“Alma 10–11: ‘Sipas Shpirtit të Zotit’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 10–11”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 10-11
“Sipas Shpirtit të Zotit”
A të kanë mashtruar ndonjëherë? A e mban mend se si u ndjeve? Kur po i dëshmonin popullit të Amonihës, Alma dhe Amuleku u përballën nga njerëz që përdorën dredhi në përpjekje për t’i ndaluar ata. Kjo dredhi iu bë e ditur Almës dhe Amulekut nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Ky mësim mund të të ndihmojë të jesh më pranues ndaj Shpirtit të Shenjtë për të njohur të vërtetën dhe për të dalluar mashtrimet e holla të kundërshtarit.
Ruhu nga e keqja
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi historinë vijuese të një shoku i cili punonte si hetues për qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Shih se çfarë mund të mësosh nga kjo përvojë rreth shmangies së mashtrimit.
“Miku im hetonte grupe kriminale të organizuara që transportonin droga të paligjshme për në Shtetet e Bashkuara.
Në një rast, ai dhe një agjent tjetër iu afruan një apartamenti ku ata besonin se një shitës i njohur droge po shpërndante kokainë. Miku im përshkruan atë që ndodhi:
‘Trokitëm në derën e shitësit të drogës. I dyshuari e hapi derën dhe, me të na parë, u përpoq të na zinte pamjen. Por ishte tepër vonë; ne arritëm ta shihnim kokainën mbi tryezë.
Një burrë dhe një grua që ishin tek tryeza, filluan menjëherë të hiqnin kokainën. Na duhej t’i ndalnim në shkatërrimin e provave, kështu që unë menjëherë e shtyva të dyshuarin e drogës, i cili po bllokonte derën anash. Kur e shtyva, sytë më hasën me sytë e tij. Çuditërisht, nuk dukej i zemëruar apo i frikësuar. Ai po më buzëqeshte.
Sytë dhe buzëqeshja e tij çarmatosëse më dhanë përshtypjen se ishte i parrezikshëm dhe prandaj me të shpejtë e lashë atë dhe zura t’i afrohem tryezës. I dyshuari tashmë ndodhej pas. Në atë çast, një përshtypje e qartë dhe e fuqishme më erdhi në mendje: “Ruhu nga e keqja prapa syrit të qeshur”.
Menjëherë u ktheva në drejtim të të dyshuarit. Dorën e kishte në xhepin e madh të përparmë. Instinktivisht ia mbërtheva dorën dhe ia nxora nga xhepi. Vetëm atëherë e pashë, në dorën e shtrënguar, revolen gjysmëautomatike gati për zjarr. Pasoi një veprim i rrufeshëm dhe unë e çarmatosa atë.’” (Nil L. Andersen, “Ruhuni nga e Keqja Prapa Syrit të Qeshur”, Liahona, maj 2005, f. 46; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 55)
-
Çfarë të bën përshtypje nga përvoja që tregoi Plaku Andersen?
-
Cilat janë mënyrat se si Satani mund të përpiqet të na mashtrojë sot?
Teksa studion sot, kërko mënyra se si mund ta dallosh mashtrimin në mënyrë që të mund të shmangësh gjëra që mund të të lëndonin shpirtërisht.
Paralajmëruar për mashtrimin
Kur Amuleku i dëshmoi popullit të Amonihës se ai ishte thirrur nga Perëndia, disa njerëz u çuditën (shih tek Alma 10:12). Ai ishte “një njeri me nam jo të vogël” (Alma 10:4) mes popullit të tij dhe ishte bashkuar me Almën për të dëshmuar kundër tyre. Disa ligjtarë të zotë donin ta mashtronin Almën dhe Amulekun dhe të fitonin para ndërkohë (shih tek Alma 10:13; 11:20).
Lexo tek Alma 10:15–17, duke kërkuar mënyrën se si Amuleku reagoi ndaj këtyre ligjtarëve.
-
Në ç’mënyra janë mashtrimet si “kurthe ose leqe”? (Alma 10:17.)
Teksa e vazhdon studimin tënd, kërko mënyrën se si Amuleku mundi t’i dallonte mendimet dhe kurthet e ligjtarëve.
Zizromi, një nga ligjtarët i cili ishte “i regjur në dredhitë e djallit” (Alma 11:21), ngriti një kurth.
Lexo tek Alma 11:21–25 duke kërkuar mënyrën se si Zizromi u përpoq ta mashtronte dhe tundonte Amulekun për të mohuar ekzistencën e Perëndisë. Mund të jetë e dobishme të dish se “gjashtë onti prej argjendi” (Alma 11:22) ishin rreth gjashtë javë rrogë si avokat (shih tek Alma 11:3, 11–13).
-
Çfarë mësove nga përgjigjja e Amulekut?
Edhe sikur Amuleku ta mohonte Perëndinë, Zizromi nuk pati kurrë qëllimin që t’ia jepte atij paratë; ai ia ofroi ato vetëm për t’u përpjekur ta diskreditonte dhe “shkatërronte” Amulekun (Alma 11:25).
Më vonë Alma i shpjegoi Zizromit se si Alma dhe Amuleku mundën t’i dallonin mashtrimet dhe kurthet e tij. Lexo tek Alma 12:2–7 duke kërkuar përgjigjen.
Një e vërtetë që mund të mësojmë, është se Perëndia mund të na ndihmojë t’i dallojmë mashtrimet e Satanit nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë.
-
Në ç’mënyrë ishte historia e Plakut Andersen një shembull i këtij parimi?
-
Cilat janë disa mënyra se si Fryma e Shenjtë komunikon me ne? (Nëse është e dobishme, merre parasysh të lexosh te Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; 9:7–9; 11:12 ose të studiosh zërin “Frymë e Shenjtë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.)
-
Si ndikojnë zgjedhjet që bëjmë, tek aftësia jonë për t’u udhërrëfyer nga Fryma e Shenjtë?
Merre parasysh të shenjosh tek Alma 11:22 çfarëdo frazë që tregon vendosmërinë e Amulekut për ta ndjekur Shpirtin. Përsiat se si kjo zgjedhje e ndihmoi atë.
Shmangia e mashtrimit duke njohur të vërtetën
Një mënyrë se si Satani kërkon të na mashtrojë, është duke ngatërruar kuptueshmërinë tonë për Jezu Krishtin.
Lexo tek Alma 11:26–37, 40–41, duke kërkuar mësimet e rreme të Zizromit për Jezu Krishtin dhe mënyrën se si u përgjigj Amuleku.
Për të të ndihmuar t’i kuptosh këto vargje, merre parasysh ta vizatosh grafikun vijues në ditarin tënd të studimit. Nën çdo mësim, shkruaj qëndrimet, idetë ose sjelljet ku mund të të çojë çdo mësim.
Mësimi i rremë: Jezu Krishti do të na shpëtojë “në mëkatet [tona]” pa pendim (Alma 11:34). |
Mësimi i vërtetë: Jezu Krishti do të na shpëtojë nga mëkatet tona ndërsa ne drejtohemi me sinqeritet tek Ai dhe pendohemi. |
---|---|
-
Përse është e rëndësishme të dimë se Jezu Krishti mund të na shpëtojë nga mëkatet tona por jo në mëkatet tona?
-
Çfarë mëson nga mënyra se si Amuleku iu përgjigj pyetjeve të Zizromit?