2015
Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen
Maj 2015


Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen

Jezu Krishti vuajti, vdiq dhe u ngrit së vdekuri me qëllim që Ai të mund të na ngrinte drejt jetës së përjetshme.

Pa litarë sigurie, pajime ose mjete alpinizmi të ndonjë lloji, dy vëllezër – Xhimi, mosha 14 vjeç dhe Xhoni, mosha 19 vjeç (edhe pse këta nuk janë emrat e tyre të vërtetë) – u përpoqën t’i ngjiteshin një shpati të thepisur të kanionit në Parkun Shtetëror të Kanionit Snou në vendlindjen time në Jutan jugore. Pranë majës së ngjitjes së tyre të stërmundimshme, ata zbuluan se një buzë shkëmbi e dalë jashtë nuk po i linte të bënin metrat e tyre të fundit drejt majës së rrëpirës. Ata nuk mund t’i ngjiteshin asaj, por as nuk mund të tërhiqeshin tani prej saj. Ishin pa rrugëdalje. Pas manovrimit të kujdesshëm, Xhoni gjeti vend të mjaftueshëm për ta vënë këmbën sa ta shtynte vëllanë e tij më të vogël drejt sigurisë së majës së thepisjes. Por nuk kishte asnjë mënyrë se si ta ngrinte veten. Sa më shumë që sforcohej për të gjetur mbështetje për gishtat e duarve ose për këmbët, aq më shumë filluan të shtrëngoheshin muskujt e tij. Paniku nisi ta pushtonte dhe filloi të frikësohej për jetën e tij.

Duke mos qenë në gjendje të mbahej më gjatë, Xhoni vendosi që mundësia e tij e vetme ishte të përpiqej të kërcente vertikalisht në përpjekje për ta kapur majën e buzës së dalë. Nëse ia dilte mbanë, ai, nëpërmjet forcës së konsiderueshme të krahëve të tij, mund ta tërhiqte veten drejt sigurisë.

Me vetë fjalët e tij, ai tha:

“Përpara se të kërceja, i thashë Xhimit të shkonte për të kërkuar një degë peme mjaft të fortë që të ma zgjaste mua, megjithëse e dija se nuk kishte asgjë të tillë në këtë majë shkëmbore. Ishte vetëm një dredhi e dëshpëruar. Nëse kërcimi im dështonte, gjëja më e paktë që mund të bëja, ishte të sigurohesha që vëllai im i vogël nuk do të më shihte duke vdekur nga rënia.

Duke i dhënë atij kohë të mjaftueshme që të largohej nga pamja, thashë lutjen time të fundit – që e dëshiroja familjen time të dinte se i doja ata dhe që Xhimi i vetëm të mund të kthehej shëndoshë e mirë në shtëpi – më pas u hodha lart. Pati adrenalinë të mjaftueshme në kërcimin tim sa ngritja i zgjati krahët e mi mbi buzën, pothuajse deri te bërrylat. Por teksa i përplasa duart në sipërfaqe, nuk ndjeva gjë tjetër veçse rërë të shkriftë mbi një shkëmb të sheshtë. Ende mund ta kujtoj ndjesinë e ashpër të të qenit i varur atje pa asgjë ku të mbahesha – asnjë të çarë, asnjë të ngritur, asgjë që mund ta kapja ose ta mbërtheja. I ndjeva gishtat e mi duke rrëshqitur ngadalë mbi sipërfaqen ranore. E dija se jeta ime po mbaronte.

Por atëherë, papritur, si një goditje rrufeje në një stuhi verore, dy duar dolën befasisht nga diku mbi anën e rrëpirës, duke më mbërthyer nga kyçet me një forcë e vendosmëri që e tejkalonte madhësinë e tyre. Vëllai im i vogël besnik nuk kishte shkuar të kërkonte një degë peme imagjinare. Duke e marrë me mend pikërisht se çfarë po planifikoja të bëja, ai nuk kishte lëvizur aspak. Thjesht kishte pritur – në heshtje, pothuajse i pafrymë – duke e ditur fare mirë se unë do të isha tepër i marrë sa të orvatesha ta bëja atë kërcim. Kur e bëra, ai më mbërtheu, më mbajti dhe nuk pranoi të më linte të bija. Ata krahë të fortë vëllazërorë ma shpëtuan jetën atë ditë, teksa lëkundesha pa shpresë sipër asaj që do të kishte qenë me siguri një vdekje e pashmangshme.”1

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sot është e diela e Pashkës. Edhe pse duhet ta kujtojmë gjithmonë (ne premtojmë në lutjet tona javore të sakramentit se do ta kujtojmë), sidoqoftë kjo është dita më e shenjtë e vitit për një kujtim të veçantë të duarve vëllazërore dhe krahëve të vendosur, të cilët u zgjatën brenda humnerës së vdekjes për të na shpëtuar prej rënieve tona dhe dështimeve tona, prej hidhërimeve tona dhe mëkateve tona. Duke e përdorur si sfond këtë histori të treguar nga familja e Xhonit dhe e Xhimit, unë shpreh mirënjohjen time për Shlyerjen dhe Ringjalljen e Zotit Jezu Krisht dhe i vë në dukje ngjarjet në planin hyjnor të Perëndisë, të cilat çuan drejt dhe u dhanë kuptim fjalëve “sa shum’ Krishti [na] do”2.

Në shoqërinë tonë gjithnjë e më shumë laike, është aq e pazakontë, sa edhe nuk është e modës, të flitet për Adamin dhe Evën ose Kopshtin e Edenit apo për një “rënie të tyre fatlume” në vdekshmëri. Sidoqoftë e vërteta e thjeshtë është që ne nuk mund ta kuptojmë tërësisht Shlyerjen dhe Ringjalljen e Krishtit dhe ne nuk do ta vlerësojmë siç duhet qëllimin e pashoq të lindjes së Tij apo të vdekjes së Tij – me fjalë të tjera nuk ka asnjë mënyrë për ta festuar me të vërtetë Krishtlindjen ose Pashkën – pa e kuptuar se pati një Adam dhe një Evë të mirëfilltë, të cilët u larguan nga një Eden i mirëfilltë, me të gjitha pasojat që rënia i mbarti me vete.

Unë nuk i di hollësitë e asaj që ndodhi në këtë planet përpara rënies, por e di vërtet se këta të dy u krijuan nën dorën hyjnore të Perëndisë, se për njëfarë kohe ata jetuan të vetëm në një vendosje parajsore ku nuk kishte as vdekje njerëzore, as familje të ardhshme dhe se nëpërmjet një serie zgjedhjesh, ata e shkelën një urdhërim të Perëndisë, urdhërim i cili kërkoi që ata të largoheshin nga vendosja e tyre në kopsht, por i cili i lejoi të kishin fëmijë përpara se të përballeshin me vdekjen fizike.3 Për t’iu shtuar më tej hidhërim dhe ndërlikim rrethanave të tyre, shkelja e tyre pati gjithashtu pasoja shpirtërore, duke i shkëputur ata nga prania e Perëndisë përgjithmonë. Ngaqë ne u lindëm më pas në atë botë të rënë dhe ngaqë ne gjithashtu do t’i shkelnim ligjet e Perëndisë, edhe ne u ndëshkuam me po të njëjtat dënime që u përballën Adami dhe Eva.

Ç’gjendje e vështirë! E tërë raca njerëzore në një rënie pa ndalesë – çdo burrë, grua e fëmijë në të duke u rrënuar fizikisht drejt vdekjes së përhershme, duke u zhytur shpirtërisht drejt ankthit të përjetshëm. A është kjo domethënia e jetës? A është kjo rrjedhoja përfundimtare e përvojës njerëzore? A jemi ne të gjithë thjesht të varur në një kanion të ftohtë diku në një univers mospërfillës, secili prej nesh duke kërkuar një pikëmbështetje, secili prej nesh duke gjurmuar për diçka ku të kapemi – me asgjë tjetër përveçse ndjenjën e rërës duke na rrëshqitur nëpër gishtat tanë, asgjë tjetër për të na shpëtuar, asgjë ku të mbahemi dhe sigurisht asnjë diçka që të mbahet te ne? A është qëllimi ynë i vetëm në jetë një ushtrim i pakuptimtë i ekzistencës – thjesht të kërcejmë sa më lart që mundemi, të mbahemi për shtatëdhjetë vitet e përshkruara, më pas të dështojmë e të biem dhe të vazhdojmë duke rënë përgjithmonë?

Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve është një “jo” e prerë dhe e përjetshme! Së bashku me profetët e lashtë dhe bashkëkohorë, unë dëshmoj se “të gjitha gjërat janë bërë në diturinë e atij që i di të gjitha gjërat”4. Prandaj, që nga çasti kur ata prindër fillestarë i hodhën hapat jashtë Kopshtit të Edenit, Perëndia dhe Ati i ne të gjithëve, duke e parapritur vendimin e Adamit dhe të Evës, dërgoi pikërisht engjëjt e qiellit që t’u shpallin atyre – dhe me kalimin e kohës edhe neve – që e gjithë kjo renditje u projektua për lumturinë tonë të përjetshme. Ishte pjesë e planit të Tij hyjnor, që të siguronte një Shpëtimtar, pikërisht Birin e Perëndisë Vetë – një tjetër “Adam” do ta quante Atë Apostulli Pal5 – i cili do të vinte në meridianin e kohës që të shlyente për shkeljen fillestare të Adamit. Ajo Shlyerje do të arrinte fitoren tërësore mbi vdekjen fizike, duke ia dhuruar pa kushte ringjalljen çdo njeriu që është lindur ose do të lindet ndonjëherë në këtë botë. Mëshirshëm ajo do të siguronte gjithashtu falje për mëkatet vetjake të të gjithëve, që nga Adami deri në fundin e botës, falje e kushtëzuar nga pendimi dhe bindja ndaj urdhërimeve hyjnore.

Si njëri prej dëshmitarëve të Tij të shuguruar, unë shpall këtë mëngjes Pashke se Jezusi i Nazaretit ishte dhe është ai Shpëtimtar i botës, “Adam[i] i fundit”6, Kreu dhe Plotësonjësi i besimit tonë, Alfa dhe Omega e jetës së përjetshme. “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin”7, shpalli Pali. Dhe nga patriarku profet, Lehi: “Adami ra që njerëzit të mund të jenë. … Dhe Mesia vjen në plotësinë e kohës, që ai të mund t’i shëlbejë fëmijët e njerëzve nga rënia”8. Në mënyrë më të plotë nga të gjithë, profeti i Librit të Mormonit, Jakobi, na mësoi si pjesë e një predikimi dyditor mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit, se “ringjallja duhet të vijë … për shkak të rënies”9.

Prandaj sot ne festojmë dhuratën e fitores mbi çdo rënie që e kemi përjetuar ndonjëherë, çdo hidhërimi që e kemi njohur ndonjëherë, çdo mungese të kurajës që e kemi pasur ndonjëherë, çdo frike që e kemi hasur ndonjëherë – duke mos e lënë të papërmendur ringjalljen tonë nga vdekja dhe faljen për mëkatet tona. Ajo fitore është e mundshme për ne për shkak të ngjarjeve që u shpalosën në një fundjavë pikërisht si kjo gati dy mijëvjeçarë më parë në Jerusalem.

Duke e filluar me ankthin shpirtëror të Kopshtit të Gjetsemanit, duke lëvizur drejt Kryqëzimit në kryq në Kalvar dhe duke e përfunduar në një mëngjes të bukur të diele brenda një varri të dhuruar, një burrë i pamëkatë, i dëlirë dhe i shenjtë, pikërisht Biri i Perëndisë Vetë, bëri atë që asnjë njeri tjetër i vdekur nuk e kishte bërë ndonjëherë, as nuk mund ta bënte ndonjëherë. Me anë të vetë fuqisë së Tij, Ai u ngrit së vdekuri, kurrë për të mos e pasur trupin e Tij të veçuar nga shpirti i Tij përsëri. Me vetë vullnetin e Tij, Ai e grisi pëlhurën e varrosjes, me të cilën ishte lidhur, duke e vendosur me përkujdesje rizën e varrosjes, që ishte vendosur mbi fytyrën e Tij, “në një vend, veç”10, thotë shkrimi i shenjtë.

Ajo renditje fillestare e Pashkës, për Shlyerjen dhe Ringjallen, përbën çastin më pasojëprurës, dhuratën më bujare, dhembjen më torturuese dhe shfaqjen më madhështore të dashurisë së pastër, të treguar ndonjëherë në historinë e kësaj bote. Jezu Krishti, Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, vuajti, vdiq dhe u ngrit së vdekuri me qëllim që Ai, sikurse rrufeja në një stuhi verore, të mund të na kapte kur biem, të na mbante me fuqinë e Tij dhe, nëpërmjet besnikërisë sonë ndaj Tij, të na ngrinte drejt jetës së përjetshme.

Këtë Pashkë unë i falënderoj Atë dhe Atin, që na e dha Atë neve, ngaqë Jezusi ende qëndron ngadhënjimtar mbi vdekjen, edhe pse Ai qëndron me këmbë të plaguara. Këtë Pashkë unë i falënderoj Atë dhe Atin, që na e dha Atë neve, që Ai ende e shtrin hirin e pafundmë, edhe pse Ai e shtrin me duar të shpuara dhe kyçe të plaguara. Këtë Pashkë unë i falënderoj Atë dhe Atin, që na e dha Atë neve, ngaqë ne mund të këndojmë përpara një kopshti të njollosur nga gjaku i pikuar, përpara një kryqi të shpuar nga gozhdët dhe një varri të zbrazur në mënyrë të lavdishme:

Sa i madh, i lavdishëm, i mir’,

Ësht’ plan i shëlbimit,

Ku drejt’si, dashuri, mëshir’

Takohen n’harmoni!11

Në emrin e shenjtë të Zotit të ringjallur, Jezu Krishtit, amen.