2015
Mbrojtëse të Proklamatës së Familjes
Maj 2015


Mbrojtëse të Proklamatës së Familjes

Le të ndihmojmë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë duke u ngritur në këmbë me guxim dhe duke u bërë mbrojtëse të martesës, prindërimit dhe të shtëpisë.

Çfarë privilegji dhe gëzimi të jesh pjesë e kësaj asambleje të mrekullueshme vajzash dhe grash. Sa të bekuara jemi ne si gra që mblidhemi së bashku këtë mbrëmje në unitet dhe dashuri.

Old portrait of Marie Madeleine Cardon

Së fundi lexova historinë e Marie Medëllejn Kardonit, e cila, bashkë me familjen e saj, e mori mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit nga misionarët e parë të thirrur për të shërbyer në Itali në 1850-ën. Ajo ishte një e re në moshën 17 ose 18-vjeçare kur ata u pagëzuan. Një të diel, ndërsa e gjithë familja po mbante një shërbesë adhurimi në shtëpinë e tyre, lart në alpet e Italisë veriore, një turmë e inatosur burrash, duke përfshirë disa nga shërbestarët vendas, u mblodh rreth shtëpisë dhe filloi të bërtiste, ulërinte e thërriste që misionarët të nxirreshin jashtë. Nuk mendoj se ishin thjesht të paduruar që t’u mësohej ungjilli – ata kishin si qëllim t’i lëndonin fizikisht. Ishte e reja Marie, e cila doli jashtë shtëpisë për t’u përballur me turmën.

Ata vazhduan me ulërimat e egra dhe me kërkesat e tyre që misionarët të nxirreshin jashtë. Maria ngriti lart Biblën në dorën e saj dhe i urdhëroi ata të largoheshin. Ajo u tha atyre se pleqtë ishin nën mbrojtjen e saj dhe që ata nuk mund t’u dëmtonin asnjë fije floku të kokës së tyre. Dëgjojini vetë fjalët e saj: “Të gjithë u shtangën. … Perëndia ishte me mua. Ai i vuri ato fjalë në gojën time, përndryshe unë nuk do të mund t’i kisha folur ato. Gjithçka u qetësua, menjëherë. Ai grup i fortë dhe i egër burrash qëndroi i pafuqishëm përballë një vajze të dobët, që po dridhej, por prapë të patrembur.” Shërbestarët i kërkuan turmës të largohej, gjë që ata e bënë heshturazi me turp, frikë, dhe keqardhje. Tufa e vogël e përfundoi mbledhjen e saj në paqe.1

A mund ta përfytyroni atë të re të guximshme, moshatare me shumë prej jush, duke qëndruar përpara një turme dhe duke i mbrojtur bindjet e saj të sapogjetura me guxim dhe vendosmëri?

Motra, pak prej nesh do të duhet të përballen ndonjëherë me një turmë të inatosur, por ka një luftë e cila po zhvillohet në këtë botë, në të cilën doktrinat tona më të dashura dhe themelore janë nën sulm. Po flas veçanërisht për doktrinën e familjes. Shenjtëria e shtëpisë dhe qëllimi thelbësor i familjes po vihen në dyshim, kritikohen dhe sulmohen në çdo front.

Kur Presidenti Gordon B. Hinkli lexoi për herë të parë shpalljen “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, 20 vjet më parë, ne ishim mirënjohëse dhe e vlerësuam qartësinë, thjeshtësinë dhe të vërtetat e këtij dokumenti të frymëzuar nga zbuluesa. Pak e kuptonim në atë kohë se sa dëshpërimisht do të na nevojiteshin këto deklarata bazë në botën e sotme si kriteri mbi të cilin ne mund të gjykonim çdo erë të re të dogmave të botës që vijnë te ne nga media, interneti, dijetarët, televizioni e filmat dhe madje ligjvënësit. Proklamata mbi familjen është bërë standardi ynë për gjykimin e filozofive të botës dhe unë dëshmoj se parimet e parashtruara në këtë deklaratë janë po aq të vërteta sot saç ishin kur na u dhanë nga një profet i Perëndisë afro 20 vjet më parë.

A mund të nxjerr në pah diçka të dukshme? Jeta rrallëherë shkon pikërisht sipas planit për cilindo dhe ne jemi shumë të vetëdijshme që jo të gjitha gratë po përjetojnë atë që proklamata përshkruan. Është prapëseprapë e rëndësishme që ta kuptojmë dhe japim mësim modelin e Zotit dhe të mundohemi për përmbushjen e atij modeli sa më mirë të mundemi.

Secila prej nesh ka një rol për të luajtur në plan dhe secila prej nesh vlerësohet njësoj në sytë e Zotit. Ne duhet të kujtojmë që një Atë i dashur Qiellor është në dijeni të dëshirave tona të drejta dhe Ai do t’i nderojë premtimet e Tij se asgjë nuk do t’u kursehet atyre që i mbajnë besëlidhjet e tyre me besnikëri. Ati Qiellor ka një mision dhe plan për secilën prej nesh, por Ai gjithashtu ka një kohë të Vetën. Një nga sfidat më të vështira në këtë jetë është të kemi besim në kohën e Zotit. Është një ide e mirë të kemi një plan rezervë në mendje, i cili na ndihmon të jemi mbajtëse të besëlidhjes, mirëbërëse dhe gra të drejta që e ndërtojnë mbretërinë e Perëndisë pavarësisht drejtimit që merr jeta jonë. Ne duhet t’u mësojnë bijave tona të synojnë për idealen, por të planifikojnë për të papriturat.

Gjatë këtij 20-vjetori të proklamatës mbi familjen, do të doja të hidhja një sfidë për të gjitha ne si gra të Kishës, që të jemi mbrojtëse të shpalljes “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Ashtu sikurse Marie Medëllejn Kardoni i mbrojti me guxim misionarët dhe bindjet e saj të sapogjetura, ne duhet t’i mbrojmë me guxim doktrinat e zbuluara nga Zoti që përshkruajnë martesën, familjen, rolet hyjnore të burrave e grave dhe rëndësinë e shtëpive si vende të shenjta – madje edhe kur bota bërtet në veshët tanë se këto parime janë të vjetruara, kufizuese dhe nuk kanë më rëndësi. Çdonjëra, pavarësisht nga rrethana e saj martesore apo numri i fëmijëve, mund të jetë mbrojtëse e planit të Zotit të përshkruar në proklamatën mbi familjen. Nëse është plani i Zotit, ai duhet të jetë edhe plani ynë!

Ka tri parime të dhëna mësim në proklamatë, të cilët unë mendoj se kanë nevojë veçanërisht për mbrojtëse të palëkundura. I pari është martesa midis një burri dhe një gruaje. Në shkrimet e shenjta na mësohet: “Gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin”2. Në mënyrë që çdokush të arrijë plotësinë e bekimeve të priftërisë, duhet të ketë një burrë dhe një grua të vulosur në shtëpinë e Zotit, të cilët punojnë së bashku në drejtësi dhe qëndrojnë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre. Ky është plani i Zotit për fëmijët e Tij dhe asnjë masë diskutimi apo kritike publike nuk do ta ndryshojë atë që Zoti ka shpallur. Ne duhet të vazhdojmë të jemi shembuj të martesave të drejta, ta kërkojmë atë bekim në jetën tonë dhe të kemi besim nëse ai vonon së ardhuri. Le të jemi mbrojtëse të martesës ashtu si Zoti e ka shuguruar atë, ndërsa vazhdojmë të tregojmë dashuri dhe dhembshuri për ata me pikëpamje të ndryshme.

Parimi tjetër që u bën thirrje zërave tanë mbrojtës, është lartësimi i roleve hyjnorë të nënave dhe etërve. Ne plot dëshirë i mësojmë fëmijët tanë të synojnë lart në këtë jetë. Ne duam të sigurohemi që bijat tona të dinë se ato kanë potencialin për të arritur dhe për të qenë cilado që ato mund të përfytyrojnë. Ne shpresojmë që ato do ta duan të mësuarin, do jenë të shkolluara, të talentuara dhe madje të bëhen Mari Kyria ose Eliza R. Snou e ardhshme.

A u mësojmë gjithashtu bijve dhe bijave tona që nuk ka nder më të madh, tituj më të lartësuar dhe role më të rëndësishme në këtë jetë sesa ai i nënës dhe atit? Do të shpresoja që, teksa i nxitim fëmijët tanë që të arrijnë më të mirën në këtë jetë, t’u mësojmë atyre gjithashtu t’i nderojnë dhe ekzaltojnë rolet që nënat dhe etërit luajnë në planin e Atit tonë Qiellor.

Vajza jonë më e vogël, Abi, pa një mundësi të rrallë për të qëndruar si një mbrojtëse e rolit të nënës. Një ditë ajo mori një njoftim nga shkolla e fëmijëve të saj që aty do të bënin paraqitje për Ditën e Karrierës. Prindërit u ftuan të dërgonin një kërkesë nëse ata donin të vinin në shkollë për t’iu mësuar fëmijëve rreth punës të tyre dhe Abi ndjeu përshtypjen se duhet të bënte kërkesë që të vinte e të fliste rreth mëmësisë. Ajo nuk mori përgjigje nga shkolla dhe, kur Dita e Karrierës po afrohej, ajo më në fund i telefonoi shkollës, duke menduar që ata mund ta kishin humbur kërkesën e saj. Organizuesit kërkuan me nxitim dhe gjetën dy mësues që ranë dakord që Abi të shkonte për të folur në klasat e tyre nga fundi i Ditës së Karrierës.

Në paraqitjen e saj shumë argëtuese për fëmijët, ndër të tjera, Abi u mësoi atyre që si një nënë ajo duhej të ishte një lloj mjeshtre mjekësie, psikologjie, feje, mësimdhënieje, muzike, letërsie, arti, finance, zbukurimi, floktarie, e të ngarit të makinës, sportesh, e arteve të kuzhinës dhe shumë më tepër. Fëmijëve u bëri përshtypje. Ajo përfundoi duke e bërë secilin prej fëmijëve të kujtonte nënën e vet duke i shkruar një pusullë falenderimi që shprehte mirënjohje për aktet e shumta të dashura të shërbimit që ai/ajo merrte çdo ditë. Abi ndjeu se fëmijët i panë nënat e tyre nga një pikëpamje krejt e re dhe se të qenit nënë apo atë ishte diçka me vlerë të madhe. Ajo bëri kërkesë që të fliste sërish këtë vit dhe u ftua të bënte paraqitje në gjashtë klasa.

Sister Oscarson's daughter, Abby,  holding a portrait of her children

Abi ka thënë këtë rreth përvojës së saj: “Ndihem sikur mund të ishte e lehtë në këtë botë për një fëmijë që të kuptonte se të qenit prind ishte një punë dytësore apo edhe një shqetësim i nevojshëm. Unë dua që çdo fëmijë të ndiejë se ata janë përparësia më e rëndësishme për prindërit e tyre dhe, mbase duke u thënë atyre se sa e rëndësishme është për mua të qenit prind, do t’i ndihmojë ata për të kuptuar gjithçka që prindërit e tyre bëjnë për ta dhe përse e bëjnë atë”.

Profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson, është një shembull i mrekullueshëm i nderimit të grave dhe të mëmësisë, veçanërisht të vetë nënës së tij. Në lidhje me nënat tona tokësore, ai ka thënë: “Le ta ruajë si thesar secili prej nesh këtë të vërtetë; një njeri nuk mund ta harrojë nënën dhe të kujtojë Perëndinë. Një njeri nuk mund ta kujtojë nënën dhe të harrojë Perëndinë. Përse? Sepse këta dy persona të shenjtë, Perëndia dhe nëna [jonë tokësore], ortakë në krijim, në dashuri, në sakrificë, në shërbim, janë si një e vetme.”3

Parimi i fundit për të cilin duhet të ngrihemi dhe ta mbrojmë është shenjtëria e shtëpisë. Ne duhet ta marrim një term i cili ndonjëherë përflitet dhe ta lartësojmë atë. Është termi familjar. Të gjithë ne – gra, burra, të rinj dhe fëmijë, beqarë apo të martuar – mund të punojmë me të qenit familjarë. Ne duhet t’i “bëjmë shtëpitë tona” vende rregulli, strehimi, shenjtërie dhe sigurie. Shtëpitë tona duhet të jenë vende ku Shpirti i Zotit ndjehet me bollëk të dendur edhe ku shkrimet dhe ungjilli studiohen, jepen mësim dhe jetohen. Çfarë ndryshimi do të bënte në botë nëse të gjithë njerëzit do ta shihnin vetveten si bërës të shtëpive të drejta. Le ta mbrojmë shtëpinë si një vend i cili është i dyti për shenjtëri pas tempullit.

Motra, unë jam mirënjohëse që jam një grua në këto ditë të mëvonshme. Ne kemi shanse dhe mundësi të cilat nuk i ka pasur asnjë brez tjetër grash në botë. Le të ndihmojmë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë duke u ngritur në këmbë me guxim dhe duke u bërë mbrojtëse të martesës, prindërimit dhe të shtëpisë. Zoti do që ne të jemi luftëtare trimëresha, të patundura dhe të palëvizshme, të cilat do ta mbrojnë planin e Tij dhe do t’ua japin mësim të vërtetat e Tij brezave të ardhshëm.

Unë jap dëshmi se Ati Qiellor jeton dhe e do secilën prej nesh. Biri i Tij, Jezu Krishti, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. E lë këtë dëshmi me ju në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Marie Madeline Cardon Guild, “Marie Madeline Cardon Guild: An Autobiography,” cardonfamilies.org/Histories/MarieMadelineCardonGuild.html; shih edhe Marie C. Guild autobiography, circa 1909, Church History Library, Salt Lake City, Utah.

  2. 1 Korintasve 11:11.

  3. Thomas S. Monson, “Behold Thy Mother”, Ensign, janar 1974, f. 32.