“Mosia 7–8: Profetët e Zotit si Shikues”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mosia 7–8”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mosia 7–8
Profetët e Zotit si Shikues
Njësoj si Shpëtimtari ka tituj që na mësojnë rreth Tij, shërbëtorët e Zotit kanë tituj që na ndihmojnë t’i kuptojmë rolet e tyre në planin e Atit Qiellor. Kur mbreti Limhi kërkoi ndihmë për një detyrë që ai nuk dinte si ta plotësonte, një burrë i quajtur Amoni e drejtoi atë te profeti. Amoni i shpjegoi gjithashtu mbretit të vërteta të rëndësishme rreth rolit të profetëve, shikuesve dhe zbuluesve. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh rëndësinë e faktit që profetët janë edhe shikues në planin e Atit Qiellor.
Pyetje rreth profetëve
Imagjino që dikush që e njeh, ka mësuar se ti beson në profetët bashkëkohorë. Ai ose ajo të afrohet dhe të pyet për sa vijon:
-
Dëgjova që kisha jote ka një profet. Çfarë bën ai?
-
Përse vallë kemi nevojë për një profet sot?
-
Lexova në internet që Jozef Smithi përktheu një libër të lashtë. A e ka bërë ndonjë profet tjetër i lashtë ose bashkëkohor atë?
-
Çfarë beson rreth profetëve?
Libri i Mormonit përmban mësime të shumta rreth profetëve, përfshirë se si Ati Qiellor i përdor ata për të na ndihmuar. Ndërsa studion, përsiati pyetjet më sipër dhe kërko ta forcosh dëshminë tënde për profetët. Gjithashtu kërko përgjigje për pyetjet shtesë që mund të kesh rreth profetëve.
Tri udhëtime
Tri udhëtimet nefite janë të rëndësishme që të kuptohen për këtë mësim dhe mësimet e ardhshme. Vështroje ilustrimin vijues dhe lexo shpjegimin e udhëtimeve të përshkruara.
Kur babai i mbretit Beniamin (Mosia) ishte mbret, një burrë i quajtur Zenif u largua nga Zarahemla me një grup njerëzish për të rimarrë tokën e Nefit (shih te Mosia 9:3–4). Prej grupit të Zenifit nuk u mor asnjë lajm për shumë vite, kështu që mbreti i radhës, Mosia (djali i mbretit Beniamin), dërgoi një grup të udhëhequr nga Amoni që t’i kërkonte ata (shih te Mosia 7:1–3). Ata e gjetën popullin e Zenifit, i cili po udhëhiqej nga nipi i Zenifit, mbreti Limhi. Populli i Limhit ishte skllavëruar nga lamanitët “për shkak të paudhësive [të tyre]” (Mosia 7:20).
Mbreti Limhi i tha Amonit se kishte dërguar një grup kërkimi për të gjetur Zarahemlën, por ata nuk kishin qenë të suksesshëm. Në vend të kësaj, ata kishin sjellë me vete relikte nga toka në veri, përfshirë një anal të shkruar mbi 24 fletë të arta (shih te Mosia 8:7–9). Mbreti Limhi shpresoi se Amoni mund ta përkthente analin ose të njihte dikë që mund ta bënte atë (shih te Mosia 8:6, 11–12).
Lexo te Mosia 8:13–14, duke kërkuar atë që Amoni tha se mund ta përkthente analin dhe pse.
Mund të jetë e dobishme të dish se të dy, Mosia dhe Jozef Smithi, patën instrumente të veçanta të quajtura Urimi dhe Thumimi, të përgatitura nga Perëndia për t’i ndihmuar ata të përkthenin analet e lashta. (Shih te Mosia 28:13–14; Joseph Smith – Historia 1:35. Nëse do të doje të dije më tepër, kërko zërin “Urim dhe Thumim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.)
Roli i një shikuesi
Lexo te Mosia 8:15–18 për të mësuar se çfarë janë shikuesit dhe pse një Atë i dashur Qiellor ka siguruar shikues për ne.
-
Çfarë mësove?
Një e vërtetë që ilustron ky rrëfim, është se Zoti siguron profetë, shikues dhe zbulues për përftimin e njerëzimit. Në shkrimet e tua të shenjta, mund të dëshirosh të shenjosh fjalë ose fraza që ta mësojnë këtë të vërtetë, ose ta shkruash këtë të vërtetë pranë vargjeve që e japin mësim këtë.
Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta e shpjegon rolin e një shikuesi si më poshtë:
“Një njeri i autorizuar nga Perëndia për të parë me sytë shpirtërorë gjëra të cilat Perëndia i ka fshehur nga bota (Mois. 6:35–38). Ai është një zbulues dhe një profet (Mosia 8:13–16). Në Librin e Mormonit, Amoni na mësoi se vetëm një shikues mund t’i përdorte interpretuesit e veçantë ose një Urim dhe Thumim (Mosia 8:13; 28:16). Një shikues e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Në lashtësi, një profet shpesh quhej shikues (1 Sam. 9:9; 2 Sam. 24:11).
Joseph Smith‑i është shikuesi i madhërishëm i ditëve të mëvonshme (DeB 21:1; 135:3). Si shtesë, Presidenca e Parë dhe Këshilli i Të Dymbëdhjetëve shugurohen si profetë, shikues dhe zbulues.” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shikues”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org)
Vlera e shikuesve në kohën tonë
Mund të jetë e dobishme të dish që mbreti Mosia vërtet i përktheu analet (shih te Mosia 28:11–19). Do të kesh mundësi të lexosh një pjesë të atyre analeve kur të studiosh librin e Ethërit.
Edhe përpara se analet të përktheheshin, mbreti Limhi u ndikua nga njohuria që mbreti Mosia mund të përkthente. Lexo te Mosia 8:19–20, duke kërkuar se si reagoi mbreti Limhi kur mësoi se Perëndia thërret profetë, shikues dhe zbulues.
-
Si ndikoi te Limhi marrja e kësaj njohurie?
Përsiat se si ndihesh rreth faktit që Ati Qiellor siguron profetë, shikues dhe zbulues për të na udhërrëfyer sot. Mund t’i shënosh mendimet e tua në ditarin tënd të studimit.