“Dëshmia e Jozef Smithit për Librin e Mormonit: ‘Përkthyer … me anë të Dhuratës dhe Fuqisë së Perëndisë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Dëshmia e Jozef Smithit për Librin e Mormonit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Faqet e Parathënies së Librit të Mormonit
Dëshmia e Jozef Smithit për Librin e Mormonit
“Përkthyer … me anë të Dhuratës dhe Fuqisë së Perëndisë”
Si doli në dritë Libri i Mormonit? Si e përktheu Jozef Smithi atë nga një gjuhë e panjohur në anglisht? Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh dhe shpjegosh më mirë se si doli në dritë Libri i Mormonit “me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 135:3).
Dalja në dritë e Librit të Mormonit
“Me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”
Mendo për dikë që e njeh, i cili mund të merrte dobi nga të mësuarit më shumë rreth daljes në dritë të Librit të Mormonit. Mund të jetë dikush i cili nuk është anëtar i Kishës, ose ndoshta një anëtar i Kishës i cili po has vështirësi me besimin e vet. Përshkruaj shkurtimisht rrethanat e tij në ditarin tënd të studimit dhe përcakto pse mund të marrë dobi nga të mësuarit më shumë rreth daljes në dritë të Librit të Mormonit.
Teksa studion, kërko për prova të së vërtetës se Jozef Smithi e nxori në dritë Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë (shih te faqja e titullit e Librit të Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje 135:3).
Jozef Smithi shkroi rreth përvojës së tij gjatë daljes në dritë të Librit të Mormonit.
Lexo pjesën “Dëshmia e Profetit Jozef Smith” nga faqet e parathënies së Librit të Mormonit. Shenjo ide ose hollësi të cilat mund t’ia tregosh personit për të cilin mendove më parë. Nëse ke qasje te shkrimet e shenjta digjitale, mund të duash ta dëgjosh tekstin dhe ta ndjekësh në shkrimet e tua të shenjta.
-
Çfarë thëniesh gjete të cilat tregojnë se Libri i Mormonit doli në dritë me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë?
-
Pse mendon se u zgjodh Jozef Smithi ta përkthente Librin e Mormonit, në vend të një studiuesi të shquar të kësaj periudhe kohore?
-
Çfarë mësove rreth daljes në dritë të Librit të Mormonit që do t’ia tregoje personit që mendove?
Hollësitë historike
Pasi Jozef Smithi i mori fletët, ai e përktheu Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. “Nganjëherë Jozefi përkthente duke parë nëpërmjet interpretuesve [Urimi dhe Thumimi] dhe duke i lexuar në anglisht shkronjat mbi fletët. Shpesh ai vuri re se një gur shikues i vetëm ishte më i përshtatshëm. Ai do ta vendoste gurin shikues brenda kapelës, do ta ngjeshte fytyrën brenda kapelës që ta bllokonte dritën e jashtme, dhe do të vështronte te guri. Drita nga guri do të shkëlqente në errësirë, duke zbuluar fjalët që Jozefi i diktonte” (Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 [2018], f. 61, [kapitulli 6]). Për të mësuar më shumë rreth gurit shikues dhe përkthimit të Librit të Mormonit, shih Esenë mbi Temat e Ungjillit “Përkthimi i Librit të Mormonit”.
Lexo thënien e mëposhtme nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë: Gjithashtu mund të shohësh materialin filmik “Kundërshtim në të Gjitha Gjërat” në ChurchofJesusChrist.org nga kodi kohor 08:18 deri në 09:24.
“Pasi Jozef Smithi e kishte përfunduar përkthimin e Librit të Mormonit, atij i duhej ende të gjente një botues. Kjo nuk ishte e lehtë. Ndërlikimi i këtij dorëshkrimi të gjatë dhe kostoja e shtypjes dhe lidhjes së mijëra kopjeve ishin frikësuese. Jozefi iu drejtua së pari E. B. Grandinit, një botuesi në Palmira, i cili nuk pranoi. Më pas ai i kërkoi një botuesi tjetër në Palmira, i cili po ashtu e kundërshtoi. Ai udhëtoi për në Roçester, 25 milje (40 km) larg, dhe iu drejtua botuesit më të mirënjohur në Nju-Jorkun perëndimor, i cili gjithashtu e kundërshtoi. Një botues tjetër nga Roçesteri ishte i gatshëm, por rrethanat e bënë këtë alternativë të papranueshme.
Kishin kaluar javë dhe Jozefi duhej të ketë qenë i hutuar nga kundërshtimi për përmbushjen e detyrës së tij hyjnore. Zoti nuk e bëri të lehtë, por e bëri të mundur. Orvatja e pestë e Jozefit, një avitje e dytë ndaj botuesit të Palmirës, Grandinit, ishte e suksesshme.” (Dallin H. Ouks, “Kundërshtim në të Gjitha Gjërat”, Liahona, maj 2016, f. 116)