“1 Nefi 13:20–42: Të Vërtetat e Qarta dhe të Çmueshme” Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“1 Nefi 13:20–42: Të Vërtetat e Qarta dhe të Çmueshme” Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
1 Nefi 13:20–42
Të Vërtetat e Qarta dhe të Çmueshme
Rivendosja e ungjillit të Shpëtimtarit është një bekim në kaq shumë mënyra. Një bekim është që ai sjell në dritë shumë nga të vërtetat e qarta dhe të çmueshme që humbën nga Bibla. Nefi i pa ngjarjet e Rivendosjes shumë kohë përpara se të ndodhnin dhe e kuptoi rolin e rëndësishëm që do të luante anali i tij në Rivendosje. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se si Libri i Mormonit dhe shkrimet e tjera të shenjta që janë zbuluar ndihmojnë të rivendosen të vërtetat e qarta dhe të çmueshme të ungjillit të Shpëtimtarit.
Kontrolli i sigurisë
Një biçikletë është një formë e thjeshtë dhe e efektshme e transportit. Çiklizmi mund të jetë gjithashtu një përvojë e gëzueshme dhe shpërblyese. Cilat janë disa pjesë thelbësore që i lejojnë një personi ta drejtojë biçikletën me siguri dhe efikasitet? Imagjino sikur të kishe një biçikletë dhe dikush ia hoqi asaj qëllimisht disa pjesë të caktuara thelbësore.
-
Çfarë mund të tregojnë ato veprime rreth ndjenjave të tij ose të saj për ty?
-
Çfarë mund të ndodhë po të përpiqesh ta drejtosh biçikletën pa pjesët që mungojnë?
-
Kë mund të kontaktosh që ta riparojë e ta rikthejë biçikletën që të funksionojë siç duhet?
Në një mënyrë të ngjashme, Satani ka kërkuar t’i dëmtojë dhe pështjellojë fëmijët e Perëndisë duke hequr dhe ndryshuar pjesë të rëndësishme të ungjillit të Jezu Krishtit. Ndërsa studion te 1 Nefi 13, kërko atë që ka bërë Shpëtimtari për të na ndihmuar t’i kapërcejmë pengesat e Satanit.
Ka shumë njerëz që pengohen
Nefit iu treguan në vegim ngjarje të rëndësishme të ditëve të mëvonshme përfshirë një libër që po sillej në tokën e premtuar nga johebrenjtë. Lexo rreth librit te 1 Nefi 13:20–25 dhe kërko atë që përmbante ai.
-
Çfarë mësove nga leximi yt?
Merre parasysh të bësh një shënim te vargu 20 që libri të cilin e pa Nefi, i referohet Biblës së Shenjtë. Bërja e shënimeve në shkrimet e tua të shenjta mund të të ndihmojë t’i bësh ato vetjake dhe ta rritësh efektshmërinë e studimit tënd të shkrimeve të shenjta. Për shembull, bërja e shënimeve në shkrimet e tua të shenjta mund të të ndihmojë t’i mbash mend këndvështrimet shpirtërore në të ardhmen ose të jenë një bekim për ty ose të tjerët në një çast nevoje.
-
Çfarë vure re te mënyra se si u përshkrua Bibla?
Lexo te 1 Nefi 13:26–29, duke kërkuar atë që i ndodhi Biblës pasi ajo u përhap nga “apostujt e Qengjit”.
-
Çfarë i ndodhi Biblës?
-
Si mund të shkaktonte heqja e të vërtetave të qarta e të çmueshme nga Bibla që njerëzit të pengoheshin shpirtërisht?
-
Si ngjasojnë këto vargje me analogjinë e biçikletës?
“Dhurata dhe fuqia e Qengjit”
Pasi dëshmoi që të vërtetat e qarta dhe të çmueshme u ndryshuan ose u hoqën nga Bibla, Nefi mësoi se Zoti në mëshirën e Tij nuk do të lejonte që bota të mbetej e pështjelluar ose e verbër (shih te 1 Nefi 13:30–34). Nefi pa që ungjilli do të rivendosej në plotësinë e tij nëpërmjet “dhuratës dhe fuqisë së Qengjit” (1 Nefi 13:35).
Për të mësuar se si e përmbushi këtë Shpëtimtari, lexo te 1 Nefi 13:35–39 dhe merre parasysh t’i shenjosh frazat vijuese dhe të shënosh kuptimin e tyre në shkrimet e tua të shenjta ose në ditarin tënd të studimit.
Referenca dhe fraza e shkrimit të shenjtë |
Interpretimi |
---|---|
Referenca dhe fraza e shkrimit të shenjtë 1 Nefi 13:35 “këto gjëra” | Interpretimi Libri i Mormonit |
Referenca dhe fraza e shkrimit të shenjtë 1 Nefi 13:39 “libra të tjerë” | Interpretimi Përfshin Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet, Perlën me Vlerë të Madhe dhe Përkthimin e Biblës prej Joseph Smith-it |
Referenca dhe fraza e shkrimit të shenjtë 1 Nefi 13:39 “analet e profetëve dhe të dymbëdhjetë apostujve të Qengjit” | Interpretimi Bibla |
Lexo te 1 Nefi 13:40–41, duke kërkuar një përshkrim të asaj që shkrimet e shenjta të Rivendosjes do t’u bëjnë të njohur njerëzve.
-
Çfarë zbulove?
Merre parasysh ta shënosh të vërtetën vijuese në shkrimet e tua të shenjta ose në ditarin tënd të studimit: Libri i Mormonit dhe shkrimet e tjera të ditëve të mëvonshme rivendosin të vërteta të qarta dhe të çmueshme që dëshmojnë për Jezu Krishtin, dhe përforcojnë plotësinë e ungjillit të Tij të përhershëm.
-
Si mendon, pse të vërtetat nga ungjilli i Shpëtimtarit përshkruhen si të qarta dhe të çmueshme?
-
Çfarë mëson rreth Zotit nga roli i Tij në rivendosjen e të vërtetave të qarta dhe të çmueshme?
-
Cila është një e vërtetë ose një mësim nga shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme që është e qartë dhe e çmueshme për ty?
-
Si të ka ndihmuar ajo e vërtetë t’i afrohesh më shumë Jezu Krishtit?
Të vërtetat e qarta dhe të çmueshme të rivendosura
Sa vijojnë janë disa shembuj të të vërtetave të qarta dhe të çmueshme që janë rivendosur. Zgjidh të paktën dy tema që do të doje t’i studioje. Lexo së pari referencën e Biblës në kllapa dhe imagjino se ajo që përmbahet në varg ose në vargje është gjithçka që gjithkush do të dijë ndonjëherë mbi këtë temë. Çfarë pyetjesh mund të ngrejë kjo për ty? Më tej, lexo referencat e tjera të shkrimeve të shenjta nga Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje ose Perla me Vlerë të Madhe. Shënoji të vërtetat e qarta dhe të çmueshme që zbulon nga temat që zgjodhe.