2015
Shërbimet e Paraqitura në Faqet e Internetit
Maj 2015


Shërbimet e Paraqitura në Faqet e Internetit

Çfarë po bëjnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme për t’i bërë më të mira komunitetet në të cilat jetojnë? Mësojeni duke shkuar te MormonNewsroom.org. Ja tek janë disa shembuj nga artikujt e kohëve të fundit në faqet ndërkombëtare të internetit të Redaksisë.

Zelanda e Re dhe Vanuatu

Kur cikloni Pem e goditi kombin e vogël ishullor të Paqësorit në Vanuatu, shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Okland të Zelandës së Re – me ndihmë nga Shërbimet Humanitare të Kishës – u mblodhën për të ndihmuar njerëzit e rrënuar nga stuhia. Ata paketuan 2.000 kuti me ushqime për të ndihmuar sa më shumë veta nga popullata e ndikuar, që të ishte e mundur. Secila enë u mbush me miell, oriz, fruta të konservuara, fasule, mish viçi, peshk, biskota, rrush të thatë, makarona, qumësht pluhur me çokollatë dhe një hapëse konservash. Enët gjithashtu mund të përdoren për qëllime të tjera, si mbartja e ujit.

Republika Dominikane dhe Kanadaja

Në Republikën Dominikane dhe në Kanada, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme u bashkuan për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Grave, një veprimtari e sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara. Më shumë se 1.200 gra u mblodhën në shtëpitë e mbledhjeve të Kishës në disa zona të Republikës Dominikane për t’i nderuar gratë për ndihmesat e tyre të shumta në botë. Udhëheqës fetarë, civilë dhe ushtarakë morën pjesë në veprimtarinë, e cila përfshiu një program muzikor dhe fjalime. Në Kanada, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme gjithashtu e festuan ditën e shënuar duke dhënë informacion rreth Shoqatës së Ndihmës, duke vënë në dukje që ajo është një “mjet i jashtëzakonshëm për shërbim anembanë globit”.

Mbretëria e Bashkuar

Qëllimi i tyre fillestar ishte të qepnin 100 fustane për fëmijët nevojtarë në Afrikë, por kur mbaruan, gratë e Lagjes Kaventri në Angli kishin bërë më shumë se 230 fustane. Fustanet e thjeshta, të bëra me këllëfë jastëkësh, janë të kollajshme për t’u përfunduar. Një motër, e cila nuk kishte qepur më parë, ishte në gjendje të qepte 3 prej tyre.

Arkanzas, SHBA

Më shumë se 600 njerëz frekuentuan një takim shpirtëror ndërfetar në komunitet rreth temës së lirisë fetare, i mbajtur nga Kunji i Litëll Rokut në Arkanzas, duke përfshirë përfaqësues nga komunitetet katolike, metodiste e islamike dhe një personalitet radioje evangjelist. Ngjarja ndërfetare gjithashtu përfshiu një mesazh të regjistruar në video nga zëvendësguvernatori i shtetit dhe një lutje të mbylljes nga një senator i shtetit, që të dy baptistë. Organizatorët thanë se veprimtaria ngriti “ura mirëkuptimi”.