Plaku Kim B. Klark
Kuorumi i Parë i Të Shtatëdhjetëve
Një jetë e tërë arsimimi – si student dhe si mësues – do t’i sjellë dobi Plakut Kim Brus Klark në detyrën e tij të re në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve. I mbështetur më 4 prill 2015, Plaku Klark do ta fillojë shërbimin e tij vetëm pak javë pasi të mbarojë detyrën e tij si president i Universitetit “Brigam Jang” – Ajdaho.
“Unë kam qenë në shkollë që kur isha pesë vjeç”, tha I Shtatëdhjeti i sapothirrur. “E dua të mësuarin dhe mësimdhënien.”
Ai u lind në Solt-Lejk-Siti të Jutas më 20 mars 1948, nga Merlin dhe Helen Mer Klarku, më i madhi nga tri fëmijët. E kaloi fëmijërinë e tij në Solt-Lejk-Siti deri në moshën 11-vjeçare, kur babai i tij pranoi një punë në Spokejn të shtetit të Uashingtonit.
Edhe pse kishte planifikuar të vazhdonte Universitetin “Brigam Jang” në Provo të Jutas, si nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme, ai ndjeu se kishte nevojë të shqyrtonte mundësi të tjera dhe vendosi të aplikonte në Universitetin Harvard në Masaçusets – një vend që më së fundi do të bëhej shtëpia e tij për më shumë se tri dekada.
Pas vitit të tij të parë të studimit në Harvard, Plaku Klark shërbeu në Misionin e Gjermanisë Jugore nga viti 1968 deri në vitin 1970. Pas kthimit, ai frekuentoi UBJ-në ku shpejt u takua me Su Lorejn Hantin në lagjen e tij. Ata u martuan pak muaj më vonë më 14 qershor 1971. Janë prindërit e shtatë fëmijëve.
Pikërisht pasi u martuan, çifti lëvizi në zonën e Bostonit të Masaçusetsit, ku Plaku Klark përsëri u regjistrua në Universitetin Harvard. Atje ai mori një diplomë universitare, një master dhe një doktoratë – që të gjitha si ekonomist. Plaku Klark u bë anëtar i trupit pedagogjik të Shkollës së Biznesit Harvard në vitin 1978 dhe më pas u emërua dekani i shkollës në vitin 1995. Në vitin 2005 ai u emërua presidenti i UBJ – Ajdahos, ku shërbeu për gati një dekadë.
Plaku Klark ka shërbyer si president i kuorumit të pleqve, sekretar ekzekutiv i lagjes, këshilltar i peshkopit, peshkop, këshilltar i lartë, këshilltar i presidentit të misionit të kunjit dhe I Shtatëdhjetë Zonal.