2015
A Është Ende i Mahnitshëm për Ju?
Maj 2015


A Është Ende i Mahnitshëm për Ju?

Të mrekullohesh nga çuditë e ungjillit është një shenjë besimi. Është të njohësh dorën e Zotit në jetën tonë dhe në çdo gjë përreth nesh.

Bashkëshortja ime dhe unë patëm gëzimin e madh të rritjes së pesë fëmijëve tanë pranë qytetit magjepsës të Parisit. Gjatë atyre viteve ne dëshiruam t’u ofronim atyre mundësi të çmuara për të zbuluar gjërat e mrekullueshme të kësaj bote. Çdo verë, familja jonë ndërmerrte udhëtime të gjata për të vizituar monumentet më domethënëse, vendndodhjet historike dhe çuditë natyrore të Europës. Së fundi, pasi kaluam 22 vite në zonën e Parisit, ne po bëheshim gati për t’u shpërngulur. Unë ende e kujtoj ditën kur fëmijët erdhën tek unë dhe thanë: “Babi, është plotësisht e turpshme! Ne kemi jetuar këtu gjithë jetën tonë dhe nuk kemi qenë kurrë në kullën Eifel!”

Ka kaq shumë mrekulli në këtë botë. Megjithatë, ndonjëherë, kur i kemi vazhdimisht përpara syve tanë, i marrim për të mirëqena. Ne vështrojmë, por në të vërtetë nuk shohim; ne mbajmë vesh, por në të vërtetë nuk dëgjojmë.

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi u tha dishepujve të Tij:

“Lum sytë që shohin ato që shihni ju,

sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan”1.

Unë shpesh e kam pyetur veten se si do të kishte qenë të jetoje në kohën e Shpëtimtarit tonë. A mund të përfytyroni të uleni në këmbët e Tij? Të ndieni përqafimin e Tij? Të dëshmoni ndërsa Ai u shërbente të tjerëve? E megjithatë, shumë njerëz që e takuan Atë, nuk arritën ta kuptonin – ta “shihni[n]” – se vetë Biri i Perëndisë po jetonte mes tyre.

Ne gjithashtu jemi të privilegjuar që jetojmë në një kohë të veçantë. Profetët e lashtë e panë punën e Rivendosjes si “një punë të mrekullueshme … , po, një punë të mrekullueshme dhe një çudi”2. Në asnjë periudhë të mëparshme ungjillore nuk janë thirrur kaq shumë misionarë, nuk kanë pranuar kaq shumë kombe mesazhin e ungjillit dhe nuk janë ndërtuar kaq shumë tempuj në mbarë botën.

Për ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, çuditë ndodhin edhe në jetën tonë individuale. Ato përfshijnë vetë kthimin tonë vetjak në besim, përgjigjet që marrim nga lutjet tona, dhe bekimet e përzemërta që Perëndia derdh mbi ne përditë.

Të mrekullohesh nga çuditë e ungjillit është një shenjë besimi. Është të njohësh dorën e Zotit në jetën tonë dhe në çdo gjë përreth nesh. Mahnitja jonë prodhon gjithashtu forcë shpirtërore. Na jep fuqinë për të qëndruar me spirancë të hedhur në besimin tonë dhe për ta përfshirë veten në punën e shpëtimit.

Por le të jemi të kujdesshëm. Aftësia jonë për t’u mrekulluar është e brishtë. Me kalimin e kohës, gjëra të tilla si mbajtja rastësore e urdhërimeve, plogështia apo madje lodhja mund të zhvillohen dhe të na bëjnë të pandjeshëm ndaj shenjave dhe mrekullive më mahnitëse të ungjillit.

Libri i Mormonit përshkruan një periudhë kohore, shumë të ngjashme me tonën, që parapriu ardhjen e Mesias në kontinentin amerikan. Papritur, shenjat e lindjes së Tij u shfaqën në qiej. Njerëzit u tronditën kaq shumë nga çudia saqë e përulën veten dhe pothuajse të gjithë u kthyen në besim. Megjithatë, vetëm pas një periudhe të shkurtër katër vjeçare, “njerëzit filluan të harronin ato shenja dhe çudira që kishin dëgjuar dhe filluan të jenë gjithnjë e më pak të çuditur nga ndonjë shenjë ose çudi nga qielli … dhe filluan të mos besonin të gjitha ato që kishin dëgjuar dhe parë”3.

Vëllezërit dhe motrat e mia, a është ende ungjilli i mahnitshëm për ju? A mund të shihni, të dëgjoni, të ndieni dhe të mrekulloheni ende? Apo marrësit tuaj shpirtërorë janë lënë në gjendje pritjeje? Ciladoqoftë situata juaj vetjake, do t’ju ftoja të bënit tri gjëra.

Së pari, kurrë mos u lodhni së zbuluari apo rizbuluari të vërtetat e ungjillit. Shkrimtari Marsel Prust tha: “Udhëtimi i vërtetë i zbulimit nuk qëndron në kërkimin e peizazheve të reja, por në pasjen e syve të rinj”4. A e mbani mend herën e parë kur lexuat një varg të shkrimit të shenjtë dhe u ndiet sikur Zoti po ju fliste vetë juve? A mund ta rikujtoni herën e parë që e ndiet ndikimin e ëmbël të Frymës së Shenjtë të vinte mbi ju, ndoshta përpara se ta kuptonit që ishte Fryma e Shenjtë? A nuk ishin këto çaste të shenjta e të veçanta?

Ne duhet të kemi uri dhe etje çdo ditë për njohuri shpirtërore. Kjo praktikë vetjake gjendet te studimi, meditimi dhe lutja. Nganjëherë ne mund të tundohemi për të menduar: “S’kam nevojë që t’i studioj shkrimet e shenjta sot; i kam lexuar më parë të gjitha” ose “s’kam nevojë të shkoj në Kishë sot; s’ka ndonjë gjë të re atje”.

Por ungjilli është një burim njohurie që nuk shteron kurrë. Atje ka gjithmonë diçka të re për të mësuar dhe për të ndier çdo të diel, në çdo mbledhje dhe në çdo varg të shkrimit të shenjtë. Me besim ne mbahemi te premtimi se nëse “kërko[jmë] … [ne] do të gje[jmë]”5.

Së dyti, mbajeni spirancën e besimit tuaj në të vërtetat e qarta dhe të thjeshta të ungjillit. Mahnitja jonë duhet të rrënjoset në parimet thelbësore të besimit tonë, në dëlirësinë e besëlidhjeve dhe ordinancave tona dhe në veprat tona më të thjeshta të adhurimit.

Një motër misionare tregoi historinë e tre burrave që ajo i takoi gjatë një konference distrikti në Afrikë. Ata vinin nga një fshat i mbyllur, shumë larg vendeve të populluara ku Kisha nuk ishte organizuar ende, por që kishte 15 anëtarë besnikë dhe pothuajse 20 kërkues. Për më shumë se dy javë këta burra kishin ecur në këmbë, duke udhëtuar më tepër se 480 km në shtigje që ishin bërë baltake nga sezoni i shirave, që ata të mund të merrnin pjesë në konferencë dhe të sillnin të dhjetat e anëtarëve të grupit të tyre. Ata planifikuan të qëndronin për një javë të tërë që të mund të gëzonin privilegjin e marrjes së sakramentit të dielën pasuese, dhe më tej shpresuan që të niseshin për t’iu rikthyer udhëtimit, duke mbajtur kuti të mbushura me kopje të Librit të Mormonit mbi koka për t’ua dhënë njerëzve të fshatit të tyre.

Misionarja dëshmoi se sa e prekur ishte nga ndjesia e mrekullimit, që shfaqën këta vëllezër dhe nga sakrificat e tyre me gjithë zemër për të marrë gjëra që për të kishin qenë gjithmonë në dispozicion.

Ajo e pyeti veten: “Nëse do të isha zgjuar mëngjesin e një të diele në Arizona dhe të zbuloja se makina ime nuk punonte, a do të ecja vetëm për disa blloqe banesash larg shtëpisë për në kishën time? Apo thjesht do të rrija në shtëpi sepse ishte shumë larg apo sepse po binte shi?”6 Këto janë pyetje të dobishme që ne të gjithë t’i marrim parasysh.

Së fundi, unë ju ftoj ta kërkoni dhe ta mbani shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Shumë çudi të ungjillit nuk mund të kuptohen nga shqisat tona natyrore. Ato janë gjërat që “syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar, … janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”7.

Kur ne e kemi Shpirtin me vete, shqisat tona shpirtërore bëhen më të mprehta dhe kujtesa jonë ripërtërihet, që ne të mund të mos i harrojmë mrekullitë dhe shenjat që kemi dëshmuar. Kjo mund të jetë arsyeja që, duke e ditur se Jezusi do largohej prej tyre, dishepujt e Tij nefitë u lutën me zjarr “për atë gjë që dëshironin më shumë, dhe ata dëshironin që t’u jepej Fryma e Shenjtë”8.

Edhe pse e kishin parë Shpëtimtarin me vetë sytë e tyre dhe i kishin prekur plagët e Tij me vetë duart e tyre, ata e dinin se dëshmitë e tyre mund të veniteshin pa u ripërtërirë vazhdimisht nga fuqia e Shpirtit të Perëndisë. Vëllezërit dhe motrat e mia, kurrë mos bëni ndonjë gjë që të rrezikoni humbjen e kësaj dhurate të çmuar dhe të mrekullueshme – shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Kërkojeni atë nëpërmjet lutjes së zjarrtë dhe të jetuarit të drejtë.

Unë dëshmoj se puna në të cilën ne jemi përfshirë, është “një punë [e] mrekullueshme dhe një çudi”. Ndërsa e ndjekim Jezu Krishtin, Perëndia na jep dëshmi “me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij”9. Në këtë ditë të veçantë, unë jap dëshmi se çuditë dhe mrekullitë e ungjillit e kanë hedhur spirancën në më të çmueshmen e të gjitha dhuratave të Perëndisë – Shlyerjen e Shpëtimtarit. Kjo është dhurata e përkryer e dashurisë që Ati dhe Biri, të bashkuar në qëllim, i kanë ofruar secilit prej nesh. Me ju “qëndroj plot habi kur shoh sa shum’ Krishti më do. … Për mua ç’mrekulli, Zot, o ç’mrekulli!”10

Lutja ime është që ne të mund të kemi gjithmonë sy që i shohin, veshë që i dëgjojnë, dhe zemër që i ndien, çuditë e këtij ungjilli të mrekullueshëm, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lluka 10:23–24.

  2. 2 Nefi 27:26.

  3. 3 Nefi 2:1.

  4. “Marcel Proust,” Guardian, 22 korrik 2008, theguardian.com/books/2008/jun/11/marcelproust.

  5. Mateu 7:7.

  6. Shih Lorraine Bird Jameson, “The Giants of Kinkonkja” (artikull në faqen e internetit mbi zonën e Afrikës Juglindore, 2009), web.archive.org/web/20101210013757/http:/www.lds.co.za/index.php/news-a-events/news/aseanews/91-the-giants-of-kinkondja.

  7. 1 Korintasve 2:9.

  8. 3 Nefi 19:9.

  9. Hebrenjve 2:4.

  10. “Qëndroj Plot Habi”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 22.