2015
Qëndroni Afër Pemës
Maj 2015


Qëndroni Afër Pemës

Vegimi i Lehit me pemën e jetës është një alegori e fuqishme mbi durimin deri në fund.

Pak para se Presidenti Hiber J. Grant të ndërronte jetë, një nga Vëllezërit e vizitoi në shtëpi. Përpara se të largohej, Presidenti Grant u lut: “O Perëndi, më beko që të mos e humbas dëshminë time dhe të vazhdoj besnik deri në fund!”1 Pas thuajse 27 vitesh si President i Kishës, kjo ishte lutja e tij e zjarrtë. Shembulli i tij është një kujtues i fuqishëm që askush, në çfarëdo moshe, nuk është i paprekshëm nga ndikimi i Satanit. Dy nga mjetet më të fuqishme të Satanit janë hutimi dhe mashtrimi.

Durimi deri në fund është një shenjë dalluese e dishepullimit të vërtetë dhe është thelbësor për jetën e përjetshme. Por kur sprovat dhe sfidat na dalin përpara, shpesh na thuhet që thjesht “të mbahemi”. Më lejoni të qartësohem: të “mbahe[sh]” nuk është një parim i ungjillit. Durim deri në fund do të thotë të vijmë te Krishti vazhdimisht dhe të përsosemi në Të.

Nëse durimi deri në fund është thelbësor për jetën e përjetshme, përse duhet mund për të qenë besnikë? Neve na duhet mund kur duhet të zgjedhim midis përparësive konkurruese. Bindja e rastësishme dhe zotimi i vakët e dobësojnë besimin. Durimi deri në fund kërkon zotim tërësor ndaj Shpëtimtarit dhe ndaj besëlidhjeve tona.

Vegimi i Lehit me pemën e jetës është një alegori e fuqishme mbi durimin deri në fund. Ju lutem, studiojeni dhe përsiateni plot lutje ëndrrën e Lehit; më pas përshtateni me veten tuaj. Kur ta bëni këtë, merrni parasysh me kujdes gjashtë parime të rëndësishme që na ndihmojnë të durojmë deri në fund.

1. Mos Harroni të Luteni

Ne fillojmë me Lehin të vetëm “në një humbëtirë të errët dhe të zymtë”2. Secili prej nesh përjeton periudha errësire dhe vetmie. “Kur jeta terr të duket, lutjen kujto ti.”3 Ndiqni shembullin e Presidentit Hiber J. Grant. Lutuni për forcë që të duroni deri në fund. Pyeteni Atin Qiellor: “Çfarë tjetër do që unë të bëj?”

2. Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të

Pema e jetës është përqendrimi kryesor në ëndrrën e Lehit. Gjithçka të drejton për te pema e jetës. Pema përfaqëson Krishtin, i cili është shfaqja e qartë e dashurisë së Perëndisë. Fruta është Shlyerja e pafundme e Tij dhe është provë e madhe e dashurisë së Perëndisë. Jeta e përjetshme me njerëzit tanë të dashur është më e ëmbël dhe më e dëshirueshme sesa ndonjë gjë tjetër. Për ta kuptuar këtë dhuratë, ne duhet të “[vijmë] te Krishti dhe [të] përsos[emi] në të”4. Ai është “udha, e vërteta dhe jeta”5. Ne mund ta mbushim jetën tonë me arritje dhe mirësi, por në fund, nëse nuk hyjmë në besëlidhjet e shenjta për të ndjekur Krishtin dhe për t’i mbajtur ato me besnikëri, ne do ta kemi humbur krejtësisht dhe plotësisht qëllimin e vërtetë.

3. Shkoni Përpara me Besim

Ka një shteg që të çon për te pema e jetës, te Krishti. Ai është i ngushtë dhe i ngushtuar, i prerë dhe i saktë. Urdhërimet e Perëndisë janë të prera, por jo kufizuese. Ato na mbrojnë nga rreziku shpirtëror e fizik dhe na parandalojnë humbjen e rrugës.

Bindja ndërton besim te Krishti. Besimi është një parim veprimi dhe fuqie. Ndjekja në mënyrë të vazhdueshme e shembullit të Shpëtimtarit sjell fuqi shpirtërore dhe aftësi. Pa fuqinë forcuese dhe mundësuese të Shlyerjes, është e pamundur të qëndrosh në shteg dhe të durosh.

“Shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht.”6

4. Libri i Mormonit Është Çelësi për Mbijetesën Shpirtërore

Udhëtimi i jetës është sfidues. Është e lehtë të hutohesh, të endesh jashtë shtegut dhe të humbasësh. Mundimi është një pjesë e pashmangshme dhe e domosdoshme e përparimit tonë të përjetshëm. Kur fatkeqësia vjen, mos lejoni asgjë që nuk e kuptoni plotësisht, të shpërbëjë çdo gjë që ju dini. Jini të duruar, kapuni tek e vërteta; kuptueshmëria do të vijë. Sprovat janë si mjegullat e mëdha të errësirës që mund të na i verbojnë sytë dhe të na i ngurtësojnë zemrat. Po të mos “mba[hemi] vazhdimisht me vendosmëri”7 te fjala e Perëndisë dhe ta jetojmë atë, ne do të bëhemi të verbër nga shpirti në vend që të bëhemi mendjekontrolluar nga shpirti. Hetojeni Librin e Mormonit dhe fjalët e profetëve të gjallë çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë! Ai është çelësi për mbijetesën shpirtërore dhe shmangien e mashtrimit. Pa të, ne jemi të humbur shpirtërisht.

5. Mos u Hutoni dhe Mos u Mashtroni

Të vësh veshin është të kushtosh vëmendje të kujdesshme. T’ua vini veshin atyre që nuk besojnë në Krisht, nuk do t’ju ndihmojë ta gjeni Atë. Kërkimi në internet i një termi për njohuri, nuk do t’ju çojë tek e vërteta. Nuk është i publikuar atje. Vetëm Shpëtimtari ka “fjalë jete të përjetshme”8. Çdo gjë tjetër është thjesht fjalë. Ndërtesa e madhe dhe e gjerë simbolizon “imagjinat[ën] e kotë dhe kryelartësi[në]”9 e botës – me fjalë të tjera, hutimin dhe mashtrimin. Ajo është e mbushur me njerëz të veshur mirë, që duken se kanë gjithçka. Por ata e përqeshin Shpëtimtarin dhe ata të cilët e ndjekin Atë. Ata “mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës”10. Ata mund të jenë të saktë politikisht, por janë të humbur shpirtërisht.

6. Qëndroni Afër Pemës

Mesazhi i Lehit është të qëndrojmë afër pemës. Ne qëndrojmë sepse jemi të kthyer në besim te Zoti. Alma dha mësim: “Vini re, ai ndryshoi zemrat e tyre; po, ai i zgjoi nga një gjumë i thellë dhe ata u zgjuan në Perëndi”11. Ndërsa ia japim zemrat tona Perëndisë, Fryma eShenjtë ndryshon vetë natyrën tonë, ne bëhemi të kthyer thellësisht në besim te Zoti dhe nuk e kërkojmë më ndërtesën e gjerë. Nëse reshtim së bëri ato gjëra që sjellin thellim të kthimit në besim, ne zmbrapsemi shpirtërisht. Braktisja është e kundërta e kthimit në besim.

Për të gjithë misionarët e kaluar dhe të tanishëm: Pleq dhe motra, ju thjesht nuk mund të ktheheni nga misioni juaj, t’i ktheheni plotësisht mënyrave të botës dhe të kaloni orë pafund duke shënuar pikë të pakuptimta në lojëra të kota kompjuterike pa rënë në një gjumë të thellë shpirtëror. As nuk mund të kënaqeni me pornografi në internet dhe ta shpërfillni virtytin dhe dëlirësinë pa pasoja shpirtërore të tmerrshme. Nëse e humbisni Shpirtin, jeni të humbur. Mos u hutoni dhe mos u mashtroni.

Dishepujt e vërtetë vazhdojnë të zgjohen në Perëndi çdo ditë në lutje vetjake domethënëse, studim të zellshëm të shkrimeve të shenjta, bindje vetjake dhe shërbim vetëmohues. Qëndroni afër pemës dhe qëndroni zgjuar.

Disa vite më parë, Motra Pirson dhe unë u thirrëm për të kryesuar në Misionin e Takomës, Uashington. Thirrja ishte krejt një befasi. Me pak drithërimë u takova me kryetarin dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë ku isha punësuar dhe i vura në dijeni për thirrjen time të misionit. Ata ishin dukshëm të mërzitur me vendimin tim për t’u larguar nga firma. “Kur e more këtë vendim dhe përse nuk e diskutove me ne më përpara?” pyetën ata.

Në një çast qartësie, një përgjigje e thellë më erdhi në mendje. Unë thashë: “E mora këtë vendim si një djalë 19-vjeçar, kur bëra besëlidhje të shenjta me Perëndinë në tempull për të ndjekur Shpëtimtarin. E kam ndërtuar tërë jetën time mbi ato besëlidhje dhe kam tërësisht qëllim t’i mbaj ato tani.”

Pasi hyjmë në besëlidhje me Perëndinë, nuk ka kthim prapa. Bërja e lëshimeve, heqja dorë dhe shterimi i fuqisë nuk janë mundësi zgjedhjeje. Në mbretërinë e Perëndisë, ka një standard përsosurie për ekzaltim. Për të duhet dishepullim i guximshëm! Nuk ka vend për dishepuj mesatarë ose të vetëkënaqur. Mesatarja është armikja e të shkëlqyerës dhe zotimi mesatar do t’ju pengojë të duroni deri në fund.

Nëse po mundoheni, jeni të hutuar apo të humbur shpirtërisht, ju nxit të bëni të vetmen gjë që e di se do t’ju rikthejë në binarë. Filloni sërish ta studioni me lutje Librin e Mormonit dhe jetojini mësimet e tij çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë! Unë dëshmoj për fuqinë e thellë në Librin e Mormonit që do ta ndryshojë jetën tuaj dhe do ta forcojë vendimin tuaj për të ndjekur Krishtin. Fryma e Shenjtë do ta ndryshojë zemrën tuaj dhe do t’ju ndihmojë t’i shihni “gjëra[t] ashtu siç janë në të vërtetë”12. Ai do të tregojë se çfarë duhet të bëni më pas. Ky është premtimi i Nefit për ju:

“Dhe unë u thashë atyre … që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, ata nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin ata në verbëri, t’i çojnë ata në shkatërrim.

Prandaj, unë … i këshillova ata … që ata t’ia vinin veshin fjalës së Perëndisë dhe të kujtonin të mbaheshin urdhërimet e tij gjithmonë në të gjitha gjërat.”13

Vëllezër dhe motra, durimi deri në fund është prova e madhe e dishepullimit. Dishepullimi ynë i përditshëm do të përcaktojë fatin tonë të përjetshëm. Zgjohuni në Perëndi, kapuni tek e vërteta, mbajini besëlidhjet tuaja të shenjta të tempullit dhe qëndroni afër pemës!

Jap dëshmi për Krishtin e ringjallur, të gjallë. Unë e di se Ai jeton. Dëshira ime më e madhe është që të jem i vërtetë dhe besnik deri në fund në ndjekjen e shembullit të shkëlqyer të Tij. Në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krishtit, amen.