2015
Plaku Vern P. Stenfill
Maj 2015


Plaku Vern P. Stenfill

Kuorumi i Parë i Të Shtatëdhjetëve

Plaku Vern Peri Stenfill beson se nuk ka diçka të tillë si rastësia. Ai beson se ka ndërthurje në këtë jetë midis njerëzve për një qëllim dhe që Zoti mund t’i frymëzojë fëmijët e Tij që të jenë një bekim për të tjerët.

Plaku Stenfill gëzohet në shërbesën ndaj njerëzve të tjerë në ungjill, veçanërisht duke punuar me njerëzit mbi baza individuale.

I lindur më 8 gusht 1957, nga Xhed dhe Pegi Stenfill, Plaku Stenfill u rrit në një fermë gjedhësh pranë Taunsendit në Montana. Ai mësoi vlerën e punës së vështirë dhe kultivoi një dëshmi për Shpëtimtarin Jezu Krisht. Fëmija i tretë nga katër fëmijët, Plaku Stenfill ka dy vëllezër më të mëdhenj dhe një motër më të vogël, të cilët kanë shërbyer besnikërisht në Kishë.

“Dora e Zotit është e pranishme në jetën tonë pavarësisht nga dobësitë tona”, tha ai. “Bashkëshortja ime dhe unë nuk jemi njerëz të përsosur. Ne nuk kemi një familje të përsosur. Jemi thjesht njerëz të zakonshëm që jemi përpjekur ta jetojmë jetën tonë ditë pas dite dhe ta lejojmë Zotin të jetë pjesë e saj.”

Pasi shërbeu një mision kohëplotë në Tuluzë të Francës dhe pasi vazhdoi për një diplomë në ekonominë bujqësore në Universitetin “Brigam Jang”, ai u takua dhe u martua me Alisia Koksin. Ata u martuan më 17 dhjetor 1980 në Tempullin e Solt-Lejkut.

Pas diplomimit, çifti Stenfill u kthye në Montana që ai të mund të administronte fermën familjare, të kryente veprimtaritë që lidheshin me gjedhët, kashtën dhe drithin. Ai e shiti biznesin në vitin 1998 dhe filloi të administronte një numër pronash të patundshme dhe mjetesh financiare, si edhe strukturimin e çështjeve filantropike dhe të pronave të patundshme.

Plaku Stenfill është përfshirë në aviacion për qëllime si biznesi ashtu edhe argëtimi dhe ka licenca fluturimi për qëllime tregtare si për avionë dhe për helikopterë.

Përveç rritjes së katër vajzave të dashura së bashku me bashkëshorten e tij, Plaku Stenfill pati mundësi për të shërbyer në Kishë si një president i kuorumit të pleqve, peshkop, këshilltar i lartë, president kunji dhe I Shtatëdhjetë Zonal. Ai po shërbente në Kuorumin e Gjashtë të Të Shtatëdhjetëve në kohën e thirrjes së tij në Kuorumin e Parë.