2015
Bekimet e Tempullit
Maj 2015


Bekimet e Tempullit

Teksa e frekuentojmë tempullin, mund të na vijë një përmasë shpirtshmërie dhe një ndjenjë paqeje.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa mirënjohës jam që të jem me ju në këtë mëngjes të bukur Pashke, kur mendimet tona kthehen te Shpëtimtari i botës. I shpreh dashurinë time dhe përshëndetjet e mia secilit prej jush dhe lutem që Ati ynë Qiellor do t’i frymëzojë fjalët e mia.

Kjo konferencë shënon shtatë vjet që kur u mbështeta si President i Kishës. Ato kanë qenë vite plot punë, të mbushura jo vetëm me disa sfida, por edhe me bekime të panumërta. Mes këtyre bekimeve më të gëzueshme dhe më të shenjta ka qenë mundësia ime për të përkushtuar e ripërkushtuar tempuj.

Në kohën më të fundit, nëntorin e kaluar, ishte privilegji im që të përkushtoja tempullin e bukur, të ri të Feniksit në Arizonë. Me mua ishin Presidenti Diter F. Uhtdorf, Plaku Dallin H. Ouks, Plaku Riçard J. Meins, Plaku Lin G. Robins dhe Plaku Kent F. Riçards. Në mbrëmjen përpara përkushtimit, u mbajt një festim kulturor i mrekullueshëm, ku më shumë se 4.000 prej të rinjve tanë nga distrikti i tempullit dhanë një shfaqje kaq bukur. Ditën pasuese tempulli u përkushtua në tri sesione të shenjta dhe frymëzuese.

Ndërtimi i tempujve është një tregues shumë i qartë i rritjes së Kishës. Tashmë ne kemi 144 tempuj në funksionim anembanë botës, me 5 prej tyre duke u rinovuar dhe 13 të tjerë në ndërtim e sipër. Përveç këtyre, 13 tempuj që u njoftuan më parë, janë në faza të ndryshme të përgatitjes përpara se të fillojë ndërtimi. Sivjet ne presim të ripërkushtojmë 2 tempuj dhe të përkushtojmë 5 tempuj të rinj që janë planifikuar të përfundohen.

Për dy vitet që kaluan, teksa i kemi përqendruar përpjekjet tona te përfundimi i tempujve të njoftuar më parë, ne i kemi mbajtur pezull planet për ndonjë tempull shtesë. Këtë mëngjes, megjithatë, jam shumë i lumtur të njoftoj tre tempuj të rinj, të cilët do të ndërtohen në vendet vijuese: Abixhan, Bregu i Fildishtë; Port-o-Prens, Haiti dhe Bangkok, Tajlandë. Ç’bekime të mrekullueshme janë ruajtur për anëtarët tanë besnikë në këto zona dhe, me të vërtetë, kudo që tempujt vendosen anembanë botës.

Procesi i përcaktimit të nevojave dhe i gjetjes së vendndodhjeve për tempuj të tjerë është i vazhdueshëm, sepse ne dëshirojmë që sa më shumë anëtarë që të jetë e mundur, të kenë mundësi për ta frekuentuar tempullin pa sakrifica të mëdha të kohës dhe të burimeve financiare. Sikurse e kemi bërë në të shkuarën, ne do të vazhdojmë t’ju njoftojmë ndërkohë që vendimet merren lidhur me këtë.

Teksa mendoj për tempujt, mendimet e mia kthehen te bekimet e shumta që i marrim brenda në tempull. Teksa hyjmë përmes dyerve të tempullit, ne lëmë pas shpërqendrimet dhe pështjellimin e botës. Brenda kësaj shenjtëroreje të shenjtë, ne gjejmë bukuri dhe rregull. Gjendet prehje për shpirtrat tanë dhe një pushim prej halleve të jetës sonë.

Teksa e frekuentojmë tempullin, mund të na vijë një përmasë shpirtshmërie dhe një ndjenjë paqeje, që do ta kapërcejnë çdo ndjenjë tjetër, e cila mund të lindë brenda zemrës njerëzore. Ne do ta rrokim mirë domethënien e vërtetë të fjalëve të Shpëtimtarit, kur Ai tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: … zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”1.

Një paqe e tillë mund ta përshkojë cilëndo zemër – zemrat që janë të shqetësuara, zemrat që janë të rënduara me hidhërim, zemrat që ndiejnë pështjellim, zemrat që përgjërohen për ndihmë.

Kohët e fundit mësova drejtpërsëdrejti për një të ri që e frekuentoi tempullin me një zemër që përgjërohej për ndihmë. Shumë muaj më parë ai kishte marrë thirrjen e tij që të shërbente në një mision në Afrikën e Jugut. Megjithatë, viza e tij ishte vonuar për një periudhë kaq të gjatë saqë ai u ricaktua në një mision në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse i zhgënjyer që nuk mund të shërbente në zonën e thirrjes së tij fillestare, ai, sidoqoftë, punoi shumë në detyrën e tij të re, i vendosur që të shërbente në shkallën më të lartë të aftësisë së tij. Ai e humbi kurajën, megjithatë, për shkak të përvojave negative që pati me misionarë të cilët, i dukej atij, ishin më të interesuar t’ia kalonin sa më mirë, në vend që të shpërndanin ungjillin.

Vetëm pak muaj më pas ky i ri vuajti nga një sfidë shumë e rëndë shëndetësore, që e la atë pjesërisht të paralizuar dhe, si rrjedhim, u dërgua në shtëpi me leje mjekësore.

Disa muaj më vonë, i riu ishte shëruar tërësisht dhe paraliza e tij ishte zhdukur. Atij iu njoftua se përsëri do të ishte në gjendje të shërbente si misionar, një bekim për të cilin ishte lutur çdo ditë. I vetmi lajm zhgënjyes ishte që ai duhej të kthehej në të njëjtin mision nga i cili ishte larguar, ku ai mendonte që sjelljet dhe qëndrimet e disa prej misionarëve ishin nën nivelin që duhej të ishin.

Kishte ardhur në tempull që të kërkonte ngushëllim dhe një pohim se ai mund të kishte një përvojë të mirë si misionar. Edhe prindërit e tij ishin lutur që kjo vizitë në tempull do ta siguronte ndihmën që i nevojitej birit të tyre.

Ndërsa i riu hyri në dhomën çelestiale pas sesionit, ai u ul në një karrige dhe filloi të lutej për udhërrëfim nga Ati i tij Qiellor.

Një tjetër që hyri në dhomën çelestiale pak më vonë, ishte një i ri i quajtur Landon. Ndërsa ecte nëpër dhomë, vështrimi i tij menjëherë u tërhoq tek i riu i ulur në karrige, me sy të mbyllur dhe qartazi duke u lutur. Landoni mori një nxitje të pagabueshme që duhej të fliste me të riun. Ngurroi që ta ndërpriste, prandaj vendosi të priste. Pasi kishin kaluar disa minuta, i riu ende po lutej. Landoni e dinte se nuk mund ta shtynte më tej nxitjen. Iu afrua të riut dhe me butësi e preku në sup. I riu i hapi sytë, i befasuar që e kishin shqetësuar. Landoni tha qetësisht: “Kam ndier mbresën që kam nevojë të flas me ty, edhe pse nuk jam i sigurt përse”.

Teksa filluan të bisedonin, i riu ia hapi zemrën Landonit, duke i shpjeguar rrethanat e tij dhe duke e përfunduar me dëshirën e tij që të merrte njëfarë ngushëllimi dhe inkurajimi lidhur me misionin e tij. Landoni, i cili ishte kthyer nga një mision i suksesshëm veçse një vit më parë, i tregoi për përvojat e tij misionare, sfidat dhe shqetësimet që kishte hasur, mënyrën se si i ishte drejtuar Zotit për ndihmë dhe bekimet që ai kishte marrë. Fjalët e tij ishin ngushëlluese e siguruese dhe entuziazmi i tij për misionin ishte ngjitës. Më së fundi, teksa frika e të riut u shua, një ndjenjë paqeje e pushtoi atë. Ai ndjeu mirënjohje të thellë kur e kuptoi se lutja e tij kishte marrë përgjigje.

Të dy të rinjtë u lutën së bashku dhe më pas Landoni u përgatit të largohej, i gëzuar që ia kishte vënë veshin frymëzimit që i kishte ardhur atij. Kur u ngrit që të shkonte, i riu e pyeti Landonin: “Ku shërbeve në misionin tënd?” Deri në këtë çast, asnjëri prej tyre nuk ia kishte përmendur tjetrit misionin në të cilin kishte shërbyer. Kur Landoni u përgjigj me emrin e misionit të tij, lot buruan nga sytë e të riut. Landoni kishte shërbyer në po atë mision në të cilin do të kthehej i riu!

Në një letër të kohëve të fundit për mua, Landoni më tregoi fjalët që i riu ia tha kur u ndanë: “Kisha besim që Ati Qiellor do të më bekonte, por kurrë nuk mund ta kisha përfytyruar që Ai do të dërgonte për të më ndihmuar dikë që kishte shërbyer në vetë misionin tim. Tani e di se gjithçka do të shkojë mirë.”2 Lutja e përulur e një zemre të sinqertë ishte dëgjuar dhe kishte marrë përgjigje.

Vëllezërit e motrat e mia, në jetën tonë vërtet do të kemi tundime; vërtet do të kemi sprova dhe sfida. Kur shkojmë në tempull, kur i kujtojmë besëlidhjet që bëjmë atje, ne do të jemi në gjendje më të mirë që t’i kapërcejmë ato tundime dhe t’i durojmë sprovat tona. Në tempull mund të gjejmë paqe.

Bekimet e tempullit janë të paçmuara. Një bekim për të cilin jam mirënjohës çdo ditë të jetës sime, është ai që gruaja ime e dashur, Frensisi, dhe unë e morëm kur ramë në gjunjë te një altar i shenjtë dhe bëmë besëlidhjet që na lidhën së bashku për gjithë përjetësinë. Nuk ka asnjë bekim më të çmuar për mua sesa paqja dhe ngushëllimi që marr nga dituria që kam, se ajo dhe unë do të jemi së bashku përsëri.

Na bekoftë Ati ynë Qiellor që të mund të kemi shpirtin e adhurimit në tempull, që të mund të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Tij dhe që të mund t’i ndjekim me kujdes hapat e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Unë dëshmoj se Ai është Shëlbuesi ynë. Ai është Biri i Perëndisë. Është Ai që u ngrit nga varri atë mëngjes të parë Pashke, duke sjellë me Vete dhuratën e jetës së amshuar për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Në këtë ditë të bukur, ndërkohë që festojmë atë ngjarje madhështore, dhënshim lutjet tona të mirënjohjes për dhuratat e Tij të madhërishme dhe të mrekullueshme për ne. Qoftë kjo e tillë, unë lutem me përulësi në emrin e Tij të shenjtë, amen.

Shënime

  1. Gjoni 14:27.

  2. Letërkëmbim në zotërimin e Tomas S. Monsonit.