2015
Mbi të Qenit të Vërtetë
Maj 2015


Mbi të Qenit të Vërtetë

Unë lutem që ne do t’i bëjmë ballë tundimit për ta tërhequr vëmendjen te vetja jonë dhe, në vend të kësaj, të përpiqemi për një nder shumë më të madh: të bëhemi dishepuj të përulur, të vërtetë të Jezu Krishtit.

Nga fundi i shekullit të 18-të, Katerina e Madhe e Rusisë lajmëroi se do të vizitonte pjesën jugore të perandorisë së saj, e shoqëruar nga disa ambasadorë të huaj. Guvernatori i zonës, Grigori Potjomkini, dëshironte patjetër t’iu bënte përshtypje këtyre vizitorëve. Dhe kështu ai ndërmori përpjekje mbresëlënëse për t’i vënë në dukje arritjet e vendit.

Për një pjesë të udhëtimit, Katerina lundroi nëpër lumin Dniepër, duke u treguar me krenari ambasadorëve fshatrat e vegjël plot gjallëri përgjatë bregut, të mbushur me banorë punëtorë dhe të lumtur. Pati vetëm një problem: ishte e gjitha sa për t’u dukur. Thuhet se Potjomkini kishte vendosur fasada kompensate për dyqanet dhe shtëpitë. Ai kishte vendosur edhe fshatarë që dukeshin të zënë me punë, që të krijonte përshtypjen e një ekonomie të begatë. Pasi grupi zhdukej përreth kthesës së lumit, njerëzit e Potjomkinit e merrnin fshatin e rremë dhe me të shpejtë zbritnin poshtë lumit në përgatitje për kalimin tjetër të Katerinës.

Edhe pse historianët bashkëkohorë e kanë vënë në dyshim vërtetësinë e kësaj historie, termi “fshat Potjomkini” ka hyrë në fjalorin botëror. Ai term tani i drejtohet cilësdo përpjekjeje për t’i bërë të tjerët të besojnë se ne jemi më të mirë nga ç’jemi në të vërtetë.

A Janë Zemrat Tona në Vendin e Duhur?

Është pjesë e natyrës njerëzore që të dëshirojmë të dukemi më të mirën që mundemi. Është arsyeja përse shumë prej nesh punojnë kaq shumë për pamjen e jashtme të shtëpive tona dhe përse vëllezërit tanë të rinj të Priftërisë Aarone sigurohen që çdo fije floku është në vendin e duhur, thjesht në rast se takohen me një njeri të veçantë. S’ka asgjë të gabuar lidhur me lustrimin e këpucëve tona, mbajtjen e aromës më të mirë apo madje fshehjen e pjatave të ndotura përpara se të mbërrijnë mësuesit e shtëpisë. Megjithatë, kur bëhet e skajshme, kjo dëshirë për të bërë përshtypje mund të ndryshojë nga e dobishme në mashtruese.

Profetët e Zotit gjithmonë e kanë ngritur një zë paralajmërues kundër atyre që i “afrohe[n Zotit] vetëm me gojën dhe [e] ndero[jnë Atë] me buzët e [tyre], ndërsa zemra e [tyre] … rri larg [Atij]”1.

Shpëtimtari ishte i duruar dhe i dhembshur me mëkatarët, zemrat e të cilëve ishin të përulura dhe të sinqerta. Por Ai u ngrit me zemërim të drejtë kundër hipokritëve si skribët, farisenjtë dhe saducenjtë – atyre që u përpoqën të shfaqeshin të drejtë me qëllim që të fitonin lavdërim, ndikim dhe pasuri prej botës, e gjitha kjo ndërkohë që i shtypnin njerëzit, të cilët duhej të kishin qenë duke i bekuar. Shpëtimtari i krahasoi ata me “varre të zbardhuara, që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish”2.

Në kohën tonë, Zoti ka fjalë po aq të forta për mbajtësit e priftërisë që përpiqen “t’i mbuloj[në] mëkatet [e tyre] ose të kënaqi[n] krenarinë [e tyre ose] ambicien [e tyre] të kotë”. Kur ata e bëjnë këtë, Ai tha: “Qiejt tërhiqen; Shpirti i Zotit hidhërohet; dhe kur ai tërhiqet, Amen priftërisë ose autoritetit të atij njeriu”3.

Përse ndodh kjo? Përse nganjëherë përpiqemi të dukemi aktivë, të begatë dhe të përkushtuar në anën e jashtme, kur në brendësi – sikurse u tha Zbuluesi efesianëve – ne e kemi lënë “dashurinë [tonë] të parë”?4

Në disa raste, ne thjesht mund ta kemi humbur përqendrimin tonë te thelbi i ungjillit, duke e ngatërruar “formë[n e] shenjtëri[së]” me “fuqinë e saj”5. Kjo është veçanërisht e rrezikshme kur ne i drejtojmë shprehjet tona të jashtme të dishepullimit për t’u bërë përshtypje të tjerëve për fitim ose ndikim vetjak. Është pikërisht atëherë që ne jemi në rrezik të hyjmë në territorin e farisenjve dhe është pikërisht koha për ta shqyrtuar zemrën tonë që të bëjmë menjëherë korrigjimet e drejtimit.

Programet Potjomkine

Ky tundim për t’u dukur më të mirë se ç’jemi, nuk gjendet vetëm në jetën tonë personale, por mund të gjendet edhe në detyrat tona në Kishë.

Për shembull, di për një kunj ku udhëheqësit caktuan disa synime ambicioze për vitin. Ndërsa të gjitha synimet u dukën të dobishme, ato u përqendruan ose në shpallje krenare e mbresëlënëse, ose në numra e përqindje.

Pasi këto synime ishin diskutuar dhe për to ishte rënë dakord, diçka filloi ta shqetësonte presidentin e kunjit. Ai mendoi rreth anëtarëve të kunjit të tij – si nëna e re me fëmijë të vegjël, e cila kohët e fundit kishte ngelur vejushë. Ai mendoi rreth anëtarëve që po ndesheshin me dyshime ose vetmi, apo me gjendje të rënda shëndetësore dhe nuk kishin sigurim mjekësor. Ai mendoi rreth anëtarëve që po përballeshin me martesa të prishura, varësitë, papunësinë dhe sëmundje mendore. Dhe sa më shumë që mendonte rreth tyre, aq më shumë i bëri vetes një pyetje përulësuese: a do të sillnin ndonjë ndryshim synimet tona të reja në jetën e këtyre anëtarëve?

Ai filloi të pyeste veten se si synimet e kunjit të tyre mund të kishin qenë të ndryshme, në qoftë se ata do të kishin pyetur fillimisht: “Cila është shërbesa jonë?”

Prandaj ky president kunji foli sërish me këshilltarët e tij dhe së bashku ata e ndryshuan përqendrimin e tyre. Ata morën vendim se nuk do t’i lejonin të “urituri[t], … nevojtar[ët], … [të] zhveshuri[t], … [të] sëmur[ët] dhe fatkeq[ët t’iu] kalo[nin atyre] pranë, dhe [të mos] i vini[n] re”6.

Ata caktuan synime të reja, duke e ditur se suksesi me këto synime të reja nuk mund të matej gjithmonë, të paktën jo nga njeriu – sepse si mund ta matë një njeri dëshminë vetjake, dashurinë për Perëndinë ose dhembshurinë për të tjerët?

Por ata gjithashtu e dinin se “shumë prej gjërave që mund t’i numëroni, nuk kanë vlerë. Shumë prej gjërave që nuk mund t’i numëroni, me të vërtetë kanë vlerë.”7

Pyes veten nëse synimet tona si organizatë dhe si individë nganjëherë janë barasvlerës bashkëkohorë të një fshati Potjomkini. A duken ato se lënë përshtypje nga një largësi, por dështojnë t’iu drejtohen nevojave të vërteta të bashkënjerëzve tanë të dashur?

Miqtë e mi të dashur dhe bashkëmbajtës të priftërisë, nëse Jezu Krishti do të ulej me ne dhe do të kërkonte një llogari për kujdestarinë tonë, unë nuk jam i sigurt se Ai do të përqendrohej shumë te programet dhe statistikat. Ajo që Shpëtimtari do të donte të dinte, është gjendja e zemrës sonë. Ai do të donte të dinte se si i duam njerëzit nën përkujdesjen tonë dhe se si u shërbejmë atyre, se si e duam bashkëshorten e familjen tonë dhe se si e lehtësojmë barrën e tyre të përditshme. Dhe Shpëtimtari do të donte të dinte se si ju dhe unë i afrohemi më pranë Atij dhe Atit tonë Qiellor.

Përse Jemi Këtu?

Mund të jetë dobiprurëse ta hetojmë vetë zemrën tonë. Për shembull, ne mund ta pyetim veten, përse shërbejmë në Kishën e Jezu Krishtit?

Madje mund të pyetim, përse jemi këtu në këtë mbledhje sot?

Hamendësoj që, nëse do t’i përgjigjesha asaj pyetjeje në një nivel sipërfaqësor, mund të thoja se jam këtu ngaqë Presidenti Monson më caktoi të flas.

Kështu, në të vërtetë, s’kisha rrugë tjetër.

Përveç kësaj, gruaja ime, të cilën e dua shumë, pret që unë të jem këtu. E si mund t’i them jo asaj?

Por ne të gjithë e dimë se ka arsye më të mira për frekuentimin e mbledhjeve tona dhe për të jetuarit e jetës sonë si dishepuj të zotuar të Jezu Krishtit.

Jam këtu, sepse dëshiroj me gjithë zemrën time që ta ndjek Mësuesin tim, Jezu Krishtin. Kam etje që të bëj gjithçka që Ai ma kërkon në këtë kauzë të madhërishme. Kam uri që të lartësohem nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë dhe ta dëgjoj zërin e Perëndisë, ndërkohë që Ai flet nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të shuguruar. Jam këtu që të bëhem një njeri më i mirë, të lartësohem moralisht nga shembujt frymëzues të vëllezërve e motrave të mia në Krishtin dhe të mësoj se si t’u ofroj shërbesë në mënyrë më të efektshme njerëzve nevojtarë.

Shkurtimisht, jam këtu ngaqë i dua Atin tim Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Jam i sigurt që kjo është arsyeja juaj gjithashtu. Kjo është arsyeja përse jemi të gatshëm të bëjmë sakrifica dhe jo thjesht shpallje për ta ndjekur Shpëtimtarin. Kjo është arsyeja përse e mbajmë me nder priftërinë e Tij të shenjtë.

Nga Shkëndija te Zjarri Bubulak

Qoftë nëse dëshmia juaj është e fuqishme dhe e shëndetshme, ose veprimtaria juaj në Kishë i ngjan më shumë një fshati Potjomkini, lajmi i mirë është që ju mund të ndërtoni mbi çfarëdo force që keni. Këtu në Kishën e Jezu Krishtit ju mund të piqeni shpirtërisht dhe të afroheni më pranë Shpëtimtarit duke i vënë në jetë parimet e ungjillit ditë për ditë.

Me durim e këmbëngulje, edhe veprimi më i vogël i dishepullimit ose thëngjilli më i imtë i besimit mund të bëhen një zjarr bubulak plot shkëlqim i një jete të përkushtuar. Në fakt, ajo është mënyra se si shumica e zjarreve bubulakë fillojnë – nga një shkëndijë e vetme.

Prandaj nëse ndiheni të vegjël dhe të dobët, ju lutem thjesht ejani te Krishti, i cili i bën gjërat e dobëta të forta.8 Më i dobëti mes jush, nëpërmjet hirit të Perëndisë, mund të bëhet i fortë shpirtërisht, sepse Perëndia “nuk tregohet i anshëm”9. Ai është “Perëndia [ynë] besnik që [e] respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i [mëshirshëm] … ndaj atyre që e duan dhe që [i] zbatojnë urdhërimet e tij”10.

Është bindja ime se, nëse Perëndia mund të afrohet e ta mbështetë një refugjat të varfër gjerman, nga një familje e thjeshtë, në një vend të rrënuar nga lufta, në anën tjetër të botës prej zyrave qendrore të Kishës, atëherë Ai mund t’ju afrohet juve.

Vëllezërit e mi të dashur në Krishtin, Perëndia i Krijimit, i cili i dha jetë universit, sigurisht që e ka fuqinë për t’ju dhënë jetë juve. Sigurisht Ai mund t’ju bëjë juve qenien e vërtetë shpirtërore të dritës dhe së vërtetës që ju dëshironi të jini.

Premtimet e Perëndisë janë të sigurta dhe të padyshueshme. Ne mund të falemi për mëkatet tona dhe të pastrohemi nga e gjithë padrejtësia.11 Dhe nëse vazhdojmë t’i përqafojmë dhe t’i jetojmë parimet e vërteta në rrethanat tona vetjake dhe në familjet tona, ne do të arrijmë më së fundi te një pikë ku nuk do të kemi “më uri, as nuk do të ke[mi] etje. … Sepse Qengji, që është në mes të fronit, do [të na] kullosë dhe do [të na] çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë [tanë].”12

Kisha Është një Vend Shërimi, Jo Fshehjeje

Por kjo nuk mund të ndodhë nëse fshihemi prapa fasadave vetjake, dogmatike ose organizative. Të qenit dishepuj të tij të shtirur jo vetëm që na mban larg nga të shikuarit e vetes sonë ashtu si jemi në të vërtetë, por edhe na pengon nga të ndryshuarit me të vërtetë nëpërmjet mrekullisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Kisha nuk është një ekspozitë automobilash – një vend ku ta vendosim veten tonë për t’u parë, me qëllim që të tjerët të admirojnë shpirtshmërinë, aftësinë ose begatinë tonë. Ajo është më shumë si një qendër shërbimi, ku makinat që kanë nevojë për riparim, vijnë për mirëmbajtje dhe riaftësim.

Dhe a nuk kemi ne, të gjithë ne, nevojë për riparim, mirëmbajtje dhe riaftësim?

Ne nuk vijmë në kishë që t’i fshehim problemet tona, por që t’i shërojmë ato.

Dhe si mbajtës të priftërisë, ne kemi një përgjegjësi shtesë – ta “rua[jmë] tufën e Perëndisë … , duke e mbikqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim [vetjak] të pandershëm, po me vullnet të mirë, dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar [nga Perëndia], por duke u bërë shembu[j] për tufën”13.

Mbani mend, vëllezër, “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve”14.

Burri më i madhërishëm, më i zotë, më i përmbushur që eci ndonjëherë mbi këtë tokë, ishte edhe më i përuluri. Ai i kreu disa prej shërbimeve të Tij më mbresëlënëse në çaste të fshehta, me vetëm pak vëzhgues, të cilëve Ai u kërkoi “të mos i thonin kurrkujt” se çfarë kishte bërë.15 Kur dikush e quajti “i mirë”, Ai i dredhoi me të shpejtë përgëzimit, duke ngulur këmbë se vetëm Perëndia ishte me të vërtetë i mirë.16 Në mënyrë të qartë, lavdërimi prej botës nuk kishte vlerë për Të; qëllimi i Tij i vetëm ishte t’i shërbente Atit të Tij dhe të “bë[nte] vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [Atij]”17. Ne do të bënim mirë që ta ndiqnim shembullin e Mësuesit tonë.

Paçim Dashuri Sikurse Pati Ai

Vëllezër, kjo është thirrja jonë e lartë dhe e shenjtë – të jemi veprues për Jezu Krishtin, të duam ashtu siç deshi Ai, të shërbejmë ashtu siç shërbeu Ai, të “ndihmo[jmë] të dobëtit, ngr[emë] duart që varen poshtë dhe forco[jmë] gjunjët e këputur”18, të “kujdese[mi] për të varfërit e nevojtarët”19 dhe të kujdesemi për të vejat dhe jetimët.20

Unë lutem, vëllezër, që, teksa shërbejmë në familjet, kuorumet, lagjet, kunjet, komunitetet dhe kombet tona, ne do t’i bëjmë ballë tundimit për ta tërhequr vëmendjen te vetja jonë dhe, në vend të kësaj, të përpiqemi për një nder shumë më të madh: të bëhemi dishepujt të përulur, të vërtetë të Zotit e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Kur e bëjmë këtë, ne vërtet do ta gjejmë vetveten duke ecur në shtegun që na çon drejt vetes sonë më të mirë, më të vërtetë dhe më fisnike. Për këtë unë dëshmoj në emrin e Mësuesit tonë, Jezu Krishtit, amen.