“Alma 8: Dëgjimi dhe Bindja ndaj Atit Qiellor”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 8”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 8
Dëgjimi dhe Bindja ndaj Atit Qiellor
Bindja ndaj Atit Qiellor mund të jetë e vështirë, por ajo çon në lumturinë më të madhe. Ndërsa Alma dhe Amuleku e ushtruan besimin dhe e zbatuan udhëzimin e Perëndisë, Perëndia i bekoi ata dhe njerëzit që i rrethonin. Ky mësim mund të të ndihmojë ta dëgjosh dhe t’i bindesh Atit Qiellor në jetën tënde.
Ndjekja e Atit Qiellor
Mendo se si do të ndiheshe nëse Ati Qiellor do të të kërkonte të bëje sa vijon dhe pse do të ndiheshe ashtu:
-
Ta përhapësh ungjillin te dikush që i ka refuzuar ftesat e tua në të kaluarën.
-
Ta bësh shok dhe ta ndihmosh dikë në shkollën tënde të cilin nuk e pëlqejnë ose e refuzojnë.
-
Cilat janë disa urdhërime ose nxitje të tjera që Ati Qiellor mund të na japë, që mund të jenë të vështira për t’u pranuar dhe për t’iu bindur? Përse këto situata mund të jenë kaq të vështira?
Në kapitullin që do të studiosh sot, Perëndia e udhëzoi Almën të përballej me një situatë të ngjashme me skenarin e parë më lart dhe Amuleku u përball me një situatë të ngjashme me të dytin. Gjej një çast për të përsiatur nëse ka urdhërime ose nxitje nga Perëndia që janë të vështira për ty që t’u bindesh. Ndërsa studion, kërko se si Alma dhe Amuleku i mposhtën sfidat e tyre dhe i zbatuan urdhërimet e Perëndisë. Kërko ndihmën e Atit Qiellor për të ditur se si mund ta dëgjosh dhe ndjekësh Atë më mirë.
Përvoja e Almës
Lexo tek Alma 8:8–18, duke kërkuar atë që Perëndia i kërkoi Almës të bënte dhe përse kjo mund të ketë qenë e vështirë për të. Mundohu t’i përfytyrosh ngjarjet ndërsa i lexon ato. Mund të dëshirosh të shikosh materialin filmik “Alma dhe Amuleku Çlirohen nëpërmjet Fuqisë së Perëndisë” nga kodi kohor 00:36 deri në 02:22, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org dhe ta ndjekësh paralelisht në shkrimet e tua të shenjta.
Përvoja e Amulekut
Lexo tek Alma 8:19–21; 10:4–11, për të parë se çfarë ndodhi më pas. (Mund të jetë e dobishme të dish se Amuleku e tregoi përvojën e tij tek Alma 10:4–11.) Mundohu t’i përfytyrosh ngjarjet ndërsa i lexon ato. Mund të dëshirosh të vazhdosh ta shikosh materialin filmik “Alma dhe Amuleku Çlirohen nëpërmjet Fuqisë së Perëndisë” nga kodi kohor 02:22 deri në 04:03, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.
-
Çfarë mësojmë tek Alma 10:4–6 rreth Amulekut? Përse këta faktorë mund ta kishin bërë të vështirë për të që t’i bindej Perëndisë?
-
Si mendon, përse Ati Qiellor vazhdoi t’i shtrinte dorën Amulekut edhe pse ai nuk ishte bindur në të kaluarën?
Lexo tek Alma 8:26–32 për të parë se si Amuleku dhe Alma u bekuan për veprimet e tyre.
-
Çfarë parimesh mësove nga rrëfimi i Almës dhe Amulekut?
Një nga parimet që mund të kesh përcaktuar, është se, kur ne e dëgjojmë dhe i bindemi Atit Qiellor, Ai na bekon ne dhe të tjerët. Ne mund ta dëgjojmë fjalën e Perëndisë në një larmi mënyrash. Për shembull, edhe Alma, edhe Amuleku e dëgjuan fjalën e Perëndisë nga një engjëll.
Ta dëgjosh Atë
Amuleku tha: “U thirra shumë herë por nuk doja të dëgjoja” (Alma 10:6). Më herët në jetën e tij, Alma gjithashtu nuk e dëgjoi Perëndinë për njëfarë kohe (shih te Mosia 27:8).
ChurchofJesusChrist.org
Shpenzo pak kohë për ta shënuar çfarëdo mbrese që mund të kesh pasur nga Ati Qiellor. Mendo rreth asaj që mund të bësh për të vepruar sipas atyre mbresave. Kjo mund të përfshijë angazhimin për t’iu bindur urdhërimeve ose nxitjeve të caktuara dhe çfarëdo hap që duhet të ndërmarrësh. Nëse bindja ndaj këtyre urdhërimeve është e vështirë, merre parasysh të lutesh që Ati Qiellor të të ndihmojë.