Ngushëlluesi
Jap dëshminë time që Krishti i gjallë ua dërgon Frymën e Shenjtë atyre për të cilët kemi besëlidhur ta ndihmojmë Atë për t’i ngushëlluar.
Motrat e mia të dashura, ka qenë një gëzim për mua që të jem me ju. Kam menduar për nënën time, gruan time, vajzat e mia, nuset e mia, mbesat e mia – një pjesë e të cilave janë këtu. Ky program i mrekullueshëm më ka bërë t’i vlerësoj ato edhe më shumë. E kuptoj që pasja e një familjeje të tillë dhe e një jete të tillë të mrekullueshme familjare vjen nga fakti që secila prej tyre e ka Shpëtimtarin në qendër të jetës së saj. Ne e kemi kujtuar Atë sonte në muzikë, në lutje dhe nëpërmjet predikimeve të frymëzuara. Një prej tipareve të Shpëtimtarit që e vlerësojmë më shumë, është dhembshuria e Tij e pafundme.
Sonte ju e keni ndier se Ai ju njeh dhe ju do. Ju e keni ndier dashurinë e Tij për ato që janë ulur përreth jush. Ato janë motrat tuaja, bija shpirtërore të Atit tonë Qiellor. Ai përkujdeset për to, ashtu siç përkujdeset për ju. Ai i kupton të gjitha hidhërimet e tyre. Ai dëshiron t’i ndihmojë ato.
Mesazhi im për ju sonte është që ju mund dhe duhet të jeni një pjesë e rëndësishme e dhënies së ngushëllimit të Tij atyre që kanë nevojë për ngushëllim. Ju mund ta kryeni më mirë rolin tuaj nëse dini më shumë rreth mënyrës se si Ai u përgjigjet atyre lutjeve për ndihmë.
Shumë njerëz po i luten Atit Qiellor për lehtësim, për ndihmë në mbartjen e barrëve të tyre të pikëllimit, vetmisë dhe frikës. Ati Qiellor i dëgjon ato lutjet dhe i kupton nevojat e tyre. Ai dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti i ringjallur, kanë premtuar ndihmë.
Jezu Krishti dha këtë premtim të ëmbël:
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.
Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”1
Barrët që duhet të mbarten nga shërbëtorët e Tij besnikë në jetë, bëhen më të lehta nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Barra e mëkatit mund të hiqet, por sprovat e jetës në vdekshmëri për njerëzit e mirë ende mund të jenë barrë të rënda.
Ju i keni parë prova të tilla në jetën e njerëzve të mirë që i doni. Keni ndier dëshirë për t’i ndihmuar ata. Ka një arsye për ndjenjën tuaj të dhembshurisë për ta.
Ju jeni një anëtare besëlidhëse e Kishës së Jezu Krishtit. Një ndryshim i madh filloi në zemrën tuaj kur erdhët në Kishë. Ju bëtë një besëlidhje dhe morët një premtim që filloi t’jua ndryshonte vetë natyrën tuaj.
Alma e përshkoi, me fjalët e tij tek Ujërat e Mormonit, atë që ju e premtuat në pagëzimin tuaj dhe se çfarë do të thotë për ju dhe për këdo përreth jush – veçanërisht në familjet tuaja. Ai po u fliste atyre që ishin gati të bënin besëlidhjet që ju i keni bërë, dhe ata gjithashtu morën premtimin që Zoti jua bëri juve:
“Vini re, këtu janë ujërat e Mormonit (pasi kështu quheshin) dhe tani, pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta –
Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni, madje deri në vdekje, që ju të mund të shëlbeheni nga Perëndia dhe të numëroheni me ata të ringjalljes së parë, që ju të mund të keni jetën e përjetshme.”2
Kjo është arsyeja përse ju keni një ndjenjë që të dëshironi ta ndihmoni një njeri në mundim, që të ecë përpara nën një barrë hidhërimi e vështirësie. Ju premtuat se do ta ndihmonit Zotin që t’i bënte barrët e tyre të lehta dhe që të gjenin ngushëllim. Juve ju dha fuqia për të ndihmuar që t’i lehtësoni ato barrë, kur e morët dhuratën e Frymës së Shenjtë.
Kur Ai ishte gati për t’u kryqëzuar, Shpëtimtari e përshkroi mënyrën se si Ai ndihmon për t’i lehtësuar barrët dhe jep forcë për t’i mbartur ato. Ai e dinte se dishepujt e Tij do të hidhëroheshin. Ai e dinte se ata do të kishin frikë për të ardhmen e tyre. Ai e dinte se ata do të ndienin pasiguri në aftësinë e tyre për të vazhduar pa Atë këtu.
Prandaj iu dha atyre premtimin që Ai na e bën neve dhe të gjithë dishepujve të Tij të vërtetë:
“Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,
Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju”3.
Më pas Ai premtoi:
“Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.
Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”4
Vetëm në disa javë të shkuara, e kam parë atë premtim të dërgimit të Frymës së Shenjtë, të përmbushet në jetën e fëmijëve të Perëndisë të cilët po përgjëroheshin në lutje që barrët e tyre të lehtësoheshin. Mrekullia e barrëve që lehtësohen, erdhi sipas një mënyre që Zoti e premtoi. Ai dhe Ati Qiellor dërguan Frymën e Shenjtë si Ngushëlluesin që t’i ndihmonte dishepujt e Tij.
Kohët e fundit tre breza të një familjeje ishin brengosur nga vdekja e një djali pesëvjeçar. Ai vdiq aksidentalisht ndërsa ishte me familjen për pushime. M’u dha mundësia të shihja edhe një herë se si Zoti i bekon njerëzit besnikë me lehtësim e forcë për të duruar.
Vëzhgova mënyrën se si Zoti e bëri më të lehtë barrën e tyre të madhe. Isha me ta në rolin tim të shërbëtorit besëlidhës të Zotit – sikurse ju do të jeni shpesh në jetën tuaj – “të vajto[ja] me ata që vajtojnë … dhe të ngushëllo[ja] ata që [kishin] nevojë të ngushëllohe[shin]”5.
Ngaqë e dija se ajo ishte e vërtetë, isha i kënaqur dhe në paqe kur gjyshërit më ftuan të takohesha me ta dhe prindërit e djalit të vogël përpara ceremonisë së varrimit.
U luta të dija se si mund ta ndihmoja Zotin që t’i ngushëllonte ata. U ulën me mua në dhomën tonë të ndenjjes. E kisha ngrohur dhomën, në një natë të ftohtë, me një zjarr të vogël në vatër.
E kisha ndier t’iu thoja atyre se i doja. U thashë atyre që e kisha ndier dashurinë e Zotit për ta. Me vetëm pak fjalë u përpoqa t’iu them se vajtoja për ta, por edhe se vetëm Zoti e dinte dhe mund ta përjetonte përsosurisht dhembjen dhe brengosjen e tyre.
Pasi ua thashë ato pak fjalë, ndjeva mbresën që të dëgjoja me dashuri ndërsa ata folën rreth ndjenjave të tyre.
Në orën që qëndruam së bashku, ata folën shumë më tepër nga sa fola unë. Mund ta ndieja në zërat e tyre dhe ta shihja në sytë e tyre se Fryma e Shenjtë po i prekte. Duke përdorur fjalë të një dëshmie të thjeshtë, ata folën për atë që ndodhi dhe se si u ndien. Fryma e Shenjtë ua kishte dhënë tashmë paqen që vjen me shpresën e jetës së përjetshme, kur biri i tyre, i cili vdiq pa mëkat, mund të jetë biri i tyre përgjithmonë.
Kur u dhashë atyre secilit nga një bekim priftëror, unë dhashë falënderime për ndikimin e Frymës së Shenjtë që ishte atje. Ngushëlluesi kishte ardhur, duke sjellë shpresë, kurajë dhe forcë të shtuar për ne të gjithë.
Atë natë, e pashë të tregohej mënyra se si Zoti vepron me ne për t’ia lehtësuar barrët popullit të Tij. Ju kujtohet në Librin e Mormonit kur populli i Tij ishte gati në të rrëzuar për shkak të barrëve të vendosura mbi shpinën e tyre nga shtypësit e rreptë.
Njerëzit u lutën për lehtësim, ashtu sikurse luten shumë prej njerëzve që i duam dhe të cilëve iu shërbejmë. Ja tregimi, të cilin e di se është i vërtetë:
“Dhe unë do t’u lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja, madje ndërsa jeni në robëri; dhe këtë do ta bëj që ju të qëndroni si dëshmitarë për mua në të ardhmen dhe që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre.
Dhe tani ndodhi që barrat që iu vunë Almës dhe vëllezërve të tij u lehtësuan; po, Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit.”6
E kam parë atë mrekulli herë pas here. Ne i lehtësojmë barrët e të tjerëve më mirë duke e ndihmuar Zotin që t’i forcojë ata. Kjo është arsyeja përse Zoti e përfshiu në detyrën tonë për t’i ngushëlluar të tjerët, urdhrin për të qenë dëshmitarë të Tij në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.
Babai dhe nëna e djalit të vogël dhanë dëshmi për Shpëtimtarin atë mbrëmje në dhomën time të ndenjjes. Fryma e Shenjtë erdhi dhe të gjithë u ngushëlluan. Prindërit u forcuan. Barra e pikëllimit nuk u shpërnda, por ata u bënë më të aftë për ta duruar hidhërimin. Besimi i tyre u rrit. Dhe forca e tyre do të vazhdojë të rritet kur ata e kërkojnë atë dhe jetojnë për të.
Dëshmia e Shpirtit për Shlyerjen, që erdhi atë natë, gjithashtu e forcoi Jobin për ta mbartur barrën e tij:
“Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë.
Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë”7.
Ishte ajo dëshmi e Shpirtit që i dha atij forcë për të duruar. Ai do të kalonte përmes vajtimit dhe mungesës së ngushëllimit nga njerëzit përreth tij, për të kuptuar gëzimin që do t’iu vijë njerëzve besnikë pasi të kalojnë me besnikëri përmes sprovave të tyre.
Ishte e vërtetë për Jobin. Bekime i erdhën atij në këtë jetë. Historia e Jobit përfundon me këtë mrekulli:
“Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para. …
Në tërë vendin nuk kishte gra aq të bukura sa bijat e Jobit; dhe i ati u la atyre një trashëgimi midis vëllezërve të tyre.
Mbas kësaj Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë e tij dhe bijtë e bijve të tij për katër breza.
Pastaj Jobi vdiq plak dhe i ngopur me ditë.”8
Ishte nga dëshmia e Shpirtit për Shlyerjen që do të vinte, gjë e cila e ndihmoi Jobin përmes provave të cilat ka për qëllim t’i përfshijë jeta për ne të gjithë. Kjo është pjesë e planit të madhërishëm të lumturisë, të cilin na e dha Ati. Ai e lejoi Birin e Tij të siguronte, nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, shpresën me të cilën përballemi, pavarësisht nga sa e vështirë mund të jetë udha për t’u kthyer në shtëpi tek Ai.
Ati dhe Biri e dërguan Frymën e Shenjtë për t’i ngushëlluar e forcuar dishepujt e Mësuesit përgjatë udhëtimit të tyre.
E pashë këtë mrekulli të ngushëllimit kur arrita jashtë godinës kishtare ku do të mbahej ceremonia e varrimit të djalit të vogël. Më ndaloi një grua e re dhe e bukur, të cilën nuk e njihja. Ajo tha se po vinte në ceremoninë e varrimit që të vajtonte dhe të jepte ngushëllim nëse mundej.
Ajo tha se kishte ardhur në ceremoninë e varrimit pjesërisht për ngushëllim për vetveten. Ajo më tha se fëmija i saj i parë kishte vdekur kohët e fundit. Po mbante në duart e saj një vajzë të vogël, të bukur. U përkula drejt saj për ta parë fytyrën e qeshur të vajzës së vogël. E pyeta nënën e foshnjës: “Si e ka emrin?” Përgjigjja e saj e shpejtë dhe plot kënaqësi ishte: “Quhet Xhoi [Gëzim]. Gëzimi gjithmonë vjen pas hidhërimit.”
Ajo po më jepte dëshminë e saj. Mund ta shihja paqen dhe ngushëllimin që i kishin ardhur asaj nga i vetmi burim i sigurt. Vetëm Perëndia i njeh zemrat dhe prandaj vetëm Ai mund të thotë, me të vërtetë: “E di se si ndiheni”. Kështu që vetëm mund të përfytyroj si gëzimin e saj, ashtu edhe hidhërimin që e parapriu atë, por Zoti, i cili e do atë, e di atë.
Unë mund të di vetëm pjesërisht se sa shumë gëzim ndien Ai çdo herë që ju, si dishepulle të Tij, e ndihmoni Atë të sjellë një çast paqeje dhe gëzimi te një fëmijë i Atit tonë Qiellor.
Ju jap dëshminë time që Zoti i ka kërkuar secilit prej nesh, dishepujve të Tij, që të ndihmojmë për t’i mbartur barrët e njëri-tjetrit. Ne kemi premtuar ta bëjmë atë. Jap dëshminë time që Zoti, nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, e ka thyer fuqinë e vdekjes. Jap dëshminë time që Krishti i gjallë ua dërgon Frymën e Shenjtë atyre për të cilët kemi besëlidhur ta ndihmojmë Atë për t’i ngushëlluar.
Ju jeni dëshmitare, siç jam unë dëshmitar, i të vërtetës në mbishkrimin e karficës që nëna ime e mbajti për më shumë se 20 vjet si anëtare e bordit të përgjithshëm të Shoqatës së Ndihmës. Lexon: “Dashuria Hyjnore Nuk Dështon Kurrë”9. Ende nuk e di kuptimin e plotë të atyre fjalëve. Por e kam kuptuar një pjesëz të saj teksa e pashë atë të ndihmonte njerëzit nevojtarë. Shkrimi i shenjtë na tregon këtë të vërtetë: “Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit”10.
Dashuria e tij nuk dështon kurrë dhe ne kurrë nuk do të pushojmë së ndieri në zemrat tona nxitjen që “të vajto[jmë] me ata që vajtojnë … dhe të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”11. As nuk do të na largohet kurrë paqja që Ai premton, teksa u shërbejmë të tjerëve për Të.
Si dëshmitari i Tij, ju shpreh mirënjohje për atë që bëni kaq mirë për t’i ndihmuar Zotin e gjallë, Jezu Krishtin, dhe Frymën e Shenjtë, Ngushëlluesin, që të forcojnë gjunjët e këputur dhe të ngrenë duart që varen.12 Jam mirënjohës, me gjithë zemër, për gratë në jetën time, të cilat, si dishepulle të vërteta të Jezu Krishtit, më kanë ndihmuar e bekuar mua. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.