidat na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Ati ynë në Qiell dhe Shlyerja e Jezu Krishtit e bën të mundur që t’i durojmë ato sfida.10 Unë dëshmoj se, kur vijmë në mënyrë aktive tek Ai, ne mund të durojmë çdo tundim, çdo lëndim, çdo sfidë që hasim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.