2015
Daglas D. Holms
Maj 2015


Daglas D. Holms

Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rinjve

“Ky brez i rinisë ka një aftësi më të madhe për bindje se ndonjë brez i mëparshëm. Besoj se ajo është pjesë e kohës së duhur të Zotit dhe e përgatitjes së Tij për ditët në të cilat jetojmë”, tha Vëllai Daglas D. Holms, i cili u mbështet më 4 prill 2015 si këshilltar i parë në presidencën e përgjithshme të Të Rinjve.

Vëllai Holms u lind më 27 shkurt 1961 në Solt-Lejk-Siti të Jutas, nga Di W. dhe Melba Houell Holms dhe u rrit në Kotënud-Hajts në Juta.

Pasi shërbeu në Misionin e Glasgout në Skoci nga viti 1980 deri në vitin 1982, Vëllai Holms mori diplomë universitare në shkencat familjare nga Universiteti “Brigam Jang” në vitin 1986 dhe vazhdoi që të merrte një diplomë masteri për administrim biznesi nga Shkolla Mariot e Administrimit nga po ai universitet.

Pas diplomimit, ai ishte një këshilltar administrimi për tre vjet dhe më pas ndërmori një karrierë të suksesshme në industrinë e telekomunikacionit, duke u bërë zëvendëspresidenti ekzekutiv i strategjisë dhe zhvillimit korporativ për grupin Media One. Nga viti 2000 deri në kohën e thirrjes së tij si president misioni në vitin 2010 dhe përsëri nga viti 2013, ai ka qenë i vetëpunësuar në investime dhe në zhvillimin e pasurive të patundshme.

Ai ua ka përkushtuar shumë prej kohës dhe talenteve të tij organizatave jofitimprurëse, duke shërbyer në bordet e “United Way” për kontenë Dejvis në Juta; Prindërit për Zgjedhje në Arsimim; Strehën për Gratë “Safe Harbor” në kontenë Dejvis; dhe në Akademinë e Ndërmarrjes Krijuese.

Ai ka shërbyer si udhëheqës misioni i lagjes, president i Të Rinjve të lagjes, peshkop dhe në kohën më të fundit si këshilltar në një presidencë kunji. Ai kryesoi në Misionin e Detroitit në Miçigan nga viti 2010 deri në 2013.

Ai u martua me Erin Su Tunin më 22 qershor 1985 në Tempullin e Solt-Lejkut. Janë prindërit e gjashtë fëmijëve.

“Ne e kemi parë fuqinë e fjalës në jetën tonë, qoftë ajo fjala e profetëve ose fjala e shkrimeve të shenjta apo pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë”, tha Vëllai Holms.