2015
Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë
Maj 2015


Ata na Folën Neve

Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë

Mbani parasysh që t’i përdorni disa nga këto veprimtari dhe pyetje si pikënisje për diskutim familjar apo përsiatje vetjake.

Për Fëmijët

  • Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një histori ku u ndje i frikësuar, pasi theu aksidentalisht vitrinën e një dyqani afër shtëpisë së tij (faqe 46). Më pas ai dha mësim se, kur shohim te Jezu Krishti dhe e ndjekim Atë, ne mund të ndiejmë paqe në vend të frikës. Çfarë mund të bëni ju çdo ditë për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të shohin te Shpëtimtari? Si mund t’i mësoni ata të ecin përpara në Krisht edhe kur kohët janë të vështira?

  • Motra Linda K. Barton, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tregoi rreth një familjeje që u shpërngul në një shtëpi të re, e cila nuk kishte gardh përreth oborrit (faqe 29). Babai i shenjoi kufijtë e oborrit me spango dhe u tha fëmijëve të tij që ata do të ishin të sigurt nëse qëndronin brenda vijës. Fëmijët iu bindën edhe kur topi kërceu matanë spangos. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të jenë të sigurt? Çfarë bekimesh vijnë nga të dëgjuarit e prindërve tanë? Çfarë kufijsh na jep vërtet Ati Qiellor?

  • Peshkopi Zherald Kosé, Këshilltar i Parë në Peshkopatën Kryesuese, tregoi një histori për tri burra në Afrikë që ecën dy javë në shtigje baltake për të marrë pjesë në një mbledhje distrikti (faqe 98)! Ata qëndruan për një javë që të mund ta merrnin sakramentin përpara se të drejtoheshin për në shtëpi. Më pas ata mbajtën kuti të mbushura me kopje të Librit të Mormonit mbi kokat e tyre për t’ua dhënë njerëzve në fshatin e tyre. A e mendoni ungjillin si një gjë të mrekullueshme? Çfarë sakrificash jeni të gatshëm të bëni për ta jetuar ungjillin?

Për Rininë

  • Shumë biseda në këtë konferencë theksuan rëndësinë e familjes dhe shtëpisë. Për shembull, Motra Boni L. Oskarson, presidente e përgjithshme e Të Rejave, u kërkoi anëtarëve të Kishës që “ta mbroj[në] shtëpinë si një vend i cili është i dyti për shenjtëri pas tempullit” (faqe 14). Çfarë mund të bëni ju për ta mbrojtur shtëpinë? Si mund të ndihmoni për ta bërë shtëpinë tuaj një vend të shenjtë?

  • Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se qëndrimi ynë dhe sjellja jonë për Shabatin janë një shenjë midis Atit Qiellor dhe neve (faqe 129). Ndërsa e lexoni bisedën e Plakut Nelson, ju mund të mendoni rreth kësaj të diele të ardhshme dhe ta pyetni veten: “Çfarë shenje dua unë që t’i jap Perëndisë?”

  • Plaku Ulises Soaresh, i Të Shtatëdhjetëve, flet për një dhjak i cili ndoqi shembullin e kapiten Moronit (faqe 70). Kur një i ri pa disa shokë të klasës që po shihnin pamje pornografike në telefonat e tyre celularë, ai u tha tyre se ata po vepronin gabim dhe se duhej të ndalonin së pari. Njëri shok vërtet ndaloi së pari. Si mund të marrim forcë për të zgjedhur të drejtën? Si e dimë ne se çfarë është e sigurt për ne që ta gëzojmë?

  • Pajisjet elektronike mund t’i ndiejmë si fuqizuese sepse japin qasje në informacione dhe media thuajse të pakufizuara. Por a keni ndalur ndonjëherë dhe a e keni pyetur veten nëse ato ju kontrollojnë juve? Plaku Zhozé A. Teisheira, i Të Shtatëdhjetëve, tha: “Është çlodhëse t’i lëmë mënjanë pajisjet tona elektronike për njëfarë kohe” (faqe 96). Përpiquni njëherë. Zgjidhni një ditë diku afër që të mos merreni me pajisjet. Mund të duket si gjëja e fundit që do të donit të bënit, por ju do të befasoheni nga fakti se sa shumë kohë do të kaloni duke folur dhe duke krijuar kujtime me miqtë dhe familjen.

  • Agjërimi është një nga mënyrat më të mira për ta marrë me seriozitet fuqinë shpirtërore. Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, na kujton se agjërimi dhe lutja e forcuan Jezusin kundër tundimeve të Satanit ndërsa Shpëtimtari qe në shkretëtirë (faqe 22). Të dielën e ardhshme të agjërimit, provoni të ndiqni shembullin e Jezusit dhe agjëroni me një qëllim. Ju do të merrni ndihmë hyjnore dhe mbrojtje gjithashtu.

Për të Rriturit

  • Disa folës në konferencë iu drejtuan rëndësisë së martesës dhe familjes në shoqëri dhe në planin e shpëtimit. Ju mund t’iu përgjigjeni pesë pyetjeve që Motra Barton bën në faqen 31 dhe me lutje të përsiatni mënyrën se si mund t’i ngrini më mirë moralisht dhe t’i doni njerëzit më pranë jush. Si familje, diskutoni se si mund ta përqendroni më mirë shtëpinë tuaj te Jezu Krishti dhe se si mund ta përkrahni më mirë njëri-tjetrin.

  • Presidenti Tomas S. Monson na kujton për bekimet që vijnë nga adhurimi në tempull, duke përfshirë shpirtshmërinë, paqen dhe forcën për të mposhtur tundimet dhe sprovat (faqe 91). “Teksa e frekuentojmë tempullin”, tha ai, “mund të na vijë një përmasë shpirtshmërie dhe një ndjenjë paqeje, të cilat do ta kapërcejnë çdo ndjenjë tjetër që mund të lindë brenda zemrës njerëzore.” Çfarë mund të bëni për ta bërë pjesëmarrjen tuaj në tempull më domethënëse?

  • Besimi te Jezu Krishti është një parim veprimi. “Ne nuk do të arrijmë të besojmë rastësisht te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij sikurse nuk do të lutemi apo paguajmë të dhjetën rastësisht”, tha Plaku L. Uitni Klejton, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve. “Ne në mënyrë aktive zgjedhim të besojmë” (faqe 36). Ndërsa lexoni bisedën e tij dhe bisedat nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (faqe 32); Rozmari M. Uiksomi, presidente e përgjithshme e Fillores (faqe 93); Peshkopi Zherald Kosé (faqe 98); dhe Plaku Kevin W. Pirson, i Të Shtatëdhjetëve (faqe 114), merrni parasysh që të bëni një listë të mënyrave për ta forcuar besimin tuaj te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Pastaj bëni një listë të bekimeve të premtuara që vijnë nga besimi i rritur.

  • Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se Shlyerja dhe Ringjallja e Shpëtimtarit përbëjnë “shfaqjen më pasojëprurëse të dashurisë hyjnore të treguar ndonjëherë në historinë e kësaj bote” (faqe 104). Si mund të pasqyrojnë më mirë mendimet, fjalët dhe veprimet tuaja vlerësimin tuaj për atë që ka bërë Shpëtimtari?

  • Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, shpjegoi dhuratën e mrekullueshme të hirit dhe rëndësinë e bindjes dhe pendimit. “Përpjekja për ta kuptuar dhuratën e hirit të Perëndisë me gjithë zemrën dhe mendjen tonë, na jep edhe më shumë arsye për ta dashur Atin tonë Qiellor dhe për t’iu bindur Atij me zemërbutësi e mirënjohje”, tha ai (faqe 107). Merrni parasysh ta vazhdoni studimin tuaj për hirin duke lexuar Romakëve 3:23; 6:1–4; 2 Nefi 25:23, 26; Mosia 2:21; 5:2; 27:25; Alma 34:10, 15; Ethëri 12:27; dhe Moroni 10:32.