2015
Meri R. Durham
Maj 2015


Meri R. Durham

Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores

Ndërkohë që baraspeshonte kërkesat e jetës familjare, të thirrjeve në Kishë, të karrierës dhe të përgjegjësive të tjera gjatë gjithë jetës së saj martesore, Meri Riçard Durhami ka vënë re që, kur ajo dhe bashkëshorti i saj e vendosin Zotin të parin, gjithçka zë vendin e duhur. “Është gjë e këndshme. Nëse mirëbesoni, Zoti ju bekon”, tha ajo.

Kjo është një temë që ajo e ka parë të përsëritet shumë herë. Ajo u thirr që të shërbente si presidente e Të Rejave të lagjes, ndërkohë që bashkëshorti i saj shërbente në presidencën e kunjit. Më vonë ata shërbyen së bashku teksa bashkëshorti i saj kryesonte në Misionin e Tokios në Japoni nga viti 2000 deri në vitin 2003. Tani ajo do të shërbejë si këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Fillores, ndërkohë që bashkëshorti i saj fillon shërbimin e tij si një I Shtatëdhjetë Zonal.

“Ndërkohë që lidhemi së bashku me njëri-tjetrin dhe me Zotin, çdo gjë shkon më lehtë”, tha ajo.

Meri Lusill Riçardsi u lind më 16 mars 1954 në Portsmuth të Virxhinias, nga L. Stiven Riçards i Riu dhe Anet Riçardsi. Ndërkohë që i ati vazhdonte diplomimin e tij mjekësor, familja lëvizi në Mineapolis të Minesotës, përpara se të vendoseshin në Solt-Lejk-Siti të Jutas.

E ushqyer shpirtërisht nga besimi dhe dashuria e prindërve të saj dhe nga një familje mjaft e madhe, ajo arriti të dinte se ungjilli është i vërtetë. “Ishte një përvojë e gëzuar që ta jetoja ungjillin. Nuk ishte e vështirë. Ishte kënaqësi”, tha Motra Durham.

Kur ishte e re, ishte mbresëlënëse për të rëndësia e gjetjes së një të riu të denjë për t’u martuar dhe ajo e bëri atë një çështje të lutjes së përditshme dhe të agjërimit të përjavshëm. Pas shkollës së mesme, ajo frekuentoi Universitetin “Brigam Jang” me një bursë vallëzimi dhe u takua me Mark Durhamin, i cili po frekuentonte Universitetin e Jutas. “E dallova menjëherë mirësinë e tij”, tha ajo.

Çifti u martua në qershor të vitit 1974 në Tempullin e Solt-Lejkut. Ata kanë shtatë fëmijë.

Motra Durham ka shërbyer si presidente e Shoqatës së Ndihmës së një kunji, këshilltare në presidencën e Shoqatës së Ndihmës së një lagjeje, mësuese e Doktrinës së Ungjillit, presidente e Të Rejave të lagjes dhe, në kohët më të fundit, si anëtare e bordit të përgjithshëm të Fillores.