“Alma 12: Një Zemër e Ngurtësuar ose e Butë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 12”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 12
Një Zemër e Ngurtësuar ose e Butë
Si mendon ti, çfarë do të thotë të kesh një zemër të ngurtësuar ose një zemër të butë ndaj Zotit? Kur Zizromi filloi t’i bënte Almës dhe Amulekut pyetje të sinqerta, Alma dha mësim se ata që nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre, mund t’i mësojnë gjërat e Perëndisë. Alma dha mësim planin e shëlbimit dhe i nxiti njerëzit t’i vlerësonin zemrat e tyre. Ky mësim mund të të ndihmojë ta vlerësosh zemrën dhe gatishmërinë tënde për të marrë fjalën e Perëndisë.
Krahasimi i zemrës me plastelinën
Mendo për një rast kur pe dikë të bënte diçka me plastelinë ose kur e bëre vetë diçka. A të kujtohet nëse plastelina ishte e lehtë për t’u punuar apo nëse ishte e tharë ose e fortë?
-
Si ndikon përdorimi i plastelinës së butë ose të fortë në aftësinë tënde për t’i dhënë formë asaj?
Vizato në ditarin tënd të studimit dy zemra, duke e emërtuar njërën “zemra e ngurtësuar” dhe tjetrën “zemra e butë”. Mund të jetë e dobishme të dish se në shkrimin e shenjtë, zemra shpesh simbolizon “mendjen dhe vullnetin” e njeriut (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Zemër”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Krahasoji zemrat tona me plastelinën dhe Zotin me personin që i jep formë asaj. Teksa e studion këtë mësim, kërko ndihmën e Zotit për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese:
-
Çfarë do të thotë të kesh një zemër të ngurtësuar ose një zemër të butë? Përse ka rëndësi gjendja e zemrës sime?
-
Në ç’mënyra kam një zemër të ngurtësuar ose një zemër të butë?
-
Nëse zemra ime është e ngurtësuar, si mund të kërkoj ndihmën e Zotit për ta zbutur atë?
Ndërsa mëson, merre parasysh të shkruash shënime nën secilën zemër që vizatove në ditarin tënd të studimit.
Zemrat e ngurtësuara dhe zemrat e buta
Zizromi dhe të tjerë ishin munduar t’i mashtronin dhe diskreditonin Almën dhe Amulekun duke bërë pyetje me qëllimin për t’i kapur në fjalë (shih tek Alma 11:21). Amuleku u përgjigj nëpërmjet Shpirtit, duke dëshmuar për Shpëtimtarin dhe Gjykimin Përfundimtar (shih tek Alma 11:26–46). Alma shpjegoi se ai dhe Amuleku i dinin dredhitë e Zizromit nëpërmjet Shpirtit (shih tek Alma 12:3–6).
Lexo tek Alma 12:7–8, duke kërkuar atë që i ndodhi Zizromit.
-
Cilat fraza të tregojnë se Zizromi po ndryshonte?
-
Çfarë ndryshimi mendon se mund të kishte sjellë qëndrimi i Zizromit në aftësinë e tij për të marrë përgjigjet?
Për shkak se Zizromi donte me të vërtetë të dinte rreth Gjykimit Përfundimtar, Alma e përdori këtë mundësi për të dhënë mësim rreth planit të Perëndisë për shëlbimin. Megjithatë, në fillim Alma e paralajmëroi Zizromin se zemra e tij duhet të ishte e drejtë përpara Perëndisë.
Ndërsa lexon tek Alma 12:9–11, shenjo fjalë ose fraza që të ndihmojnë të kuptosh se çfarë ndodh për shkak të gjendjes së zemrave tona. Mund të të ndihmojë të dish se “misteret e Perëndisë janë të vërteta shpirtërore të njohura vetëm nëpërmjet zbulesës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mistere të Perëndisë”, scriptures.churchofJesusChrist.org).
Dy parime që mund të kesh përcaktuar, janë 1) nëse nuk i ngurtësojmë zemrat tona dhe i kushtojmë vëmendje me zell fjalës së Perëndisë, ne mund të arrijmë t’i njohim misteret e Perëndisë dhe 2) nëse i ngurtësojmë zemrat tona, ne do të marrim më pak nga fjala e Perëndisë derisa të mos dimë asgjë rreth mistereve të Perëndisë. Merre parasysh ta shkruash çdo të vërtetë pranë zemrave që ke vizatuar në ditarin tënd.
Për të marrë kuptueshmëri më të madhe se çfarë do të thotë te kesh një zemër të ngurtësuar ose se çfarë mund të bëjmë që Zoti t’i zbutë zemrat tona, lexo disa nga vargjet vijuese. Afër zemrave përkatëse në ditarin tënd të studimit, shkruaje atë që mëson ose frazat e rëndësishme nga këto vargje dhe vargjet që lexove tek Alma 12:7–11.
-
Njerëz që i ngurtësojnë zemrat e tyre: 1 Nefi 15:3; 2 Nefi 33:2; Mosia 11:29.
-
Ajo që bënë njerëzit që Zoti t’i zbuste zemrat e tyre: 1 Nefi 2:16; Alma 24:8.
-
Si mendon se do të dukej nëse dikush do t’i bënte pyetjet me një zemër të ngurtësuar? Si do të dukej nëse do të pyeste duke i kushtuar “vëmendje dhe zell” (Alma 12:9) Zotit?
-
Përse mund të ndihemi ndonjëherë të tunduar t’i ngurtësojmë zemrat tona?
-
Si mendon, përse gjendja e zemrës sonë ndaj Zotit mund të sjellë një ndryshim të tillë në jetën tonë?
Plani i Perëndisë për shëlbimin
Për shkak se Zizromi filloi të kishte një dëshirë të sinqertë për të kuptuar ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit, Alma i dha atij mësim për planin e Perëndisë për shëlbimin. Ai dha mësimin se kjo jetë është “një kohë për t’u përgatitur që të takojmë Perëndinë” dhe rreth rolit thelbësor të Shpëtimtarit në mundjen e mëkateve tona dhe vdekjes (shih tek Alma 12:16–18, 24–28, 33). Ai vuri në dukje rëndësinë e mosngurtësimit të zemrave tona.
Gjej një çast për të përfytyruar se si mund të jetë të qëndrosh përpara Perëndisë në Gjykimin Përfundimtar pasi të kesh jetuar me një zemër të ngurtësuar. Përfytyro gjithashtu se si mund të jetë pasi të kesh jetuar me një zemër të zbutur.
Lexo tek Alma 12:12–15, 33–37 duke kërkuar mënyrën se si zemra jote mund të ndikojë në marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në Gjykimin Përfundimtar. Ti mund të duash të shenjosh fjalë ose fraza të rëndësishme në shkrimet e tua të shenjta.
-
Sipas vargjeve Alma 12:33–34, përse është thelbësore që të mos i ngurtësojmë zemrat tona dhe të pendohemi?
-
Në ç’mënyrë ishte Shpëtimtari një shembull i përsosur i të pasurit të një zemre të butë dhe të përulur ndaj Atit të Tij? (Shih te Mateu 26:39; 2 Nefi 31:4–7; Doktrina e Besëlidhje 19:18–19.)
Zemra jote
Për të të ndihmuar ta vlerësosh zemrën tënde, përgjigju për pyetjet vijuese në një shkallë nga 1 deri në 5, ku 1 do të thotë “asnjëherë e vërtetë për mua” dhe 5 do të thotë “gjithnjë e vërtetë për mua”.
-
Dëshiroj udhërrëfim nga Ati Qiellor në të gjitha aspektet e jetës sime.
-
Jam i gatshëm t’i bindem Atit Qiellor.
-
E pranoj korrigjimin.
-
Ndiej një nevojë për ndihmën e Shpëtimtarit në jetën time.
-
Jam i gatshëm të drejtohem te Shpëtimtari dhe të pendohem.