M. Xhozef Brof
Këshilltar i Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rinjve
Gjatë tri viteve që M. Xhozef Brofi shërbeu si president i Misionit Qendror të Qytetit të Guatemalës në Guatemala (nga viti 2011 deri në vitin 2014), ai i humbi si babanë e tij ashtu edhe vjehrrin e tij.
Edhe pse gruaja e tij mund të ishte kthyer në Shtetet e Bashkuara për ceremonitë e varrimit, çifti vendosi në të dy rastet që ajo duhej të qëndronte në Guatemala dhe të vazhdonte me punën e tyre misionare. “Ne e dinim se ishte më mirë të qëndronim dhe të punonim sa më mirë që mundeshim”, tha Vëllai Brof, i thirrur më 4 prill 2015 si këshilltar i dytë në presidencën e përgjithshme të Të Rinjve. “Ajo ishte pikërisht gjëja që babai i saj dhe babai im do të prisnin që ne të bënim.”
Vëllai Brof u lind në Solt-Lejk-Siti të Jutas më 11 dhjetor 1963, nga Monti J. dhe Ada B. Brof. Ai e kaloi rininë e tij në Farmington të Jutas dhe në Robertson të Uajomit. Familja lëvizi në Minesota kur babai i Xhozefit, i cili më vonë do të shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, u thirr si president misioni. Xhozefi ishte një student në vitin e fundit të shkollës së mesme kur babai i tij e përmbushi shërbimin e tij si president misioni. Në vend që të kthehej në shkollën e mesme, Xhozefi e kaloi provimin e barasvlerësimit të shkollës së mesme dhe shkoi drejtpërsëdrejti në Universitetin Shtetëror Ueber në Ogden të Jutas.
Prindërit e tij, megjithatë, këmbëngulën që ai të diplomohej nga seminari me një certifikatë katërvjeçare. Ishte ndërkohë që frekuentonte seminarin në Shkollën e Mesme Dejvis, që ai takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, Emili Xhejn Tomsonin. Ata u martuan më 25 prill 1985 në Tempullin e Solt-Lejkut; janë prindërit e katër fëmijëve.
Përpara se çifti të martohej, Vëllai Brof shërbeu si misionar në Misionin e Kesaltenangos në Guatemala. Presidenti i tij i misionit, Horhe H. Peres, u bë një “burrë shumë ndikues në jetën time”, tha ai.
Krijuesi dhe pronari i Rotational Molding të Jutas, ai mori një diplomë universitare në financë dhe një diplomë masteri në administrim biznesi nga Universiteti i Jutas. Në Kishë ai ka shërbyer si peshkop, president i Të Rinjve të lagjes dhe këshilltar i lartë.