Seminari
Enosi: Besimi te Jezu Krishti Mund të Sjellë Falje të Mëkateve


“Enosi: Besimi te Jezu Krishti Mund të Sjellë Falje të Mëkateve”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Enosi”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Enosi

Besimi te Jezu Krishti Mund të Sjellë Falje të Mëkateve

Enosi duke u lutur

A e ke pyetur ndonjë veten si të marrësh falje për mëkatet e tua? Enosi, biri i Jakobit dhe nipi i Lehit, iu lut Perëndisë “në lutje të fuqishme” (Enosi 1:4) për faljen e mëkateve të tij. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ushtrosh besim te Jezu Krishti dhe të pendohesh për të marrë falje.

Të menduarit rreth asaj që falja do të thotë për ty

Imagjino sikur ke një shok që të pyet rreth pendimit dhe faljes. Merr parasysh si mund t’u përgjigjesh pyetjeve vijuese:

  • Si do ta dije nëse ke nevojë të marrësh falje për diçka?

  • Si mund të marrësh falje për mëkatet?

  • Si mund ta dijë dikush a është falur pasi është përpjekur të pendohet?

Përsiat se çfarë mund t’i thuash shokut tënd. Mendo rreth asaj që di dhe ke përjetuar duke kërkuar falje, si dhe atë që mund të dëshirosh ta dish më mirë.

Ndërsa e studion rrëfimin e Enosit në këtë mësim, kërko atë që bëri ai për të marrë falje për mëkatet e veta dhe si mund të gjejë zbatim kjo në jetën tënde.

Falja fillon me komunikim të thellë midis teje dhe Perëndisë

Enosi, biri i Jakobit dhe nipi i Lehit, iu lut Perëndisë “në lutje të fuqishme” për falje të mëkateve.

Lexo tek Enosi 1:1–8 dhe shenjo fjalë dhe fraza që të ndihmojnë ta kuptosh më mirë se si të kërkosh dhe të marrësh falje.

Gjetja e kohës për të përsiatur fraza domethënëse mund të jetë një aftësi e dobishme për studimin e shkrimeve të shenjta. Ajo e lejon Frymën e Shenjtë t’ju frymëzojë me kuptueshmëri më të madhe. Për të përsiatur, mund të mendosh se çfarë do të thotë një frazë dhe të kërkosh cilëndo fjalë që do të doje ta kuptoje më mirë tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Mund të përsiatësh mbi atë pse Enosi përdori një frazë të caktuar dhe a ke përjetuar ndonjëherë ndonjë gjë të ngjashme.

Përzgjidh pak nga frazat vijuese ose të tjera që përcaktove dhe gjej ca kohë për të përsiatur se çfarë mund të mësosh prej tyre.

  • “Përleshjen që unë pata para Perëndisë” (vargu 2)

  • “Hynë thellë në zemrën time” (vargu 3)

  • “Shpirti im ishte i uritur” (vargu 4)

  • “Lutje të fuqishme dhe kërkesë” (vargu 4)

  • “Mëkatet e tua të janë falur” (vargu 5)

  • “Fajësia ime u fshi” (vargu 6)

  • “Zot, si u bë ajo?” (vargu 7)

  • “Për shkak të besimit tënd në Krishtin” (vargu 8)

  1. Përgjigju për pyetjet vijuese:

    • Çfarë fjalësh dhe frazash të bënë më shumë përshtypje? Pse?

    • Çfarë mësove ndërsa i përsiate këto fraza?

    • Çfarë ndien se po të mëson Perëndia nga përvoja e Enosit?

Një parim i rëndësishëm që mësojmë tek Enosi është se ndërsa pendohemi dhe e ushtrojmë besimin tonë te Jezu Krishti, mund të falemi për mëkatet tona dhe mund të shërohemi. Nëse dëshiron, mund ta shkruash këtë parim në ditarin tënd të studimit.

Lexoje thënien vijuese nga Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

“Kur ne pendohemi me të vërtetë, Krishti do ta heqë barrën e fajit për mëkatet tona. Ne mund të dimë vetë se ne jemi falur dhe bërë të pastër. Fryma e Shenjtë do të na e vërtetojë këtë; Ai është Shenjtëruesi. Asnjë dëshmi tjetër për faljen nuk mund të jetë më e madhe.” (Diter F. Uhtdorf, “Pikë Kthimi të Sigurt”, Liahona, maj 2007, f. 101; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 125)

  • Çfarë mendon se do të ndodhte po të përpiqej dikush të kërkonte falje pa u penduar dhe pa ushtruar besim te Jezu Krishti? Pse?

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si Enosi u pendua dhe ushtroi besim te Jezu Krishti?

  • Çfarë mendon se do të thotë të shërohesh?

Mund të jetë e dobishme të shohësh se cilat pyetjeve nga situata në fillim të mësimit mund t’u përgjigjesh duke përdorur rrëfimin e Enosit.

Ne mund të kemi përvoja si të Enosit sot

Shumica e njerëzve nuk marrin falje në një mënyrë aq të menjëhershme ose dramatike sa Enosi. Megjithatë, ndërsa kërkojmë të ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe të pendohemi siç bëri Enosi, edhe ne mund të marrim falje dhe të shërohemi.

Përsiat mbi përpjekjet e tua për të ushtruar besim te Jezu Krishti dhe për t’u penduar. Merr parasysh sa vijon ndërsa e bën këtë:

  • Përsiat mbi atë që di rreth Jezu Krishtit dhe dëshirës së Tij për të të falur dhe ndihmuar. Çfarë ndien se Ai dëshiron që ti të bësh për të ushtruar besim tek Ai dhe për t’u penduar?

  • Mendo për herën e fundit që ndjeve se ushtrove besim te Jezu Krishti dhe u pendove. A ka ndodhur kjo kohët e fundit? Përse po ose përse jo?

  • Merr parasysh të planifikosh një kohë për t’u lutur me besim më të madh te Jezu Krishti. Si mund t’i qasesh lutjes sate ndryshe nga sa bën zakonisht? Si mund të demonstrosh se e dëshiron faljen e Zotit në mënyrë të ngjashme me Enosin?