2015
Dhurata e Hirit
Maj 2015


Dhurata e Hirit

Sot dhe përgjithmonë hiri i Perëndisë është i vlefshëm për të gjithë ata, zemrat e të cilëve janë të thyera dhe shpirtrat e të cilëve janë të penduar.

Të dielën e Pashkës ne festojmë ngjarjen më të shumëpritur dhe më të lavdishme në historinë e botës.

Është dita që ndryshoi gjithçka.

Në atë ditë, jeta ime ndryshoi.

Jeta juaj ndryshoi.

Fati i të gjithë fëmijëve të Perëndisë ndryshoi.

Në atë ditë të bekuar, Shpëtimtari i njerëzimit, i cili kishte marrë mbi Vete zinxhirët e mëkatit dhe të vdekjes, që na mbanin të robëruar, i shpërtheu ata zinxhirë dhe na dha lirinë.

Për shkak të flijimit të Shëlbuesit tonë të dashur, vdekja nuk ka thumb, varri nuk ka fitore1, Satani nuk ka pushtet jetëgjatë dhe ne jemi “rilind[ur] për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit”2.

Me të vërtetë, Apostulli Pal kishte të drejtë kur tha se ne mund ta “ngushëllo[jmë] … njëri-tjetrin me këto fjalë”3.

Hiri i Perëndisë

Shpesh flasim për Shlyerjen e Shpëtimtarit – dhe me shumë të drejtë!

Sipas fjalëve të Jakobit: “Pse të mos flasim për shlyerjen e Krishtit dhe të arrijmë te një njohuri e përkryer për të?”4 Por kur “flasim për Krishtin, … gëzohemi në Krishtin, … predikojmë për Krishtin [dhe] profetizojmë mbi Krishtin”5 në çdo mundësi, ne kurrë nuk duhet ta humbasim ndjesinë e mahnitjes dhe të mirënjohjes së thellë për flijimin e përjetshëm të Birit të Perëndisë.

Shlyerja e Shpëtimtarit nuk mund të bëhet diçka e rëndomtë në mësimdhënien tonë, në bisedat tona ose në zemrat tona. Ajo është e shenjtë dhe e shenjtëruar, sepse ishte nëpërmjet këtij “flijim[i të] madh dhe [të] fundit” që Jezusi, Krishti, u solli “shpëtim të gjithë atyre që do të besojnë në emrin e tij”6.

Mrekullohem kur mendoj se Biri i Perëndisë do të denjonte të na shpëtonte, aq të papërsosur, të padëlirë, të prirur ndaj gabimit dhe mosmirënjohës që jemi ne shpesh. Jam përpjekur ta kuptoj Shlyerjen e Shpëtimtarit me mendjen time të kufizuar dhe i vetmi shpjegim që mund të arrij është ky: Perëndia na do thellësisht, përsosurisht dhe përjetësisht. Unë nuk mund të filloj madje ta vlerësoj “gjërësi[në], gjatësi[në], thellësi[në] dhe lartësi[në] … [e] dashuri[së së] Krishtit”7.

Një shprehje e fuqishme e asaj dashurie është ajo që shkrimet e shenjta e quajnë shpesh hiri i Perëndisë – ndihma hyjnore dhe dhurimi i forcës, me anë të të cilave ne rritemi nga qeniet me të meta dhe kufizime që jemi tani, në qenie të ekzaltuara të “[së] vërtetë[s] e dritë[s], derisa të përlëvdohe[mi] në të vërtetë dhe [t’i] di[më] të gjitha gjërat”8.

Është një gjë më e mrekullueshme, ky hir i Perëndisë. Prapëseprapë shpesh ai keqkuptohet.9 Edhe pse kështu, ne duhet të dimë rreth hirit të Perëndisë nëse kemi si qëllim të trashëgojmë atë që është përgatitur për ne në mbretërinë e Tij të përjetshme.

Për atë arsye, do të doja të flisja për hirin. Veçanërisht, së pari, se si hiri i hap portat e qiellit, dhe së dyti, se si ai i çel dritaret e qiellit.

Së pari: Hiri i Hap Portat e Qiellit

Ngaqë ne të gjithë “mëkatua[m] dhe u privua[m] nga lavdia e Perëndisë”10 dhe ngaqë “asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”11, çdonjëri prej nesh është i padenjë të kthehet në praninë e Perëndisë.

Edhe sikur t’i shërbenim Perëndisë me gjithë qenien tonë, kjo nuk mjafton, sepse akoma do të ishim “shërbëtorë të padobishëm”12. Ne nuk mund ta fitojmë udhën tonë drejt qiellit; kërkesat e drejtësisë qëndrojnë si pengesë, të cilën ne jemi të pafuqishëm ta kapërcejmë vetë.

Por jo gjithçka humbet.

Hiri i Perëndisë është shpresa jonë e madhërishme dhe e pafundme.

Nëpërmjet flijimit të Jezu Krishtit, plani i mëshirës plotëson kërkesat e drejtësisë13 “dhe u sjell njerëzve mjete që ata të mund të kenë besim deri në pendim”14.

Mëkatet tona, edhe sikur të mund të jenë të kuqe flakë, mund të bëhen të bardha si bora.15 Ngaqë Shpëtimtari ynë i dashur “e dha veten si çmim për të gjithë”16, një hyrje për në mbretërinë e Tij të amshuar sigurohet për ne.17

Porta u hap!

Por hiri i Perëndisë nuk na rivendos thjesht në gjendjen tonë të mëparshme të pafajshme. Nëse shpëtimi nënkupton vetëm fshirjen e gabimeve dhe të mëkateve tona, atëherë shpëtimi – aq i mrekullueshëm sa ç’është – nuk i përmbush aspiratat e Atit për ne. Qëllimi i Tij është shumë më i lartë: Ai dëshiron që bijtë dhe bijat e Tij të bëhen si Ai.

Me dhuratën e hirit të Perëndisë, shtegu i dishepullimit nuk na kthen pas; na drejton përpara.

Na çon drejt lartësive që vështirë se mund t’i kuptojmë! Ai na çon drejt ekzaltimit në mbretërinë çelestiale të Atit tonë Qiellor, ku ne, të rrethuar nga njerëzit tanë të dashur, marrim “nga plotësia e tij dhe nga lavdia e tij”18. Të gjitha gjërat janë tonat dhe ne jemi të Krishtit.19 Në të vërtetë, gjithçka që Ati ka, do të na jepet neve.20

Që ta trashëgojmë këtë lavdi, na nevojitet më shumë sesa një portë e hapur; ne duhet të hyjmë nëpërmjet kësaj porte me një dëshirë në zemër që të ndryshohemi – një ndryshim kaq rrënjësor sa shkrimet e shenjta e përshkruajnë atë si të qenit “të lind[ur] rishtas; po, të lind[ur] nga Perëndia, të ndryshuar nga gjendja [jonë, e dhënë pas botës] dhe e rënë, në një gjendje drejtësie, duke qenë të shëlbuar nga Perëndia, duke u bërë bijtë dhe bijat e tij”21.

Së dyti: Hiri i Çel Dritaret e Qiellit

Një tjetër pjesë përbërëse e hirit të Perëndisë është çelja e dritareve të qiellit, nëpërmjet së cilave Perëndia derdh bekimet e fuqisë dhe të forcës, duke na mundësuar të arrijmë gjëra që përndryshe do të ishin shumë përtej arritjes sonë. Është nëpërmjet hirit të mahnitshëm të Perëndisë që fëmijët e Tij mund t’i kapërcejnë rrymat nënujore dhe rërat thithëse të mashtruesit, mund të ngrihen mbi mëkatin dhe të “bë[hen] të përsosur në Krisht[in]”22.

Edhe pse të gjithë kemi dobësi, ne mund t’i kapërcejmë ato. Në të vërtetë, është nëpërmjet hirit të Perëndisë që, nëse e përulim veten tonë dhe kemi besim, gjërat e dobëta mund të bëhen të forta.23

Gjatë gjithë jetës sonë, hiri i Perëndisë dhuron bekime materiale dhe dhurata shpirtërore që i lartësojnë aftësitë tona dhe e pasurojnë jetën tonë. Hiri i Tij na pastron. Hiri i Tij na ndihmon të bëhemi më të mirët që mundemi.

Kush Mund të Kualifikohet?

Në Bibël ne lexojmë rreth vizitës së Krishtit te shtëpia e Simon Fariseut.

Në pamjen e jashtme, Simoni dukej të ishte një burrë i mirë dhe i drejtë. Ai rregullisht e kontrollonte listën e gjërave për të bërë lidhur me detyrimet fetare: e zbatonte ligjin, e paguante të dhjetën, e respektonte Shabatin, lutej çdo ditë dhe shkonte në sinagogë.

Por ndërsa Jezusi ishte me Simonin, një grua u afrua, i lau këmbët e Shpëtimtarit me lotët e saj dhe i vajosi këmbët e Tij me vaj erëkëndshëm.

Simoni nuk ishte i kënaqur me këtë shprehje të adhurimit, sepse e dinte se kjo grua ishte një mëkatare. Simoni mendoi që, nëse Jezusi nuk e dinte këtë, Ai nuk duhej të ishte një profet ose Ai nuk do ta kishte lejuar gruan ta prekte.

Duke i parakuptuar mendimet e tij, Jezusi iu kthye Simonit dhe i bëri një pyetje. “Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë … tjetri pesëdhjetë.

Meqë ata [që të dy] nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?”

Simoni u përgjigj se ishte ai të cilit i ishte falur më shumë.

Atëherë Jezusi dha një mësim themelor: “A e sheh këtë grua? … Mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak.”24

Cili nga këta dy njerëz ka më shumë të ngjarë të jemi ne?

A jemi ne si Simoni? A jemi vetëbesues dhe të vetëkënaqur me veprat tona të mira, duke mirëbesuar në vetë drejtësinë tonë? A jemi ndoshta pak të paduruar me ata që nuk po jetojnë siç e kërkojnë standardet tona? A udhëhiqemi automatikisht nga zakoni, duke kryer lëvizjet, duke frekuentuar mbledhjet tona, duke qenë të përgjumur në orët mësimore të Doktrinës së Ungjillit dhe ndoshta duke i kontrolluar telefonat tanë celularë gjatë shërbimit të sakramentit?

Apo jemi si kjo grua, e cila mendoi se ishte e humbur në mënyrë tërësore dhe të pashpresë për shkak të mëkatit?

A duam shumë?

A e kuptojmë se i kemi borxh Atit Qiellor dhe a përgjërohemi me gjithë shpirtrat tanë për hirin e Perëndisë?

Kur biem në gjunjë për t’u lutur, a e bëjmë që të përmendim sërish arritjet më madhështore të vetë drejtësisë sonë, apo është që t’i rrëfejmë gabimet tona, të përgjërohemi për mëshirën e Perëndisë dhe të derdhim lot mirënjohjeje për planin mahnitës të shëlbimit?25

Shpëtimi nuk mund të blihet me monedhën e bindjes; ai blihet nëpërmjet gjakut të Birit të Perëndisë.26 Mendimi se ne mund t’i shkëmbejmë veprat tona të mira me shpëtimin, është sikurse të blejmë një bilete avioni dhe më pas të hamendësojmë se jemi pronarë të linjës ajrore. Ose mendimi se pasi të paguajmë qira për shtëpinë tonë, ne tani mbajmë dokumentin e pronësisë së të gjithë planetit tokë.

Përse të Bindemi Atëherë?

Nëse hiri është një dhuratë nga Perëndia, përse atëherë bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë është kaq e rëndësishme? Përse të shqetësohemi me urdhërimet e Perëndisë – ose pendimin, përsa i përket atij? Përse thjesht të mos e pranojmë që jemi mëkatarë dhe ta lejojmë Perëndinë të na shpëtojë?

Ose, për ta bërë pyetjen me fjalët e Palit: “A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri?” Përgjigjja e Palit është e thjeshtë dhe e qartë: “Aspak!”27

Vëllezër e motra, ne u bindemi urdhërimeve të Perëndisë – për shkak të dashurisë për Të!

Përpjekja për ta kuptuar dhuratën e hirit të Perëndisë me gjithë zemrën dhe mendjen tonë, na jep edhe më shumë arsye për ta dashur Atin tonë Qiellor dhe për t’iu bindur Atij me zemërbutësi e mirënjohje. Teksa ecim në shtegun e dishepullimit, hiri na pastron, na përmirëson, na ndihmon të bëhemi më shumë si Ai dhe na udhëheq që të kthehemi në praninë e Tij. “Shpirti [i] Zotit [Perëndisë sonë]” shkakton që të ndodhë “një ndryshim [i tillë i] madh te ne, … që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”28.

Si rrjedhim, bindja jonë ndaj urdhërimeve të Perëndisë vjen si një rezultat i natyrshëm i dashurisë dhe mirënjohjes sonë të pafundme për mirësinë e Perëndisë. Ky lloj i dashurisë dhe mirënjohjes së mirëfilltë do t’i ndërthurë mrekullisht veprat tona me hirin e Perëndisë. Virtyti do t’i stolisë mendimet tona pa pushim dhe vetëbesimi ynë do të forcohet në praninë e Perëndisë.29

Vëllezër e motra të dashura, të jetuarit e ungjillit me besnikëri nuk është një barrë. Është një provë e gëzueshme – një përgatitje për trashëgimin e lavdisë së madhërishme të përjetësive. Ne përpiqemi t’i bindemi Atit tonë Qiellor, sepse shpirtrat tanë do të bëhen më të përputhur ndaj gjërave shpirtërore. Hapen peizazhe që kurrë nuk i dinim se ekzistonin. Ndriçimi i mendjes dhe kuptueshmëria na vijnë kur e bëjmë vullnetin e Atit.30

Hiri është një dhuratë nga Perëndia dhe dëshira jonë për të qenë të bindur ndaj secilit prej urdhërimeve të Perëndisë është shtrirja e dorës sonë të vdekshme për ta marrë këtë dhuratë të shenjtë nga Ati ynë Qiellor.

Gjithçka që Mund të Bëjmë

Profeti Nefi i solli një ndihmesë të rëndësishme kuptueshmërisë sonë për hirin e Perëndisë kur shpalli: “Ne punojmë me zell që … të bindim fëmijët tanë dhe gjithashtu vëllezërit tanë të besojnë në Krisht[in] dhe të pajtohen me Perëndinë; pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë31.

Megjithatë, pyes veten nëse ngandonjëherë ne e keqinterpretojmë frazën “pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”. Duhet të kuptojmë se fjala “pas” nuk është e barabartë me togfjalëshin “për shkak të”.

Ne nuk shpëtohemi “për shkak të” gjithçkaje që ne mund të bëjmë. A e ka bërë ndonjëri prej nesh gjithçka që ne mund të bëjmë? A pret Perëndia derisa ne ta kemi bërë çdo përpjekje, përpara se Ai të ndërhyjë në jetën tonë me hirin e Tij shpëtues?

Shumë njerëz ndihen të shkurajuar ngaqë vazhdimisht nuk ia dalin të bëjnë gjithçka që iu kërkohet. Ata e dinë nga përvoja e tyre se “fryma është gati, por mishi është i dobët”32. Ata e ngrenë zërin e tyre me Nefin duke shpallur: “Shpirti im pikëllohet për shkak të paudhësive të mia”33.

Jam i sigurt që Nefi e dinte se hiri i Shpëtimtarit na lejon dhe na aftëson ta mposhtim mëkatin.34 Kjo është arsyeja përse Nefi punoi me kaq zell për t’i bindur fëmijët dhe vëllezërit e tij që “të beso[nin] në Krisht[in] dhe të pajtohe[shin] me Perëndinë”35.

Pas gjithçkaje, ajo është gjëja që ne mund të bëjmë! Dhe ajo është detyra jonë në vdekshmëri!

Hiri Është i Vlefshëm për të Gjithë

Kur mendoj për atë që Shpëtimtari e bëri për ne, duke çuar drejt asaj të diele të parë të Pashkës, unë dua ta ngre zërin tim dhe t’i thur lavde Perëndisë Më të Lartë dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit!

Portat e qiellit janë hapur!

Dritaret e qiellit janë çelur!

Sot dhe përgjithmonë hiri i Perëndisë është i vlefshëm për të gjithë ata, zemrat e të cilëve janë të thyera dhe shpirtrat e të cilëve janë të penduar.36 Jezu Krishti e ka shtruar udhën për ne që të ngjitemi në lartësi të papërfytyrueshme prej mendjes njerëzore.37

Unë lutem që ne do ta shohim me sy të ripërtërirë dhe me një zemër të ripërtërirë domethënien e përjetshme të flijimit shlyes të Shpëtimtarit. Unë lutem që ne vërtet do ta tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë dhe mirënjohjen tonë për dhuratën e hirit të pafundmë të Perëndisë nëpërmjet mbajtjes së urdhërimeve të Tij dhe “të ec[urit me gëzim] në risinë e jetës”38. Në emrin e shenjtë të Mësuesit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, amen.