2015
Pritja për Plangprishësin
Maj 2015


Pritja për Plangprishësin

Marrshim ju dhe unë zbulesën për ta ditur se si t’u afrohemi më mirë njerëzve në jetën tonë që janë humbur.

Shpëtimtari, Jezu Krishti, e kaloi shërbesën e Tij tokësore duke dhënë mësim për fuqinë e Tij shëruese dhe shëlbuese. Në një rast te Lluka, kapitulli 15, në Dhiatën e Re, Ai u kritikua me të vërtetë që po hante dhe po kalonte kohë me mëkatarët (shih Lluka 15:2). Shpëtimtari e përdori këtë kritikë si një mundësi për të na mësuar neve të gjithëve se si t’iu përgjigjemi atyre që e kanë humbur udhën e tyre.

Ai iu përgjigj kritikuesve të Tij duke iu bërë atyre dy pyetje të rëndësishme:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?” (Lluka 15:4).

“Cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë?” (Lluka 15:8).

Shpëtimtari më pas na mëson shëmbëlltyrën e djalit plangprishës. Kjo shëmbëlltyrë nuk ishte rreth 100 deleve apo 10 dhrahmive; ishte rreth një djali të çmuar që ishte humbur. Nëpërmjet shëmbëlltyrës, çfarë na mëson Shpëtimtari rreth mënyrës se si të përgjigjemi kur një pjesëtar i familjes e humbet udhën e tij ose të saj?

Djali plangprishës e njofton atin e tij se ai e dëshiron trashëgiminë e tij tani. Ai dëshiron të largohet nga siguria e shtëpisë dhe e familjes së tij dhe të shkojë pas veprimtarive të botës (shih Lluka 15:12–13). Ju lutem, vini re se në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit, ati me dashuri i përgjigjet duke ia dhënë djalit trashëgiminë e tij. Sigurisht ati duhet të ketë bërë gjithçka që mundej për ta bindur djalin të qëndronte. Megjithatë, sapo djali i rritur e bën zgjedhjen e vet, ati i urtë e lë të shkojë. Ati më pas tregon dashuri të sinqertë dhe ai vështron e pret (shih Lluka 15:20).

Familja ime pati një përvojë të ngjashme. Dy vëllezërit e mi besnikë, motra ime e mrekullueshme dhe unë u rritëm nga prindër shembullorë. Ungjilli na u mësua në shtëpinë tonë, ne mënyrë të suksesshme arritëm deri në moshë të rritur dhe që të katërt u vulosëm në tempull me bashkëshortet tona dhe motra me bashkëshortin e saj. Megjithatë, në vitin 1994 motra jonë, Suzana, nuk pati më dëshirë për Kishën dhe disa prej mësimeve të saj. Ajo u bind prej atyre që i tallnin e i kritikonin udhëheqësit e hershëm të Kishës. E lejoi të zbehej besimin e saj te profetët dhe apostujt e gjallë. Me kalimin e kohës, dyshimet e saj e mposhtën besimin dhe ajo zgjodhi të largohej nga Kisha. Suzana më ka lejuar ta tregoj historinë e saj me shpresën se ajo histori mund t’i ndihmojë të tjerët.

Vëllezërit e mi, unë dhe nëna jonë e ve ishim të dëshpëruar. Nuk mund ta përfytyronim se çfarë mund ta kishte çuar atë që ta braktiste besimin e saj. Zgjedhjet e motrës sime dukej se po ia thyenin zemrën nënës sonë.

Vëllezërit e mi dhe unë kishim shërbyer si peshkopë e presidentë kuorumesh dhe kishim përjetuar gëzimin e suksesit me anëtarët e lagjeve dhe të kuorumeve, kur i lamë të nëntëdhjetë e nëntët dhe shkuam pas njërit. Megjithatë, me motrën tonë, përpjekjet tona të vazhdueshme për ta shpëtuar atë dhe për ta ftuar të kthehej, vetëm e shtynë atë gjithmonë e më tutje.

Teksa kërkonim udhërrëfim qiellor lidhur me mënyrën se si mund t’i përgjigjeshim asaj siç duhej, u bë e qartë se duhej të ndiqnim shembullin e atit në shëmbëlltyrën e djalit plangprishës. Suzana e kishte bërë zgjedhjen e saj dhe ne, në mënyrë figurative, duhej ta linim të shkonte – por jo pa e ditur dhe pa e ndier dashurinë tonë të sinqertë për të. Dhe kështu, me dashuri e mirësi të ripërtërirë, ne vështruam e pritëm.

Nëna ime kurrë nuk pushoi së dashuri dhe së kujdesuri për Suzanën. Çdo herë që nëna ime frekuentonte tempullin, ajo e vendosi emrin e Suzanës në listën e lutjeve dhe kurrë nuk e humbi shpresën. Vëllai im më i madh dhe gruaja e tij, të cilët jetonin më pranë Suzanës në Kaliforni, e ftonin atë në të gjitha ngjarjet familjare. Ata përgatitën darkë në shtëpinë e tyre çdo vit për ditëlindjen e Suzanës. Ata bënë të mundur që gjithmonë të merrnin lajme prej saj dhe që ajo ta dinte se e donin me të vërtetë.

Vëllai im më i vogël dhe gruaja e tij iu afruan fëmijëve të Suzanës në Juta dhe u kujdesën për ta e iu treguan atyre dashuri. Ata bënë të mundur që fëmijët e saj të ftoheshin gjithmonë në grumbullimet familjare dhe kur erdhi koha për pagëzimin e mbesës së Suzanës, vëllai im ishte atje që ta kryente ordinancën. Suzana gjithashtu pati mësues të dashur të shtëpisë dhe mësuese të dashura vizitore, që kurrë nuk u dorëzuan.

Ndërkohë që fëmijët tanë shkuan në misione dhe u martuan, Suzana u ftua dhe mori pjesë në këto festime familjare. Ne u përpoqëm me zell të krijonim ngjarje familjare me qëllim që Suzana dhe fëmijët e saj të mund të ishin me ne dhe ta dinin se ne i donim dhe se ishin pjesë e familjes sonë. Kur Suzana mori një diplomë pasuniversitare nga një universitet i Kalifornisë, ne të gjithë ishim atje për ta mbështetur atë në diplomimin e saj. Megjithëse nuk mund t’i përkrahnim të gjitha zgjedhjet e saj, ne sigurisht mund ta përkrahnim atë. Ne e deshëm, ne vështruam dhe ne pritëm.

Në vitin 2006, pasi kishin kaluar 12 vjet që nga koha kur Suzana u largua nga Kisha, bija jonë, Kejti, u shpërngul me bashkëshortin e saj në Kaliforni, që ai të mund të vazhdonte universitetin për drejtësi. Ata ishin në të njëjtin qytet me Suzanën. Ky çift i ri u drejtua tek tetoja e tij, Suzana, për ndihmë e mbështetje dhe e deshi atë. Suzana ndihmoi që të kujdesej për mbesën tonë dyvjeçare, Lusin, dhe Suzana e gjeti veten duke e ndihmuar Lusin për lutjet e saj të përnatshme. Kejti më mori një ditë në telefon dhe më pyeti nëse mendoja se Suzana do të kthehej ndonjëherë në Kishë. E sigurova që e ndjeja se ajo do të kthehej dhe se na nevojitej të vazhdonim të ishim të durueshëm. Ndërkohë që tre vjet të tjerë kaluan, me dashuri të vazhdueshme, ne vështruam e pritëm.

Gjashtë vjet më parë nga kjo fundjavë, gruaja ime, Marsia, dhe unë ishim të ulur në radhën e parë të kësaj Qendre të Konferencave. Unë do të mbështetesha si një Autoritet i ri i Përgjithshëm atë ditë. Marsia, që është gjithmonë në kontakt me Shpirtin, më kishte shkruar një shënim që thoshte: “Mendoj se është koha për Suzanën që të kthehet”. Bija ime, Kejti, sugjeroi që unë të largohesha dhe ta merrja Suzanën në telefon për ta ftuar që ta shihte konferencën e përgjithshme atë ditë.

I nxitur nga këto dy gra të mrekullueshme, dola në korridor dhe e mora në telefon motrën time. Më doli mesazhi zanor dhe thjesht e ftova që ta shihte atë sesion të konferencës së përgjithshme. Ajo e mori mesazhin. Për kënaqësinë tonë, ajo u ndje e frymëzuar që ta shihte të gjithë sesionin e konferencës. Dëgjoi nga profetë e apostuj që i kishte dashur në vitet e mëparshme. Ajo gjeti emra të rinj që nuk i kishte dëgjuar më parë, të tillë si Presidenti Uhtdorf dhe Pleqtë Bednar, Kuk, Kristoferson dhe Andersen. Gjatë kësaj përvoje dhe përvojave të tjera të veçanta, të dërguara nga qielli, motra ime – sikurse djali plangprishës – erdhi në vete (shih Lluka 15:17). Fjalët e profetëve dhe të apostujve, dhe dashuria e familjes së saj e nxitën atë të kthehej dhe të fillonte të ecte drejt shtëpisë. Pas 15 vjetësh, bija dhe motra jonë, që humbi, ishte gjetur. Vështrimi e pritja kishin mbaruar.

Suzana e përshkruan këtë përvojë po ashtu si e përshkroi Lehi në Librin e Mormonit. Ajo e lëshoi shufrën e hekurt dhe e gjeti veten në mes të një mjegulle errësire (shih 1 Nefi 8:23). Ajo tha se nuk e dinte që ishte e humbur derisa besimi i saj u rizgjua nga Drita e Krishtit, e cila e lartësoi me shkëlqim dallimin e plotë midis asaj që po përjetonte ajo në botë, dhe asaj që Zoti dhe familja e saj po i ofronin.

Një mrekulli ka ndodhur në gjashtë vitet e fundit. Suzana ka një dëshmi të ripërtërirë për Librin e Mormonit. Ajo e ka marrë rekomandimin e saj të tempullit. Ka shërbyer si punonjëse ordinance në tempull dhe kohët e fundit po jep mësim në klasën e Doktrinës së Ungjillit në lagjen e saj. Pragjet e qiellit janë hapur për fëmijët e saj dhe nipërit e mbesat e saj dhe, edhe pse ka pasur pasoja të vështira, duket sikur ajo asnjëherë nuk u largua.

Disa prej jush, sikurse familja Nilson, keni pjesëtarë të familjes që përkohësisht e kanë humbur udhën e tyre. Udhëzimi i Shpëtimtarit për të gjithë që kanë 100 dele, është t’i lënë të nëntëdhjetë e nëntat dhe të shkojnë e të shpëtojnë njërën. Udhëzimi i Tij për ata që kanë 10 dhrahmi dhe e humbasin njërën, është të kërkojnë derisa ta gjejnë. Kur njeriu i humbur është biri juaj ose bija juaj, vëllai juaj ose motra juaj, dhe ai ose ajo ka zgjedhur të largohet, ne mësuam në familjen tonë se, pas gjithçkaje që mund të bëjmë, ne e duam atë njeri me të gjithë zemrën tonë dhe vështrojmë, lutemi e presim për dorën e Zotit që të zbulohet.

Ndoshta mësimi më i rëndësishëm që Zoti më mësoi mua përmes këtij procesi, ndodhi gjatë studimit tonë familjar të shkrimeve të shenjta, pasi motra ime e kishte lënë Kishën. Djali ynë, Dejvidi, po lexonte, teksa ne studionim së bashku Llukën 15. Ndërsa ai lexonte shëmbëlltyrën e djalit plangprishës, atë ditë unë e dëgjova atë ndryshe nga ç’e kisha dëgjuar ndonjëherë më parë. Për njëfarë arsyeje, gjithmonë kisha menduar për veten time si djali që qëndroi në shtëpi. Teksa Dejvidi lexonte atë mëngjes, e kuptova që në shumë mënyra unë isha djali plangprishës. Ne të gjithë u privuam nga lavdia e Atit (shih Romakëve 3:23). Ne të gjithëve na nevojitet Shlyerja e Shpëtimtarit për të na shëruar. Ne të gjithë jemi të humbur dhe kemi nevojë të na gjejnë. Kjo zbulesë atë ditë më ndihmoi të dija që motra ime dhe unë, që të dy, kishim nevojë për dashurinë e Shpëtimtarit dhe për Shlyerjen e Tij. Suzana dhe unë ishim në të vërtetë në të njëjtin shteg të kthimit për në shtëpi.

Fjalët e Shpëtimtarit në shëmbëlltyrë, ndërkohë që Ai e përshkruan atin duke e mirëpritur djalin e tij plangprishës, janë të fuqishme dhe unë besoj se ato mund të jenë përshkrimi i përvojës që ju dhe unë do të kemi me Atin kur të kthehemi te shtëpia jonë qiellore. Ato na mësojnë për një atë që na do, pret dhe vështron. Këto janë fjalët e Shpëtimtarit: “Kur ishte ende larg, i ati e pa dhe [pati] dhembshuri; u lëshua [me] vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi” (Lluka 15:20).

Marrshim ju dhe unë zbulesën për të ditur se si t’u afrohemi më mirë njerëzve në jetën tonë që janë humbur dhe, kur është e domosdoshme, të kemi durimin dhe dashurinë e Atit tonë në Qiell dhe të Birit të Tij, Jezu Krishtit, kur duam, vështrojmë dhe presim për plangprishësin. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.