Plaku Hugo Montoia
Kuorumi i Parë i Të Shtatëdhjetëve
Plaku Hugo Montoia në mënyrë të dukshme u emocionua shumë kur u thirr në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve. Ai gjeti ngushëllim në fjalët e dashura të Presidentit Tomas S. Monson gjatë një mbledhjeje trajnimi të Autoriteteve të reja të Përgjithshme: “Ju jeni këtu ngaqë ju e doni Shpëtimtarin”. Plaku Montoia u ndie i lartësuar shpirtërisht, duke e ditur se thirrja e tij e re e vendosi atë në punën e Zotit.
“Unë e dua Shpëtimtarin dhe do të shkoj kudo që më kërkohet të shkoj”, tha ai. “Do të bëj gjithçka që më kërkohet të bëj. Do të them gjithçka që më kërkohet të them.” Plaku Montoia u mbështet gjatë sesionit të pasdites të së shtunës të Konferencës së Përgjithshme Vjetore të 185-të të Kishës.
Plaku Montoia gjithashtu gjen forcë te trashëgimia e besimit të familjes së tij. Stërgjyshi i tij, Rafael Monroi është një figurë kryesore në historinë e Kishës në Meksikë. Në vitin 1915, Vëllai Monroi dhe një bashkanëtar, Vinsente Morales, u arrestuan nga një grup kryengritësish gjatë Revolucionit Meksikan. Që të dy burrave iu tha se do të liroheshin nëse, mes kërkesave të tjera, ata hiqnin dorë nga feja e tyre.
Që të dy nuk pranuan dhe u vranë nga një skuadër pushkatimi.
Plaku Montoia tha se shembulli i stërgjyshit të tij qëndron si një ndikim i fuqishëm në jetën e tij. “Kam mësuar që ndjenjat e frikës mund të kapërcehen nga ndjenjat e besimit dhe të dëshmisë kur e dini se po bëni atë që është e drejtë.”
Plaku Montoia u lind më 2 prill 1960, në Fresno të Kalifornisë, nga Abel Montoia dhe Meklovia Monroi. Ai e ka jetuar shumicën e jetës së tij në Meksikë.
Ai u martua me Maria del Karmen Balvastron në Hermosijo; ata u vulosën në Tempullin e Mesës në Arizona më 6 prill 1983. Kanë pesë fëmijë.
Pasi punoi si një misionar kohëplotë në Misionin Verior të Qytetit të Meksikës nga viti 1979 deri në vitin 1981, ai shërbeu si president i Të Rinjve të lagjes, këshilltar i lartë, peshkop, president kunji, kontrollor zonal dhe I Shtatëdhjetë Zonal.
Ai u diplomua nga Universiteti Shtetëror i Sonorës në vitin 1986 me një diplomë në inxhinierinë bujqësore dhe ka punuar në disa pozicione drejtimi me Kseroksin dhe si mësues instituti i Kishës.